2009
Fjala e Mbylljes
Nëntor 2009


Fjala e Mbylljes

Nëse ua vëmë veshin fjalëve të Tij dhe jetojmë urdhërimet, do të mbijetojmë në këtë kohë tolerimi dhe ligësie.

Pamja
President Thomas S. Monson

Zemra ime është plot ndërsa i afrohemi mbylljes së kësaj konference. Neve na është dhënë mësim me bollëk dhe jemi lartësuar shpirtërisht ndërkohë që kemi dëgjuar mesazhet që janë paraqitur dhe dëshmitë që janë dhënë. U shprehim falënderime secilit që ka marrë pjesë, përfshirë ata Vëllezër që kanë ofruar lutjet.

Edhe një herë muzika ka qenë e mrekullueshme. U shpreh mirënjohjen time personale atyre që kanë qenë të gatshëm të ndajnë me ne talentet e tyre, duke na prekur e frymëzuar gjatë këtij procesi. Muzika e mrekullueshme që luajnë ata i shton vlerat dhe pasuron çdo sesion të konferencës.

Ju kujtojmë se mesazhet që keni dëgjuar gjatë kësaj konference do të shtypen në numrat e nëntorit të revistave Ensign dhe Liahona. Kur t’i lexojmë e t’i studjojmë ato, do të marrim edhe më tepër mësim e frymëzim. Le t’i përfshijmë në jetën tonë të përditshme të vërtetat që gjenden atje.

Ne u shprehim vlerësimin tonë të thellë atyre Vëllezërve që u liruan gjatë kësaj konference. Ata kanë shërbyer mirë dhe kanë bërë kontribute të rëndësishme për punën e Zotit. Përkushtimi i tyre ka qenë i plotë. Ne i falënderojmë ata nga thelbi i zemrës.

Jetojmë në një kohë kur shumë njerëz në botë e kanë lënë sigurinë që gjendet kur u bindemi urdhërimeve. Është një kohë tolerimi, kur shoqëria në përgjithësi, nuk përfill dhe shkel në mënyrë të zakonshme ligjet e Perëndisë. Shpesh ne e gjejmë veten duke notuar kundër rrymës dhe nganjëherë duket sikur rryma do të mund të na mbartë me vete.

Mua më kujtohen fjalët e Zotit që gjenden tek libri i Ethërit në Librin e Mormonit. Tha Zoti: “Ju nuk mund ta kapërceni këtë thellësi të madhe, në qoftë se nuk ju përgatis kundër dallgëve të detit dhe erërave që kanë dalë dhe përmbytjeve që do të vijnë.”1 Vëllezërit dhe Motrat e mia, Ai na ka përgatitur. Nëse ua vëmë veshin fjalëve të Tij dhe jetojmë urdhërimet, do të mbijetojmë në këtë kohë tolerimi dhe ligësie – një kohë që mund të krahasohet me dallgët, dhe erërat, dhe përmbytjet që mund të shkatërrojnë. Ai gjithmonë kujtohet për ne. Ai na do dhe do të na bekojë kur bëjmë atë që është e drejtë.

Sa të bekuar jemi që qiejt vërtet janë hapur, që ungjilli i Jezu Krishtit është rivendosur dhe që Kisha është themeluar mbi shkëmbin e zbulesës. Ne jemi popull i bekuar, me apostuj dhe profetë mbi tokë sot.

Tani, ndërsa largohemi nga kjo konferencë, i kërkoj bekimet e qiellit mbi secilin prej jush. Të gjithë ju u kthefshi të sigurt në shtëpitë tuaja. Kur të meditoni gjërat që keni dëgjuar gjatë kësaj konference, thënçi ju, me popullin e Mbretit Beniamin që thirrën të gjithë me një zë: “Ne i besojmë të gjitha fjalët që ti na ke folur; dhe ne gjithashtu dimë për sigurinë dhe vërtetësinë e tyre, për shkak të Shpirtit të Zotit të Plotfuqishëm, i cili ka bërë një ndryshim të madh te ne, … që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht.”2 Çdo burrë e grua, çdo djalë e vajzë u largoftë nga kjo konferencë si një njeri më i mirë nga sa ishte kur filloi ajo dy ditë më parë.

Unë ju dua, Vëllezërit e Motrat e mia. Unë lutem për ju. Do t’ju kërkoja edhe një herë që të më kujtoni mua dhe gjithë Autoritetet e Përgjithshëm në lutjet tuaja. Ne jemi një me ju në çuarjen përpara të kësaj vepre të mrekullueshme. Unë ju dëshmoj se jemi të gjithë në këtë së bashku dhe se çdo burrë, grua dhe fëmijë ka një rol për ta luajtur. Perëndia na dhëntë fuqinë, dhe aftësinë, dhe vendosmërinë për ta luajtur mirë rolin tonë.

Unë ju jap dëshminë time se kjo vepër është e vërtetë, se Shpëtimtari ynë jeton dhe se Ai udhëheq dhe drejton Kishën e Tij këtu mbi tokë. Unë ju lë dëshminë dhe dëshmimin tim se Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm, jeton dhe na do. Ai është vërtet Ati ynë dhe është person e i vërtetë.

Perëndia ju bekoftë. Paqja e Tij e premtuar qoftë me ju tani e përgjithmonë.

Ju jap lamtumirën derisa të takohemi përsëri pas gjashtë muajsh dhe e bëj këtë në emrin e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit e Shëlbuesit tonë dhe Avokatit tonë me Atin, amen.

SHËNIME

  1. Ethëri 2:25.

  2. Mosia 5:2.