2009
Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj
Nëntor 2009


“Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj”

Ftesa për pendim rrallëherë është një zë ndëshkimi, por më shumë një thirrje me dashuri për të bërë kthesë e për t’u “ri-kthyer” drejt Perëndisë.

Pamja
Elder Neil L. Andersen

Vëllezër dhe motra të mia, kanë kaluar gjashtë muaj që nga thirrja ime në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Të shërbej tani me burra të cilët prej kohe kanë qenë shembujt dhe mësuesit e mi, vazhdon të jetë një përvojë përulësie. I vlerësoj thellë lutjet dhe votën tuaj të mbështetjes. Për mua kjo ka qenë një kohë e lutjes së zjarrtë, e kërkimit të sinqertë për pranim nga Zoti. Kam ndier dashurinë e Tij në mënyra të shenjta e të paharrueshme. Unë dëshmoj se Ai jeton dhe se kjo është puna e Tij e shenjtë.

Ne e duam Presidentin Tomas S. Monson, profetin e Zotit. Do ta kujtoj përgjithnjë dashamirësinë e tij kur më dha thirrjen time prillin e kaluar. Në përfundim të intervistës sonë, ai hapi krahët që të më përqafonte. Presidenti Monson është një burrë i gjatë. Kur më hodhi krahët e tij të gjatë dhe më mori pranë, u ndjeva si një djalë i vogël që mbahej në krahët mbrojtës të një babai plot dashuri.

Në muajt që erdhën mbas asaj përvoje, kam menduar për ftesën e Zotit për të ardhur drejt Tij e për t’u mbështjellë shpirtërisht në krahët e Tij. Ai tha: “Vini re, [krahët e mia të] mëshirës [janë] shtrirë drejt jush dhe kushdo që do të vijë, unë do ta pranoj; dhe të bekuar qofshin ata që vijnë tek unë”1.

Shkrimet e shenjta flasin për krahët e Tij që hapen2, zgjaten3, shtrihen4 dhe rrethojnë5. Ato përshkruhen si të fuqishme6 dhe të shenjta7, krahë mëshire8, krahë sigurie9, krahë dashurie10, të “shtrirë gjithë ditën e ditës”11.

Secili prej nesh i ka ndier në njëfarë mase këta krahë shpirtërorë përreth vetes. Kemi ndier faljen e Tij, dashurinë dhe ngushëllimin e Tij. Zoti ka thënë: “Unë jam ai që të ngushëllon”12.

Dëshira e Zotit që ne të vijmë drejt Tij e të rrethohemi në krahët e Tij, është shpesh një ftesë për t’u penduar. “Vini re, ai u dërgon gjithë njerëzve një ftesë, pasi krahët e mëshirës janë shtrirë drejt tyre dhe ai thotë: Pendohuni dhe unë do t’ju pranoj”13.

Kur mëkatojmë, ne ikim nga Perëndia. Kur pendohemi, kthehemi përsëri drejt Tij.

Ftesa për pendim rrallëherë është një zë ndëshkimi, por më shumë një thirrje me dashuri për të bërë kthesë e për t’u “ri-kthyer” drejt Perëndisë14. Ajo është shenja ftuese e një Ati të dashur dhe e Birit të Tij të Vetëmlindur që të jemi më të mirë sesa jemi, të ngrihemi në një udhë më të lartë jete, të ndryshojmë si dhe të ndiejmë lumturinë prej zbatimit të urdhërimeve. Duke qenë dishepuj të Krishtit ne ngazëllohemi për bekimin e pendimit dhe për gëzimin nga falja. Ato bëhen pjesë e jona, duke formuar mënyrën se si mendojmë dhe ndihemi.

Ndërmjet dhjetëra mijë dëgjuesve të kësaj konference, ka nivele të ndryshme denjësie dhe drejtësie vetjake. Megjithatë, pendimi është një bekim për të gjithë ne. Secili nga ne ka nevojë të ndiejë krahët e mëshirës së Shpëtimtarit nëpërmjet faljes për mëkatet tona.

Vite më parë, më kërkuan të takoj një burrë i cili, kohë përpara vizitës sonë, kishte pasur një periudhë jete rebele. Si pasojë e zgjedhjeve të tij të këqija, ai humbi anëtarësinë e tij në Kishë. Tashmë prej kohësh ai ishte rikthyer në Kishë dhe po i zbatonte me besnikëri urdhërimet, por veprimet e mëparshme i faniteshin atij. Në takimin me të kuptova turpin e tij dhe keqardhjen e thellë që i kishte lënë mënjanë besëlidhjet e tij. Në vijim të intervistës sonë unë i vendosa duart mbi kokën e tij për t’i dhënë një bekim priftërie. Ende pa folur një fjalë, unë pata një ndjesi gjithëpushtuese të dashurisë dhe të faljes së Shpëtimtarit për të. Mbas bekimit ne u përqafuam dhe ai burrë qau haptas.

Unë habitem me krahët qarkues të mëshirës dhe dashurisë së Shpëtimtarit për të penduarin, pavarësisht sa egoist ishte mëkati i braktisur. Unë dëshmoj që Shpëtimtari është në gjendje dhe pret me padurim t’i falë mëkatet tona. Me përjashtim të mëkateve të pak atyre që zgjedhin humbjen mbasi e kanë njohur plotësinë, nuk ka mëkat që nuk mund të falet.15 Sa privilegj i mrekullueshëm, për çdonjërin nga ne, që të largohemi nga mëkatet tona e të vijmë te Krishti. Falja hyjnore është një nga frytet më të ëmbla të ungjillit, që na heq fajin dhe dhimbjen nga zemra dhe i zëvendëson ato me gëzim e me paqe në ndërgjegje. Jezusi shpall: “A nuk do të ktheheni tani tek unë dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të ktheheni në besim, që të mund t’ju shëroj?”16

Disa dëgjuesve sot mund t’u nevojitet “një ndryshim i madh [i zemrës]”17 që të përballen me mëkate serioze. Ndihma e një udhëheqësi të priftërisë mund të jetë e domosdoshme. Për shumicën, pendesa është e heshtur dhe krejtësisht personale, duke kërkuar përditë ndihmën e Zotit për të bërë ndryshimet e nevojshme.

Për shumicën, pendimi është më shumë një udhëtim sesa një ndodhi njëkohëshe. Ai nuk është i lehtë. Të ndryshosh, është e vështirë. Ai kërkon që të ecet nëpër tufan, të notohet kundër rrymës. Jezusi tha: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë”18. Pendim do të thotë t’u largohesh disa gjërave të tilla si pandershmëria, krenaria, zemërimi dhe mendimet e papastra dhe t’u drejtohesh disa gjërave të tjera, si mirëdashja, bujaria, durimi dhe ana shpirtërore. Ai është “ri-kthim” drejt Perëndisë.

Si ta vendosim se ku duhet përqendruar pendesa jonë? Kur dikush që e duam ose një mik këshillon gjëra të cilat duhet t’i ndryshojmë, njeriu i natyrshëm brenda nesh ngre krye e përgjigjet: “Oh, ti mendon se unë duhet të ndryshoj? Epo mirë, më lejo të të them disa nga problemet e tua.” Një trajtim më i mirë është që përulësisht t’i lutesh Zotit: “Atë, çfarë dëshiron Ti që të bëj?” Përgjigjet vijnë. Ne i ndiejmë ndryshimet që nevojitet të bëjmë. Zoti na i thotë në mendje dhe në zemër.19

Pastaj ne lejohemi të zgjedhim: do të pendohemi apo do t’i ulim grilën dritares sonë të hapur drejt qiellit?

Alma paralajmëroi: “Mos u përpiq të justifikohesh as në mënyrën më të vogël”20. Kur “ulim grilën”, ne pushojmë së besuari tek ai zë shpirtëror që na fton të ndryshojmë. Ne lutemi, por ne mbajmë vesh më pak. Lutjeve tona u mungon ai besim që çon në pendesë.21

Pikërisht në këtë çast, ndonjë është duke thënë: “Vëlla Andersen, ti nuk e kupton. Nuk mund të ndiesh atë që kam ndier unë. Është shumë i vështirë ndryshimi.”

Mirë e keni; unë nuk e kuptoj plotësisht. Por është Dikush që e kupton. Ai e di. Ai ka ndier dhimbjen tuaj. A ka bërë të ditur: “Unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia”22. Shpëtimtari ndodhet aty, duke ia zgjatur dorën secilit prej nesh, duke na thirrur: “Ejani tek unë”23. Ne kemi mundësi të pendohemi. Mundemi!

Ndërsa ndërgjegjësohemi se ku nevojitet të ndryshojmë, ne trishtohemi për hidhërimin që kemi shkaktuar. Kjo gjë çon në rrëfim të sinqertë e të çiltër tek Zoti dhe, kur nevojitet, edhe tek të tjerë.24 Kur është e mundur, ne ndreqim ato që kemi dëmtuar ose marrë në mënyrë të gabuar.

Pendimi bëhet pjesë e jetës sonë të përditshme. Marrja e përjavshme e sakramentit është shumë e rëndësishme për ne – të vijmë me zemërbutësi e të përulur para Zotit, duke pranuar varësinë tonë nga Ai, duke i kërkuar të na falë e të na përtërijë dhe duke premtuar ta kujtojmë Atë gjithmonë.

Nganjëherë në pendimin tonë, në përpjekjen e përditshme që të bëhemi më të ngjashëm me Krishtin, e gjejmë veten duke u përpjekur rishtas me të njëjtat pengesa. Ashtu sikurse t’i ngjiteshim një mali të mbuluar me pemë, ne nganjëherë nuk e shohim përparimin tonë derisa arrijmë në majë dhe vështrojmë pas nga kreshtat e larta. Mos e humbni kurajën. Nëse po përpiqeni e po punoni për t’u penduar, jeni në procesin e pendimit.

Kur përmirësohemi, ne e shohim jetën më qartë dhe ndiejmë Frymën e Shenjtë duke punuar me ne më me fuqi.

Nganjëherë pyesim veten përse i mbajmë mend gjatë mëkatet tona, pasi i kemi braktisur. Përse hidhërimi për mëkatet tona nganjëherë vazhdon ta ndjekë pendesën tonë?

Juve do t’ju kujtohet një histori e dhimbsur treguar nga Presidenti Xhejms E. Faust. “Tek ferma, kur isha djalë i vogël … , më kujtohet gjyshja ime … që gatuante vaktet tona të shijshme mbi një stufë të nxehtë me lëndë druri. Kur koshi i druve pranë stufës boshatisej, në heshtje Gjyshja e ngrinte atë, dilte që ta rimbushte nga stiva e druve të cedrit atje jashtë dhe e sillte koshin e ngarkuar rëndë përsëri në shtëpi.”

Zëri i Presidentit Faust pastaj u mbush plot emocion, ndërsa vazhdoi: “Sa i pandjeshëm që isha… . Rrija i ulur atje dhe e lija gjyshen time të dashur të mbushte koshin e druve të kuzhinës. Ndiej turp për veten dhe jam penduar gjithë jetës sime për [mëkatin] tim të mosbërjes. Shpresoj që një ditë të kërkoj falje prej saj”.25

Kishin kaluar më shumë se 65 vite. Nëse Presidenti Faust pas gjithë atyre viteve ende kujtonte dhe i vinte keq që nuk ndihmoi gjyshen e tij, a duhet të habitemi për disa nga gjërat që ende i kujtojmë dhe ndiejmë keqardhje?

Shkrimet e shenjta nuk thonë se ne do t’i harrojmë në jetën e vdekshme mëkatet tona të braktisura. Por, më saktë, ato thonë që Zoti do t’i harrojë.26

Braktisja e mëkateve kupton moskthimin kurrë tek ato. Braktisja kërkon kohë. Në mënyrë që të na ndihmojë, Zoti nganjëherë lejon që mëkatet tona të kaluara të na mbeten në kujtesë.27 Kjo është pjesë jetike e mësimit tonë të jetës së vdekshme.

Kur i rrëfejmë ndershmërisht mëkatet tona, kur i kthejmë atë që mundet personit të cënuar dhe i braktisim mëkatet tona nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve, ne jemi në procesin e marrjes së faljes. Me kalimin e kohës, ne ndiejmë që ankthi i trishtimit tonë qetësohet, duke e “nxjerrë fajin nga zemrat tona”28 e duke sjellë “paqe të ndërgjegjes”29.

Për ata që janë vërtet të penduar, por duken jo në gjendje që të ndiejnë lehtësim: vazhdoni të zbatoni urdhërimet. Ju premtoj, lehtësimi do të vijë në kohën e duhur të Zotit. Shërimi po ashtu kërkon kohë.

Në rast se jeni të shqetësuar, këshillohuni me peshkopin tuaj. Peshkopi ka fuqinë e dallimit.30 Ai do t’ju ndihmojë.

Shkrimet e shenjta na paralajmërojnë: “Mos e shtyni ditën e pendimit tuaj!”31 Por, në këtë jetë, asnjëherë nuk është vonë për t’u penduar.

Njëherë më kërkuan të takoj një çift të moshuar që po i kthehej Kishës. Atyre u qe mësuar ungjilli nga prindërit. Pas martesës së tyre ata u larguan nga Kisha. Tani, 50 vjet më vonë, ata po ktheheshin. Më kujtohet bashkëshorti që hyri në zyrë duke tërhequr një bombol oksigjeni. Ata shprehën keqardhje që nuk kishin qëndruar besnikë. Unë u bëra të ditur lumturinë tonë për rikthimin e tyre, duke i siguruar ata për krahët e mirëseardhjes së Zotit për ata që pendohen. Burri i moshuar u përgjigj: “Ne e dimë këtë gjë, Vëlla Andersen. Por hidhërimi ynë është se fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tanë nuk e kanë bekimin e ungjillit. Ne jemi kthyer, por u kthyem vetëm.”

Ata nuk ishin kthyer të vetëm. Pendimi jo vetëm na ndryshon neve, por gjithashtu bekon familjet tona dhe ata që i duam. Me pendimin tonë të ndershëm, në kohën e duhur të Zotit, krahët e shtrira të Shpëtimtarit do të na rrethojnë jo vetëm neve, por edhe do të zgjaten në jetën e fëmijëve dhe të pasardhësve tanë. Pendim do të thotë kurdoherë se ka një lumturi më të madhe përpara.

Jap dëshmi që Shpëtimtari mund të na çlirojë nga mëkatet tona. Unë vetë kam ndier fuqinë e Tij shëlbuese. Në mënyrë të pagabueshme kam parë dorën e Tij shëruese mbi mijëra njerëz në kombe anembanë botës. Unë dëshmoj se dhurata e Tij hyjnore heq fajin nga zemrat tona dhe i sjell paqe ndërgjegjes sonë.

Ai na do. Ne jemi anëtarë të Kishës së Tij. Ai e fton secilin nga ne që të pendohet, të largohet nga mëkatet dhe të vijë drejt Tij. Dëshmoj që Ai është, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. 3 Nefi 9:14.

  2. Shih Mormoni 6:17.

  3. Shih Alma 19:36.

  4. Shih 2 Mbretërit 17:36; Psalmi 136:12.

  5. Shih 2 Nefi 1:15.

  6. Shih DeB 123:6.

  7. Shih 3 Nefi 20:35.

  8. Shih Alma 5:33.

  9. Shih Alma 34:16.

  10. Shih DeB 6:20.

  11. 2 Nefi 28:32.

  12. 2 Nefi 8:12.

  13. Alma 5:33.

  14. Shih Helamani 7:17.

  15. Shih Boyd K. Packer, “The Brilliant Morning of Forgiveness”, Ensign, nëntor 1995, f. 19.

  16. 3 Nefi 9:13.

  17. Alma 5:12.

  18. Mateu 16:24.

  19. Shih DeB 8:2.

  20. Alma 42:30.

  21. Shih Alma 34:17–18.

  22. Isaia 49:16.

  23. 3 Nefi 9:14.

  24. Shih DeB 58:43.

  25. James E. Faust, “The Weightier Matters of the Law: Judgment, Mercy, and Faith”, Ensign, nëntor 1997, f. 59.

  26. Shih DeB 58:42–43; shih edhe Alma 36:17–19.

  27. Shih Diter F. Uhtdorf, “Pikë e Kthimit të Sigurt”, Liahona, maj 2007, f. 101.

  28. Alma 24:10.

  29. Mosia 4:3. Shkrimet e shenjta e lidhin lumturinë tonë në këtë jetë dhe në tjetrën me paqen e ndërgjegjes. Vini re mësimin e Almës se e kundërta e gëzimit është brejtja e ndërgjegjes (shih Alma: 29:5). Profetë të tjerë e lidhin vuajtjen e të ligjve mbas kësaj jete me fajin që ata ndiejnë (shih 2 Nefi 9:14, 46; Mosia 2:38; 3:24–25; Mormoni 9:5). Jozef Smithi tha: “Njeriu është munduesi i vetvetes dhe dënuesi i vetvetes. Që këtej del thënia: Ata do të shkojnë në liqenin që digjet në zjarr dhe squfur. Tortura e zhgënjimit në mendjen e njeriut është e aq ashpër, sa një liqen që digjet në zjarr dhe squfur” (në History of the Church, 6:314).

  30. Shih DeB 46:27.

  31. Alma 34:33.