Fuqia e Hovit Shpirtëror
Do të doja të sugjeroja pesë veprime të posaçme që mund të ndërmarrim për të na ndihmuar ta mbajmë hovin pozitiv shpirtëror.
Vëllezër dhe motra të mia të dashura, unë ju dua. E çmoj shumë këtë mundësi që t’ju flas juve sot. Lutem çdo ditë që të jeni të mbrojtur nga sulmet e egra të kundërshtarit dhe të keni fuqinë për të çarë përpara përgjatë çdo sfide me të cilën përballeni.
Disa sprova janë barrë thellësisht private që askush tjetër nuk mundet t’i shohë. Sprova të tjera luhen në skenën e botës. Konflikti i armatosur në Europën Lindore është njëra nga këto. Unë kam qenë në Ukrainë dhe Rusi shumë herë. I dua ato toka, popujt dhe gjuhët e tyre. Përlotem dhe lutem për të gjithë ata që janë prekur nga ky konflikt. Si kishë po bëjmë gjithçka mundemi për t’i ndihmuar ata që po vuajnë dhe po mundohen fort për të mbijetuar. I ftojmë të gjithë të vazhdojnë të agjërojnë dhe të luten për të gjithë njerëzit që po lëndohen nga kjo gjëmë. Çdo luftë është një shkelje e lemerishme e gjithçkaje që Zoti Jezu Krisht përfaqëson dhe na mëson.
Asnjëri prej nesh nuk mund t’i kontrollojë kombet, ose veprimet e të tjerëve, as pjesëtarët e vetë familjeve tona madje. Por ne mund të kontrollojmë veten. Thirrja ime sot, të dashur vëllezër e motra, është t’u jepni fund konflikteve që po ziejnë në zemrën tuaj, në shtëpinë tuaj dhe në jetën tuaj. Groposeni çfarëdo prirjeje dhe të gjitha prirjet për t’i lënduar të tjerët, qoftë nëse ajo prirje është një temperament, një gjuhë e mprehtë ose inat ndaj dikujt që ju ka lënduar. Shpëtimtari na urdhëroi të kthejmë faqen tjetër1, t’i duam armiqtë tanë dhe të lutemi për ata që na keqtrajtojnë2.
Mund të jetë e vështirë gjer në dhembje ta lëmë pas zemërimin që na duket aq i përligjur. Mund të na duket e pamundur t’i falim ata, veprimet shkatërruese të të cilëve i kanë lënduar të pafajshmit. Dhe prapëseprapë, Shpëtimtari na këshilloi që t’i “fal[im] të gjithë njerëzit”3.
Ne jemi ndjekës të Princit të Paqes. Tani më shumë se kurrë, kemi nevojë për paqen që vetëm Ai mund ta sjellë. Si mund të presim të ekzistojë paqja në botë kur ne, si individë, nuk po kërkojmë paqe dhe harmoni? Vëllezër dhe motra, e di se ajo që po sugjeroj, nuk është e lehtë. Por ndjekësit e Jezu Krishtit duhet të japin shembullin që duhet të ndjekë e gjithë bota. Ju lutem të bëni çmos që t’u jepni fund konflikteve personale që po ziejnë aktualisht në zemrën tuaj dhe në jetën tuaj.
Më lejoni ta nënvizoj këtë thirrje për veprim duke diskutuar një koncept që m’u kujtua kohët e fundit ndërsa shihja një ndeshje basketbolli.
Në atë lojë, gjysma e parë qe një betejë me luhatje, një herë shënonte njëra skuadër, një herë tjetra. Pastaj, gjatë pesë sekondave të fundit të gjysmës së parë, mbrojtësi i njërës skuadër bëri një gjuajtje të bukur trepikëshe. Me vetëm një sekondë të mbetur, shoku i tij i skuadrës fitoi një rivënie të topit në lojë dhe shënoi një kosh tjetër pikërisht para se të binte sinjali i mbarimit të kohës! Prandaj ajo skuadër shkoi në dhomën e zhveshjes duke qenë katër pikë para me një valë të dukshme hovi. Ata mundën ta mbartnin atë hov deri në gjysmën e dytë dhe ta fitonin ndeshjen.
Hovi është një koncept i fuqishëm. Ne të gjithë e kemi përjetuar atë në një formë apo një tjetër – për shembull, në një automjet që merr shpejtësi ose me një mosmarrëveshje që papritmas kthehet në debat.
Ndaj unë pyes: “Çfarë mund ta ndezë hovin shpirtëror?” Kemi parë shembuj edhe të hovit pozitiv edhe të atij negativ. Ne njohim ndjekës të Jezu Krishtit që u kthyen në besim dhe iu shtua besimi. Por dimë edhe për disa besimtarë dikur të zotuar që u larguan. Hovi mund të “lëkundet” në të dyja anët.
Nuk na është nevojitur kurrë hovi pozitiv shpirtëror më shumë sesa na nevojitet tani, për të kundërvepruar ndaj shpejtësisë me të cilën e keqja dhe shenjat më të errëta të kohës po intensifikohen. Hovi shpirtëror pozitiv do të na bëjë të shkojmë përpara mes frikës dhe pasigurisë së krijuar nga pandemitë, cunamet, shpërthimet vullkanike dhe armiqësitë e armatosura. Hovi shpirtëror mund të na ndihmojë t’u bëjmë ballë sulmeve të pamëshirshme e të liga të kundërshtarit dhe t’i pengojë përpjekjet e tij për ta gërryer themelin tonë vetjak shpirtëror.
Shumë veprime mund ta ndezin hovin pozitiv shpirtëror. Bindja, dashuria, përulësia, shërbimi dhe mirënjohja4 janë veç disa prej tyre.
Sot do të doja të sugjeroja pesë veprime të posaçme që mund të ndërmarrim, për të na ndihmuar ta mbajmë hovin pozitiv shpirtëror.
Së pari: Futuni në shtegun e besëlidhjeve dhe qëndroni atje.
Jo shumë kohë më parë, pashë një ëndërr që m’u duk shumë reale, në të cilën takova një grup të madh njerëzish. Ata më bënë shumë pyetje, më e përsëritura prej të cilave qe rreth shtegut të besëlidhjeve dhe pse ka kaq shumë rëndësi ai.
Në ëndrrën time, u shpjegova se ne hyjmë në shtegun e besëlidhjeve duke u pagëzuar dhe duke bërë besëlidhjen e parë me Perëndinë.5 Sa herë që e marrim sakramentin, premtojmë sërish ta marrim emrin e Shpëtimtarit mbi vete, ta kujtojmë Atë dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij.6 Në këmbim, Perëndia na siguron që mund ta kemi gjithmonë Shpirtin e Zotit me vete.
Më vonë, bëjmë besëlidhje të tjera në tempull, ku marrim premtime edhe më të mëdha. Ordinancat dhe besëlidhjet na japin të drejtën për fuqinë e Perëndisë. Shtegu i besëlidhjeve është i vetmi shteg që të çon drejt ekzaltimit dhe jetës së përjetshme.
Në ëndërr, një grua më pas pyeti se si mund të kthehet sërish në atë shteg dikush që i ka shkelur besëlidhjet e tij apo të saj. Përgjigjja ime për pyetjen e saj na çon te sugjerimi im i dytë:
Zbulojeni gëzimin e pendimit të përditshëm.
Sa i rëndësishëm është pendimi? Alma dha mësim se ne nuk duhet “të prediko[jmë] asgjë tjetër përveç pendimit dhe besimit në Zotin”7. Pendimi kërkohet nga çdo person i përgjegjshëm i cili e dëshiron lavdinë e përjetshme.8 Nuk ka asnjë përjashtim për këtë. Në një zbulesë dhënë Profetit Jozef Smith, Zoti i qortoi rëndë udhëheqësit e hershëm të Kishës ngaqë nuk ua kishin mësuar ungjillin fëmijëve të tyre.9 Pendimi është çelësi i përparimit. Besimi i pastër na bën të shkojmë përpara në shtegun e besëlidhjeve.
Ju lutem, mos iu druani pendimit ose ta shtyni atë. Satani kënaqet nga mjerimi juaj. Prijani shkurt atij. Dëbojeni ndikimin e tij nga jeta juaj. Filloni që sot ta përjetoni gëzimin nga zhveshja e njeriut të natyrshëm.10 Shpëtimtari na do gjithmonë, por veçanërisht teksa pendohemi. Ai premtoi se edhe sikur “të largohen malet dhe të lëvizin kodrat, mirësia ime nuk do të largohet prej teje”11.
Nëse ndieni se jeni endur shumë larg shtegut të besëlidhjeve ose për shumë kohë dhe nuk keni asnjë udhë kthimi, kjo thjesht nuk është e vërtetë.12 Ju lutem, vihuni në kontakt me peshkopin ose presidentin tuaj të degës. Ai është vepruesi në emër të Zotit dhe do t’ju ndihmojë të përjetoni gëzimin dhe çlirimin e pendimit.
Tani, një paralajmërim: Kthimi në shtegun e besëlidhjeve nuk do të thotë që jeta do të jetë e lehtë. Ky shteg është kërkues dhe nganjëherë do të na duket si një ngjitje në rrëpirë.13 Kjo ngjitje, sidoqoftë, është projektuar për të na vënë në provë dhe për të na dhënë mësim, për ta rafinuar natyrën tonë dhe për të na ndihmuar të bëhemi shenjtorë. Ai është i vetmi shteg që të çon tek ekzaltimi. Një profet e përshkroi14 “gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore; dhe nëse qëndrojnë besnikë deri në fund, ata janë marrë në qiell, … [dhe] jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund.”15
Ecja përgjatë shtegut të besëlidhjeve, e ndërthurur me pendimin e përditshëm, e ushqen hovin pozitiv shpirtëror.
Sugjerimi im i tretë: Mësoni rreth Perëndisë dhe mënyrës se si vepron Ai.
Një nga sfidat tona më të mëdha sot është dallimi mes të vërtetave të Perëndisë dhe trillimeve të Satanit. Kjo është arsyeja pse Zoti na paralajmëroi të “lut[emi] gjithmonë, … që [ne] të mund të mposht[im] Satanin dhe … të mund t’u shpëto[jmë] duarve të shërbëtorëve të Satanit që vërtet përkrahin veprën e tij”16.
Moisiu dha një shembull se si të bëjmë dallimin mes Perëndisë dhe Satanit. Kur Satani erdhi ta tundonte Moisiun, ai e dalloi mashtrimin sepse ai sapo kishte pasur një ndërveprim ballë për ballë me Perëndinë. Moisiu e kuptoi shpejt se kush ishte Satani dhe e urdhëroi atë të largohej.17 Kur Satani këmbënguli, Moisiu e dinte se si t’i bënte thirrje Perëndisë për ndihmë më të madhe. Moisiu mori forcë hyjnore dhe e qortoi të ligun sërish, duke thënë: “Largohu prej meje, Satan, sepse vetëm këtë Perëndi unë do ta adhuroj”18.
Ne duhet ta ndjekim atë shembull. Dëbojeni ndikimin e Satanit nga jeta juaj! Ju lutem, mos e ndiqni atë teposhtë “humnerë[s] [së] mjerimit dhe të vuajtjes së pafund”19.
Me shpejtësi të frikshme, një dëshmi që nuk ushqehet çdo ditë “nga fjala e mirë e Perëndisë”20, mund të shkërmoqet. Pra, kundërhelmi për planin e Satanit është i qartë: na nevojiten përvoja të përditshme duke adhuruar Zotin dhe duke e studiuar ungjillin e Tij. Ju lutem që ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj. Jepini Atij një pjesë të mirë të kohës suaj. Ndërsa e bëni këtë, vërejeni se çfarë i ndodh hovit tuaj pozitiv shpirtëror.
Sugjerimi numër 4: Kërkoni dhe prisni mrekulli.
Moroni na siguroi se “Perëndia nuk ka pushuar së qeni një Perëndi mrekullish”21. Çdo libër në shkrimet e shenjta dëfton se sa i gatshëm është Zoti të ndërhyjë në jetën e atyre që besojnë tek Ai.22 Ai ndau Detin e Kuq për Moisiun, e ndihmoi Nefin të merrte fletët prej tunxhi dhe e rivendosi Kishën e Tij nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Për secilën prej këtyre mrekullive u desh kohë dhe ato mund të mos kenë qenë saktësisht ajo që ata individë i kërkuan Zotit fillimisht.
Në po të njëjtën mënyrë, Zoti do t’ju bekojë me mrekulli nëse besoni tek Ai, “pa dyshuar asgjë”23. Bëjeni punën shpirtërore që nevojitet për të kërkuar mrekulli. Kërkojini Perëndisë në lutje që t’ju ndihmojë të ushtroni atë lloj besimi. Ju premtoj se mund ta përjetoni vetë faktin që Jezu Krishti “i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit”24. Pak gjëra do ta përshpejtojnë hovin tuaj shpirtëror më shumë sesa të kuptuarit se Zoti po ju ndihmon të lëvizni një mal në jetën tuaj.
Sugjerimi numër 5: Jepini fund konfliktit në jetën tuaj personale.
E përsërit thirrjen time për t’u dhënë fund konflikteve në jetën tuaj. Ushtroni përulësinë, guximin dhe forcën që duhet edhe për të falur, edhe për të kërkuar falje. Shpëtimtari ka premtuar se “në qoftë se [ne] ua fal[im] njerëzve gabimet e tyre, Ati [ynë] qiellor do [të na] falë edhe [ne]”25.
Si sot dy javë, ne kremtojmë Pashkën. Nga tani e tutje, ju ftoj të kërkoni t’i jepni fund një konflikti personal që ju ka rënduar. A mund të ketë një vepër më të përshtatshme mirënjohjeje ndaj Jezu Krishtit për Shlyerjen e Tij? Nëse falja në të tashmen duket e pamundur, përgjërohuni për fuqi nëpërmjet gjakut shlyes të Jezu Krishtit që t’ju ndihmojë. Teksa e bëni këtë, ju premtoj paqe vetjake dhe një shpërthim të hovit shpirtëror.
Kur Shpëtimtari shleu për të gjithë njerëzimin, Ai hapi një udhë që ata të cilët e ndjekin Atë, të mund të kenë të drejtën e shërimit, forcimit dhe fuqisë së Tij shëlbuese. Këto privilegje shpirtërore janë në dispozicion për të gjithë ata që kërkojnë ta dëgjojnë Atë dhe ta ndjekin Atë.
Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, me të gjitha lutjet e zemrës sime, ju nxit të futeni në shtegun e besëlidhjeve dhe të qëndroni atje. Përjetojeni gëzimin e pendimit të përditshëm. Mësoni rreth Perëndisë dhe mënyrës se si vepron Ai. Kërkoni dhe prisni mrekulli. Përpiquni fort për t’i dhënë fund konfliktit në jetën tuaj.
Ndërsa veproni sipas këtyre synimeve, ju premtoj aftësinë për të shkuar përpara në shtegun e besëlidhjeve me hov më të madh, pavarësisht cilësdo pengese me të cilën përballeni. Dhe ju premtoj forcë më të madhe për t’i rezistuar tundimit, më shumë paqe të mendjes, liri nga frika dhe unitet më të madh në familjet tuaja.
Perëndia jeton! Jezusi është Krishti! Ai jeton! Ai na do dhe do të na ndihmojë. Për këtë dëshmoj në emrin e shenjtë të Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, amen.