Konferenca e Përgjithshme
Gjeni Kohë për Zotin
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


Gjeni Kohë për Zotin

Ju përgjërohem sot që t’i kundërviheni tërheqjes së botës, duke gjetur kohë për Zotin në jetën tuaj – në secilën dhe për çdo ditë.

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, për dy ditë na është dhënë mirë mësim nga shërbëtorët e Zotit që kanë kërkuar me zell të dinë se çfarë do të donte Ai që të thoshin.

Na është caktuar përgjegjësia për gjashtë muajt e ardhshëm. Tani pyetja është: Si do të jemi të ndryshëm për shkak të asaj që kemi dëgjuar dhe ndier?

Pandemia ka treguar se sa shpejt mund të ndryshojë jeta, ndonjëherë nga rrethana që janë jashtë kontrollit tonë. Megjithatë, ka shumë gjëra që ne mund t’i kontrollojmë. Ne i vendosim përparësitë tona vetjake dhe përcaktojmë se si i përdorim energjinë, kohën dhe mjetet tona. Ne vendosim se si do ta trajtojmë njëri‑tjetrin. Ne i zgjedhim ata të cilëve do t’u drejtohemi për të vërtetën dhe udhërrëfimin.

Zërat dhe trysnitë nga bota janë ndjellëse dhe të shumta. Por tepër shumë zëra janë mashtrues, joshës dhe mund të na heqin nga shtegu i besëlidhjeve. Për ta shmangur zemërthyerjen e pashmangshme që vijon, ju përgjërohem sot që t’i kundërviheni tërheqjes së botës, duke gjetur kohë për Zotin në jetën tuaj – në secilën dhe për çdo ditë.

Nëse shumica e informacionit që merrni, vjen nga mediat shoqërore apo media të tjera, aftësia juaj për t’i dëgjuar pëshpëritjet e Shpirtit do të pakësohet. Nëse nuk po e kërkoni gjithashtu Zotin nëpërmjet lutjes dhe studimit të përditshëm të ungjillit, ju e lini veten të cenueshëm nga filozofitë që mund të ngjallin kureshtje, por që nuk janë të vërteta. Edhe shenjtorët që përndryshe janë besnikë, mund të dalin nga udha prej ritmit të vazhdueshëm të bandës së Babilonisë.

Vëllezërit dhe motrat e mia, ju përgjërohem që të gjeni kohë për Zotin! Bëjeni themelin tuaj vetjak shpirtëror të fortë dhe të aftë për t’i qëndruar provës së kohës duke bërë ato gjëra që e lejojnë Frymën e Shenjtë të jetë me ju gjithmonë.

Kurrë mos e nënvlerësoni të vërtetën e thellë se “Shpirti flet … për gjëra ashtu siç janë në të vërtetë dhe për gjëra ashtu siç do të jenë në të vërtetë”1. “Ai do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni.”2

Asgjë nuk e fton më shumë Shpirtin sesa ta fiksoni përqendrimin tuaj te Jezu Krishti. Flisni për Krishtin, gëzohuni në Krishtin, ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit dhe shkoni përpara me vendosmëri në Krishtin.3 Bëjeni Shabatin tuaj një kënaqësi teksa e adhuroni Atë, merrni sakramentin dhe e mbani të shenjtë ditën e Tij.4

Siç e theksova këtë mëngjes, ju lutem, gjeni kohë për Zotin në shtëpinë e Tij të shenjtë. Asgjë nuk do ta forcojë themelin tuaj shpirtëror si shërbimi në tempull dhe adhurimi në tempull.

I falënderojmë të gjithë ata që po punojnë për tempujt tanë të rinj. Ata po ndërtohen në mbarë botën. Sot jam i kënaqur të njoftoj planet tona për të ndërtuar më shumë tempuj në vendndodhjet vijuese ose pranë tyre: Kaohshiang, Tajvan; Takloban, Filipine; Monrovia, Liberi; Kananga, Republika Demokratike e Kongos; Antananarivo, Madagaskar; Kuliakán, Meksikë; Vitoria, Brazil; La Paz, Bolivi; Santiago Perëndimore, Kili; Fort‑Uorth, Teksas; Kodi, Uajoming; Reksburgu Verior, Ajdaho; Hiber‑Vallej, Jutë; dhe për të rindërtuar Tempullin e Provos në Jutë pasi të përkushtohet Tempulli i Oremit në Jutë.

Ju dua, vëllezër e motra të dashura. Zoti ju njeh dhe ju do. Ai është Shpëtimtari juaj dhe Shëlbuesi juaj. Ai e udhëheq dhe e udhërrëfen Kishën e Tij. Ai do t’ju udhëheqë dhe do t’ju udhërrëfejë ju në jetën tuaj vetjake, nëse do të gjeni kohë për Të në jetën tuaj – në secilën dhe për çdo ditë.

Perëndia qoftë me ju derisa të takohemi sërish, lutem unë në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.