2021
Si mund të ndaloj së dyshuari te vlera ime vetjake?
Korrik 2021


“Si mund të ndaloj së dyshuari te vlera ime vetjake?” Për Forcën e Rinisë, korrik 2021, f. 30–31.

Pyetje dhe Përgjigje

“Si mund të ndaloj së dyshuari te vlera ime vetjake?”

Përmes Syve të Atit Qiellor

Pamja
e re

“Çdo ditë, i lutem Atit Qiellor dhe i kërkoj Atij që të më ndihmojë ta shoh veten ashtu siç Ai më sheh mua. Pastaj dëgjoj nga afër ndërsa Shpirti më jep mesazhe pozitive nga Perëndia për vlerën dhe identitetin tim dhe ia them këto fjalë vetes në pasqyrë. Kjo veprimtari e thjeshtë është një mënyrë se si ne mund të lidhemi me qiellin dhe të mësojmë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na duan dhe besojnë te ne.”

Madelin D., 14 vjeçe, Nju‑Jork, SHBA

I Dua Shumë Ndryshimet Tona

Pamja
e re

“Unë gjithmonë bëj më të mirën time për të kujtuar që unë jam një fëmijë i dashur për Perëndinë. Përpiqem të mos e krahasoj veten me të tjerët, sepse kjo e bën më të vështirë të besoj në vlerën time vetjake. Perëndia na bëri të gjithëve të pashoq dhe të bukur në vetë mënyrën tonë dhe ato ndryshime janë një gjë e mirë.”

Bruk D., 14 vjeçe, Alberta, Kanada

Një Bekim i Maskuar

Pamja
i ri

“Shpesh ne mendojmë se të qenit i dobët ose me të meta na bën të pavlerë. Në realitet, ne bekohemi që të mund të ngrihemi mbi to dhe të bëhemi variante më të mira të vetes nëpërmjet përulësisë dhe vetëpërmirësimit. Nëse punojmë për gjërat që janë të vështira për ne, Zoti do t’i shohë dhe do t’i shpërblejë përpjekjet tona. Gjithë rëndësia qëndron te përpjekja dhe mosheqja dorë kurrë.”

Rikardo R., 17 vjeç, Çiuaua, Meksikë

Natyra Jonë Hyjnore

Pamja
i ri

“Asgjë nuk krahasohet me njohurinë se si fëmijë të Perëndisë së gjallë, ne mund të bëhemi si Ai. Ajo ndryshon gjithçka! Kur kemi mendime të këqija që na bëjnë ta vëmë në dyshim vlerën tonë, kujtoni se ato mendime vijnë nga Satani, jo nga Perëndia. Ne kemi një potencial të pafund dhe një natyrë hyjnore, ashtu si Ati ynë Qiellor. Ai i mirëbeson dhe e do secilin prej nesh individualisht.”

Aleksandër S., 16 vjeç, Minas‑Gerais, Brazil

Përgjegjësi e Madhe

Pamja
e re

“Ndërsa përpiqem fort t’i studioj dhe përsiat shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë, unë mund ta ndiej Shpirtin e Shenjtë me vete, që më kujton se unë jam një bijë e dashur e prindërve qiellorë dhe se Perëndia ka plane të mëdha për mua. Presidenti Nelson gjithmonë na tregon përgjegjësitë e mëdha që kemi në këto ditë të fundit dhe që Perëndia na mirëbeson dhe e di se çfarë jemi të aftë të bëjmë.”

Mirian P., 16 vjeçe, Parana, Brazil

Bëni Diçka që e Doni Shumë

“Kur fillojmë të vëmë në dyshim vlerën tonë vetjake, ne gjithmonë mund të kërkojmë ndihmë nga njerëz të tjerë. Por fillimisht, mund të fillojmë të punojmë me mënyrën tonë të të menduarit. Ne mund të ushtrohemi, të shoqërohemi me miqtë dhe familjen në mënyra të shëndetshme, ose të bëjmë një veprimtari që na pëlqen. Kjo na ndihmon të kuptojmë se ne jemi fëmijë të Perëndisë, i cili na ka dhënë vlerë dhe talent.”

Karlos V., Meksikë

Njiheni Veten Tuaj

“Zbulova se është më e lehtë ta dua veten time, ngaqë harxhova kohë për të kuptuar se kush jam. Gjyshi im një herë më tha: ‘Do të të duhet të jetosh me veten tënde në përjetësinë, kështu që mirë do të ishte të jesh dikush që të pëlqen të rrish me veten tëndeʼ. Unë e ndoqa atë këshillë dhe u përpoqa të bëhesha varianti më i mirë i vetvetes. Tani ndihem më me vetëbesim ngaqë e di se çfarë më pëlqen, për çfarë jam e aftë dhe çfarë përfaqësoj. Ndihem e lumtur kur përpiqem të bëhem personi që Ati Qiellor do që unë të jem.”

Sara Nilson, Jutë, SHBA

Kujtoni se Kush Jeni

“Mendoj për këngën e Fillores, ‘Fëmi i Per’ndis’ Jam’. Më kujton se mua më janë dhënë dhurata dhe talente për ta ndihmuar botën të përgatitet për Ardhjen e Dytë të Zotit. Pjesa e gjithsecilit në të është e pashoqe dhe thelbësore dhe ne të gjithë jemi mrekulli në jetën e njëri‑tjetrit. Ju me të vërtetë jeni një mrekulli në këtë jetë për këdo rreth jush. Nëse e harroni ndonjëherë atë, mendoni për të gjitha gjërat që Jezusi bëri në tokë dhe përpiquni të ndiqni shembullin e Tij. Sa herë që ndiheni të trishtuar ose të pavlerë, kërkoni dikë që ndihet njësoj dhe do të ndiheni të lartësuar.”

Brigam M., Meksikë

Miratimi Hyjnor

“Kur e dëgjoj Perëndinë, Ai më ndihmon të ndaloj së dyshuari te vlera ime vetjake. Njerëzit e tjerë nuk mund ta kuptojnë plotësisht vlerën time, por Perëndia e kupton dhe unë i mirëbesoj Atij. Nëse i lë njerëzit përreth meje të vendosin për vlerën time, gjithçka që bëj është të varem nga fjalët e tyre dhe të mendoj keq për veten time. Por kur nuk mendoj më për fjalët e tyre negative, nuk kam pse të vë më në dyshim vlerën time vetjake. Kam mësuar se nuk kam më nevojë për miratimin e tyre. Secili prej nesh ka vlerë të qenësishme si fëmijë të Atit tonë Qiellor. Kemi nevojë që t’ia kujtojmë vetes këtë, veçanërisht nëse nuk e bën askush tjetër.”

Ana G., 23 vjeçe, Francë

Vetëbesim në Ungjill

“Në mediat shoqërore, unë shoh të gjitha llojet e njerëzve që duken të përsosur, ose të paktën më mirë se unë. Të jetuarit e ungjillit më ndihmon të zhvilloj një qëndrim mirënjohës për atë që jam. Kur jetoj parime të ungjillit të tilla si besimi, pendimi dhe kur përsiat për shkrimet e shenjta, unë ndihem e pashoqe. Nuk e ndiej nevojën të krahasohem me të tjerët dhe, në fund të fundit, kam shumë më tepër vetëbesim.”

Aleksandra R., Meksikë

Faleni Veten Tuaj

“Ne jo gjithmonë mendojmë se meritojmë të falemi, sepse i dimë gabimet që kemi bërë. Por jemi njerëz – bëjmë gabime dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë ato. Kemi nevojë ta falim veten, sepse gjithsecili meriton një mundësi të dytë. Kemi nevojë ta shohim veten nëpërmjet syve të njerëzve që na duan. Ne do të shohim një person të pashoq dhe të mahnitshëm që meriton dashuri të pakushtëzuar, pavarësisht nga gjithçka tjetër.”

Valeri J., Meksikë