2021
7 Gjurmë Peneli për një Jetë më të Lumtur
Korrik 2021


“7 Gjurmë Peneli për një Jetë më të Lumtur”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2021, f. 8–11.

7 Gjurmë Peneli për një Jetë më të Lumtur

Hapat e thjeshtë që bëni çdo ditë, të çojnë në një jetë të lumtur.

Pamja
të rinj e të reja duke pikturuar

Ilustrimet nga Katy Dockrill

“Shiko! E bëra këtë për ty!” tha im bir ndërsa ma mbante pikturën e tij ngjitur me fytyrën. Letra më prekte hundën dhe e gjitha ishte thjesht një vagëllimë ngjyrash. Ishte e pamundur të shihje qartë diçka.

Kur e largova pikturën nga fytyra, ngjyrat e hedhura vagëllimthi dolën në pah.

“Çfarë mendon?” pyeti ai.

Im bir kishte punuar me orë të tëra për të pikturuar atë që ai mendonte se ishte një përshkrim realist i ne të dyve – vetëm se flokët e mi nuk janë të verdhë.

“Nuk kisha mjaftueshëm ngjyrë kafe”, shtoi ai për të ndihmuar. “Dhe e verdha gjithsesi është një ngjyrë më e lumtur.”

Ndërsa e vështrova nga afër projektin e tij, mund të shihja se me sa dashuri im bir e kishte bërë këtë pikturë. Nuk mund t’i numëroja gjurmët e penelit. Kishte shumë. Dhe ai kishte të drejtë, unë dukesha shumë e lumtur – përfshirë flokët e verdhë.

Mendoni për një pikturë që e keni parë. Ju do të shihni se nuk ka qoftë edhe një gjurmë të vetme peneli që nuk e zbukuron atë. Në fakt, kur e vështroni një gjurmë të vetme peneli veçmas, nuk ju bën aq shumë përshtypje. Megjithatë, kur i ndërthurni të gjitha, ju nxirrni një vepër arti mahnitëse.1

Gjetja e lumturisë në jetë është e ngjashme me pikturimin. Ka gjurmë peneli të vogla, të qëllimshme, ose veprimtari të përditshme, që mund të bëjmë për të krijuar një jetë plot lumturi. Të vëna në jetë veçmas ose të bëra vetëm një herë, këto gjëra nuk do të duken tepër të jashtëzakonshme. Por kur i ndërthurim pa pushim në përpjekjet e përditshme dhe javore, ato mund të krijojnë një jetë plot lumturi.

Këtu janë shtatë gjurmë peneli ose veprimtari që mund të zhvilloni për të krijuar më shumë lumturi në jetën tuaj.

Gjurma e Penelit 1: Rrethojeni veten me njerëz që ju Lartësojnë Moralisht.

Pamja
të rinj e të reja duke parë lart

Lumturia ka të bëjë shumë me njerëzit me të cilët ndërveproni. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të jeni miq me njerëz që ndonjëherë nuk janë të lumtur. Në fakt, të gjithë ne përjetojmë mungesë lumturie herë pas here.

Por sigurohuni që të kaloni kohë me njerëz që ju lartësojnë moralisht dhe ju frymëzojnë. Miqtë e mirë që ju ndihmojnë t’i jetoni standardet e Zotit, mund të sjellin një ndryshim të madh në lumturinë tuaj. Dhe përpiquni të jeni një mik/e që i lartëson të tjerët moralisht. Edhe ju mund të sillni një ndryshim të madh në jetën e të tjerëve.

Gjurma e Penelit 2: Përdorni muzikë për ta shtuar lumturinë tuaj.

Pamja
nota muzikore

Muzika ka një ndikim të fuqishëm në mendjen tuaj. Kjo me të vërtetë mund të ndryshojë kiminë në trurin tuaj. Muzika e mirë do t’ju ndihmojë të ndiheni pozitivë, të lumtur dhe të frymëzuar. Krijoni një listë me këngë të lumtura, inkurajuese dhe besimnxitëse të cilën e dëgjoni rregullisht.

Gjurma e Penelit 3: Dilni në natyrë.

Pamja
pemë

Kënaqja me krijimet e Perëndisë është shumë shëruese për shpirtrat dhe trupat tanë. Është e rëndësishme për lumturinë tuaj që të qëndroni rregullisht larg ekraneve të televizorit, kompjuterit dhe telefonit, për të dalë në natyrë dhe për të shijuar rrezet e diellit, bimët dhe kafshët përreth jush. Bëni shëtitje me familjen dhe miqtë tuaj, luani lojëra jashtë, lexoni dhe studioni jashtë. Do të habiteni se sa mirë ndiheni kur i bëni këto.

Gjurma e Penelit 4: Flini mjaftueshëm.

Pamja
shtrat

Zoti ka thënë se gjumi është thelbësor për shëndetin e mendjes dhe të trupit tuaj (shih Doktrina e Besëlidhje 88:124). Ashtu siç ka nevojë të rimbushet një bateri telefoni, truri juaj ka nevojë për gjumë që të funksionojë siç duhet. Ashtu siç vendosni një kohë për t’u zgjuar në mëngjes, sigurohuni që të caktoni një kohë edhe që të shkoni në shtrat (dhe mos e merrni telefonin me vete!).

Gjurma e Penelit 5: Bëni bashkëbisedime të thella me njerëzit duke qenë të pranishëm.

Pamja
të rinj e të reja duke biseduar

Përdorimi i mesazheve me celular dhe i mediave shoqërore për të biseduar me miqtë dhe familjen tuaj mund të jetë fantastike. Por bërja e bashkëbisedimeve të thella me njerëzit duke qenë të pranishëm fizikisht, shkakton diçka për mendjen dhe shpirtin tuaj që komunikimi elektronik nuk mund ta bëjë. Sigurohuni që të ndërveproni me familjarët dhe miqtë tuaj. Gjeni kohë të dëgjoni dhe të bisedoni me njerëzit që janë përreth jush.

Gjurma e Penelit 6: Ushtrohuni rregullisht dhe përpiquni të hani shëndetshëm.

Pamja
ushqim

Truri juaj mund të punojë vetëm me karburantin që i jepni. Ushqimet të cilat janë tepër të përpunuara në mënyrë industriale dhe kanë shumë sheqer (ndonjëherë të njohura si ushqime pa vlera ushqyese), mund të kenë shije të mirë, por shpesh e bëjnë mendjen dhe trupin tuaj të ngathët. Lajmi i mirë është se kur hani më shumë fruta, perime dhe drithëra të plota, nepsi juaj për ushqim pa vlera ushqyese do të pakësohet. Zoti na dha vetëm një trup, kështu që bëjmë mirë të kujdesemi për të!

Gjurma e Penelit 7: Lutuni dhe Përsiatni.

Pamja
i ri duke u menduar

Zoti dhe profetët e apostujt e Tij shpesh na kanë këshilluar që të gjejmë kohë për t’u lutur dhe për të qenë të qetë. Lutja dhe meditimi ndikojnë pozitivisht në zonat e trurit në të cilat përjetoni lumturi. Nëse gjeni rregullisht kohë për të përsiatur dhe për t’u lutur, lumturia juaj do të rritet nga pak çdo herë. Pas një periudhe të gjatë kohe, do të vini re një ndryshim të madh se sa plot paqe dhe vetëbesim ndiheni.

A po Kërkoni më Shumë Ide?

Këto shtatë gjurmë peneli janë vetëm disa nga hapat e përditshëm që të gjithë mund të ndërmarrim për t’i mbushur trupat dhe shpirtrat tanë me lumturi. Për më shumë ide, kërkoni te broshura Për Forcën e Rinisë për të përcaktuar parimet që ju kanë bërë ju ose të tjerët të lumtur në të shkuarën. Çfarë ndiheni të nxitur të bëni për t’i përfshirë ato gjëra vazhdimisht në jetën tuaj të përditshme?

Gjithmonë mbani mend se burimi suprem i lumturisë është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Pavarësisht nga rrethanat tuaja, Ai është gati t’ju bekojë dhe t’ju ndihmojë në vështirësitë tuaja. Ai do t’ju ndihmojë të gjeni lumturinë për të cilën shpresoni.

Shënim

  1. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Ashtu si gjurmët … e bojës plotësojnë njëra‑tjetrën dhe japin një kryevepër mbresëlënëse, po ashtu vazhdueshmëria jonë në kryerjen e gjërave në dukje të vogla, mund të çojë në rezultate shpirtërore të rëndësishme” (konferenca e përgjithshme e tetorit 2009 [Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 20]).