2020
A Është Varësia e Njëjtë me Rebelimin?
Tetor 2020


Të Rinjtë dhe të Rejat në Moshë Madhore

A Është Varësia e Njëjtë me Rebelimin?

Autorja jeton në Teksas, SHBA.

Një kuptueshmëri më e mirë për varësinë mund të na ndihmojë që të mirëbesojmë se, një ditë, Zoti do të na çlirojë nga robëria.

Pamja
illustration of flowers

Në botën tonë të rënë, varësia për disa njerëz është një realitet rrënues dhe që e tjetërson jetën. Kur e përdorim diçka me tepricë për t’iu larguar problemeve të jetës, të tilla si ushqimin, ilaçet me recetë, mediat shoqërore, thashethemet, pornografinë, gënjeshtrën, kumarin apo madje ushtrimin fizik, ne mund ta gjejmë veten lehtësisht të ngecur në një cikël varësish.Teksa kam parë rreth meje njerëz të mrekullueshëm e të dashur të mundohen me varësinë - jo thjesht t’u jepen zgjedhjeve të gabuara - u

jam drejtuar shkrimeve të shenjta dhe kërkimeve moderne mbi varësinë për t’i kuptuar më mirë këta stimuj dhe efekte shtytëse neurologjike.

Barërat e Këqija të Varësisë

Trajtimi i varësisë mund të jetë si të përkujdesesh për një kopsht. Ne nuk i shkulim një herë barërat dhe të pretendojmë se kemi mbaruar punë. Ne e dimë se do të mbijnë më shumë barëra të këqija, ndaj me kujdes dhe rregullisht i shkulim barërat e këqija për të mbrojtur bimët.

Nëse kemi mundime prej një varësie, mund të shkurajohemi kur tʼi kthehemi sërish gabimit, edhe pas pendimit e pasi kemi kërkuar ndihmë. Mund të befasohemi dhe të shqetësohemi se këto tundime janë veçanërisht të forta pas periudhave shumë të lumtura apo shumë të hidhura të jetës. (Njësoj si ndodh me barërat e këqija që priren të rriten pas një shiu freskues apo një stuhie të fortë.)

Varësia kundrejt Rebelimit të Vullnetshëm

Kam zbuluar se Satani e përdor varësinë si “fakt” se ne që nga lindja dëshirojmë të ligën, se ne jemi të dënuar që nga fillimi, ose që Zoti ka hequr dorë prej nesh. Djalli përdor turpin për të na shkurajuar, duke na treguar se pavarësisht nga sa herë pendohemi, tundimet vazhdojnë të shfaqen.

Ka shumë arsye se përse njerëzit priren drejt varësisë, por varësia shpesh fillon me një përpjekje për të kënaqur “nevojat e thella dhe të paplotësuara”1. Pra, ndërkohë që rebelimi mund të çojë drejt varësisë dhe varësitë mund të shkaktojnë mëkatin, ato shpesh lindin dhe zmadhohen nga dobësia, në vend që të shkaktohen nga rebelimi i vullnetshëm.2

Fatmirësisht, ne e dimë se dobësia mund të na japë mundësinë për të mësuar rreth hirit dhe për të zhvilluar besimin e thellë në fuqinë shëruese të Jezu Krishtit.3

Derisa të Çlirohemi nga Robëria

Ne gjejmë ide gjatë trajtimit të [problemit] dhe ikjes nga gracka e varësisë nga dy grupe njerëzish në Librin e Mormonit: Populli i Limhit dhe populli i Almës.

Të dyja grupet ishin në robëri për një periudhë të konsiderueshme kohe. Të dy popujt kuptuan se “nuk kishte mënyrë se si ata të mund të shpëtonin” nga robëria (Mosia 21:5). Të dy popujt, me kalimin e kohës, iu drejtuan Zotit për ndihmë.

Populli i Limhit ishte në robëri për arsye të shkeljeve. Pa ndihmën e Zotit, ata luftuan kundër shtypësve të tyre në “zemër[im]” tri herë. Ata humbën çdo betejë. Kur filluan ta përulnin veten, “Zoti qe i ngadalshëm të dëgjonte lutjen e tyre … [por Ai] i dëgjoi lutjet e tyre dhe filloi t’ua zbuste zemrat Lamanitëve, që ata të fillonin të lehtësonin barrat e tyre” (Mosia 21:15; theksimi i shtuar). Ata u bekuan për përulësinë e tyre të shtuar, por “Zoti nuk e pa të udhës që t’i çlironte nga robëria” deri në një kohë shumë më të vonë.

Populli i Almës ishte në robëri pavarësisht drejtësisë së tyre, por ata “ia derdhën zemrat e tyre [Perëndisë]”. Edhe duke i ditur dëshirat e tyre të drejta, Perëndia bëri që të kishte një kohëzgjatje ndërmjet robërisë dhe çlirimit të tyre. Teksa ata vazhduan të mbështeteshin tek Ai, Ai u premtoi se do t’ua “lehtëso[nte] gjithashtu barrat që [iu ishin] vënë mbi shpatulla, që [ata] të mos i ndjeni[n] në shpinat [e tyre], madje ndërsa [ishin] në robëri”. Në këmbim, ata “iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit” (Mosia 24:12, 14, 15).

Si përfundim, të dyja grupet u çliruan. Dhe neve na është premtuar gjithashtu se nëse i drejtohemi Zotit në robërinë tonë, ne mund të “qëndro[jmë] si dëshmitarë për [Të] në të ardhmen” dhe do ta “di[më] me siguri se …, Zoti Perëndi, [vërtet] i vizito[n] njerëzit e [Tij] në pikëllimet e tyre” (Mosia 24:14) – dhe në varësitë e tyre!

Ngushëllohuni

Nëse keni mundime nga varësia, kujtoni se me ndihmën e Zotit, kjo kohë mund të jetë tokë pjellore për kultivimin e cilësive si të Krishtit. Teksa rriteni në përulësi, ju do të jeni në gjendje të mësoni durimin, dhembshurinë, durueshmërinë dhe zemërbutësinë.

Takohuni me udhëheqësit tuaj të priftërisë dhe ata që mund të ofrojnë ndihmë, si dhe përdorni mjetet e shumta që Ati Qiellor ka siguruar për t’ju ndihmuar që të gjeni lirinë. Mbështetuni te Zoti; teksa e ndiqni Atë me zell, Ai mund ta shndërrojë këtë sfidë shkurajuese dhe zhgënjyese në një mundësi fuqiplotë për përsosjen shpirtërore.4

Një shenjtore e hershme australiane e ditëve të mëvonshme, kur e krahasoi të shkuarën e vet me të tashmen, tha: “Jeta ime në të shkuarën [ishte] një djerrinë me barëra të këqija – zor se gjendej ndonjë lule në mes tyre. [Por] tani barërat e këqija janë zhdukur dhe në vend të tyre kanë shpërthyer lule.”5

Teksa ju dhe unë e pastrojmë kopshtin tonë vazhdimisht nga barërat e këqija dhe i drejtohemi Zotit në sprovat tona, ne do të marrim premtimin që iu dha popullit të Almës: “Ngushëllohuni, pasi nesër unë do t’ju shpëtoj nga robëria” (Mosia 24:16).

Vazhdoni t’i pastroni barërat e këqija – korrja ia vlen!