2020
Apostujt Japin Mesazhe Shprese
Tetor 2020


Apostujt Japin Mesazhe Shprese

Udhëheqësit e Kishës japin ide rreth qëndrimit pranë Perëndisë, duke dhënë shërbesë me dashuri dhe duke ecur përpara me durim gjatë pandemisë.

Pamja
women holding out their arms

Fotografia nga Getty Images

Në përgjigje ndaj përhapjes së virusit në mbarë botën, zyrtarët ndalojnë grumbullimet publike dhe vënë në zbatim karantinën. Shkollat mbyllen, udhëheqësit fetarë anulojnë mbledhjet në kishë dhe atyre që guxojnë të dalin jashtë, u kërkohet të mbajnë maska në fytyrë për mbrojtje.

Është viti 1919 dhe pandemia e furishme e gripit që nisi një vit më parë, do të marrë dhjetëra milionë jetë.1 Profeti i ri i Kishës, Presidenti Hibër J. Grant (1856–1945), u veçua në nëntor 1918, por nuk do të mbështetej deri në qershor 1919 pasi konferenca e përgjithshme e prillit u shty.

Gjatë shërbesës së tij pas atyre ditëve sfiduese dhe të tjerave si ato, Presidenti Grant dha këshilla të përshtatshme për kohën tonë kur tha: “Ne erdhëm në këtë tokë për të marrë njohuri, mençuri dhe përvojë, për të marrë mësimet, për të pësuar dhembjet, për të duruar tundimet dhe për të siguruar fitoret e vdekshmërisë”. Nga njohuritë që fitoi përmes sprovave të rënda të përvojës personale, ai shtoi: “Unë … e di se në orën e fatkeqësisë shenjtorët e ditëve të mëvonshme lehtësohen, bekohen e ngushëllohen si askush nga njerëzit e tjerë!”2

Në “orën tonë të fatkeqësisë” aktuale me koronavirusin e ri, ne marrim lehtësim dhe ngushëllim nga ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit. Njohuria jonë se Ati Qiellor i do fëmijët e Tij dhe se Ai ka thirrur profetë dhe apostuj në kohën tonë për të na udhëhequr përmes stuhive të vdekshmërisë, është një bekim i madh.

Nga këshillat e dhëna gjatë intervistave të kohëve të fundit, disa anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve na kujtojnë se mund të ndiejmë gëzim dhe ta shikojmë të ardhmen me shpresë, pavarësisht nga ajo që po ndodh rreth nesh.3

Pamja
couple on computer

Fotografia nga Welden C. Andersen

Vepra Shkon Përpara

Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915––1985) dikur e krahasoi Kishën me një “karvan të madh” që ecën përpara, pavarësisht kundërshtimit.4 Plaku Dejvid A. Bednar sheh si burim të vrullit të qëndrueshëm të ecjes përpara të karvanit përgatitjen e frymëzuar të Kishës dhe historinë e saj me fatkeqësitë.

“‘Asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë përparimin e kësaj pune’5 dhe po ashtu asnjë pandemi nuk do ta ndalojë përparimin e kësaj pune”, - tha ai. “Mes të gjitha sfidave me të cilat përballemi tani duke u marrë me këtë virus, puna shkon përpara. … Nuk e dimë se sa do të zgjasë, por do ta kapërcejmë. Dhe ne mund të mos ta rifillojmë modelin e mëparshëm të jetës sonë saktësisht siç e dinim, por shumë nga ato përshtatje dhe ndryshime do të jenë shumë pozitive.”

Plaku Kuentin L. Kuk tha që përgatitja e frymëzuar e Kishës përfshin shembuj të tillë në kohën e duhur si theksimi i respektimit të ditës së Shabatit, forcimi i kuorumeve të Priftërisë Melkizedeke dhe Shoqatave të Ndihmës, kalimi te dhënia e shërbesës dhe paraqitja e programit Eja, Më Ndiq, materialeve filmike nga Libri i Mormonit dhe programit “Fëmijët dhe Rinia”.

“Ne do ta hedhim vështrimin pas te kjo si një kohë themelore e përgatitjes dhe jo thjesht si diçka që duhej ta duronim”, – tha ai.

Presidenti M. Rasëll Ballard, President Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, është i një mendjeje. Pavarësisht mbylljes së përkohshme të tempujve dhe shtëpive të mbledhjeve, anëtarët e Kishës i kanë mjetet shpirtërore që u nevojiten për të vazhduar të ecin përpara.

Presidenti Ballard kujton se si u ndje kur po kthehej nga kisha për në shtëpi më 7 dhjetor 1941 dhe mori vesh se Përll Harburi ishte sulmuar dhe se Shtetet e Bashkuara ishin gati të hynin në Luftën e Dytë Botërore. Ashtu si shumë njerëz sot, ai shqetësohej për të ardhmen dhe pyeste veten nëse vetë e ardhmja e tij do të humbiste.

“Por nuk ishte kjo ajo që ndodhi”, – tha ai. Ashtu si njerëzit e lirë të botës e fituan atë luftë, ashtu edhe bota do ta fitojë luftën kundër koronavirusit. “Gjithçka do të jetë në rregull, ndërsa i kthejmë zemrat drejt Atit tonë në Qiell dhe shohim drejt Tij dhe drejt Shpëtimtarit si Shëlbuesi i të gjithë njerëzimit”, – tha ai.

Një mënyrë tjetër se si Kisha shkon përpara është përmes përpjekjeve të saj misionare, të cilat po iu përgjigjen kushteve të botës në ndryshim. Plaku Diter F. Uhtdorf tha që udhëheqësit e Kishës kishin studiuar mënyra të reja për ta përhapur ungjillin edhe përpara se virusi COVID-19 të fillonte ta ndërpriste punën misionare. Ajo ndërprerje ka përfshirë transportimin e mijëra misionarëve në vendet e tyre të lindjes, lirimin e hershëm nga thirrja të disave dhe ricaktimin e të tjerëve.

“Virusi COVID-19 e përshpejtoi jashtëzakonisht të menduarit tonë për këtë dhe na hapi sytë”, – tha ai. Si pasojë, teknologjia dhe mediat shoqërore tani po hapin dyert që më parë ishin mbyllur nga komunitetet e mbyllura dhe ndërtesat me apartamente e shtëpitë e paarritshme.

“Puna misionare do të vazhdojë të ecë përpara pavarësisht pandemisë”, – shtoi Plaku Uhtdorf. “Ne po vazhdojmë të mësojmë se si ta përmirësojmë punën misionare tani dhe për të ardhmen. Zoti ka premtuar ta përshpejtojë veprën e Tij për bekimin e të gjithë fëmijëve të Tij (shih Doktrina e Besëlidhje 88:73). Ndiej se jemi pikërisht në mes të këtij procesi, ndërsa jetojmë në këtë kohë sfiduese. Misionarët tanë të çmuar janë pionierët e ditëve tona, që po hapin një shteg të përhapjes së mesazhit të ungjillit në mënyra të reja që iu përshtaten rrethanave tona, në mënyrë që Kisha e Jezu Krishtit të vazhdojë të ‘përhapet derisa të ketë mbushur tërë tokën’” (Doktrina e Besëlidhje 65:2).

Mundësitë e reja për përhapjen e ungjillit nuk janë gjërat e vetme që po hapen. Edhe zemrat po hapen, sepse kohët e vështira shpesh i përulin njerëzit dhe i kthejnë ata drejt Perëndisë, tha Plaku D. Tod Kristoferson.

“Ata janë pak më të hapur drejt të menduarit: ‘Ndoshta kam nevojë për diçka përtej llogarisë sime bankare. Ndoshta ka më shumë në jetë, sesa ajo që kam jetuar’”, – tha ai.

Plaku Kristoferson i nxit anëtarët e Kishës që të kërkojnë mundësi misionare, të tilla si shpërndarja e mesazheve dhe memeve të lidhura me ungjillin përmes mediave shoqërore, komunikimi me misionarët kohëplotë për të ndihmuar për shoqërimin e njerëzve të cilëve ata po u japin mësim përmes internetit, dhe mbajtja e kontakteve me njerëzit që nuk kanë mundësi tʼi shohin shpesh.

Distancimi Shoqëror dhe Distancimi Shpirtëror

Një mënyrë tjetër se si Kisha shkon përpara, është përmes përgjigjes shpirtërore të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme ndaj sfidave materiale si virusi COVID-19. Për mbrojtjen tonë fizike, ne rritim distancën tonë fizike nga të tjerët, por për mbrojtjen tonë shpirtërore, i afrohemi Atit tonë në Qiell dhe Birit të Tij. Pandemia nga virusi COVID-19 u ka dhënë shumë anëtarëve të Kishës më shumë mundësi për të rritur mbrojtjen e tyre shpirtërore duke ndjekur këshillën e Presidentit Rasëll M. Nelson për të dëgjuar Zotin.

“Ati ynë e di se, kur jemi të rrethuar nga pasiguria dhe frika, ajo që do të na ndihmojë më tepër se çdo gjë tjetër, është ta dëgjojmë Birin e Tij”, – tha Presidenti Nelson gjatë konferencës së përgjithshme të prillit 2020. Ai shtoi: “Teksa kërkojmë të jemi dishepuj të Jezu Krishtit, përpjekjet tona që ta dëgjojmë Atë nevojitet të jenë përherë e më të qëllimshme. Kërkon përpjekje të ndërgjegjshme dhe të vazhdueshme që ta mbushim jetën tonë të përditshme me fjalët e Tij, mësimet e Tij, të vërtetat e Tij.”6

Ndërsa nuk e mirëpresim pezullimin e mbledhjeve të Kishës, mbylljen e tempujve ose humbjen e vendeve të punës, kalimi i më shumë kohe në shtëpi na jep “një mundësi për të menduar rreth zgjimit në Perëndi” (shih Alma 5:7), – tha Plaku Kuk. “Ndoshta ngjarjet e fundit mund të jenë një orë shpirtërore me zile që na përqendron tek ato gjëra që kanë më shumë rëndësi. Nëse është kështu, do të jetë një bekim i madh në këtë periudhë që të përqendrohemi te gjërat që mund të përsosim në jetën tonë dhe se si mund të bekojmë jetën e të tjerëve, ndërsa zgjohemi në Perëndinë dhe ecim përgjatë shtegut të besëlidhjeve.”

Plaku Xhefri R. Holland shtoi: “Kohë të tilla na ftojnë që të shikojmë brenda shpirtit tonë për të parë nëse na pëlqen ajo që shohim aty. Kjo është kur [ne] mendojmë se cilët jemi dhe çfarë ka me të vërtetë rëndësi.”

Kohë të tilla na ftojnë gjithashtu që të rritim besimin, shërbimin dhe mirënjohjen, duke na nxitur të “marrim parasysh varësinë tonë nga Perëndia dhe bekimet prej Tij, të cilat aq shpesh i marrim si të mirëqena”, – tha Plaku Holland. “Ne i detyrohemi Atit tonë në Qiell që të jemi pak më shumë mirënjohës, pak më shumë falënderues dhe pak më shumë të prirur që të kujtojmë se sa probleme zgjidhen për shkak të Perëndisë, engjëjve, premtimeve të besëlidhjeve dhe lutjes.”

Në qendër të mirënjohjes sonë është bekimi i të kujtuarit se “sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të njerëzve, që nga krijimi i Adamit dhe deri në [këtë] kohë” (Moroni 10:3). Anëtarët e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve thanë se sa herë që na kërkohet të “qëndrojmë në strehë”, ne mund të ndjekim shembullin e Nefit dhe Almës, duke kujtuar se Ai “në cilin [ne] k[emi] besuar”, Shpëtimtari Jezu Krisht, “gjithnjë do të [na] çlirojë [ne]” (2 Nefi 4:19; Alma 36:27). Dhe mund të kujtojmë, siç na ka mësuar Apostulli Pal, se asgjë nuk mund të “na ndajë nga dashuria e Krishtit” (shih Romakëve 8:35).

Zoti Jezu Krisht “është streha jonë e fundit” (shih Psalmeve 61:1–4), – tha Plaku Holland. “Çfarëdo tjetër që të ndodhë, ne nuk do të ndahemi asnjëherë nga dashuria e Shpëtimtarit dhe shoqërimi i Tij, edhe nëse nuk e dallojmë atë për momentin. Shpirti nuk bllokohet nga një virus apo nga kufijtë kombëtarë ose nga parashikimet mjekësore.”

Pamja
woman on a walk talking to women at window

Fotografia nga Getty Images

“Bëj Gjëra të Mira”

Kohët e fundit, ndërsa lexonte një raport të përgatitur nga një komitet i Kishës, Plaku Kristoferson u shqetësua rreth efekteve që “veçimi i detyruar” mund të ketë tek anëtarët e pamartuar të Kishës – të moshuar dhe të rinj.

“Veçimi i detyruar mund të çojë në vetmi dhe vetmia mund të ketë pasoja negative në shëndetin fizik dhe mendor”, – tha ai. “Për të kundërvepruar ndaj kësaj, disa përkrahës të shëndetit publik rekomandojnë që ata që përjetojnë vetminë, të kërkojnë mënyra për të ‘bërë gjëra të mira’ për dikë”.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund të gjejnë mënyra për të shërbyer, ndihmuar dhe kontribuar për të tjerët, veçanërisht për ata që janë të vetmuar, tha Plaku Kristoferson, dhe anëtarët e vetmuar që japin shërbim ndaj të tjerëve, mund tʼi zvogëlojnë ndjenjat e tyre të izolimit.

“Përqendrohuni te dhënia e shërbesës”, – tha ai. “Ka shumë gjëra që mund të bëjmë për njëri‑tjetrin për të pasur një ndjenjë përkatësie dhe vëllazërie, dhe motërie. Kjo është një kohë kur kuorumi i pleqve dhe Shoqata e Ndihmës mund të jenë plotësisht të dobishëm dhe të sigurojnë atë që vetëm ata janë të organizuar në mënyrë të pashoqe për ta bërë.”

Dhe në vend që t’i dërgoni mesazhe me celular gjithmonë dikujt, sugjeroi ai, “mendoj se është shumë e shëndetshme t’i telefonosh dikujt duke përdorur atë teknologji të vjetër të quajtur telefon. Thjesht telefononi për të biseduar dhe ndërvepruar. Jepuni mundësinë që të dëgjojnë një zë.”

Përpjekjet e vogla për të bërë diçka për të tjerët mund të sjellin një ndryshim të madh, duke ndriçuar ditën e dikujt në mënyra që mund të mos i dimë. “Dhënia e shërbesës prej nesh është shumë e nevojshme për njerëzit që janë kaq të izoluar”, – tha Plaku Kuk.

Plaku Holland sugjeroi: “Ne duhet t’ia kushtojmë një pjesë të caktuar të ditës sonë komunikimit me njerëzit që kanë nevojë për një shtysë. Sigurisht, ne marrim shtysë duke e bërë këtë, kështu që të gjithë të ‘ngri[hen]’ (3 Nefi 27:14, 15), gjë të cilën Shpëtimtari tha se Ai u dërgua në tokë për ta bërë.”

Një mënyrë tjetër për të ngritur veten dhe të tjerët është që të përgatitemi për ditën kur tempujt të rihapen. Mbylljet e tempujve – qoftë për pandemitë, rimodelimin ose pastrimin – “sigurojnë një mundësi të mrekullueshme për të mësuar më shumë rreth kërkimit për historinë familjare, indeksimit dhe si të përgatitim shumë, shumë emra për ditën kur dyert e tempullit do të hapen sërish”, – tha Plaku Bednar.

Pavarësisht nëse tempujt janë të hapur apo të mbyllur, shtoi Plaku Bednar, anëtarët e Kishës ende mund të përpiqen fort që të jenë të denjë dhe të kenë një rekomandim aktual tempulli.

Mësime që Zoti do të Donte që të Merrnim

Siç vuri në dukje Plaku Bednar, ndërsa askush nuk do të zgjidhte ta përjetonte pandeminë nga virusi COVID-19, një plagë e ditëve të fundit është gjithsesi mbi ne.

“Me këndvështrimin e përjetshëm që ofron ungjilli i rivendosur, dhe hirin që vjen nga Shlyerja e Shpëtimtarit, ne mund të marrim mësime nga fatkeqësia e vdekshmërisë që na përgatitin për bekimet e përjetësisë”, – tha ai. “Duhet të lutemi. Duhet të kërkojmë. Duhet të pyetim. Ne duhet të kemi sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar. Por mund të bekohemi në mënyra të jashtëzakonshme për të marrë mësimet që do të na bekojnë tani e përgjithmonë.”

Me ndikimin e tij shkatërrues te familjet në të gjithë botën, virusi COVID-19 u ka mësuar njerëzve që të shfaqin shqetësim të shtuar për të tjerët, tha Presidenti Ballard.

“Ne po arrijmë të kuptojmë se sa të çmuara janë familjet tona, sa të çmuar janë fqinjët tanë dhe sa të çmuar janë bashkanëtarët tanë në Kishë”, – tha ai. “Ka mësime që po marrim tani, që do të na bëjnë njerëz më të mirë.”

Dhe kur stuhia e tanishme të kalojë, çfarë mund të presim më tej? Pak a shumë të njëjtën gjë, tha Plaku Uhtdorf. Fëmijët e Perëndisë brenda dhe jashtë Kishës do të vazhdojnë të përballen me sfida.

“Po jetojmë në një kohë kur na nevojitet të mësojmë”, – tha ai. Dhe mësimi më i rëndësishëm që mund të marrim, është se përgjigjja ndaj sfidave të ardhshme është gjithashtu dhe përgjigjja ndaj sfidës aktuale: ungjilli i Jezu Krishtit.

Për shkak se shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, tha Plaku Holland, ata mund të mësojnë të jenë pozitivë dhe optimistë, duke bërë më të mirën që munden dhe duke e besuar fjalën e Zotit kur Ai tha: “Le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet” (Doktrina e Besëlidhje 123:17).

“Ka shumë gjëra për të qenë plot gëzim, ndërsa përsosim besimin tonë, mirëbesojmë më shumë te Zoti dhe shohim mrekullinë e shpëtimit të Tij”, – tha Plaku Holland.

Shënime

  1. Shih William G. Hartley, “The Church Grows in Strength”, Ensign, shtator 1999, f. 35.

  2. Teachings of Presidents of the Church: Heber J. Grant (2002), f. 49, 48.

  3. Shih Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, fq. 82.

  4. Bruce R. McConkie, “The Caravan Moves On”, Ensign, nëntor 1984, f. 85.

  5. Joseph Smith, në History of the Church, 4:540.

  6. Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 89.