2020
7 Këshilla për Mposhtjen e Përdorimit të Pornografisë
Tetor 2020


Të Rinjtë dhe të Rejat në Moshë Madhore

7 Këshilla për Mposhtjen e Përdorimit të Pornografisë

Autori jeton në Jutë, SHBA.

Duke punuar me të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë që po përpiqen ta mposhtin përdorimin kompulsiv të pornografisë, kam gjetur disa këshilla që edhe juve mund t’ju duken të dobishme.

Pamja
flow chart

figura artistike me kontur nga Getty Images

Kur u veçova si peshkop i ri në një lagje për të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë, jashtë zyrës sime kishte një rresht me të rinj e të reja në moshë madhore beqarë që donin të më takonin. A mund ta merrni me mend se çfarë diskutuam në atë intervistë të parë?

Pornografinë.

Dhe për tri vitet e ardhshme, përpjekja për t’i ndihmuar të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë për ta mposhtur një ves kompulsiv, ishte një aspekt madhor i thirrjes sime, kështu që e dija se më duhej të mësoja sa më shumë të mundesha. Agjërova, u luta, frekuentova tempullin, u këshillova me udhëheqës të tjerë, i shqyrtova të gjitha burimet në dispozicion, frekuentova klasat për shërimin nga varësia dhe mësova nga ata që po punonin për të gjetur shërim. Unë dua tʼju tregoj disa mendime që të mbushin me shpresë rreth asaj që kam mësuar.

1. Dijeni se Jeni një Fëmijë i Prindërve Qiellorë të Cilët ju Duan

Nëse po punoni për ta mposhtur përdorimin kompulsiv të pornografisë, juve mund t’ju duket sikur po largoheni nga Ati Qiellor sepse mendoni se nuk jeni i denjë për dashurinë ose ndihmën derisa ta zgjidhni problemin. Kjo është pikërisht ajo që do Satani – t’ju izolojë nga çdo njeri që ju do ju, me idenë se mund ta mposhtni pornografinë të vetëm dhe vetëm atëherë do të jeni të denjë për dashurinë.

Për shkak të natyrës suaj hyjnore, ju jeni gjithnjë të denjë të merrni shpresë, frymëzim dhe zbulesë vetjake nga Ati Qiellor dhe fuqinë shëruese të Jezu Krishtit për ta mposhtur pornografinë.1 Mos u largoni prej Tyre apo nga njerëzit që ju duan.

2. Hiqeni Turpin

Kam mësuar se heqja e turpit është jetike për mposhtjen e pornografisë. Turpi ju bën të ndiheni sikur jeni të dërrmuar, të dëmtuar ose një njeri i keq. Tʼi besoni këto ide dëmtuese rreth vetes faktikisht mund t’ju mbajë të mbërthyer në një cikël varësie. Të ndierit e keqardhjes për diçka që keni bërë, është pjesë e procesit të pendimit dhe mund t’ju ndihmojë ta ndryshoni sjelljen. Por mëkati ju bën të ndiheni sikur i gjithë karakteri juaj është i keq dhe se nuk mund ta merrni ndihmën nga Shpëtimtari.2

Ati Qiellor do që ju të keni shpresë të plotë te Jezu Krishti dhe bekimet e Shlyerjes së Tij. Turpi ju bën të shihni prapa duke ju mbajtur në një shtjellë gënjeshtrash dhe neveri për veten. Ju lutem, mos qëndroni në rrugën e turpit!

3. Mos Jini të Shpejtë të Përdorni Etiketimin e “Varësisë”

Shumë njerëz e etiketojnë veten si “të varur” nga pornografia. Ju këshilloj që të mos ia vishni vetes atë etiketim në mënyrë të pasaktë. Shumica e të rinjve dhe të rejave që kanë mundime me pornografinë, faktikisht nuk janë të varur.3 Dhe përdorimi i pasaktë i këtij etiketimi mund ta bëjë më të vështirë t’i jepet fund përdorimit të pornografisë për shkak të turpit, venitjes së shpresës dhe neverisë për veten që vjen me të.

4. Krijoni një Plan Vetjak Parandalimi të Shkruar

Një plan vetjak parandalimi është një dokument me tri pjesë që mund t’ju ndihmojë ta mposhtni pornografinë.

Pjesa 1: Renditni stimujt. Të qenit i stimuluar është hapi i parë në ciklin që të çon në shikimin e pornografisë.

Ka disa lloje stimujsh:

  • Prej rrethanave: mjedise që ju krijojnë një stimul për shkak të mendimeve apo sjelljeve të kaluara (si të qenit në të njëjtën dhomë ose në të njëjtën kohë të caktuar të ditës)

  • Ngjarje që shkaktojnë stres/ankth/vetmi/traumë: emocione ose situata të vështira që ju stimulojnë t’i ktheheni pornografisë si një mënyrë shpëtimi dhe përballimi ndaj këtyre ndjenjave

  • [Faktorët] pamorë: ekspozimi i patëkeq ndaj diçkaje jo pornografike, por stimuluese nëpërmjet mediave shoqërore, filmave, fotove etj.

Pjesa 2: Bëni një plan për mënyrën se si t’i reduktoni stimujt.

Për shembull, nëse keni një stimul rrethanor, si në rastin kur ndiheni se do i jepeni dobësisë natën vonë, fikja e celularit tuaj 30 minuta përpara se të bini në gjumë ose fjetja pa e pasur celularin në dhomë mund të jetë e dobishme. Nëse pornografia është një mënyrë se si mund t’u bëni ballë ndjenjave të vështira, gjeni mënyra për t’u përballur më mirë me këto emocione. A mund t’ju ndihmojë ushtrimi fizik apo mjekimi që t’i ulni nivelet e stresit dhe të ankthit? A do t’ju ndihmonte dalja me miqtë ose regjistrimi në një klasë instituti që ta pakësoni vetminë? Merrini parasysh gjërat të cilat ju mundojnë dhe çfarë mundësish mund të jenë të dobishme për ju.

Gjithashtu, mos i nënvlerësoni mjetet shpirtërore. Lutja, studimi i shkrimeve të shenjta, shërbimi dhe frekuentimi në kishë dhe në tempull janë mjete të fuqishme që janë jetike për reduktimin e stimujve dhe ndihmën që të qëndroni të fortë.

Pjesa 3: Planifikoni se çfarë do të bëni kur jeni të stimuluar. Për çdo stimul, shkruajeni planin tuaj me shumë hapa.

Për shembull, kur jeni të stimuluar, ju mund ta fikni shpejt telefonin, t’i shkruani një mesazh apo t’i telefononi dikujt, të dilni për një shëtitje ose të bëni ushtrime fizike, të lexoni Librin e Mormonit ose të bëni çfarëdo gjëje tjetër që mund t’ju ndihmojë t’i ridrejtoni mendimet tuaja.

Shkruani hapa që funksionojnë për ju! Nganjëherë stimujt do të kalojnë pa qenë nevoja t’i bëni të gjithë hapat e planit tuaj të parandalimit. Por hapat tuaj mund t’ju ndihmojnë që t’i largoheni momentit. Sapo stimujt të kenë kaluar, përditësojeni planin tuaj të parandalimit sipas asaj që funksionoi dhe se si mund të ndryshohet që herën tjetër të jetë më i efektshëm. Vëreni diku ku ta shihni çdo ditë.

Pamja
flow chart part 2

5. Kuptojeni Rënien në Gabim kundrejt Rikthimit në Gabim

Rënie në gabim është kur veproni keq, por e rimerrni veten shpejt dhe e përdorni atë si një përvojë mësimi për ta përmirësuar planin tuaj të parandalimit. Rikthimi në gabim është kur hiqni dorë, e plotësoni dëshirën dhe nuk e vritni mendjen.

Dijeni se rënia në gabim është pjesë e përmirësimit të planit tuaj të parandalimit. Mos dilni në përfundimin se e keni humbur të gjithë përparimin tuaj ose se gjithë puna që keni bërë nuk llogaritet – sepse ajo llogaritet. Shikoni përpara me një qëndrim pozitiv dhe dijeni se jeni një ditë më afër shërimit.

Kur bini në gabim, pyeteni veten:

  • Çfarë ndodhi?

  • Përse ishte i ndryshëm ky stimul?

  • A jeni stresuar kohët e fundit? Si po ndiheshit nga ana emocionale?

  • A ju ka dobësuar shpirtërisht mungesa e studimit të shkrimeve të shenjta për njëfarë kohe?

  • Mos nuk keni bërë shumë ushtrime fizike kohët e fundit?

  • A ka diçka te plani juaj i parandalimit që nuk është e dobishme?

  • Çfarë mund të bëni ndryshe herën tjetër?

Shkruajeni atë që po mësoni dhe mos ndaloni!

6. Besoni në Fuqinë Shëruese të Shpëtimtarit

Jezu Krishti mund t’ju ndihmojë në procesin përmirësues të pendimit dhe Ai ka fuqinë t’ju aftësojë teksa përpiqeni fort ta mposhtni pornografinë. Ai e kupton se si ndiheni dhe po pret që t’jua heqë atë barrë. Mos mendoni se po të drejtoheni tek Ai ia shton Atij barrën. Ai e ka paguar tashmë çmimin për ju. Përkundrazi, bëni më të mirën tuaj, afrohuni më shumë te Shpëtimtari dhe kërkojini Atij që t’ju ndihmojë të shëroheni, t’i ndryshojë dëshirat tuaja dhe t’ju japë më shumë forcë për të vazhduar përpara.

Ashtu siç ka dhënë mësim Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Ndërsa përpiqemi vazhdimisht fort që t’i kapërcejmë sfidat tona, Perëndia do të na bekojë me dhuratat e besimit për t’u shëruar dhe të bërjes së mrekullive. Ai do të bëjë për ne atë që ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë vetë.”4

7. Mos e Bëni Këtë të Vetëm

Lidhjet me njerëzit dhe miqësitë mund t’ju japin fuqizim gjithashtu dhe t’ju ndihmojnë të përparoni. Ju duhet të keni njerëz që mund t’ju ndihmojnë të jeni i përgjegjshëm dhe t’ju vijnë në ndihmë në ditët tuaja më të mira dhe më të këqija. Ata duhet t’ju përkrahin pa ju gjykuar. Dhe ju gjithashtu mund t’u jepni atyre të njëjtën përkrahje. Kërkoni këshilla nga udhëheqësit tuaj të Kishës ose pjesëtarët e familjes. Dhe nëse është nevoja, një terapist ose këshillues profesionist i shëndetit mendor mund t’ju ndihmojë gjithashtu, që të zbuloni shkaqet e fshehura se përse mund të jeni duke u munduar me pornografinë.

Kujtoni se Ju Jeni Prindërit dhe Udhëheqësit e së Nesërmes

Ju jeni brezi i parë që keni të drejtë përdorimi ndaj pornografisë 24 orë në 7 ditë të javës. Besoj se kjo sfidë po arrin pikën kulmore në brezin tuaj, sepse do të keni dituri dhe mjete më të mira për t’i prirë të tjerët jashtë asaj rruge apo nga ajo grackë kur të bëheni prindër dhe udhëheqës një ditë. “Ati Qiellor nuk na vuri në tokë që të dështojmë, por që të kemi sukses në mënyrë të lavdishme.”5

Ndonëse këto këshilla mund t’ju ndihmojnë në përpjekjet tuaja për ta mposhtur pornografinë, mos druani t’u drejtoheni edhe burimeve të tjera. Rrugëtimi i kujtdo drejt shërimit është i ndryshëm. Gjejeni se çfarë ju ndihmon. Mos hiqni dorë. Veproni ditë pas dite. Ju mund ta bëni këtë gjë. Vërtet që mund ta bëni (shih Filipianëve 4:13). Dhe ju do të bëheni njeriu që ishit synuar të ishit.

Shënime

  1. Motra Xhoi D. Xhons shpjegoi ndryshimin midis vlerës [shpirtërore] dhe denjësisë në “Vlerë e Pamasë”, Liahona, nëntor 2017, f. 14.

  2. Shih Uendi Ulrih, “Nuk Është Mëkat Të Jesh i Dobët”, Liahona, prill 2015, f. 23; “Shame versus Guilt: Help for Discerning God’s Voice from Satan’s Lies” (artikulli vetëm në format elektronik), Ensign, janar 2020.

  3. Shih Dallin H. Ouks, “Shpëtimi nga Kurthi i Pornografisë”, Liahona, tetor 2015, f. 52. Presidenti Ouks përshkruan dallimin ndërmjet niveleve të ndryshme të përfshirjes në pornografi: “1) ekspozimi[n] padashur, 2) përdorimi[n] rastësor, 3) përdorimi[n e] ngjeshur dhe 4) përdorimi[n e] sëmurë (varësi)”. Është e dobishme që të dallojmë se jo cilido që e përdor pornografinë ka “varësi”. Ka shpresë për mposhtjen e pornografisë, pavarësisht në çfarë niveli përfshirjeje gjendeni.

  4. Ulises Soares, “Ta Marrim Kryqin Tonë”, Liahona, nëntor 2019, f. 114.

  5. Richard G. Scott, “Learning to Recognize Answers to Prayer”, Ensign, nëntor 1989, f. 30.