2019
Si Mësova të Reagoj kur Dikush e Pranon se po Lufton me Pornografinë
Tetor 2019


Si Mësova të Reagoj kur Dikush e Pranon se po Lufton me Pornografinë

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

E kisha ditur prej muajsh se po ndodhte diçka, por vetëm në këtë çast shoqja ime ma pohoi të vërtetën me zë të lartë: ajo po luftonte me pornografinë prej vitesh, praktikisht gjatë gjithë kohës që e kisha njohur.

Ndërkohë që e dëgjoja rrëfimin e saj ulur në makinë, isha mirënjohëse. Mos më keqkuptoni – më lëndoi thellë njohuria që ajo kishte qenë kaq kohë duke luftuar pa e ditur unë – por isha e gëzuar që kisha një përvojë kur mund të reagoja me dashuri në vend që ta gjykoja.

Të Qenit i Pasjellshëm Nuk Justifikohet Kurrë

Ndonjëherë, dijenia se pornografia është e ligë, mund ta molepsë perceptimin tonë për të tjerët. E di se e molepsi perceptimin tim dikur. Kur isha më e re, dëgjoja për njerëz që luftuan me pornografinë, dhe reagimi im i brendshëm ishte zemërimi dhe madje neveria. Por, kur shoqja ime më tregoi për betejat e saj, kisha më shumë përvojë për ta ngushëlluar, sepse isha bërë më e vetëdijshme për vetë mëkatet dhe dobësitë e mia me kalimin e viteve.

Tani e di se të qenit i pasjellshëm nuk justifikohet kurrë. Jezu Krishti, që është shembulli ynë i përkryer, shkoi t’i kërkonte njerëzit që përbuzeshin nga të tjerët. Ai foli me samaritanë dhe mëkatarë. Krishti, që nuk mund ta “shoh[ë] mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit” (Doktrina e Besëlidhje 1:31), na sheh “ne, të papërsosur siç jemi, pa u zmbrapsur me tmerr e neveri”1. Ndaj, pasi pata atë bashkëbisedim të thellë me shoqen time, u përpoqa të mendoja se si do të reagonte Jezusi. Historia e gruas të kapur duke shkelur kurorën më ndihmoi të dija se si të reagoja.

Reagimi me Dhembshuri

Skribët dhe farisenjtë që po e jetonin ligjin e Moisiut në kohën e shërbesës së Jezusit, nuk kishin shumë dhembshuri. Kishte dënime shumë të veçanta, shpesh të vrazhda, të caktuara për mëkatet dhe për shkeljen e kurorës kërkohej vrasje me gurë. Por, kur kurorëshkelësen e sollën te Jezusi, Ai nuk pati neveri – Ai tregoi dhembshuri ndaj asaj. Në vend që t’i përgëzonte akuzuesit se kishin gjetur dikë të kapur në flagrancë, Ai i kujtoi akuzuesit për vetë mëkatet e tyre (shih Gjoni 8:3–7). Në fund të fundit, ne “të gjithë mëkatua[m] dhe u privua[m] nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Krishti nuk e dënoi mëkatarin dhe sigurisht që nuk duhet ta bëjmë as ne (shih Gjoni 13:34–35).

Pasi akuzuesit u larguan, të vrarë nga vetë ndërgjegjja e tyre e papastër, Krishti i foli gruas. Fjalët e Tij qenë të pakta por të thella. Ai së pari e pyeti: “O grua, ku janë ata që të paditnin? Askush nuk të dënoi?” Dhe kur ajo u përgjigj se ata ishin larguar, Ai tha thjesht: “As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më” (Gjoni 8:10–11).

Dënimi nuk do ta kishte ndihmuar këtë grua që të ndryshonte, por Shpëtimtari e dinte se dashuria mund ta bënte.

Shko dhe Mos Mëkato më

Dashuria është thjesht hapi i parë për ta ndihmuar dikë që ta kapërcejë pornografinë. Procesi i shërimit është gjithmonë po aq i pashoq sa dhe individi, por ka disa hapa bazë që duhet t’i ndërmarrë cilido që ka probleme. Nxitini ata të takohen me peshkopin e tyre; ai do të ketë burime dhe mjete për të ndihmuar. Kur është e përshtatshme, ndihmojini ata t’i dallojnë faktorët shkrepës për ta dhe të krijojnë një plan për t’i ndihmuar që t’i shmangin. Nxitini të takojnë një profesionist ose të bashkohen me një grup përkrahjeje. Dhe vazhdoni t’i doni dhe përkrahni ata në çdo hap të rrugës.

Krishti i shprehu dashuri [hyjnore] gruas dhe siguroi që ajo ta dinte se Ai nuk donte që ajo të vazhdonte në mëkatet e saj. Dashuria e vërtetë hyjnore nuk do të thotë që ne i shpërfillim gabimet e të tjerëve; përkundrazi, ajo bën që ne ta shohim potencialin e tyre dhe na nxit t’i ndihmojmë ata që të bëjnë përpara.

Një Rrugëtim Besimi

E doja tashmë shoqen time, por e desha edhe më shumë pasi e tregoi sekretin e saj. Pavarësisht se çfarë keni bërë ju ose dikush që e doni, “nuk është e mundur që ju të zhyteni më poshtë se drita e pafundme e Shlyerjes së Krishtit që shkëlqen”2.

Nëse njihni dikë që ka probleme me pornografinë, mos hiqni dorë prej tij/saj! Ndihmoni me dashuri dhe dhembshuri pikërisht siç do të bënte Shpëtimtari. Nuk do të jetë gjithmonë e lehtë; këto beteja nuk largohen brenda natës. Kini durim me njerëzit tuaj të dashur dhe me veten. Të mësosh ta duash dhe ta kuptosh dikë që po kalon mes diçkaje kaq të vështirë, nuk është gjithmonë e këndshme apo e lehtë. Por kam mirëbesim se e gjithë dashuria që japim, nuk do të shkojë kot, pavarësisht nga kohëzgjatja ose rezultati i rrugëtimit të njeriut tonë të dashur.

Shënime

  1. Dejll G. Renland, “Bariu Ynë i Mirë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 30.

  2. Xhefri R. Holland, “Punëtorët në Vresht”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 33.