2019
Bekimet e një Këndvështrimi sipas Ungjillit
Tetor 2019


Bekimet e një Këndvështrimi sipas Ungjillit

Nga një fjalim në takimin shpirtëror, “A Gospel Perspective” [“Një Këndvështrim sipas Ungjillit”], dhënë në Universitetin “Brigam Jang” – Havai, më 19 shtator 2017.

Një këndvështrim sipas ungjillit do t’ju japë qartësi më të madhe mbi mënyrën se si mendoni mbi përparësitë e jetës suaj, si i zgjidhni problemet dhe si përballeni me tundimet vetjake.

Pamja
woman adjusting her eyeglasses

Fotografitë nga Getty Images

Çfarë bekimi i madh është të jemi anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit në periudhën ungjillore kur një rivendosje e çelësave të mbretërisë dhe plotësimi i profecisë na lejojnë të dëshmojmë drejtpërdrejt “përhap[jen e] ungjilli[t] deri në fundet e dheut, ashtu si guri që shkëputet pa duar nga mali, do të përhapet derisa të ketë mbushur tërë tokën” (Doktrina e Besëlidhje 65:2).

Kjo profeci, e dhënë nga Danieli i Dhiatës së Vjetër dhe e përsëritur më pas në këtë periudhë ungjillore, duket të jetë në mes të përmbushjes teksa vëzhgojmë mbi 3 300 kunje të organizuar në Kishë sot. Në 50 vjetët e fundit, anëtarësia në Kishë është rritur nga 2,1 milionë në më shumë se 16 milionë [veta].1

Për mua, po aq mbresëlënës sa janë ky ndryshim dhe kjo rritje e madhe, është fakti se parimet dhe praktikat e ungjillit mbeten të njëjta, përfshirë modelin e qeverisjes hyjnore të zbuluar për Kishën e Jezu Krishtit. Ky model lejon organizimin e kunjeve, të projektuar të sigurojë “për mbrojtje e për strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun” (Doktrina e Besëlidhje 115:6).

Vëllezër dhe motra, Zoti është bujar me bekimet që na fal. Të kuptuarit se bekimet janë funksioni i bindjes sonë ndaj urdhërimeve dhe se mbajtja e urdhërimeve është një shfaqje e dashurisë sonë për Zotin, janë rregulla të vlefshme për t’i mësuar. Parime të ungjillit si këto japin një këndvështrim të rëndësishëm për ne.

Kjo çon në dy pika që dëshiroj t’i theksoj. Vërej se Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, ua tregoi më parë këto dy pika të rinjve në moshë madhore beqarë në vitin 2015.

Mbani një Këndvështrim sipas Ungjillit

Presidenti Ouks ka thënë se “këndvështrim do të thotë t’i shohësh të gjitha faktet në një marrëdhënie kuptimplote, të gjithë pamjen”2. Këtu janë disa gjëra që ju i kuptoni kur i shihni nga një këndvështrim sipas ungjillit:

Merreni parasysh se çfarë ndodh nëse këndvështrimi juaj sipas ungjillit bëhet thjerra me anë të së cilës ju e shihni çdo anë të jetës suaj. Një këndvështrim sipas ungjillit do t’ju japë qartësi më të madhe mbi mënyrën se si mendoni mbi përparësitë e jetës suaj, si i zgjidhni problemet dhe si përballeni me tundimet vetjake. Kjo vërtet mund të ndikojë te qasja juaj e përgjithshme ndaj gjithë jetës suaj dhe vendimet e ndryshme që do të merrni përgjatë udhës.

Me këtë botëkuptim, ne e dimë se Zoti dëshiron që ta marrim sakramentin çdo javë dhe t’i studiojmë shkrimet e shenjta e t’i lutemi Atij çdo ditë. Përveç kësaj, ne e dimë se Satani do të na tundojë që të mos ta ndjekim Shpëtimtarin tonë ose të mos t’i dëgjojmë nxitjet e qeta të Frymës së Shenjtë. Atëherë ne mund të bëhemi më të vetëdijshëm se kundërshtari përpiqet fort të na i heqë lirinë tonë të zgjedhjes dhe aftësinë për t’u bërë ballë përpjekjeve të tij nëpërmjet varësisë, përfshirë drogat dhe pornografinë.

Në kundërshti të plotë, thjerrat e ungjillit na japin një pamje të qartë të rëndësisë së krijimit të familjeve – të zgjedhjes që të martohemi dhe të rritim fëmijë në drejtësi. Kjo pikëpamje gjithashtu na i hap sytë që të shohim se kundërshtari do të donte ta shkatërronte krejtësisht njësinë familjare dhe t’i ngatërronte rolet gjinore, duke çuar kështu te një pakësim i vlerës që shoqëria vë te formimi dhe ndërtimi i familjeve.

Mbajtja e një Drejtpeshimi Shpirtëror

Pamja
balanced seesaw

Presidenti Ouks pohoi: “Kur të rinjtë në moshë madhore e kanë këndvështrimin – pamjen e përgjithshme – është jetike për ta që të mbajnë drejtpeshimin shpirtëror në jetën e tyre. Për ta bërë këtë, ju duhet të hiqni dorë nga disa prej tërheqjeve të botës dhe gjithashtu të bëni gjërat e domosdoshme për të shkuar më pranë Shpëtimtarit.”3

Nga njëra anë, ju keni shumë çështje të ngutshme dhe përparësi të jetës të të gjitha përmasave dhe llojeve, të cilat që të gjitha kanë nevojë për vëmendje, përqendrim dhe drejtim. Lista për secilin prej jush mund të jetë mjaft e ndryshme bazuar në rrethanat tuaja vetjake, por brenda saj ju me siguri do të gjeni arsimimin, punësimin, martesën si dhe edhe mirëqenien emocionale edhe atë fizike. Sigurisht, sfida juaj është t’i drejtpeshoni këto role të rëndësishme të jetës kundrejt shpirtshmërisë suaj.

Presidenti Ouks këshilloi gjithashtu që ju duhet të jeni të kujdesshëm kur “e ndani kohën që ju nuk do të vuani shpirtërisht urie gjatë kohës kur veprimtaritë tuaja e programuara më së pari janë në gjëra të tjera. Ai parim e shpjegon se përse është veçanërisht e rëndësishme që të rinjtë në moshë madhore … ta ndjekin këshillën për të marrë pjesë në mbledhjet e Kishës, për të shërbyer në Kishë, për të bërë studim të përditshëm të shkrimeve të shenjta, për të pasur lutje të përditshe familjare në gjunjë dhe për të shërbyer në thirrjet në Kishë.”4

Mes nevojave tuaja vetjake dhe të ndryshme, për t’i drejtpeshuar synimet dhe sfidat e jetës me shpirtshmërinë tuaj, do të arrini ta kuptoni se drejtpeshimi mund të arrihet. Zoti nuk ju kërkon të bëni diçka që nuk mund ta përmbushni. E kam dëgjuar Presidentin Tomas S. Monson (1927‑2018) në shumë raste të këshillojë se “atë që Zoti e thërret, Zoti e kualifikon”5. Mendoj se kjo zbatohet veçanërisht për anëtarët e Kishës.

Sado tmerruese të mund të duket mbajtja e këtij drejtpeshimi, unë premtoj se një nga mrekullitë më të mëdha të ekzistencës suaj në vdekshmëri do të jetë aftësia juaj për të gjetur drejtpeshim mes shpirtshmërisë suaj dhe roleve të tjera të rëndësishme në jetë. Kjo mund të ndodhë në një mënyrë që do t’ju lejojë që jo thjesht t’i mbani shpirtshmërinë tuaj dhe rolet e rëndësishme në jetë në gjendjen e tanishme, por edhe të rriteni e të zhvilloheni në të dyja këto fusha të rëndësishme.

Arsyeja kryesore pse kjo është e mundur, është se Zoti është strumbullari. Ai është pika qendrore absolute e peshores. Dhe Ai ka interesim hyjnor për ju personalisht si një nga fëmijët e Tij. Por ky rezultat bazohet te përqendrimi dhe përpjekja juaj e përshtatshme që të gjeni drejtpeshim.

Nga vëzhgimi im dhe përvoja vetjake, duket se ne kemi një prirje gjatë gjithë jetës sonë për t’u anuar më shumë nga njëra anë ose tjetra. Që të mbetemi në drejtpeshim në jetën tonë kërkohet përpjekja dhe kujdesi ynë i vazhdueshëm. Zgjidhni në mënyrë aktive që të mbeteni të qëndrueshëm.

Është interesante se mund ta humbni drejtpeshimin në të dy drejtimet. Mund të ketë raste kur e shihni se ju nevojitet të kini kujdes që të mbeteni qartësisht të përqendruar te shkolla juaj ose puna profesionale, duke e kryer “shërbimin në Kishë gjatë kohës së shërbimit [të adhurimit] në Kishë”6. Megjithatë, kujtohuni ta mbani Zotin si strumbullarin tuaj që të mund të gjeni baraspeshën tuaj të duhur shpirtërore.

Zoti do t’ju Ndihmojë

Kur mbajmë një këndvështrim sipas ungjillit, është e lehtë ta kuptojmë të vërtetën themelore se Zoti do të na ndihmojë. Një parim bazë i ungjillit është se ne jemi fëmijë të Prindërve të dashur Qiellorë. Është tërësisht e natyrshme për Ta që të na ndihmojnë në çdo mënyrë që të kthehemi te shtëpia jonë qiellore.

Dëshiroj të tregoj një shembull të mënyrës se si Zoti mund t’ju ndihmojë. Një nga udhëheqësit e mi të rinisë, Thed Karlsoni, ma tregoi shumë vjet më parë. Thedi, që ndërroi jetë kohët e fundit, ka pasur një ndikim të pamasë tek unë kur po rritesha. Ai u rrit gjatë Depresionit të Madh, i nënti nga 14 fëmijë. Familja e tij e siguronte jetesën duke kullotur dhe rritur bagëti. Ishte një kohë e vështirë nga ana financiare dhe pasuria e tyre më e madhe ishte tufa e tyre e bagëtive.

Në rininë e Thedit, një nga përgjegjësitë e tij ishte që të kujdesej për bagëtitë dhe, kur ishte e nevojshme, t’i kulloste ato që të siguronte se kishin gjetur kullotën më të mirë – një punë e madhe për një djalë të vogël. Ai qe në gjendje ta bënte këtë me ndihmën e një kali poni të mençur për lopët, që, me pak drejtim, e dinte saktësisht se çfarë të bënte. Ponin e quanin Hirushi Plak. Por Hirushi Plak kishte një të metë: ai kurrë nuk donte që ta kapnin. Kurdoherë që dikush i afrohej, ai vraponte larg, duke e ditur se do ta futnin në punë.

Pamja
cowboy on a horse

Një ditë, pasi Hirushin Plak e kishin kapur, i kishin vënë frerin dhe shalën, djaloshi Thed kalëroi për te kullota ku po ushqeheshin bagëtitë. Toka ishte e thatë dhe po ashtu dhe kullota, por Thedi vuri re se bari jashtë kullotës, përgjatë anës së një traseje hekurudhore, ishte më i lartë dhe më i gjelbër. Kështu që mendoi t’i çonte lopët jashtë kullotës së rrethuar me gardh dhe t’i linte të shijonin një pjesë nga ushqimi i mirë përgjatë trasesë së hekurudhës.

Me ndihmën e Hirushit Plak, Thedi i çoi bagëtitë jashtë kullotës, ku ato filluan të lëvizin lart e poshtë përgjatë trasesë së hekurudhës, duke u ushqyer me barin më të mirë e më të gjelbër. Lopët e kënaqura dukej se po kujdeseshin për veten, kështu që Thedi zbriti nga kali i tij dhe u ul mbi kapistallin e frerit, duke shijuar mjedisin rreth tij, duke luajtur e duke u zbavitur. Megjithatë, duke kërkuar të kulloste edhe vetë në barin e gjelbër, Hirushi Plak përfundimisht u largua, me frerët që rrëshqitën që poshtë Thedit.

Ky çast i patrazuar dhe i paqtë shkoi drejt një fundi të potershëm dhe të papritur kur Thedi befas dëgjoi një zhurmë të madhe që nga larg. Ishte fishkëllima e një lokomotive që po vinte duke udhëtuar me shpejtësi mbi vetë trasenë e shinave ku tufa e tij e bagëtive ishte e shpërndarë plot përtesë pikërisht para tij. Ai e kuptoi se pasojat mund të ishin shkatërrimtare për tufën dhe gjithashtu për familjen e tij nëse nuk do të vepronte me të shpejtë për t’i çuar bagëtitë sërish në kullotë dhe t’i largonte nga treni që po vinte. Ai ndjeu se nuk do të ishte kurrë në gjendje ta falte veten që nuk e kishte përmbushur përgjegjësinë që ia kishin mirëbesuar atij.

Thedi kërceu në këmbë menjëherë dhe vrapoi të rrokte frerin e Hirushit Plak. Hirushi Plak e pa Thedin që po vinte, dhe me të shpejtë kërceu larg tij, duke mos dashur që ta kapnin. Pa frymë dhe i dëshpëruar, me pamjet e lopëve të ngordhura dhe tragjedinë e familjes që i shkrepnin në mendje, Thedi e dinte se duhej të vepronte me të shpejtë.

Më vonë ai e shënoi se çfarë ndodhi: “Mësuesja ime e Fillores na kishte mësuar të luteshim dhe i kishte përforcuar mësimet e dhëna nga nëna ime. Pa rrugëdalje tjetër, rashë në gjunjë dhe fillova të lutem për ndihmë që t’i hiqja lopët nga traseja.”

Thedi nuk dëgjoi ndonjë zë, por një mendim i qartë i erdhi: “Vër re se si lopët mund të ecin pranë Hirushit Plak dhe ai nuk lëviz. Kështu që … tani që je në gjunjë, vendos edhe duart në tokë. Sillu sikur të jesh një lopë dhe zvarritu drejt Hirushit Plak.”

Thedi tha: “E bëra. Ai nuk lëvizi. E rrëmbeva frerin e tij, e drejtova për te gardhi, i kërceva në shpinë dhe vrapuam si era që t’i kthenim lopët sërish në kullotë. Hirushi Plak qe jashtëzakonisht i shkëlqyer në çdo kthesë e rrotullim.”

Më vonë, kur Thedi qe në shkollë të mesme, e kuptoi plotësisht se kishte marrë një përgjigje të qartë për lutjen e tij në një kohë nevoje vendimtare. Ai vërejti: “Engjëjt i administruan Hirushit Plak përtej aftësisë sime dhe familjes sime iu kursye një tragjedi”. Më vonë ai tha: “Kjo qe e para nga shumë nxitje që [do të] më vinin. ‘Dhe në çdo gjë që ju do t’i kërkoni Atit në emrin tim, që është e drejtë, duke besuar se do ta merrni, vini re, ajo do t’ju jepet’ (3 Nefi 18:20).”7

Të gjithë ne kemi bagëtitë tona që duhet t’i heqim nga traseja e hekurudhës përpara se të mbërrijë treni. Rreziqet tona vijnë në shumë forma dhe masa të ndryshme. Disa janë po aq të rënda sa situata e rrezikshme e Thedit, me pasoja kërcënuese për jetën ose kërcënuese për shpirtin për ne ose njerëzit tanë të dashur.

Situata të tjera që hasim, mund të mos kenë pasoja kaq të rënda, por megjithatë rëndojnë shumë mbi mendjen dhe zemrën tonë. Një gjë është e sigurt – secili prej nesh do të ketë kundërshti dhe pikëllim në jetë sepse ato janë pjesë e përvojës sonë në vdekshmëri. Por mbajeni mend, Zoti do të na ndihmojë!

Më pëlqejnë shumë këto fjalë që gjenden në Librin e Mormonit: “Ne shohim se Perëndia kujdeset për të gjithë njerëzit, në çdo vend që të ndodhen; po, ai numëron njerëzit e tij dhe zemra e tij e mëshirës është mbi gjithë tokën” (Alma 26:37).

Kjo do të thotë [se Ai kujdeset] për secilin prej nesh. Çfarë ngushëllimi i madh është ta dimë se Zoti do të na ndihmojë!

Besim, Shpresë dhe një Këndvështrim sipas Ungjillit

Si përmbledhje, unë ju nxit të kujtoheni që të mbani një këndvështrim sipas ungjillit. Shiheni botën rreth jush nëpërmjet thjerrës së ungjillit të Jezu Krishtit.

Mbani një drejtpeshim shpirtëror. Ne të gjithë hasim sfida dhe mundësi në rolet e ndryshme në jetën tonë dhe i përballojmë më së miri kur i drejtpeshojmë me besimin tonë te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij.

Së fundi, kini besim dhe shpresë se Zoti do t’ju ndihmojë. Kjo dijeni është ajo çfarë ju ndihmon t’i përballoni me vetëbesim sfidat që janë një pjesë e pashmangshme e misionit tuaj në vdekshmëri.

Shënime

  1. Shih “Raporti Statistikor, 2018”, Liahona, maj 2019, f. 112.

  2. Dallin H. Oaks, mbledhje rreth vatrës për të rinjtë në moshë madhore beqarë, 8 shkurt 2015, Solt‑Lejk‑Siti, Jutë (e pabotuar).

  3. Dallin H. Oaks, mbledhje rreth vatrës për të rinjtë në moshë madhore beqarë, 8 shkurt 2015.

  4. Dallin H. Oaks, mbledhje rreth vatrës për të rinjtë në moshë madhore beqarë, 8 shkurt 2015.

  5. Thomas S. Monson, “Duty Calls”, Ensign, maj 1996, f. 44.

  6. Dallin H. Oaks, mbledhje rreth vatrës për të rinjtë në moshë madhore beqarë, 8 shkurt 2015.

  7. Thad Carlson, letërkëmbim vetjak.