Seminare dhe Institute
Mësimi 10: Lutja dhe Zbulesa


10

Lutja dhe Zbulesa

Hyrje

Lutja është një privilegj i shenjtë dhe një urdhërim që na lejon të komunikojmë me një Atë të dashur Qiellor. Ai dëgjon dhe iu përgjigjet lutjeve tona. Ata që kërkojnë me zell udhërrëfimin e Zotit, mund të bekohen me zbulesë vetjake. Ky mësim vë në dukje atë që ne mund të bëjmë për t’i përgatitur zemrat dhe mendjet tona për të marrë përgjigje ndaj lutjeve tona.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 32:8–9; 3 Nefi 14:7–11

Perëndia i dëgjon lutjet tona

Kërkojuni studentëve të përmendin disa nga mënyrat në të cilat ne mund të përdorim teknologjinë për të komunikuar me të tjerët. Shkruajini përgjigjet e studentëve në tabelë.

  • Ndërkohë që teknologjia na lejon të komunikojmë me pothuajse këdo që zgjedhim, përse nganjëherë na duket e vështirë të komunikojmë siç duhet me Atin tonë Qiellor?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 14:7–11 teksa klasa kërkon atë që dha mësim Shpëtimtari rreth gatishmërisë së Atit Qiellor për t’iu përgjigjur lutjeve tona.

  • Çfarë parimi na mësoi Shpëtimtari rreth gatishmërisë së Atit Qiellor për t’iu përgjigjur lutjeve tona? (Përgjigjet e studentëve duhet të përfshijnë parimin vijues: Ati Qiellor dëgjon dhe na përgjigjet kur pyesim, kërkojmë dhe trokasim.)

Që ta thelloni kuptueshmërinë e studentëve për këtë parim, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Asnjë autoritet tokësor nuk mund të na veçojë nga lidhja e drejtpërdrejtë me Krijuesin tonë. Nuk mund të ketë kurrë një dështim mekanik ose elektronik kur ne lutemi. Nuk ka kufizim të numrit të herëve apo për sa kohë mund të lutemi çdo ditë. Nuk ka një kuotë për sa nevoja dëshirojmë të lutemi në secilën lutje. Nuk na duhet të kalojmë përmes sekretareve ose të caktojmë një takim që të arrijmë te froni i hirit. Ai është i arritshëm në çdo kohë dhe në çdo vend” (“The Lifeline of Prayer”, Ensign, maj 2002, f. 59).

  • Çfarë mund të thoni për t’i ndihmuar individët që nuk luten shpesh, ngaqë ata nuk besojnë se Perëndia i dëgjon ose u jep përgjigje lutjeve të tyre?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 32:8–9 dhe vëreni klasën të kërkojë atë që na dha mësim Nefi rreth lutjes. Ju mund të bëni pyetje si ato që vijojnë:

  • Çfarë mendoni se do të thotë “të luteni gjithmonë”?

  • Çfarë shembujsh keni parë të dikujt që lutet gjithmonë? Si është bekuar ky njeri për shkak të kësaj praktike?

  • Çfarë do të thotë për ju që Zoti do t’i “shenjtërojë” përpjekjet tuaja për mirëqenien e shpirtit tuaj kur ju luteni për ndihmën e Tij? (Mund të jetë e dobishme të vini në dukje se të shenjtërosh diçka, do të thotë ta përkushtosh atë për një qëllim të posaçëm ose të shenjtë apo ta bësh atë të shenjtëruar.)

Nxitini studentët të jenë të zellshëm që të luten gjithmonë. Sigurojini ata që Ati Qiellor vërtet i dëgjon lutjet e tyre dhe dëshiron shumë që t’i bekojë ata.

1 Nefi 10:17–19; 15:1–3, 7–11; Jakobi [LiM] 4:6; Alma 26:22

Të gjithë pasuesit e Jezu Krishtit mund të marrin zbulesë vetjake

Kërkojuni studentëve të renditin disa pyetje ose rrethana për të cilat të rinjtë në moshë madhore mund të dëshirojnë zbulesë nga Perëndia.

Kujtojuni studentëve ëndrrën e Lehit për pemën e jetës dhe vini në dukje se, pasi Nefi dëgjoi rreth kësaj ëndrre të frymëzuar, ai dëshiroi të mësonte më shumë rreth saj. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë 1 Nefin 10:17–19. Vëreni klasën të kërkojë atë që na mësojnë këto vargje rreth zbulesës, duke përfshirë se kush ka të drejtën për të marrë zbulesë.

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth zbulesës vetjake? (Sigurohuni që të përcaktohet doktrina vijuese: Perëndia ua zbulon të vërtetën me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë të gjithë atyre që kërkojnë me zell për të ditur.)

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“[Shpirti i zbulesës] nuk kufizohet tek autoritetet kryesuese të Kishës; por, ndryshe, ai i përket dhe duhet të veprojë në jetën e çdo burri, gruaje dhe fëmije që arrin moshën e përgjegjshmërisë dhe hyn në besëlidhje të shenjta. Dëshira e sinqertë dhe denjësia ftojnë në jetën tonë shpirtin e zbulesës” (“Shpirti i Zbulesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 87).

  • Përse ju jep kurajë juve ky këndvështrim nga Plaku Bednar?

Shpjegoni se, për shkak të dëshirave të Nefit, denjësisë së tij dhe besimit të tij, atij gjithashtu iu tregua një vegim i pemës së jetës (shih 1 Nefi 11–14). Gjithashtu vini në dukje se përgjigjja e Lamanit dhe Lemuelit ndaj vegimit të atit të tyre ishte shumë e ndryshme nga përgjigjja e Nefit. Vërini dy studentë të lexojnë me zë të lartë 1 Nefin 15:1–3, 7–9 dhe ftojeni klasën t’i ndjekë dhe të marrë parasysh atë që mësojnë nga këto vargje.

  • Çfarë është më e rëndësishme për ju në këto vargje?

Kërkojini një studenti tjetër të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 15:10–11. Merrni parasysh t’u vini në dukje studentëve se vargu 11 është shembull i një thënieje “në qoftë se-atëherë” në shkrimet e shenjta. Shkruajeni sa vijon në tabelë dhe kërkojuni studentëve se si do t’i plotësonin hapësirat bosh duke u nisur nga ajo që e lexuan në vargjet 10–11:

Në qoftë se , atëherë .

Ftojini studentët të bëjnë referencë kryq vargun 11 me Almën 26:22 dhe më pas bëni pyetjen:

  • Si mund ta përdorni atë që jepet mësim te 1 Nefi 15:10–11 dhe Alma 26:22 për t’i mësuar dikujt se si të kërkojë përgjigje për lutjet e tij ose të saj?

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin [LiM] 4:6 dhe ftojeni klasën të kërkojë atë që bëri populli i Jakobit, përveç të kërkuarit me besim, që ta ftonte zbulesën. Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “ne kërkojmë profetët”, i drejtohet leximit të fjalëve të profetëve në shkrimet e shenjta.

  • Si mendoni, përse studimi i fjalëve të profetëve të lashtë si edhe profetëve të ditëve të mëvonshme mund të na çojë drejt marrjes së zbulesës nga Zoti?

Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Kur dëshirojmë të flasim me Perëndinë, ne lutemi. Dhe kur dëshirojmë që Ai të na flasë, ne hetojmë shkrimet e shenjta; sepse fjalët e Tij janë folur nëpërmjet profetëve të Tij. Ai më pas do të na mësojë, kur ne i dëgjojmë nxitjet e Shpirtit të Shenjtë.

Nëse nuk e keni dëgjuar zërin e Tij t’ju flasë kohët e fundit, kthehuni me një vështrim të ri dhe një dëgjim të ri te shkrimet e shenjta. Ato janë linja shpirtërore e jetës sonë” (“Holy Scriptures: The Power of God unto Our Salvation”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 26–27).

Ftojini studentët të mendojnë për një sfidë ose vendim me të cilin po përballen. Kërkojuni atyre të marrin parasysh nëse i kanë kërkuar Zotit në lutje dhe nëse u janë kthyer shkrimeve të shenjta për përgjigje.

Për t’i ndihmuar studentët të shohin shembuj se si Zoti na jep zbulesë vetjake, shkruajini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë.

1 Nefi 4:6

1 Nefi 8:2

Jakobi [LiM] 7:5

Enosi 1:10

Helamani 13:5

3 Nefi 11:3

Caktojini disa studentë për secilin nga fragmentet. Vërini ata të lexojnë fragmentet e caktuara atyre dhe të gjejnë një mënyrë sipas së cilës Perëndia u jep zbulesë vetjake fëmijëve të Tij. Ftojini studentët të tregojnë atë që zbuluan. Ndërkohë që merrni parasysh nevojat e studentëve tuaj, ju mund të tregoni thëniet vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015) dhe Plaku Riçard G. Skot, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Shpirti nuk na e tërheq vëmendjen duke bërtitur apo duke na tundur me një dorë të rëndë. Më tepër ai pëshpërit. Ai na ledhaton kaq butë saqë, nëse jemi të shqetësuar, ne mund të mos e ndiejmë fare atë. …

Nganjëherë do të na shtyjë me vendosmëri të mjaftueshme për ne që t’ia vëmë veshin. Por pjesën më të madhe të kohës, nëse nuk ia vëmë veshin ndjenjës së butë, Shpirti do të tërhiqet dhe do të presë derisa ne të vijmë duke kërkuar e duke dëgjuar dhe të themi sipas mënyrës dhe shprehjes sonë, ashtu si Samueli i kohëve të lashta: ‘Folë [Zot], sepse shërbëtori yt të dëgjon’. (1 Samuelit 3:10.)” (“The Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 53).

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Përgjigjet e Tij rrallë do të vijnë teksa jeni në gjunjë duke u lutur, edhe kur ju mund të përgjëroheni për një përgjigje të menjëhershme. Përkundrazi, Ai do t’ju nxitë në çastet e qeta kur Shpirti mund ta prekë në mënyrë më të efektshme mendjen dhe zemrën tuaj. Prandaj, ju duhet të gjeni periudha të kohës së qetë për të dalluar se kur po udhëzoheni dhe forcoheni” (“Using the Supernal Gift of Prayer”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 9).

Kujtojini studentët se ne nuk zgjedhim se si Perëndia do të na e zbulojë të vërtetën, por kur veprojmë me besim, ne i përgatitim më mirë zemrën dhe mendjen tonë për të marrë zbulesë. Ftojini disa studentë që të tregojnë se si kanë marrë zbulesë vetjake, në qoftë se përvoja nuk është shumë vetjake ose e shenjtë.

1 Nefi 18:1–3; 2 Nefi 28:30; Alma 12:9–11

Marrja e zbulesës dhe veprimi sipas saj

Kërkojuni studentëve të krahasojnë në heshtje 2 Nefin 28:30 dhe Almën 12:9–11 e të përcaktojnë parime që mund t’i ndihmojnë të marrin zbulesë të shtuar vetjake.

  • Çfarë na mësojnë këto fragmente që do të na ndihmojnë të marrim zbulesë të shtuar vetjake? (Edhe pse ata mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të përcaktojnë parimet vijuese: Zoti na e zbulon të vërtetën në përputhje me zellin që ia vëmë veshin fjalës së Tij. Zbulesa shpesh na vjen rresht pas rreshti.)

  • Si mendoni, përse Zoti na kërkon që të jemi të bindur ndaj asaj që Ai ka zbuluar tashmë për ne, përpara se Ai të zbulojë dituri shtesë?

  • Çfarë do të thotë që zbulesa na vjen “rresht pas rreshti”?

Nëse koha e lejon, ju mund të diskutoni me klasën 1 Nefin 18:1–3 për të ilustruar se si Nefi mori zbulesë pjesë-pjesë, që të mësonte se si të ndërtonte një anije.

Paraqitni dhe kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Më së shpeshti, zbulesa vjen me shtesa të vogla përgjatë kohës dhe dhurohet në pajtim me dëshirën, denjësinë dhe përgatitjen tonë. Kumtime të tilla nga Ati Qiellor, shkallë-shkallë e butësisht ‘[pikojnë] mbi shpirtin [tonë] sikurse vesat nga qiejt’ (DeB 121:45). Kjo mënyrë zbulese priret të jetë më shumë e zakonshme sesa e rrallë” (“Shpirti i Zbulesës”, f. 88).

  • Teksa hidhni vështrimin pas në jetën tuaj, si ju ka drejtuar Zoti pjesë-pjesë në marrjen e një vendimi ose në kërkimin e kuptueshmërisë prej Tij?

Mbylleni mësimin duke paraqitur dhe duke i kërkuar një studenti të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Nëse ndonjëri prej nesh ka qenë i ngadaltë për t’ia vënë veshin këshillës për t’u lutur gjithmonë, nuk ka orë më të mirë për të filluar sesa tani. Uilliam Kupër shpalli: ‘Satani dridhet kur ai e sheh shenjtorin më të dobët të bjerë në gjunjë’ [‘Exhortation to Prayer’, në Olney Hymns]” (“A Royal Priesthood”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 61).

Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth përpjekjes që i kushtojnë kohët e fundit lutjes në jetën e tyre të përditshme. Nxitini ata t’i ndjekin parimet e diskutuara në këtë mësim që ta ftojnë zbulesën e shtuar vetjake nëpërmjet lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta. Ftojini studentët të tregojnë se si e dinë që Ati Qiellor iu përgjigjet lutjeve. Jepni dëshminë tuaj që Ati ynë i dashur Qiellor do të na frymëzojë me kuptueshmëri dhe drejtim, në qoftë se e përgatitim veten tonë për t’i marrë ato.

Materiale Leximi për Studentin