Seminare dhe Institute
Mësimi 5: Shlyerja e Pafundme e Jezu Krishtit


5

Shlyerja e Pafundme e Jezu Krishtit

Hyrje

Shlyerja e Jezu Krishtit – ngjarja më e madhërishme që ndodhi ndonjëherë – bën të mundur për të gjithë njerëzit që të falen nga mëkati dhe të banojnë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin përgjatë gjithë përjetësisë. Nëpërmjet Shlyerjes, ne të gjithë do të ringjallemi dhe kthehemi në praninë e Perëndisë për t’u gjykuar. Ngaqë Shlyerja kërkoi që Jezu Krishti të vuante në një numër të pafundëm mënyrash, Ai ka dashamirësi të përsosur për secilin prej nesh.

Lexim Konteksti

  • Bojd K. Paker, “Shlyerja”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 75–78.

  • D. Tod Kristoferson, “Shëlbimi”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 109–112.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 3:5–11; Alma 34:8–12

Vetëm Jezu Krishti mund të plotësonte Shlyerjen e pafundme

Paraqitni dhe ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Dëshiroj të flas rreth ngjarjes më të madhërishme në të gjithë historinë. Ajo ngjarje e vetme ishte Shlyerja e pakrahasueshme e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Ky ishte veprimi më i jashtëzakonshëm që ka ndodhur ndonjëherë” (“The Atonement: Our Greatest Hope”, Ensign, nëntor 2001, f. 18).

Ftojini dy ose tre studentë ta bëjnë me radhë duke lexuar me zë të lartë Almën 34:8–12, ndërkohë që klasa shenjon fjalët dhe frazat kyçe që ilustrojnë përse Shlyerja është ngjarja më e madhërishme në histori.

  • Përse është Shlyerja e Jezu Krishtit ngjarja më e madhërishme që ndodhi ndonjëherë? (Theksoni këtë të vërtetë: Shlyerja e Jezu Krishtit është e pafundme dhe e përjetshme, duke e bërë shpëtimin të mundur për të gjithë njerëzimin.)

Merrni parasysh të jepni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Një shlyerje e pafundme u kërkua që të shëlbonte Adamin, Evën dhe të gjithë pasardhësit e tyre. … Në përputhje me ligjin e përjetshëm, ajo shlyerje kërkoi një flijim vetjak nga një qenie e pavdekshme që nuk i nënshtrohej vdekjes. Prapëseprapë Ai duhet të vdesë dhe ta marrë vetë trupin e Tij sërish. Shpëtimtari ishte i vetmi që mund ta plotësonte këtë. Nga nëna e Tij, Ai trashëgoi fuqi për të vdekur. Nga Ati i Tij, Ai fitoi fuqi mbi vdekjen” (“Constancy amid Change”, Ensign, nëntor 1993, f. 34).

  • Përse ishte Jezu Krishti i vetmi që mund t’i shëlbonte të gjithë njerëzit? (Ai ishte një qenie e pavdekshme që nuk i nënshtrohej vdekjes.)

  • Në çfarë mënyra mund të jetë flijimi shlyes i Jezu Krishtit i pafundëm dhe i përjetshëm?

Për të ndihmuar që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Rasëll M. Nelson

“Shlyerja e [Jezu Krishtit] është e pafundme – pa mbarim. Ishte gjithashtu e pafundme në atë që tërë njerëzimi do të shpëtohej nga vdekja që nuk mbaronte kurrë. Ishte e pafundme në kuptimin e vuajtjes së Tij të jashtëzakonshme. … Ishte e pafundme në qëllim – duhej të bëhej njëherësh për të gjithë. Dhe mëshira e Shlyerjes shtrihet jo vetëm te një numër i pafundëm njerëzish, por gjithashtu te një numër i pafundëm botësh të krijuara prej Tij. Ishte e pafundme përtej çdo shkalle njerëzore të matjes ose përtej çdo kuptueshmërie njerëzore” (“The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 35).

Shpjegoni që në fund të mbretërimit të tij, mbreti Beniamin i dha mësim popullit të tij se një engjëll i kishte shpallur atij një mesazh “lajme[sh të] gëzuara të gëzimit të madh” që do t’i bënte njerëzit të “mbushe[shin] me gëzim” (Mosia 3:2–4). Vërini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Mosia 3:5–11, ndërkohë që klasa i ndjek, duke kërkuar “lajmet e gëzuara” që i përshkroi mbreti Beniamin.

  • Si mendoni, cilat mesazhe në këto vargje do të kishin shkaktuar që populli i mbretit Beniamin të mbushej me gëzim? (Ndërsa studentët përgjigjen, theksoni se Jezu Krishti e bën të mundur shpëtimin.)

  • Çfarë fjalësh ose frazash e përshkruajnë çmimin që pagoi Jezu Krishti për shpëtimin tonë?

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhejms E. Talmixh

“Agonia e Krishtit në kopsht është e pakuptueshme nga mendja e kufizuar, si për sa i përket intensitetit ashtu edhe shkakut. … Ai vuajti dhe rënkoi nën një barrë të atillë që asnjë qenie tjetër që ka jetuar në tokë, nuk mund ta kuptojë as si të mundur. Nuk ishte dhimbja fizike, as ankthi mendor i vetëm, që e bënë Atë të vuante një torturë të tillë sa të prodhonte rrjedhje gjaku nga çdo por; por një agoni shpirtërore e qenies, e tillë që vetëm Perëndia ishte në gjendje ta përjetonte. Asnjë njeri tjetër, sado të mëdha fuqitë e tij të durueshmërisë fizike ose mendore, nuk mund të kishte vuajtur kështu” (Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 613).

  • Çfarë mendimesh e ndjenjash keni teksa përsiatni madhështinë e vuajtjes së Jezu Krishtit për ne?

2 Nefi 9:6–12, 20–22

Jezu Krishti mposhti si vdekjen fizike ashtu edhe vdekjen shpirtërore

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishte pasur Shlyerje. Për t’i ndihmuar studentët që të përfytyrojnë atë që gjendja e njerëzimit do të kishte qenë nëse nuk do të kishte pasur Shlyerje, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 9:6–9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fraza që përshkruajnë cili do të kishte qenë fati ynë pa Shlyerjen.

  • Sipas profetit Jakob, çfarë do t’u ndodhte trupave tanë nëse nuk do të kishte Shlyerje? Çfarë do t’u ndodhte shpirtrave tanë?

Kujtojini studentët që mesazhi qendror i ungjillit është se, për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne nuk na duhet ta përjetojmë këtë fat të tmerrshëm.

Vërini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga 2 Nefi 9:10–12, 20–22, ndërkohë që klasa kërkon mënyrat me anë të të cilave ne çlirohemi nga vdekja shpirtërore dhe fizike.

  • Cili është mjeti i siguruar për ne që të shpëtohemi nga vdekja shpirtërore dhe fizike? (Ndihmojini studentët të përmbledhin këtë doktrinë: Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti i mposhti pasojat e vdekjes fizike dhe shpirtërore.)

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth bekimeve të Ringjalljes? (Trupat tanë fizikë dhe shpirtrat tanë do të ribashkohen për përjetësi. Ne do të sillemi sërish në praninë e Perëndisë për gjykim.)

Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Me anë të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti i ka mposhtur të gjitha anët e Rënies. Vdekja fizike do të jetë e përkohshme dhe madje vdekja shpirtërore ka një fund, në atë që të gjithë do të kthehen në praninë e Perëndisë, të paktën përkohësisht, për t’u gjykuar” (“Ringjallja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 112).

  • Kur keni ndier mirënjohje që Jezu Krishti e ka mposhtur vdekjen fizike dhe shpirtërore?

Mosia 3:11, 16; 15:7–9; Alma 7:11–13; Moroni 8:8–12; Doktrina e Besëlidhje 137:7–9

Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti u ofron shëlbim gjithë njerëzve

Kujtojuni studentëve se, përveç çlirimit të të gjithë njerëzimit nga vdekja fizike dhe shpirtërore, që shkaktohet nga Rënia, Jezu Krishti mund të na çlirojë nga vdekja shpirtërore që shkaktohet nga vetë mëkatet tona. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mosian 15:7–9, ndërkohë që klasa kërkon mënyrën se si Krishti bën të mundur për ne që të shëlbohemi prej mëkateve tona.

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si Krishti bën të mundur për ne që të shëlbohemi prej mëkateve tona? (Theksoni këtë doktrinë: Nëpërmjet Shlyerjes, Jezu Krishti i theu prangat e vdekjes dhe mori mbi veten e Tij paudhësitë tona, duke i kënaqur kërkesat e drejtësisë dhe duke fituar fuqi për të bërë ndërmjetësimin për ne.)

  • Çfarë do të thotë fjala ndërmjetësim? (Ndërmjetësimi është veprimi i ndërhyrjes midis palëve për t’i ndihmuar ata që të pajtojnë ndryshimet. Në këtë rast, Jezusi ndërmjetëson midis nesh dhe Perëndisë me qëllim që të pajtohet marrëdhënia e rrënuar, e shkaktuar prej mëkateve tona.)

Shpjegoni që Libri i Mormonit na ndihmon të kuptojmë se si Shlyerja e Jezu Krishtit i shpëton fëmijët e vegjël dhe njerëzit që kanë vdekur pa e marrë ungjillin ose pa u pagëzuar.

Bëjeni një pjesë të klasës të lexojë në heshtje Mosian 3:16 dhe ta kryqëzojë atë si referencë me Moronin 8:8–12. Bëjeni një pjesë tjetër të klasës të lexojë në heshtje Mosian 3:11 dhe ta kryqëzojë atë si referencë me Doktrinën e Besëlidhjet 137:7–9.

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth shpëtimit të fëmijëve që vdesin përpara se të pagëzohen?

  • Çfarë na mësojnë këto vargje rreth shpëtimit të atyre që “kanë vdekur pa ditur vullnetin e Perëndisë”? (Mosia 3:11).

U thoni studentëve se me anë të Shlyerjes, Shpëtimtari fitoi dashamirësi të përsosur për të na kuptuar dhe për të na ndihmuar përmes sfidave të vdekshmërisë. Vërini studentët të hetojnë Almën 7:11–13, duke kërkuar fjalët që përshkruajnë sfidat e vdekshmërisë, të cilat Jezu Krishti i përjetoi si pjesë të Shlyerjes. Teksa studentët i raportojnë ato që gjejnë, renditini fjalët vijuese në tabelë: dhembjet, hidhërimet, tundimet, sëmundjet, vdekjen, pasiguritë (dobësitë ose paaftësitë) dhe mëkatet. Vini në dukje frazën “të çdo lloji” tek Alma 7:11 dhe kërkojuni studentëve të japin shembuj të gjendjeve të ndryshme, të renditura në tabelë.

Vini në dukje se fraza “marrë përsipër” përsëritet disa herë në vargjet 11–13. (Shënim: Dallimi i përsëritjeve është një aftësi e studimit të shkrimeve të shenjta që ju mund ta theksoni këtu. Vënia në dukje e përsëritjeve në shkrimet e shenjta mund t’i ndihmojë nxënësit që të përcaktojnë pika kyçe që theksohen.)

  • Sipas vargjeve 11–12, përse Jezu Krishti “m[ori] përsipër” dhembjet, sëmundjet, pasiguritë tona dhe gjendje të tjera të renditura në tabelë? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë këtë parim: Shpëtimtari mori përsipër dhembjet, sëmundjet dhe pasiguritë tona, me qëllim që Ai të mund të na ndihmonte teksa përballemi me sfidat e jetës.)

Shfaqeni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Unë dëshmoj se Shlyerja e Shpëtimtarit largon prej nesh jo vetëm barrën e mëkateve tona, por edhe barrën e zhgënjimeve dhe hidhërimeve tona, të dhembjeve tona dhe të dëshpërimit tonë [shih Alma 7:11–12]. Që nga fillimi, të besuarit në një ndihmë të tillë duhej të na jepte si një arsye, ashtu edhe një mënyrë për t’u përmirësuar, një nxitje për t’i ulur poshtë barrët tona dhe për të marrë shpëtimin tonë” (“Broken Things to Mend”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 70–71).

  • Si mund t’i ndikojë veprimet tona dhe këndvështrimin tonë të përjetshëm të mirëbesuarit në Shlyerjen e Shpëtimtarit?

  • Si mund t’ju ndihmojë të kuptuarit e të vërtetave tek Alma 7:11–13, ndërkohë që përballeni me sfidat?

Ftojini studentët të tregojnë për përvoja në të cilat ata e ndien fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit në jetën e tyre (paralajmërojini të mos tregojnë për ndonjë gjë që është shumë e shenjtë ose vetjake).

Ftojini studentët të shkruajnë atë që mund të bëjnë për ta zbatuar më mirë shërimin dhe fuqinë forcuese të Shlyerjes së Shpëtimtarit në vetë jetën e tyre. Ftojini që të veprojnë sipas mbresave të tyre.

Materiale Leximi për Studentin