“Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë: Lidhja e Zgjedhjeve Tona me Krishtin”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë: Lidhja e Zgjedhjeve Tona me Krishtin”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Për Forcën e Rinisë: Bërja e Zgjedhjeve: Mësimi 171
Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë
Lidhja e Zgjedhjeve Tona me Krishtin
Gjatë gjithë jetës sonë, ne bëjmë vazhdimisht zgjedhje. Kur ndihemi të mbingarkuar në lidhje me marrjen e vendimeve të sakta, Jezu Krishti dhe doktrina e Tij mund të na sjellin forcë dhe udhërrëfim. Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve është një vend ku mund të shkojmë për të gjetur të vërteta rreth Jezu Krishtit dhe doktrinës së Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ushtrohen duke përdorur librin udhëzues Për Forcën e Rinisë për të bërë zgjedhje të frymëzuara bazuar te Jezu Krishti dhe doktrina e Tij.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të shqyrtojnë një pjesë të zgjedhur nga ata në broshurën Për Forcën e Rinisë. Nxënësit mund të marrin parasysh mënyrën se si mësimet e Jezu Krishtit në atë pjesë mund t’i ndihmojnë ata të marrin vendime të frymëzuara.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Jezu Krishti është shkëmbi im
Para se të filloni mësimin, sigurojuni nxënësve një kopje të broshurës Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve ose ndihmojini ata të gjejnë variantin elektronik te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke paraqitur një figurë të një fari gjatë një stuhie.
-
Cilat janë disa parime të ungjillit që mund t’ia mësosh dikujt duke përdorur këtë figurë?
Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë, mund t’i pyesni se çfarë mund të përfaqësojë stuhia ose shkëmbi nëse fari përfaqëson jetën tonë. Nxënësit mund të japin një larmi parimesh. Falënderojini ata që kontribuuan në diskutim.
Lexo te Psalmeve 62:5–7, duke kërkuar mënyrën se si lidhen fjalët në këtë psalm me figurën e farit.
-
Përse është shkëmbi një përshkrim i mirë për Jezu Krishtin?
Lexoje thënien vijuese nga Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar mënyrën se si mund ta bëjmë Jezu Krishtin shkëmbin tonë.
“Sa herë që bëni një zgjedhje të drejtë, bazuar në të vërtetat e përjetshme të Shpëtimtarit, ju tregoni se e dëshironi Atë në jetën tuaj. Ato zgjedhje shkyçin portat e qiellit dhe forca e Tij vjen duke u derdhur në jetën tuaj. …
… Ndërsa ndërtojmë jetën tonë, është e rëndësishme të bëjmë zgjedhje të mira. Dhe është e rëndësishme të kuptojmë të vërtetën e përjetshme të Shpëtimtarit. Por forca që do të na nevojitet t’u bëjmë ballë stuhive të jetës, vjen kur ne i lidhim zgjedhjet tona me Jezu Krishtin dhe doktrinën e Tij. Kjo është ajo që udhëzuesi Për Forcën e Rinisë na ndihmon të bëjmë.” (“Për Forcën e Rinisë: Mesazhi i Shpëtimtarit për Ju”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024, f. 38)
-
Çfarë mund të mësojmë nga Plaku Uhtdorf?
Ndërsa nxënësit flasin, ndihmojini ata të përcaktojnë një të vërtetë të tillë si kjo: ne marrim forcë nga Jezu Krishti kur i lidhim zgjedhjet tona me Të dhe doktrinën e Tij. Nëse dëshironi, mund ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.
-
Çfarë mendon se do të thotë t’i lidhim zgjedhjet tona me Jezu Krishtin dhe doktrinën e Tij?
Nxënësit mund të tregojnë gjëra të tilla si ndjekja e shembullit të Jezu Krishtit, bërja e zgjedhjeve në bazë të mësimeve të Tij, ose lutja për udhërrëfim nga Ati Qiellor ndërsa marrin vendime.
Sigurohuni që nxënësit të kuptojnë se Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve është një mjet që mund të na ndihmojë t’i lidhim zgjedhjet tona me Jezu Krishtin.
Mund të jepni edhe shembullin vijues nga Plaku Uhtdorf.
Plaku Uhtdorf shpjegoi se si mund të duket t’i lidhim zgjedhjet tona me Jezu Krishtin dhe doktrinën e Tij.
“Miqtë tuaj mund ta dinë që nuk do të kopjoni ose gënjeni dhe që e merrni seriozisht arsimimin. Por a e dinë se kjo është ngaqë Jezu Krishti dha mësim se ‘e vërteta do t’ju bëjë të lirë’? [Gjoni 8:32; “E vërteta do t’ju bëjë të lirë”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024, f. 30].” (“Për Forcën e Rinisë: Mesazhi i Shpëtimtarit për Ju”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024, f. 38)
-
Si mund të na forcojë lidhja e zgjedhjeve tona me Jezu Krishtin që t’u bëjmë ballë stuhive të jetës?
Mendo për një situatë me të cilën po përballesh tani ose pret të përballesh në të ardhmen, ku mund të të kërkohet të bësh zgjedhje të vështira. Merre parasysh se si mund të të ndihmojnë Jezu Krishti dhe doktrina e Tij.
Mbaj vesh për nxitjet e Shpirtit ndërsa ushtrohesh duke i lidhur zgjedhjet e tua me Jezu Krishtin me ndihmën nga libri udhëzues Për Forcën e Rinisë.
Struktura e librit udhëzues
Qëllimi i kësaj pjese është t’i ndihmojë nxënësit të familjarizohen me mënyrën se si është organizuar libri udhëzues Për Forcën e Rinisë. Nëse nxënësit tuaj janë tashmë të familjarizuar me librin udhëzues, mund ta kapërceni këtë pjesë dhe të kaloni te shembulli.
Referojini nxënësit te grafiku në fund të pjesës “Bëni zgjedhje të frymëzuara” në librin udhëzues ose paraqitni informacionin vijues nga grafiku.
“Në broshurën Për Forcën e Rinisë, ju do të gjeni mësimet e Jezu Krishtit dhe profetëve të Tij. Me këto të vërteta si udhëzuesin tuaj, ju mund të bëni zgjedhje të frymëzuara që do t’ju bekojnë tani dhe gjatë gjithë përjetësisë” (“Bëni zgjedhje të frymëzuara”, Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve [2022], f. 4). Libri udhëzues është i ndarë në tema të ndryshme dhe çdo temë ka tri pjesë:
-
Të vërtetat e përjetshme ose doktrina e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit
-
Ftesat për të vepruar sipas atyre të vërtetave
-
Bekimet e premtuara që Zoti ua ofron atyre që jetojnë sipas mësimeve të Tij
Demonstrimi i procesit
Kjo pjesë përdor shembullin e Jozefit në Egjipt që largohet nga gruaja e Potifarit, dhe pjesën “Trupi juaj është i shenjtë” të broshurës Për Forcën e Rinisë si një shembull për mënyrën se si të përdoret libri udhëzues për të bërë zgjedhje të frymëzuara.
Mund të paraqitni një figurë të Jozefit që largohet nga gruaja e Potifarit, dhe t’i pyesni nxënësit se çfarë mbajnë mend rreth tregimit. Nëse është e nevojshme, shpjegoni se, ndërkohë që shërbente në shtëpinë e Potifarit, Jozefi u rezistoi me besnikëri propozimeve seksuale të gruas së Potifarit (shihni te Zanafilla 39:1–8). Ose nxënësit mund të shohin materialin filmik “Joseph in Egypt” [“Jozefi në Egjipt”] (2:51) nga kodi kohor 0:00 deri në 0:41.
Lexo te Zanafilla 39:9–12, duke kërkuar mënyrën se si i lidhi Jozefi zgjedhjet e tij me Jezu Krishtin dhe doktrinën e Tij.
-
Çfarë gjete?
Merreni parasysh të krijoni grupe me nga tre nxënës. Ftojeni secilin pjesëtar të grupit të zgjedhë një numër të ndryshëm nga një deri në tre që do të përkojë me njërën nga pyetjet vijuese.
Studioje pjesën “Trupi juaj është i shenjtë” në broshurën Për Forcën e Rinisë me një nga përqendrimet vijuese:
-
Cilat “Të vërteta [të] përjetshme” mendon se mund ta kenë ndihmuar Jozefin të bënte zgjedhjen që bëri?
-
Çfarë “Ftesa[sh]” ndoqi Jozefi?
-
Cilat prej “Bekime[ve të] premtuara” mendon se përjetoi Jozefi?
Ftojini nxënësit t’ia tregojnë grupit të tyre atë që gjetën. Mund të vini në dukje se, edhe pse Jozefin e futën në burg prej vendimit të tij për t’u larguar nga gruaja e Potifarit, Zoti vazhdoi të ishte me të (shihni te Zanafilla 39:20–21; 41:38–43).
Ushtrohu
Jepuni nxënësve një mundësi për të ushtruar përdorimin e modelit të përcaktuar në broshurën Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve me situatat tuaja. Për ta bërë këtë, merreni parasysh të përdorni fletushkën “Lidhja e Zgjedhjeve Tona me Jezu Krishtin dhe Doktrinën e Tij”.
Pasi nxënësit ta kenë plotësuar fletushkën, mund t’i ftoni të tregojnë se si janë forcuar nga Jezu Krishti ndërsa i kanë lidhur zgjedhjet e tyre me Të dhe doktrinën e Tij.
Ju mund t’u referoheni sërish vargjeve te Psalmeve 62:5–7. Më pas, merreni parasysh t’u bëni nxënësve pyetjen vijuese.
-
Çfarë mësove sot rreth të qëndruarit i lidhur me Jezu Krishtin dhe doktrinën e Tij në vendimet e tua?
Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për Jezu Krishtin. Mund ta përfundoni orën mësimore me një thënie nga pjesa “Jezu Krishti do t’ju ndihmojë”, në broshurën Për Forcën e Rinisë. Inkurajojini nxënësit t’i lidhin zgjedhjet e tyre me Të dhe doktrinën e Tij.