“Parathënie për Librin e Psalmeve, Pjesa 2: Adhuroni Zotin dhe Lavdëroni Emrin e Tij të Shenjtë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Parathënie për Librin e Psalmeve, Pjesa 2: Adhuroni Zotin dhe Lavdëroni Emrin e Tij të Shenjtë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 40; 46: Mësimi 101
Parathënie për Librin e Psalmeve, Pjesa 2
Adhuroni Zotin dhe Lavdëroni Emrin e Tij të Shenjtë
Një mënyrë për ta adhuruar Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin është të shprehni dashurinë dhe përkushtimin tuaj ndaj Tyre. Shumë prej psalmeve janë shembuj poetikë të adhurimit të Atit dhe të Birit në lavde, në përgjërime dhe në lutje. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i shprehin ndjenjat e tyre të adhurimit për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Përgatitja e nxënësve: Bëjuani të ditur nxënësve se ata do të kenë një mundësi për të reflektuar mbi mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe gjërave të shenjta në përgatitje për t’i shprehur ato ndjenja në këtë mësim. Inkurajojini nxënësit të dëgjojnë muzikë nderuese dhe të shqyrtojnë shkrime të shenjta të parapëlqyera, citate ose figura të shenjta, duke kërkuar gjëra të veçanta që mund të duan t’i tregojnë. Bërja e kësaj mund t’i përgatitë zemrën dhe mendjet e tyre për veprimtarinë në këtë mësim.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Adhurimi i Perëndisë
Shënim: Veprimtaria në fund të këtij mësimi do të jetë pjesë e reflektimit në Mësimin 112: “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 7”. Sigurohuni që t’u lini nxënësve kohë të mjaftueshme që të fillojnë të punojnë për veprimtarinë gjatë orës mësimore.
Për të nisur orën mësimore, jepuni nxënësve një minutë për të përsiatur pyetjen vijuese:
-
Çfarë do të thotë “adhurimi i Perëndisë” për ty?
Plaku Din M. Dejvis, asokohe në shërbim në Peshkopatën Kryesuese, tregoi disa nga mënyrat se si mund ta adhurojmë Perëndinë kur dha mësim:
“Kur ne e adhurojmë Perëndinë, ne i afrohemi Atij me dashuri, përulësi dhe admirim nderues. Ne e njohim dhe e pranojmë Atë si Mbretin tonë sovran, Krijuesin e universit, Atin tonë të dashur, pafundësisht të përzemërt.
Ne e respektojmë dhe e nderojmë Atë.
Ne i nënshtrohemi Atij.
Ne i lartësojmë zemrat në lutje të fuqishme, e çmojmë fjalën e Tij, gëzohemi në hirin e Tij dhe zotohemi ta ndjekim Atë me besnikëri të përkushtuar.” (“Bekimet e Adhurimit”, Liahona, nëntor 2016, f. 94)
-
Si do ta përshkruaje ndryshimin ndërmjet thjesht frekuentimit të kishës, të tempullit, ose të seminarit, krahasuar me adhurimin e Perëndisë ndërsa i frekuenton?
Tregojuni shkurtimisht nxënësve një ose dy nga mënyrat tuaja të parapëlqyera se si njerëzit i kanë shprehur ndjenjat e tyre të adhurimit për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Shembujt përfshijnë një poemë, material filmik, vepër arti, pjesë të shkruar, ose pjesë muzikore të shenjtë. Mund të përfshini gjërat që shkruat ose krijuat vetë. Shpjegojuni nxënësve se ka shumë mënyra se si dikush mund t’i shprehë ndjenjat e adhurimit për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Inkurajojini nxënësit të reflektojnë mbi mënyrën se si mund t’i shprehin ndjenjat e tyre të adhurimit për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Gjatë gjithë mësimit, jini i/e vëmendshëm/me dhe të ndjeshëm ndaj nxënësve që mund të mos ndiejnë një lidhje me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin tani.
Në ditarin e studimit, përzgjidh një ose më shumë nga pyetjet vijuese për t’u përgjigjur. Mund të përdorësh një pjesë të mesazhit të Plakut Dejvis ose fjalët e tua për të përmbledhur ndjenjat e tua.
-
Si ndihesh për Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe gjërat e shenjta?
-
Si e shpreh më së miri dashurinë, respektin ose nderimin për Atin Qiellor, Jezu Krishtin ose bekimet shpirtërore?
Në fund të mësimit sot, do të fillosh të formulosh një shprehje të ndjenjave të tua. Mbaje këtë në mendje ndërsa studion. Mendo rreth mënyrës se si mund të duash ta shprehësh atë që mëson dhe ndien. Ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë në përpjekjet e tua.
Adhurimi i Zotit në psalme
Shumë psalme janë shprehjet poetike me lutje të mendimeve të shenjta, ndjenjave, shpresave dhe dëshirave të shkruesve. Ndërkohë që shumë shkrime të shenjta shënojnë fjalët e Zotit për ne, psalmet shpesh reflektojnë fjalët e shkruesve për Të. Lexo te Psalmeve 18:1–6, duke kërkuar fjalët dhe frazat që përdori Davidi për të shprehur ndjenjat e tij rreth Zotit.
Ftojini nxënësit t’i shkruajnë në tabelë fjalët dhe frazat që zbuluan. Nxënësit mund të përcaktojnë disa fraza të ndryshme, të tilla si:
-
Zoti është forca ime (vargu 1).
-
Zoti është shkëmbi im, fortesa ime, çliruesi, Perëndia, forca, mburoja, fuqia e shpëtimit ose streha ime e lartë (vargu 2).
-
Zoti është i denjë për t’u lëvduar (vargu 3).
-
Zoti i dëgjon thirrjet tona ndaj Tij (vargu 6).
Nxënësit që i shkruan frazat mund të tregojnë arsyen përse Davidi mund të ketë dashur që lexuesit e tij ta dinin këtë rreth Zotit. Merreni parasysh t’i pyesni nxënësit se si i ka përmbushur Zoti këto role në jetën e tyre.
Ftojini nxënësit të zgjedhin njërin nga fragmentet vijuese për ta studiuar me një partner. Inkurajojini ata të ndalojnë shpesh dhe t’ia tregojnë njëri-tjetrit mendimet dhe ndjenjat e tyre.
Psalmet demonstrojnë shumë mënyra se si mund t’i shprehim ndjenjat për Zotin. Studioje njërin nga fragmentet vijuese me ngadalë, duke shenjuar fjalët dhe frazat që reflektojnë ndjenjat e tua për Zotin.
Psalmeve 8:1–9
Psalmeve 27:1–9
Psalmeve 30:1–12
Psalmeve 46:1–11
Merreni parasysh t’u tregoni nxënësve mënyra të ndryshme nga të shkruarit për të shprehur adhurim. Mund të përzgjidhni një material filmik që shpreh ndjenjat për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin nëpërmjet kërcimit, muzikës ose artit, të tilla si materialet filmike vijuese në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ftojini nxënësit të përsiatin atë që mendojnë se po shprehnin krijuesit nëpërmjet fjalëve, pikturave, e me radhë.
-
Vallëzim: “Trust in the Lord: Music Video” [“Mirëbesoni te Zoti: Material Filmik Muzikor”] (4:11)
-
Muzikë: “Here I Am, I Will Follow Jesus Christ” [“Ja Ku Jam, Unë do ta Ndjek Jezu Krishtin”] (3:07) ose “Paqe në Krisht” (4:09)
-
Art: Motra Kristin M. Ji shpërndan pikturën e saj të Shpëtimtarit në Facebook (https://www.facebook.com/reel/1240140883346653?mibextid=kcDB8O)
Shprehi ndjenjat e tua të adhurimit
Jepjuani nxënësve kohën e mbetur të orës mësimore që të fillojnë të krijojnë diçka që reflekton mënyrën se si ata ndihen për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Vlerësojini nevojat e nxënësve tuaj dhe paraqitni disa ose të gjitha mundësitë vijuese.
Mund të siguroni mjete për punë artistike si letër, lapsa me ngjyra, bojëra uji, e me radhë, për nxënësit që dëshirojnë të krijojnë një paraqitje pamore të ndjenjave të tyre.
Për shkak se ky është një projekt individual, mund të ecni nëpër klasë dhe të ofroni ndihmë, udhërrëfim dhe inkurajim sipas nevojës. Nëse është e përshtatshme, merreni parasysh të luani muzikë të shenjtë, të qetë gjatë veprimtarisë.
Mund të ndihmojë të shprehni dashurinë dhe mirëbesimin tuaj për ndonjë nxënës që mund të ketë vështirësi me mendimet ose ndjenjat e tij për Zotin. Veprimtaria 6 mund të jetë një mundësi e mirë për nxënësit që janë ende të pasigurt për besimin e tyre.
Shpenzo ca kohë për t’i shprehur mendimet dhe ndjenjat për Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe gjërat e shenjta. Përdor një nga mundësitë vijuese, ose krijo një mundësi tënden. Mund të mos kesh kohë për ta përfunduar punën tënde në orën mësimore sot, por mund të fillosh të kompozosh një këngë ose poemë, ose të krijosh konceptin e një vizatimi ose materiali filmik. Mund të vazhdosh të punosh për mënyrën tënde të të shprehurit jashtë orës mësimore. Mund të zgjedhësh të përfshish një shkrim të shenjtë nga libri i Psalmeve që t’u duk kuptimplotë.
-
Kompozo një poemë ose një këngë që shpreh ndjenjat e tua për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
-
Bëj një material filmik ose një regjistrim zanor ku shpreh ndjenjat e tua për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Për një material filmik, mund të përfshish figura të shenjta të parapëlqyera nga Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
-
Psalmistët shpesh e krahasuan Shpëtimtarin me diçka tjetër për të treguar se çfarë rëndësie kishte Ai për ta. Shembujt përfshijnë “Zoti është kështjella ime, fortesa ime” (Psalmeve 18:2) dhe “Zoti është drita ime” (Psalmeve 27:1). Bëj një listë të gjërave në jetën tënde që mund të përfaqësojnë mënyrën se si ti ndihesh për Zotin.
-
Krijo një vizatim, pikturë, meme, ilustrim ose vepër tjetër arti që reflekton ndjenjat e tua për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
-
Kërko shumë figura të shenjta dhe krijo një kolazh. Zgjidh figura që përfaqësojnë gjëra rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe ungjillit që janë të rëndësishme për ty. Bëj një shënim për secilën figurë duke përmbledhur mendimet dhe ndjenjat e tua.
-
Shkruaji mendimet e tua për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Nëse dëshiron, mund të tregosh një përvojë që ka ndikuar në mënyrën se si ndihesh për Ta.
Mund t’i lejoni nxënësit ta tregojnë atë që krijuan sot. Mund të gjeni kohë për nxënësit që ta tregojnë punën e tyre gjatë mësimeve të ardhshme pasi t’i kenë përfunduar krijimet e tyre. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shtojnë në atë që po krijojnë ndërsa vazhdojnë të mësojnë rreth Jezu Krishtit gjatë disa mësimeve të ardhshme. Thuajuni nxënësve se ata do të reflektojnë për këtë përvojë krijuese në Mësimin 112: “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 7”.