“Eksodi 12–13, Pjesa 2: ‘Bëni Këtë në Përkujtimin Tim’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Eksodi 12–13, Pjesa 2: ‘Bëni Këtë në Përkujtimin Tim’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Eksodi 7–13: Mësimi 43
Eksodi 12–13, Pjesa 2
“Bëni Këtë në Përkujtimin Tim”
Si mendon, përse është e rëndësishme t’i kujtosh Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Për t’i ndihmuar fëmijët e Izraelit të kujtonin se Ai i çliroi nga Egjipti, Zoti krijoi Festën e Pashkës. Jezu Krishti na dha një mënyrë të re për ta kujtuar gjithmonë Atë kur Ai krijoi ordinancën e sakramentit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta kujtojnë Shpëtimtarin ndërsa përgatiten për ordinancën e sakramentit dhe marrin pjesë në të.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përgatiten për të treguar diçka që i ka ndihmuar ata ta kujtojnë Shpëtimtarin para, gjatë ose pas sakramentit. Kjo mund të përfshijë një figurë, shkrim të shenjtë, himn ose citim të parapëlqyer.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kujto gjithmonë
Për t’i ndihmuar nxënësit ta dallojnë rëndësinë e të kujtuarit, paraqitni një figurë ose send që ju ndihmon të kujtoni diçka ose dikë të rëndësishëm për ju. Kjo mund të jetë diçka si një unazë martese, një fotografi ose një kujtim. Tregoni shkurtimisht se si ky send ju ndihmon të kujtoni personin ose ngjarjen. Më pas, ftojini nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve vijuese.
-
Çfarë është një gjë ose kush është dikush që dëshiron ta kujtosh gjatë gjithë jetës sate? Përse?
-
Cilat janë disa gjëra që ti i bën ose i ke bërë për të të ndihmuar ta kujtosh këtë gjë ose person?
Mund të paraqitni më pas një figurë të Jezu Krishtit. Ftojini nxënësit ta shikojë figurën ndërsa mendojnë plot lutje për Shpëtimtarin. Më pas mund të paraqitni pyetjet vijuese për nxënësit që t’u përgjigjen në ditarët e tyre të studimit.
-
Si ndihesh rreth Shpëtimtarit?
-
Çfarë ndien se është e rëndësishme të kujtosh rreth Tij? Përse?
Ndërsa studion sot, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të të ndihmuar të dish se çfarë mund të bësh për ta kujtuar Shpëtimtarin dhe atë që Ai ka bërë për ty.
“Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t’u mbajtur mend”
Në mësimin e mëparshëm, “Eksodi 12–13, Pjesa 1”, nxënësit studiuan mënyrën se si Zoti i çliroi izraelitët nga Egjipti. Mund ta shkruani fjalën Pashkë në tabelë. Mund të paraqitni figurën e Pashkës të përdorur në mësimin e mëparshëm. Më pas ftojini nxënësit ta përmbledhin atë që mbajnë mend rreth mrekullisë së Pashkës së parë (shihni tek Eksodi 12:1–13).
Merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në grupe me nga tre veta. Vëreni secilin nxënës të studiojë njërin nga fragmentet vijuese dhe t’ua tregojë atë që mëson anëtarëve të tjerë të grupit.
Zoti e urdhëroi popullin e Tij ta përsëriste vaktin e Pashkës “nëpër kohëra” (Eksodi 12:14). Lexoji vargjet vijuese duke kërkuar fjalë dhe fraza që tregojnë atë që donte Zoti që ata të kujtonin dhe bënin:
Eksodi 12:14, 17
Eksodi 12:25–27
Eksodi 13:3, 8–10
-
Çfarë duhej t’i ndihmonte izraelitët të kujtonin rreth Zotit përgatitja dhe pjesëmarrja në vaktin e Pashkës?
-
Si mendon se i bekoi Zoti izraelitët për pjesëmarrjen me bindje në Festën e Pashkës?
Pashka dhe sakramenti
Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit në Darkën e Fundit. Shpjegojuni nxënësve se në mbrëmjen para vuajtjes së Tij në Gjetseman dhe mbi kryq, Shpëtimtari kremtoi festën e Pashkës me dishepujt e Tij.
Për t’i ndihmuar nxënësit ta përfytyrojnë këtë çast, mund të shfaqni materialin filmik “The Last Supper” [“Darka e Fundit”] nga kodi kohor 0:00 deri në 1:18. Materiali filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Pasi nxënësit të lexojnë vargjet nga Lluka 22, mund ta shfaqni nga kodi kohor 2:13 deri në 3:15.
Lexo te Lluka 22:13–15, 19–20, duke kërkuar ordinancën e re që krijoi Shpëtimtari.
-
Në ç’mënyrë është ordinanca e sakramentit si Pashka? Si është ajo e ndryshme?
Pyetja vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë të vërteta që lidhen me jetën e tyre. Pyetjet si kjo mund t’i ndihmojnë nxënësit të gjejnë lidhje vetjake te shkrimet e shenjta që studiojnë. Pyetje të tilla e lejojnë gjithashtu Atin Qiellor t’u japë mësim dhe t’i frymëzojë personalisht nxënësit.
Për trajnim shtesë mbi ndihmën ndaj nxënësve për të gjetur lidhje te shkrimet e shenjta, shihni pjesën “Mësojeni vetë doktrinën e Jezu Krishtit” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve [2022], f. 29.
-
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë ndërsa marrim parasysh arsyen përse Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë dhënë ordinanca si Pashka në lashtësi dhe sakramenti sot?
Nxënësit mund të tregojnë një larmi të vërtetash. Një e vërtetë që mund të përcaktojnë mund të jetë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti japin ordinanca si Pashka dhe sakramenti për të na ndihmuar t’i kujtojmë Ata.
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi një arsye përse Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na inkurajojnë t’i kujtojmë Ata:
“Ati ynë Qiellor dëshiron që ne ta sjellim ndër mend mirësinë e Tij dhe të Birit të Tij të Dashur … për ndikimin që ka mbi ne një kujtim i tillë. Duke e marrë parasysh mirësinë e Tyre, këndvështrimi ynë dhe kuptueshmëria jonë zgjerohen. Duke reflektuar mbi dhembshurinë e Tyre, ne bëhemi më të përulur, plot lutje dhe të palëkundur.” (“Kini Parasysh Mirësinë dhe Madhështinë e Perëndisë”, Liahona, maj 2020, f. 41)
-
Si ka ndikuar tek ti të kujtuarit e mirësisë së Perëndisë?
Të kujtuarit e Shpëtimtarit përpara, gjatë dhe pas sakramentit
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten për të kujtuar Shpëtimtarin para, gjatë dhe pas sakramentit. Mund t’u siguroni letra dhe mjete për punë artistike. Ftojini nxënësit të krijojnë diçka të ngjashme me një afishe, pamflet, meme ose kujtues tjetër të sakramentit. Inkurajojini nxënësit të jenë krijues në modelet e tyre.
Nxënësit mund të ruajnë hapësirë në pjesën e pasme të letrave të tyre për fundin e mësimit. Në fund të mësimit, nxënësit do të bëjnë plane për të bërë diçka për ta kujtuar më mirë Shpëtimtarin përpara, gjatë ose pas sakramentit.
Për të të ndihmuar të kujtosh mirësinë e Perëndisë ndërsa përgatitesh, merr pjesë dhe kujton ordinancën e sakramentit, bëj një ose më shumë nga pikat vijuese:
-
Rendit disa nga simbolet e festës së Pashkës që i ke studiuar. Shkruaj mënyrën se si këto simbole të Pashkës mund të të ndihmojnë ta kujtosh Shpëtimtarin para se të marrësh sakramentin.
-
Lexoji lutjet e sakramentit te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79. Rendit premtimet që bëjmë kur marrim sakramentin. Më pas rendit premtimet e Zotit. Shkruaj një paragraf të shkurtër të mënyrës se si të menduarit rreth këtyre premtimeve mund të të ndihmojë të kujtosh Shpëtimtarin gjatë sakramentit.
-
Rendit disa fragmente të shkrimit të shenjtë ose një thënie nga një udhëheqës i Kishës që mund të duash ta lexosh dhe përsiatësh gjatë sakramentit. Zgjidh fragmente ose thënie që mund të të ndihmojnë të kujtosh Shpëtimtarin.
-
Përzgjidh një himn sakramenti të parapëlqyer. Rendit titullin dhe dy ose tri rreshta të himnit. Zgjidh rreshta që janë kuptimplotë për ty dhe mund të të ndihmojnë ta kujtosh Shpëtimtarin pas sakramentit.
Nxënësit mund t’ia tregojnë atë që krijuan një partneri, një grupi ose klasës. Mund t’i inkurajoni nxënësit të shtojnë idetë që i tregojnë anëtarët e tjerë të klasës.
Bëj një plan për të kujtuar Shpëtimtarin
Reflekto në heshtje mbi atë që ke mësuar dhe ndier sot. Ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të dallosh diçka që mund ta bësh për ta kujtuar më mirë Jezu Krishtin përpara, gjatë dhe pas sakramentit.
Ftojini nxënësit të përdorin pak hapësirë në pjesën e pasme të letrave të tyre për t’iu përgjigjur pyetjes vijuese.
-
Cilat janë disa gjëra specifike që mund t’i bësh për ta kujtuar më mirë Shpëtimtarin ndërsa përgatitesh, merr pjesë dhe reflekton mbi sakramentin?
Disa nxënës të gatshëm mund të tregojnë atë që ndiejnë mbresën të bëjnë. Ftojini nxënësit t’i marrin letrat e tyre me vete në mbledhjen e sakramentit për t’i ndihmuar ata ta kujtojnë atë që kanë mësuar dhe ndier. Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për fuqinë që mund të vijë në jetën tonë ndërsa e kujtojmë më mirë Shpëtimtarin ndërkohë që përgatitemi për sakramentin dhe marrim pjesë në të.