“Eksodi 12–13, Pjesa 1: Pashka e Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Eksodi 12–13, Pjesa 1: Pashka e Zotit”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Eksodi 7–13: Mësimi 42
Eksodi 12–13, Pjesa 1
Pashka e Zotit
Për t’i çliruar izraelitët, Jehova (Jezu Krishti) dërgoi një plagë të fundit: vdekje të të gjithë fëmijëve të parëlindur në Egjipt. Më pas Ai dha udhëzime në mënyrë që plaga të “kalo[nte] tutje” kujtdo që me bindje e vendosi mirëbesimin e tij tek Ai (shih tek Eksodi 12:13). Jezu Krishti krijoi vaktin e Pashkës si një kujtues simbolik të fuqisë shpëtuese të Shlyerjes së Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë rëndësinë e Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij në jetën e tyre.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin për simbolet e Jezu Krishtit që i kanë studiuar në të kaluarën. Kërkojuni atyre të marrin parasysh se çfarë na mësojnë këto simbole rreth Tij. Më pas ftojini ata të zgjedhin një simbol dhe t’i shpjegojnë dikujt se çfarë na mëson ai rreth Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Nevoja për t’u shpëtuar
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke lexuar ose përmbledhur një ndodhi rreth dikujt që ishte bllokuar dhe nuk mund ta çlironte veten. Ndodhia vijuese është një mënyrë për ta bërë këtë. (Për më shumë hollësi, shihni tek “Timeline: Thai cave rescue that transfixed the world for 17 days”, 24 qershor 2019, reuters.com.)
Më 23 qershor 2018, 12 anëtarë të ekipit të futbollit të të rinjve, moshat 11 deri në 16 vjeç dhe ndihmëstrajneri i tyre 25-vjeçar vendosën të eksploronin një sistem të ndërlikuar guvash në pjesën veriore të Tajlandës pas një stërvitjeje. Pak pasi hynë, shirat e rrëmbyer i përmbytën guvat, duke i bllokuar ata katër kilometra brenda guvave dhe duke ndërprerë kontaktin me botën e jashtme për më shumë se një javë.
-
Si mund të ndiheshe po të ishe në situatën e tyre?
Më 2 korrik, zhytësit me përvojë e gjetën më në fund grupin e të rinjve. Por ujërat e përmbytjes dhe shirat në vazhdim e bënë shpëtimin e menjëhershëm thuajse të pamundur. Ndërkohë që djemtë dhe trajneri i tyre merrnin ndihmë për mbijetesë, ekspertët debatonin për mundësitë. Ata mund të përpiqeshin t’i nxirrnin djemtë me pajisje zhytjeje, por shtegu ishte i dredharak dhe kërkonte zotësi eksperti. Ata mund të provonin edhe ta shponin tejpërtej shkëmbin, të kërkonin një rrugë tjetër shpëtimi, ose të prisnin muaj që niveli i ujit të ulej. Me ardhjen e më shumë shirave musonike, shpëtimi i ekipit të futbollit nga guvat mbetej i pasigurt.
-
Në kuptimin shpirtëror, si mund të ndihemi të bllokuar, të ngecur ose pa shpresë?
Nxënësit mund të vënë në dukje se ne të gjithë kemi nevojë për ndihmën e Shpëtimtarit për të na çliruar nga mëkati, vdekja dhe vështirësitë e tjera në jetën tonë.
Për t’i ndihmuar nxënësit të vlerësojnë mbështetjen e tyre te Shpëtimtari dhe Shlyerja e Tij, mund t’i ftoni ata t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarët e studimit.
Ndalu një çast për të përsiatur çdo mëkat ose vështirësi me të cilën po lufton tani. Merre parasysh se si ndihesh në lidhje me këto mëkate ose vështirësi. Pastaj përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Çfarë besoj rreth aftësisë së Zotit për të më çliruar nga mëkatet e mia dhe vështirësitë e tjera që mund të has?
-
Si ndihem rreth asaj që ka bërë Ai dhe është i gatshëm të bëjë për mua?
Në këtë mësim, ti do të mësosh se si i çliroi Shpëtimtari izraelitët nga robëria në Egjipt. Ndërsa studion, ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të kuptosh se Shpëtimtari është edhe Çliruesi yt.
Simbolizmi i Pashkës
Mund t’u kërkoni nxënësve të tregojnë se si Zoti përdori nëntë plagë për t’i bindur izraelitët dhe egjiptianët se Ai është Perëndia.
Lexo tek Eksodi 11:4–6, duke kërkuar plagën e dhjetë dhe të fundit.
-
Çfarë zbulove?
Zoti u premtoi izraelitëve se, nëse do t’u bindeshit me besnikëri udhëzimeve të Tij, Ai do të bënte që plaga të “kalo[nte] tutje” tyre dhe fëmijët e tyre të parëlindur të mos vdisnin (shih tek Eksodi 12:13, 23). Për këtë arsye, Zoti i referohet kësaj ngjarjeje si Pashka (shih tek Eksodi 12:43). Në udhëzimet e Zotit u përfshi një vakt, duke përfshirë se çfarë të përgatitnin dhe se si ta konsumonin atë. Shpëtimtari përdori simbole në vaktin e Pashkës për t’u dhënë mësim izraelitëve rreth Vetes së Tij.
Jepni një veprimtari për t’i ndihmuar nxënësit të përcaktojnë udhëzimet që u dha Zoti izraelitëve për vaktin e Pashkës. Gjithashtu, ndihmojini nxënësit të zbulojnë atë që mund të mësojnë nga këto udhëzime rreth Zotit dhe çlirimit që ofron Ai. Mund të krijoni një tabelë në dërrasë me titujt vijues. Nxënësit mund ta kopjojnë tabelën në ditarët e tyre të studimit dhe ta plotësojnë atë në grupe të vogla. Përgjigjet e mundshme përfshihen këtu për referenca për ju. Plotësojeni një pikë si klasë për të treguar shembullin e mënyrës se si nxënësit mund ta plotësojnë tabelën në grupet e tyre.
Studio vargjet tek Eksodi 12:3–8, 15, 21–23 dhe plotësoje tabelën vijuese në ditarin tënd të studimit.
|
Çfarë udhëzimesh u dha Zoti izraelitëve? |
Çfarë mund të simbolizojë ky udhëzim? |
|---|---|
Çfarë udhëzimesh u dha Zoti izraelitëve? Vritni një qengj mashkull, pa të meta, për ta ngrënë (3–6, 21). | Çfarë mund të simbolizojë ky udhëzim? Jezu Krishti, “Qengji i Perëndisë” (Gjoni 1:36), ishte i përkryer dhe dha jetën e Tij për ne. |
Çfarë udhëzimesh u dha Zoti izraelitëve? Vendoseni gjakun e qengjit mbi shtalkat dhe arkitraun e shtëpisë (7, 22). | Çfarë mund të simbolizojë ky udhëzim? Shlyerja e Jezu Krishtit mund të na mbrojë kur i zbatojmë kushtet e pendimit në jetën tonë. |
Çfarë udhëzimesh u dha Zoti izraelitëve? Hajeni qengjin me barishte të hidhura dhe bukë të ndorme, hiqeni majanë nga shtëpia (8, 15). | Çfarë mund të simbolizojë ky udhëzim? Barishtet e hidhura ishin një kujtues i robërisë së hidhur të izraelitëve në Egjipt dhe është si hidhësia e mëkatit. Majaja mund ta mykë bukën. Si pjesë të pendimit, ne mund të heqim nga jeta jonë çdo gjë që mund të na i prishë shpirtrat tanë. |
Kur nxënësit të mbarojnë, jepuni atyre një mundësi që ta tregojnë atë që mësuan. Mund të tregoni figurën në fillim të mësimit. Nxënësit mund të vënë në dukje elementët e ndryshëm të Pashkës të treguar në figurë dhe të diskutojnë se çfarë mund të simbolizojnë ato.
Jezu Krishti na çliron nga vdekja shpirtërore dhe fizike
Lexo tek Eksodi 12:50–51; 13:3 për të parë atë që ndodhi ndërsa fëmijët e Izraelit e kremtuan Pashkën.
Shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë: Shpëtimtari e çliron popullin e Tij nga vdekja shpirtërore dhe fizike.
Shpjegoni se Pashka e simbolizon këtë të vërtetë. Si pjesë e planit të Atit Qiellor, të gjithë njerëzit kanë nevojë të shpëtohen nga vdekja fizike (ndarja e trupit dhe shpirtit; shihni te 2 Nefi 9:6, 11) dhe vdekja shpirtërore (ndarja nga Perëndia për shkak të mëkatit; shihni te Helamani 14:16–19). Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë fuqinë shpëtuese të Jezu Krishtit, nëse dëshironi, mund t’i vini nxënësit t’i lexojnë disa nga këto vargje te Libri i Mormonit. Mund të lexoni ose përmblidhni edhe pjesën tjetër të ndodhisë së ekipit të futbollit tajlandez.
Kujto historinë e mëparshme të futbollistëve të bllokuar. Pas disa ditësh të lodhshme, ekspertë nga e gjithë bota përcaktuan një metodë për shpëtimin e tyre. Zhytësit me përvojë hynë në ujërat e rrezikshëm të sistemit të ndërlikuar të guvave dhe, një e nga një, i shpëtuan djemtë dhe trajnerin e tyre nga guvat e përmbytura.
-
Si mund të simbolizojnë veprimet e zhytësve me përvojë atë që mund të bëjë Shpëtimtari për ne?
Shlyerja e Jezu Krishtit ka rëndësi për mua
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë dhe ndiejnë rëndësinë e fuqisë së Shpëtimtarit për të na çliruar. Ndajeni klasën në dyshe. Ftojeni secilën dyshe të interpretojë me role skenarin vijues. Nëse mendoni se nxënësit tuaj mund ta kenë të vështirë të imagjinojnë sikur të ishin izraelitë të lashtë, kapërcejeni atë pjesë të veprimtarisë dhe vërini të dy partnerët të diskutojnë pyetjet për një adoleshent të ditëve të sotme.
Në dyshe, imagjinoni sikur një nga ju është një adoleshent izraelit që thjesht mori pjesë në Pashkën e parë në Egjipt dhe tjetri është një adoleshent i ditëve të sotme. Përdorini pyetjet vijuese për të intervistuar njëri-tjetrin.
Pyetjet për adoleshentin izraelit
-
Si do ta përshkruaje përvojën tënde në robëri përpara Pashkës?
-
Çfarë mësove nga përvoja jote natën e Pashkës? Si e ndryshoi Jehova jetën tënde?
-
Çfarë do t’u tregoje rreth Jehovës njerëzve që mund të ngurrojnë ta ndjekin Atë?
Pyetje për adoleshentin e ditëve të sotme
-
Në ç’mënyrë ngjason mëkati me robërinë? Në ç’mënyrë ngjasojnë sprovat me robërinë?
-
Si e ka ndryshuar Jezu Krishti jetën tënde?
-
Çfarë do të doje të dinin të tjerët rreth fuqisë shpëtuese të Jezu Krishtit?
Ftojini nxënësit t’i rishikojnë përgjigjet e tyre për pyetjet e vetëvlerësimit nga fillimi i mësimit. Kërkojuni atyre të marrin parasysh mbresat që kanë ndier nga Shpirti rreth Shpëtimtarit dhe fuqisë së Tij për t’i çliruar ata. Nxënësit mund t’i shtojnë idetë e tyre tek ajo që shkruan më parë. Mund të ftoni disa nxënës t’i tregojnë mendimet e tyre rreth Jezu Krishtit dhe fuqisë së Tij shlyese për të çliruar.