“Zanafilla 29–33: ‘Lejojeni Perëndinë të Triumfojë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Zanafilla 29–33: ‘Lejojeni Perëndinë të Triumfojë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 24–33: Mësimi 32
Zanafilla 29–33
“Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”
Profeti Jakob është një shembull i lejimit të Perëndisë të triumfojë në jetën e tij. Ai bëri përpjekje të madhe për t’u martuar në besëlidhje, për të fituar bekimet e Zotit në punën e tij të përditshme dhe për të bërë atë që Perëndia i kërkoi të bënte për të shëruar marrëdhëniet e tij familjare. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit që t’iu shtohet gatishmëria për ta lejuar Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre.
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të renditin mënyrat se si Perëndia ka ndikim në jetën e tyre. Nëse nxënësit do të donin të mësonin më shumë mbi këtë temë, ata mund të dëgjojnë, shohin ose lexojnë pjesë të bisedës së Presidentit Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë” (18:51).
Materiale filmike: “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë” (18:51) nga kodi kohor 12:18 deri në 13:02, “Jacob and His Family” [“Jakobi dhe Familja e Tij”] (3:00)
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ndikimet në jetën tonë
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të bëjnë në ditarin e studimit një listë të disa prej ndikimeve në jetën e tyre. Ata mund të përfshijnë shokët, mësuesit, këshilltarët, personalitetet mediatike, prindërit, profetët, Zotin, madje dhe mendimet e ambiciet e tyre vetjake.
Më pas ftojini ta vlerësojnë me maturi ndikimin që ka secila pikë në listë. Nxënësit mund të vendosin një numër 1 pranë ndikimit më të fortë në jetën e tyre, më pas një numër 2, e kështu me radhë. Ose nxënësit mund të shkruajnë fjalë si “i lartë”, “mesatar” ose “i ulët” për të treguar masën e ndikimit për secilin zë.
Para se të lexojnë thënien vijuese, mund të jetë e dobishme të shpjegoni se lejimi që Perëndia të triumfojë, po e lejon Atë të jetë ndikimi më i madh në jetën tonë.
Lexoji pyetjet e frymëzuara vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson. Përsiat se si do t’iu përgjigjeshe atyre.
“A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj? A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj? A do t’i lejoni fjalët e Tij, urdhërimet e Tij dhe besëlidhjet e Tij që të ndikojnë tek ajo që bëni çdo ditë? A do ta lejoni zërin e Tij të ketë përparësi mbi çdo zë tjetër? A jeni të gatshëm ta lejoni çfarëdo gjëje që Ai ka nevojë që ju të bëni, që të ketë përparësi mbi çdo ambicie tjetër? A jeni të gatshëm që vullneti juaj të shkrihet me të Tijin?” (“Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 94.)
Ftojini nxënësit t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për këto pyetje në ditarin e studimit. Këto mund të përfshijnë mënyrat se si ata janë të gatshëm ta lejojnë Perëndinë të triumfojë ose të jetë ndikimi më i madh në jetën e tyre. Mund të përfshijnë edhe mënyrat se si ata nuk janë të gatshëm dhe përse është e vështirë për ta.
Kërkoje udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të të dhënë ide dhe ndihmë për ndonjë prej shqetësimeve ose vështirësive të tua dhe për të të ndihmuar të ndiesh një dëshirë më të madhe për ta lejuar Atë të triumfojë më shumë në jetën tënde.
Shembulli i Jakobit
Në një rast, Jakobin e zuri “një frikë e madhe dhe një ankth” (Zanafilla 32:7), i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes së tij. Ai “luftoi” (Zanafilla 32:25) gjithë natën, i vendosur t’i merrte bekimet e Zotit për situatën e vështirë me të cilën u përball. (Do të studiosh më shumë për këtë situatë më vonë në mësim.) Në përgjigje, Zoti premtoi ta ndihmonte Jakobin, por Ai gjithashtu e ndryshoi emrin e Jakobit.
Lexo te Zanafilla 32:28 dhe shenjoje se si e ndryshoi Zoti emrin e Jakobit dhe përse.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shënojnë në shkrimet e tyre të shenjta që një nga kuptimet e emrit Izrael është “Lejojeni Perëndinë të triumfojë”
Ky mësim thekson tri fushat e jetës së Jakobit, ose Izraelit, në të cilat ai e lejoi Perëndinë të triumfonte. Ndërsa studion, kërko shembuj të parimit vijues: Ndërsa jemi të gatshëm ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë, Ai do të na bekojë në të gjitha gjërat.
Përgatitni kopje të fletushkave vijuese dhe bëni një nga pikat vijuese:
-
Jepuani këto fletushka tre nxënësve ose grupeve të nxënësve paraprakisht dhe ftojini ata ta drejtojnë orën mësimore nëpërmjet materialit.
-
Ftojini nxënësit t’i plotësojnë të tria veprimtaritë në grupe të vogla.
-
Jepuni nxënësve një vështrim të përgjithshëm bazë të të tria fletushkave dhe lejojini nxënësit të përzgjedhin një ose dy për t’i studiuar. Një mënyrë për të ofruar një vështrim të përgjithshëm është të shihni “Jacob and His Family” [“Jakobi dhe Familja e Tij”] (3:00).
Nëse nxënësit i studiuan këto tri pjesë në grupe, ftojini ata ta tregojnë atë që mësuan dhe mënyrën se si ajo mund të jetë kuptimplotë për ta. Nëse ata nuk e përmendin vetvetiu, pyetini se çfarë mësuan rreth Zotit.
Merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të japin shembuj të tjerë që i kanë parë, të njerëzve që e lejuan Perëndinë të triumfonte në jetën e tyre.
Lejoje Perëndinë të triumfojë në jetën tënde
Ndalu një çast për të përsiatur për atë që mësove ose dëshiron të mbash mend nga ky mësim. Kërkoje udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë ndërsa i shton mendimet e tua në shënimin në ditarin tënd nga fillimi i mësimit. Përfshi arsyet përse mund të duash ta lejosh Perëndinë të triumfojë në jetën tënde. Mund të përfshish edhe atë që ndien se mund të bësh që të të shtohet dëshira për ta lejuar Perëndinë të triumfojë në jetën tënde.
Ftojini nxënësit t’i shprehin mendimet nëse ato nuk janë tepër vetjake. Merreni parasysh të jepni mendimet dhe dëshminë tuaj gjithashtu.