Misionar me Shërbim
2. Organizimi dhe Veprimtaritë e Misionarëve me Shërbim


“2. Organizimi dhe Veprimtaritë e Misionarëve me Shërbim”, Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit – Misionet e Shërbimit (2021)

“2. Organizimi dhe Veprimtaritë e Misionarëve me Shërbim”, Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit – Misionet e Shërbimit

Pamja
Përkujdesja për Nevojtarët në Familjet Tona

2

Organizimi dhe Veprimtaritë e Misionarëve me Shërbim

2.0

Parathënia

Zoti ka thënë: “Ju duhet të organizoheni dhe t’i caktoni çdo njeriu kujdestarinë e tij [ose të saj]” (Doktrina e Besëlidhje 104:11). Kjo pjesë e standardeve misionare përshkruan organizimin e misionit të shërbimit. Ai shpjegon edhe se si mund t’u shërbeni të tjerëve më së miri me dashurinë e pastër të Krishtit ndërsa merrni pjesë në detyrat dhe veprimtaritë e misionit të shërbimit (shih Moroni 7:44–47).

Termi udhëheqës misionarë u referohet misionarëve me caktime në udhëheqje, caktime si udhëheqës në distrikt dhe udhëheqëse të motrave. Termi udhëheqës të misionit të shërbimit u referohet udhëheqësve që kanë përgjegjësinë e përditshme për ju dhe misionarë të tjerë në zonën ku jeni caktuar (shih 2.1.1).

Në këtë manual termat president kunji, peshkop, kunj dhe lagje gjejnë zbatim edhe përkatësisht për presidentët e distrikteve, presidentët e degëve, distriktet dhe degët.

2.1

Udhëheqja e Misionit të Shërbimit

Përgjegjësia juaj më e rëndësishme, pavarësisht nga çfarëdo caktimi në udhëheqje, është të jeni një misionar ose misionare besnike dhe e përkushtuar. Do të bekoheni teksa i zbatoni këshillat nga udhëheqësit tuaj dhe teksa zhvilloni marrëdhënie të dashura me ta.

2.1.1

Udhëheqësit e Misionit të Shërbimit

Zoti i bekon misionarët/et e Tij duke thirrur një çift për misionin e shërbimit që t’i udhëheqë ata. Udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit shërbejnë së bashku si bashkudhëheqës nën drejtimin e udhëheqësve vendorë të priftërisë. Ata thirren nga Perëndia dhe veçohen për të udhëhequr misionarët me shërbim në zonën ku jeni caktuar. Së bashku ata ju duan, ju shërbejnë dhe ju ndihmojnë të përmbushni qëllimin tuaj si misionar/e. Duke punuar ngushtë me presidentin tuaj të kunjit, ata ndihmojnë për përcaktimin e mundësive të shërbimit për ju. Ata ju ndihmojnë të zhvilloni programin tuaj të përshtatur si misionar/e dhe detyrat tuaja. Ata gjithashtu:

  • Takohen me ju dhe ju intervistojnë rregullisht.

  • E vlerësojnë dhe e përkrahin përparimin tuaj.

  • Ju përkrahin dhe ju japin zemër.

  • I dëgjojnë shqetësimet tuaja, u përgjigjen pyetjeve tuaja dhe ju japin këshilla.

  • Përdorin frymëzimin dhe zbulesën që t’ju ndihmojnë t’ia dilni mbanë si misionar/e.

Për ta përmbledhur, ata kanë përgjegjësinë e përditshme që të punojnë me ju në mënyrë që ju të keni një përvojë në mision që do t’jua ndryshojë jetën.

Kur keni intervistë me udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit, mund të ftoni prindërit ose një misionar që ndodhet aty si përkrahës, për të qenë i pranishëm në intervistë. Vendimi juaj për ta ftuar dikë që të marrë pjesë, nuk do ta pakësojë dashurinë, shqetësimin ose admirimin e udhëheqësve tuaj të misionit të shërbimit për ju.

2.1.2

Presidenti i Kunjit

Për shkak se jeni anëtar/e i/e një kunji, presidenti juaj i kunjit ka përgjegjësi priftërore për ju. Duke punuar ngushtë me udhëheqësit e misionit të shërbimit, ai vendos pritshmëri shpirtërore e të sjelljes për misionin tuaj dhe miraton një përvojë të përshtatur misionare për shërbimin tuaj.

Presidenti juaj i kunjit është përgjegjës për intervistat e denjësisë. Ai sigurohet që ju po i zbatoni standardet e misionit të shërbimit. Duke u këshilluar me udhëheqësit e misionit të shërbimit, ai shqyrton programin dhe detyrat tuaja. Në fund të misionit tuaj, ai do t’ju lirojë dhe do t’ju falënderojë për shërbimin tuaj misionar.

Në disa raste, largësia ia bën të vështirë presidentit të kunjit që të takohet me ju rregullisht. Nëse është kështu, ai mund të caktojë një specialist të kunjit ose udhëheqës tjetër të priftërisë që të punojë ngushtë me udhëheqësit e misionit të shërbimit për t’ju përkrahur dhe për t’u siguruar që të keni një përvojë misionare që do t’jua ndryshojë jetën.

2.1.3

Organizimi i Udhëheqjes së Misioneve të Shërbimit

Udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit përdorin frymëzimin dhe zbulesën për ta organizuar punën. Ata mund të caktojnë misionarë për të qenë udhëheqës në zonën e misionarëve me shërbim (në detyra si udhëheqës në distrikt dhe udhëheqëse të motrave). Juve mund t’ju kërkohet edhe që të udhëhiqni ose të jepni trajnim në fushën tuaj të veprimit ose në detyrat për komunitetin.

2.1.4

Përgjegjësitë e Udhëheqësve Misionarë

Udhëheqësit misionarë, si të gjithë misionarët, ndjekin këshillën e Jezu Krishtit për t’i “shërb[yer Perëndisë] me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën” e tyre dhe për të “kujt[uar] besimin, virtytin, diturinë, maturinë, durimin, mirësinë vëllazërore, perëndishmërinë, dashurinë hyjnore, përulësinë, zellin” (Doktrina e Besëlidhje 4:2, 6). Caktimet në udhëheqje nuk tregojnë vlerësim apo përparim të veçantë dhe as nuk pasqyrojnë denjësinë e një misionari/eje.

Udhëheqësit misionarë kanë përgjegjësinë që:

  • Të japin një shembull të standardeve misionare për sjelljen (shih kapitullin 3).

  • Sikurse të drejtohen nga udhëheqësit e misionit të shërbimit, të ndihmojnë që të trajnohen misionarët e tjerë.

  • T’i duan dhe të jenë miqësorë me misionarët e tjerë.

  • T’i ndihmojnë misionarët e tjerë të njohin vlerën e përpjekjeve të tyre.

  • T’i dëgjojnë shqetësimet e misionarëve të tjerë dhe t’ua tregojnë nevojat udhëheqësve të misionit të shërbimit.

  • T’u japin llogari udhëheqësve të misionit të shërbimit për detyrat e tyre në udhëheqje.

  • Nën drejtimin e udhëheqësve të misionit të shërbimit, të ndihmojnë të organizohen dhe drejtohen konferencat, mbledhjet dhe veprimtaritë.

Si të gjithë misionarët, pleqtë dhe motrat me caktime në udhëheqje duhet të ushtrojnë udhëheqje si të Krishtit. Nëse sjellja e cilitdo misionari/eje, përfshirë udhëheqësit misionarë, duket në mospërputhje me urdhërimet dhe standardet misionare, diskutojeni çështjen vetëm me udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit dhe jo me misionarë të tjerë, prindër ose miq.

2.1.5

Përgjegjësitë Vetjake

“Lartës[oni] detyrën t[uaj] ndaj Zotit” (Jakobi [LiM] 1:19), bëhuni të mbështetur te vetja shpirtërisht dhe “vepron[i] nga vetja [juaj]” (2 Nefi 2:16) duke i mirëbesuar Zotit dhe duke e ndjekur Shpirtin.

Kur keni pyetje ose shqetësime:

  • Vëreni në zbatim mësimin që ta “studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas … të më pyesësh nëse është e drejtë” (Doktrina e Besëlidhje 9:8).

  • Kërkoni udhërrëfim nëpërmjet zbulesës vetjake; lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta (veçanërisht të Librit të Mormonit), mësimeve të profetëve të gjallë dhe standardeve të misionarëve me shërbim.

Flisni me peshkopin tuaj ose presidentin e kunjit rreth çështjeve të denjësisë. Flisni me udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit rreth shqetësimeve të menjëhershme për sigurinë, të tilla si sulmi, keqtrajtimi, apo çështje të tjera.

Mund të ketë raste gjatë misionit tuaj kur do ta keni të vështirë të përqendroheni te detyra juaj e shërbimit për shkak të sfidave aktuale, çështjeve personale apo familjare, ose madje përvojave të së kaluarës. Mos ngurroni t’ua shprehni shqetësimet tuaja udhëheqësve tuaj të misionit të shërbimit.

Mbani mend ftesën e Shpëtimtarit: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë. Vini re plagët që tejshpuan ijën time dhe gjithashtu shenjat e gozhdëve në duart dhe këmbët e mia; jini besnikë, zbatoni urdhërimet e mia dhe ju do të trashëgoni mbretërinë e qiellit. Amen” (Doktrina e Besëlidhje 6:36–37).

2.2

Shërbimi së Bashku

Herë pas here, mund t’ju caktojnë me misionarë të tjerë me shërbim në të njëjtën vendndodhje. Si misionarë që shërbejnë së bashku, ju duhet:

  • Të jeni të bashkuar në punë dhe të shërbeni sikurse do të bënte Shpëtimtari.

  • Ta përkrahni mirëqenien shpirtërore, emocionale dhe fizike të njëri‑tjetrit.

  • Të jeni të vetëdijshëm për sigurinë e njëri-tjetrit ndërkohë që shërbeni së bashku.

  • Të jeni të përgjegjshëm ndaj njëri‑tjetrit në mbajtjen e standardeve të misionarëve me shërbim.

2.2.1

Dyshet Misionare

Udhëheqësit e misionit të shërbimit mund të caktojnë dyshe misionarësh për të përmirësuar studimin e strukturuar të ungjillit dhe ndërveprimin shoqëror gjatë përvojës suaj misionare. Dyshet e misionarëve mund të caktohen nëpër të gjitha zonat e misionarëve me shërbim, në vendndodhje ku jepet shërbim ose për veprimtari të veçanta shërbimi.

Mbajini mend gjithnjë gjërat në vijim teksa ndërveproni me misionarë të tjerë me shërbim:

  • Duajini, respektojini dhe forcojini misionarët e tjerë.

  • Jini të përulur dhe dallojini pikat e forta të njëri-tjetrit.

  • Trajtojeni njëri‑tjetrin siç do të donit të trajtoheshit.

  • Shmangeni kritikën e grindjen dhe dallojeni të mirën te misionarët e tjerë.

  • Shmangeni të folurit negativ për njëri‑tjetrin me misionarët e tjerë me shërbim, me anëtarët e Kishës ose familjarë dhe miq.

Nëse vini re ndonjë situatë ose sjellje të papërshtatshme, diskutojeni atë me udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit.

2.3

Mbledhjet, Konferencat dhe Këshillat

Si misionarë, ju këshilloheni së bashku teksa jepni e merrni trajnim dhe teksa planifikoni e bashkërendoni shërbimin tuaj. Mbledhjet, konferencat dhe këshillat duhet ta ftojnë Shpirtin e Zotit dhe duhet të jenë një kohë për frymëzim dhe zbulesë (shih Doktrina e Besëlidhje 6:32). Mbledhja si misionarë do t’ju japë gjithashtu mundësinë që ta përkrahni njëri‑tjetrin dhe të gëzoheni së bashku (shih Doktrina e Besëlidhje 43:8; 50:22).

Mbledhjet që organizojnë udhëheqësit misionarë, nën drejtimin e udhëheqësve të misionit të shërbimit, përfshijnë:

  • Mbledhjet e rregullta të distriktit

  • Mbledhjet e përjavshme ose të përmuajshme

  • Konferencat

  • Këshillat e udhëheqjes

2.4

Detyrat e Caktuara dhe Programi

Jini besnik/e dhe të zellshëm/me në zbatimin e detyrave dhe programit tuaj misionar.

2.4.1

Caktimet e Përshtatura

Ju jeni thirrur si misionar/e nga Zoti. Jeni caktuar të shërbeni në një përvojë të përshtatur misioni të zgjedhur vetëm për talentet, zotësitë dhe dhuntitë tuaja. Gjatë rrjedhës së misionit tuaj, mund të shërbeni në detyra të shumta, përfshirë organizata të miratuara bamirëse, veprimtari të Kishës, tempuj dhe në mundësi shërbimi të caktuara nga kunji.

Mund të shërbeni në më shumë se një vend gjatë javës. Në çdo vendndodhje, do t’i raportoni një mbikëqyrësi/eje që do t’ju japë trajnimin, mjetet dhe përkrahjen që ju nevojitet për të përmbushur përgjegjësitë tuaja. Mbërrini në detyrën e caktuar në kohë dhe i/e përgatitur për të shërbyer mirë. Jini të besueshëm/me e një mbështetje për të tjerët. Ndiqni drejtimet e mbikëqyrësve tuaj me kujdes dhe plotësisht. Bëni çmos për të kontribuar te vepra në mënyra kuptimplote. Jini një ndikimi pozitiv dhe lartësues tek ata me të cilët shërbeni dhe ndërveproni. Punoni në mënyrë të sigurt dhe përpiquni gjithnjë të përmirësoheni.

2.4.2

Transferimet e Caktimeve

Duke punuar ngushtë së bashku, presidenti juaj i kunjit dhe udhëheqësit e misionit të shërbimit mund t’i rregullojnë detyrat tuaja të shërbimit gjatë rrjedhës së misionit tuaj.

2.4.3

Programi Ditor

Duke punuar ngushtë së bashku, udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit, me ide nga ju, do të krijojnë një program ditor misionar. Presidenti juaj i kunjit do ta miratojë programin. Ky program mund të përfshijë detyra dhe veprimtari që u përkasin fushave vijuese të zhvillimit:

  • Shpirtërore

  • Shoqërore

  • Fizike

  • Intelektuale

Kini vazhdimësi dhe jini i/e besueshëm/me në zbatimin e programit tuaj ditor misionar. Kjo do t’ju sjellë rritje më të madhe, gëzim dhe bekime shpirtërore gjatë shërbimit tuaj misionar.

Programi juaj ditor mund të përfshijë:

  • Vendosjen dhe rishikimin e synimeve tuaja si misionarë me shërbim.

  • Përgatitjen dhe përfundimin e detyrave tuaja çdo ditë.

  • Studimin e shkrimeve të shenjta (veçanërisht Librin e Mormonit), mësimet e profetëve të gjallë dhe apostujve, materialin Përshtatja me Jetën si Misionar me Shërbim, pjesë të rëndësishme nga Predikoni Ungjillin Tim dhe burime të tjera të miratuara. (Shih 2.4.5.)

2.4.4

Modeli i një Programi Ditor

Bashkë me udhëheqësit dhe prindërit ose kujdestarët tuaj, bëni një program të përgjithshëm me shkrim. Përfshijeni kohën që shpenzoni me detyrat dhe kohën kur ushtroni lirinë e zgjedhjes për të përcaktuar se si do të shërbeni, përmirësoheni dhe rriteni (të quajtura “orët e lirisë së zgjedhjes”). Rishikojeni dhe ndiqeni planin tuaj çdo ditë.

Programi ditor për misionin tuaj mund të duket disi si shembulli në vijim.

Mëngjesi:

[ora kur fillon]

Ngrihuni dhe lutuni.

[ora kur fillon]

Bëni ushtrime fizike për 30 minuta. (Konsultohuni me profesionistin tuaj të kujdesit shëndetësor rreth asaj që është më e mira për shëndetin tuaj fizik dhe rrethanat tuaja.)

[ora kur fillon]

Bëni dush, hani mëngjes dhe mbaroni përgatitjet për ditën.

[ora kur fillon]

Merrni pjesë në takime shpirtërore ose në studimin e ungjillit.

[ora kur fillon]

Paraqituni në kohë për detyrën tuaj. (Ndiqni një mbledhje lutjeje ose takim shpirtëror përpara shërbimit tuaj, nëse është programuar një i tillë.)

Pasditja:

[ora kur fillon]

Hani drekë.

[ora kur fillon]

Shërbeni derisa të mbarojë koha e detyrës suaj.

Mbrëmja:

[ora kur fillon]

Hani darkë.

[ora kur fillon]

Ndiqni planin e veprimtarive tuaja vetjake nga programi juaj ditor. Kjo duhet të përfshijë një orë studimi vetjak të ungjillit. Mund të përfshijë edhe frekuentimin e tempullit, orët mësimore të institutit, aktivitetet e TRMMB-ve dhe punët e shtëpisë në familje.

[ora kur fillon]

Mbajini shënim në ditarin tuaj ndjenjat dhe përvojat tuaja të veçanta.

[ora kur fillon]

Përgatituni për shtrat. Lutuni dhe shkoni në shtrat.

Edhe kur nuk jeni duke shërbyer në vendndodhjen ku jeni caktuar, jeni prapëseprapë një misionar/e. Sjellja, mendimet dhe veprimet tuaja duhet të pasqyrojnë statusin tuaj si misionar/e.

2.4.5

Sesionet e Studimit me Misionarë të Tjerë me Shërbim

Atje ku është e mundur, studioni me një misionar/e tjetër me shërbim. Dikush mund t’ju caktohet nga udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit. Ky studim si partnerë mund të bëhet nga afër ose virtualisht.

Përqendrohuni te shkrimet e shenjta (veçanërisht Libri i Mormonit), mësimet e profetëve të gjallë, materiali Përshtatja me Jetën si Misionar me Shërbim, pjesë të rëndësishme nga manuali Predikoni Ungjillin Tim dhe standardet e misionit të shërbimit. Këto burime të miratuara mund ta forcojnë njohurinë dhe dëshminë tuaj për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit dhe ju ndihmojnë të përgatiteni që të plotësoni nevojat e njerëzve të cilëve u shërbeni.

2.5

Ngjarjet, Veprimtaritë dhe Përgatitja jashtë Detyrave të Shërbimit

Programi juaj misionar mund të përfshijë një kohë gjatë javës për t’u marrë me nevojat dhe përgatitjen tuaj vetjake, të tilla si punët e shtëpisë, takimet me mjekun, koha për familjen dhe veprimtaritë e kohës së lirë. Kjo mund të jetë një ditë e plotë ose pjesë e një dite. “Organizoni veten tuaj; përgatisni çdo gjë të nevojshme dhe ngrini një shtëpi, madje … një shtëpi rregulli” (Doktrina dhe Besëlidhje 109:8).

Ju lutemi të kujtoni paralajmërimet e dobishme nga Zoti: “Mos vrapo[ni] më shpejt, as mos puno[ni] më shumë sesa ke[ni] forcë” (Doktrina e Besëlidhje 10:4) dhe “shkoni në shtrat herët, që të mos jini të lodhur; ngrihuni herët, që trupat tuaja dhe mendjet tuaja të mund të fuqizohen” (Doktrina e Besëlidhje 88:124). Bërja e pushimeve për t’u çlodhur dhe për ta përgatitur veten, do të ndihmojë për mbështetjen e aftësisë suaj për t’u shërbyer të tjerëve.

2.6

Veprimtaritë e Ditës së Shabatit

Në Shabat planifikoni veprimtari që ju ndihmojnë ta përmbushini qëllimin tuaj si misionar/e për të ndihmuar të tjerët të vijnë te Krishti duke u shërbyer sikurse do t’u shërbente Shpëtimtari. Mbajini mend mësimet e Zotit rreth ditës së Shabatit te Doktrina e Besëlidhje 59:13–19.

Duke punuar me udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit, udhëheqësit tuaj vendorë të priftërisë mund t’ju japin një thirrje në lagje ose kunj që nuk krijon përplasje me programin ose detyrat tuaja misionare. Mund të shërbeni gjithashtu si vëlla ose motër shërbestare.

2.7

Shërbimi në Komunitet

Një mënyrë se si të mësoni të jeni dishepull/e i/e Jezu Krishtit është duke shërbyer siç shërbeu Ai. Udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit do të ndihmojnë për të përcaktuar mundësi që t’u shërbeni të tjerëve në komunitet “që ju të mund të mësoni se kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17).

Duhet të shërbeni me dëshirë të sinqertë për t’i ndihmuar të tjerët pa pritur rezultate të caktuara. Mbajeni mend, nuk jeni thirrur ta jepni mësim ungjillin me fjalët tuaja. Nëpërmjet shembullit të shërbimit tuaj si ai i Krishtit, ju e demonstroni dashurinë tuaj për Perëndinë. Mos predikoni ndërkohë që jeni duke shërbyer në organizata bamirëse.

Për detyra të caktuara kërkohet trajnim ose mbikëqyrje shtesë. Përveç nëse organizata bamirëse në të cilën po shërbeni u ka dorëzuar një plan të posaçëm trajnimi udhëheqësve tuaj të misionit të shërbimit, ju nuk duhet të përfshiheni në asnjërën nga veprimtaritë e ndaluara vijuese:

  • Ndërveprim me fëmijë ose persona të cenueshëm në moshë madhore

  • Vënie në funksionim e makinerive, pajisjeve ose automjeteve

  • Veprim me të holla në dorë ose sende me vlerë

  • Dhënie e një mendimi profesional