Manualet dhe Thirrjet
7. Peshkopata


“7. Peshkopata”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“7. Peshkopata”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Pamja
burrë duke folur nga foltorja

7.

Peshkopata

7.1

Peshkopi dhe Këshilltarët e Tij

Peshkopi mban çelësat e priftërisë për të drejtuar punën e Kishës në lagje (shihni 3.4.1). Ai dhe këshilltarët e tij formojnë një peshkopatë. Ata marrin udhërrëfim nga presidenca e kunjit. Ata kujdesen për anëtarët e lagjes me dashuri, duke i ndihmuar që të bëhen pasues të vërtetë të Jezu Krishtit (shihni te Moroni 7:48).

Peshkopi dhe këshilltarët e tij janë priftërinj të lartë. Nëse ata nuk janë priftërinj të lartë kur thirren, ata duhet të shugurohen si priftërinj të lartë përpara se të veçohen për të shërbyer.

Peshkopi ka pesë përgjegjësi kryesore:

  • Ai është prifti i lartë kryesues në lagje.

  • Ai është presidenti i Priftërisë Aarone.

  • Ai është një gjykatës i përbashkët.

  • Ai bashkërendon veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit, përfshirë përkujdesjen për njerëzit nevojtarë.

  • Ai mbikëqyr dokumentet, financat dhe përdorimin e shtëpisë së mbledhjeve.

Ngaqë peshkopi mban çelësat e priftërisë, ai ka të drejtën të marrë zbulesë për lagjen (shihni te Doktrina e Besëlidhje 128:11). Si rrjedhim, disa përgjegjësi janë vetëm të tijat. Këto përshkruhen në këtë kapitull.

Përgjegjësia parësore e peshkopit është brezi i ri në lagje (fëmijët, rinia dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë). Që të ketë mundësinë për t’u përqendruar në këtë përgjegjësi, ai delegon shumë detyra (shihni 4.2.5). Ai mund t’ua delegojë ato këshilltarëve të tij, nëpunësit dhe ndihmësnëpunësve, sekretarit ekzekutiv, udhëheqësve të kuorumeve dhe të organizatave, si edhe të tjerëve.

Nëse peshkopi nuk mund t’i kryejë përgjegjësitë e veta, një këshilltar mund të veprojë në vend të tij përkohësisht, përveç siç shënohet në këtë manual. Peshkopi ose këshilltarët e tij këshillohen me presidentin e kunjit nëse ai ka pyetje për këshilltarin që vepron në emër të peshkopit.

7.1.1

Prifti i Lartë Kryesues

Peshkopi është udhëheqësi kryesor shpirtëror i lagjes. Ai jep shembull duke shërbyer “me shenjtëri zemre” (Mosia 18:12). Ai jep mësim, ngre shpirtërisht dhe frymëzon (shihni te Mateu 20:28). Ai ndjek parimet e udhëheqjes te Doktrina e Besëlidhje 121:34–46.

Një peshkop është një dishepull besnik i Jezu Krishtit. Ai është i vërtetë ndaj besëlidhjeve të tij. Ai është besnik ndaj bashkëshortes dhe familjes së tij. Ai jep një shembull drejtësie për familjen, lagjen dhe komunitetin e tij. (Shihni te 1 Timoteut 3:2–7.) Këshilltarët e tij janë burra me karakter të ngjashëm.

Peshkopi u jep udhëzime dhe këshilla udhëheqësve të tjerë në lagje. Ai i inkurajon ata për përgjegjësitë e tyre.

7.1.1.1

Organizatat dhe Kuorumet e Priftërisë së Lagjeve

Peshkopi ka përgjegjësi për organizatat e Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave në lagje. Ai u cakton përgjegjësi këshilltarëve të tij për Shkollën e së Dielës dhe organizatat e Fillores dhe programe të tjera të lagjes. (Shihni 9.3.1, 11.3.1, 12.3.1 dhe 13.2.1.)

Përgjegjësitë e peshkopit për kuorumet e Priftërisë Aarone përvijohen te 7.1.2. Përgjegjësitë e tij për kuorumet e pleqve përvijohen te 8.3.1.

Peshkopi gjithashtu e udhëheq presidentin e kuorumit të pleqve dhe presidenten e Shoqatës së Ndihmës në mbikëqyrjen e dhënies së shërbesës. Ai mblidhet me këta dy presidentë së bashku, të paktën çdo tre muaj për të trajtuar nevojat e individëve dhe të familjeve (shihni 21.2).

7.1.1.2

Ordinancat dhe Bekimet

Peshkopi drejton administrimin e ordinancave dhe bekimeve vijuese në lagje:

  • Sakramentit

  • Vënies së emrit dhe bekimit të fëmijëve

  • Pagëzimit dhe konfirmimit të fëmijëve të moshës 8 vjeç [anëtarë] prej dokumenti [në kishë] (për njerëzit me aftësi të kufizuara intelektuale, shihni 38.2.8.1; për të kthyerit në besim, shihni 31.2.3.2)

  • Dhënies së Priftërisë Aarone dhe shugurimit në detyrat e dhjakut, mësuesit dhe priftit

Për informacion mbi ordinancat dhe bekimet, shihni kapitullin 18.

7.1.1.3

Këshillat dhe Mbledhjet

Peshkopi drejton këshillin e lagjes dhe këshillin e lagjes për rininë (shihni 29.2.5 dhe 29.2.6). Ai i përdor këta këshilla për të ndihmuar me bashkërendimin e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit në lagje. Ai e delegon shumicën e kësaj pune dhe ndjek ecurinë e detyrave (shihni 4.2.5).

Peshkopi i fton udhëheqësit të këshillohen së bashku për mënyrën se si të ndërtojnë forcë shpirtërore dhe unitet në lagje. Ai i inkurajon të gjithë anëtarët e këshillit të kërkojnë frymëzim dhe të marrin pjesë në diskutime. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:122; shihni edhe 4.4 në këtë manual.)

Peshkopata planifikon mbledhjet e sakramentit dhe mbledhje të tjera në lagje të renditura në kapitullin 29. Peshkopi kryeson në mbledhjet e lagjes, në qoftë nuk merr pjesë një anëtar i presidencës së kunjit, një I Shtatëdhjetë Zonal në zonën e tij ose një Autoritet i Përgjithshëm. Këshilltarët e peshkopit mund t’i drejtojnë këto mbledhje. Ata gjithashtu kryesojnë nëse mungon peshkopi.

7.1.1.4

Thirrjet dhe Lirimet

Përgjegjësitë e peshkopit për thirrjet dhe lirimet përvijohen në kapitullin 30. Ai mund t’i caktojë këshilltarët e tij për të dhënë thirrjet dhe lirimet siç përvijohet te 30.8.

7.1.2

Presidenti i Priftërisë Aarone

“Peshkop[ata] është presidencia e … priftëri[së] [Aarone] dhe mban çelësat ose autoritetin e saj” (Doktrina e Besëlidhje 107:15; shihni edhe vargun 20). Peshkopi ka përgjegjësitë vijuese si president i Priftërisë Aarone në lagje. Këshilltarët e tij e ndihmojnë.

  • Të ndihmojë prindërit që t’u japin mësim të rinjve e të rejave. T’i ndihmojë të rinjtë e të rejat që të shërbejnë me besnikëri, të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhjet e shenjta dhe të përgatiten për të marrë ordinancat e tempullit. T’i ndihmojë të rinjtë që të përgatiten për t’u shuguruar në detyrat e priftërisë dhe për të shërbyer në misione kohëplota. Nëse të rejat dëshirojnë të shërbejnë në misione kohëplota, ndihmojini që të përgatiten. Programi Fëmijët dhe Rinia mund të ndihmojë në këto përpjekje (shihni ChildrenandYouth.ChurchofJesusChrist.org).

  • Të mbikëqyrë kuorumet e Priftërisë Aarone dhe klasat e Të Rejave. Peshkopi është presidenti i kuorumit të priftërinjve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:87–88). Këshilltari i tij i parë ka përgjegjësi për kuorumin e mësuesve. Këshilltari i tij i dytë ka përgjegjësi për kuorumin e dhjakëve. Për më shumë informacion rreth udhëheqjes së kuorumit të Priftërisë Aarone, shihni 10.3, 10.4 dhe 10.5.

  • Të këshillohet me presidenten e Të Rejave të lagjes. Peshkopi nuk ia delegon këtë detyrë një këshilltari. Ai dhe këshilltarët e tij marrin pjesë rregullisht edhe në mbledhjet, shërbimin dhe aktivitetet e Të Rejave. (Shihni 11.3.1.)

  • Të takohet rregullisht me çdo të ri e të re. Për orientime rreth këtyre mbledhjeve, shihni 31.3.1.

  • Të përkrahë familjet dhe udhëheqëset e Fillores, si dhe mësuesit/et në përpjekjet e tyre për t’i ndihmuar fëmijët të bëjnë e të mbajnë besëlidhjet (shihni kapitullin 12).

Pamja
mbledhje e peshkopatës

7.1.3

Gjykatësi i Përbashkët

Peshkopi është gjykatësi i përbashkët në lagje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:71–74). Ai përpiqet fort të ndjekë shembullin e Shpëtimtarit si një gjykatës i drejtë (shihni te 3 Nefi 27:27). Ai ka përgjegjësitë vijuese:

  • Të ndihmojë të rinjtë e të rejat që të kualifikohen dhe të jenë të denjë për një rekomandim tempulli.

  • Të zhvillojë intervista siç përvijohet te 31.2. Ai mund të autorizojë këshilltarët e tij që të zhvillojnë intervista të caktuara (shihni 31.2.2). Për orientime, shihni 31.1.

  • Të takohet me anëtarët e lagjes që kërkojnë udhërrëfim shpirtëror, të cilët kanë probleme serioze vetjake ose që kanë kryer mëkate të rënda, duke i ndihmuar që të mbështeten te fuqia shëruese e Jezu Krishtit. Peshkopi mund t’u kërkojë këshilltarëve të tij, presidentit të kuorumit të pleqve, presidentes së Shoqatës së Ndihmës dhe të tjerëve që të takohen me anëtarë të lagjes për disa çështje. Megjithatë, vetëm peshkopi takohet me anëtarët e lagjes lidhur me çështje denjësie, keqtrajtimi dhe miratimi për përdorimin e fondeve të ofertave të agjërimit. Për orientime, shihni 31.1.

  • Nën drejtimin e presidentit të kunjit, të zhvillojë këshillat e anëtarësisë sipas nevojës. Për orientime, shihni kapitullin 32.

7.1.4

Bashkërendimi i Veprës së Shpëtimit dhe të Ekzaltimit

Peshkopi bashkërendon veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit në lagje (shihni kapitullin 1). Këshilltarët e tij dhe udhëheqës të tjerë të lagjes e ndihmojnë atë.

Peshkopi i ndihmon anëtarët që ta jetojnë ungjillin. Ai i ndihmon që ta forcojnë besimin e tyre tek Ati Qiellor, te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:29). Ai u mëson atyre të luten dhe t’i studiojnë shkrimet e shenjta. Ai i fton të bëjnë besëlidhje duke marrë ordinancat për shpëtimin dhe ekzaltimin. Ai i inkurajon që të bëjnë besëlidhjet e tyre.

Peshkopi i forcon anëtarët e Kishës. Ai i inkurajon familjet që të marrin pjesë në lutje të rregullta familjare dhe ta mësojnë ungjillin së bashku, përfshirë edhe në mbrëmjet e shtëpisë. Ai i mëson që ta duan njëri‑tjetrin dhe t’i shërbejnë njëri-tjetrit. Ai jep mësim me anë të fjalëve dhe shembullit se thirrjet e Kishës mund të përmbushen pa i shmangur përgjegjësitë familjare. Ai sigurohet që aktivitetet e Kishës i përkrahin përpjekjet e prindërve për t’i rritur fëmijët e tyre në drejtësi.

Përveçse të ndihmojë anëtarët që ta jetojnë ungjillin, peshkopi ka përgjegjësi të tjera në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Për shembull, ai:

  • Ndihmon burrat të shugurohen në detyrat e priftërisë.

  • Udhëheq përpjekjet për përkujdesjen ndaj njerëzve nevojtarë në lagje (shihni 7.1.4.1 dhe 22.2.1).

  • Udhëzon presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës teksa i udhëheqin përpjekjet për dhënien e shërbesës në lagje (shihni 21.2.1).

  • Bashkërendon punën e presidencave të kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës teksa udhëheqin përpjekjet e lagjes për të shpërndarë ungjillin dhe forcuar anëtarët e rinj dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet (shihni 23.1).

  • Bashkërendon përpjekjet e presidencave të kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës teksa udhëheqin punën në tempull dhe për historinë familjare në lagje (shihni 25.2).

  • Ndihmon anëtarët të përgatiten për të marrë një rekomandim tempulli dhe ordinanca në tempull (shihni 27.1).

7.1.4.1

Udhëheqja e Përpjekjeve për t’u Përkujdesur për Njerëzit me Nevoja Materiale

Peshkopi ka një mandat hyjnor për të kërkuar dhe për t’u kujdesur për njerëzit me nevoja materiale (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:112). Ai ia delegon shumicën e kësaj pune presidencës së Shoqatës së Ndihmës dhe presidencës së kuorumit të pleqve.

Disa detyra kryhen vetëm nga peshkopi. Për shembull, ai përcakton llojin, shumën dhe kohëzgjatjen e çfarëdolloj ndihme materiale të dhënë nga Kisha. Për këtë, ai këshillohet shpesh me presidenten e Shoqatës së Ndihmës dhe presidentin e kuorumit të pleqve. Për më shumë informacion, shihni 22.4 dhe 22.5.

Anëtarët e peshkopatës japin mësim parimet e përkujdesjes për njerëzit nevojtarë dhe krijimin e mbështetjes te vetja (shihni 22.1). Ata gjithashtu japin mësim për ligjin e agjërimit (shihni 22.2.2). Ata mbikëqyrin grumbullimin e ofertave të agjërimit (shihni 34.3.2).

Peshkopi i udhëzon udhëheqësit e tjerë të lagjes në përgjegjësitë e tyre për t’u përkujdesur për njerëzit nevojtarë. Ai gjithashtu drejton këshillin e lagjes në këto përpjekje.

Për më shumë informacion rreth mënyrës se si peshkopët përkujdesen për njerëzit nevojtarë, shihni 22.6.1.

7.1.5

Dokumentet, Financat dhe Shtëpia e Mbledhjeve

Peshkopi mbikëqyr dokumentet e lagjes, financat e lagjes dhe shtëpinë e mbledhjeve. Ai mund t’ua caktojë shumicën e punës me dokumentet dhe financat këshilltarëve dhe nëpunësve të vet. Ai mund të caktojë njërin nga këshilltarët e tij që të shërbejë si përfaqësuesi i lagjes për ndërtesën ose mund të thërrasë një anëtar tjetër për ta bërë këtë.

Për më shumë informacion rreth dokumenteve, shihni kapitullin 33. Për më shumë informacion rreth financave, shihni kapitullin 34. Për më shumë informacion rreth shtëpive të mbledhjeve, shihni kapitullin 35.

7.2

Ndryshimet midis Presidencave të Degëve dhe Peshkopatave

Në një degë, një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke thirret si presidenti i degës. Ai mban çelësat e priftërisë të nevojshme për të kryesuar (shihni 3.4.1.1). Ai dhe këshilltarët e tij shërbejnë shumë si një peshkopatë por me ndryshimet vijuese:

  • Një president dege mund të jetë një plak ose një prift i lartë. Një peshkop duhet të jetë një prift i lartë.

  • Një president dege nuk veçohet si prift i lartë kryesues. Megjithatë, ai kryeson mbi degën dhe ka të gjitha përgjegjësitë që përshkruhen te 7.1.1.

  • Nuk lejohet që këshilltarët në një presidencë dege të lëshojnë rekomandime tempulli (shihni 26.3.1).

7.3

Sekretari Ekzekutiv i Lagjes dhe Ndihmëssekretarët Ekzekutivë të Lagjes

Peshkopata rekomandon një mbajtës të Priftërisë Melkizedeke për të shërbyer si sekretar ekzekutiv i lagjes. Ata ia bëjnë këtë rekomandim presidencës së kunjit. Sekretari ekzekutiv duhet të jetë i denjë për një rekomandim tempulli. Ai thirret dhe veçohet nga një anëtar i presidencës së kunjit ose nga një këshilltar i lartë i caktuar.

Sekretari ekzekutiv punon ngushtësisht me peshkopin dhe këshilltarët e tij, por ai nuk është anëtar i peshkopatës. Ai ka përgjegjësitë vijuese:

  • Të takohet me peshkopatën dhe të përgatitë rende dite siç caktohet.

  • Të shërbejë si anëtar i këshillit të lagjes dhe të frekuentojë mbledhjet e këshillit të lagjes. Siç drejtohet nga peshkopata, të ndjekë ecurinë e detyrave që caktohen në këto mbledhje.

  • Të planifikojë takime për peshkopatën.

  • Të planifikojë intervista për rininë dhe personat në moshë madhore që kanë nevojë të rinovojnë rekomandimet e tyre të tempullit.

  • Nëse caktohet nga peshkopata, të bashkërendojë përpjekjet e lagjes për të ndihmuar anëtarët se si t’i përdorin revistat e Kishës (shihni 38.8.7).

  • Të ndihmojë peshkopatën me çështjet e seminarit dhe të institutit, të tilla si ndihmën ndaj anëtarëve të lagjes për t’u regjistruar për klasat (shihni kapitullin 15).

  • Të mbajë një listë aktuale të emrave dhe adresave të anëtarëve të lagjes që janë në ushtri. Të sigurohet që udhëheqësit e lagjes të kenë dijeni për këta anëtarë (shihni 38.9.2). Të informojë gjithashtu sekretarin ekzekutiv të kunjit kur anëtarët planifikojnë të futen në ushtri.

Një ose dy ndihmëssekretarë ekzekutivë të lagjes mund të thirren sipas nevojës. Ata rekomandohen nga peshkopata dhe thirren e veçohen nga një anëtar i presidencës së kunjit ose nga një këshilltar i lartë i caktuar. Këta vëllezër duhet të jenë të denjë për një rekomandim tempulli.

Pamja
burrë dhe grua duke i dhënë dorën njëri-tjetrit

7.4

Nëpunësi i Lagjes dhe Ndihmësnëpunësit e Lagjes

Peshkopi rekomandon një mbajtës të Priftërisë Melkizedeke për të shërbyer si nëpunës i lagjes. Ai ia jep këtë rekomandim presidencës së kunjit. Nëpunësi duhet të jetë i denjë për një rekomandim tempulli. Ai thirret dhe veçohet nga një anëtar i presidencës së kunjit ose nga një këshilltar i lartë i caktuar.

Mund të thirren edhe ndihmësnëpunës të lagjes (shihni 33.4.3). Ata thirren dhe veçohen nga një anëtar i presidencës së kunjit ose nga një këshilltar i lartë i caktuar.

Nëpunësit punojnë ngushtësisht me peshkopin dhe këshilltarët e tij, por ata nuk janë anëtarë të peshkopatës. Përgjegjësitë e nëpunësit dhe të ndihmësnëpunësve të lagjes përvijohen te 33.4.2 dhe 33.4.3.