Manualet dhe Thirrjet
11. Të Rejat


“11. Të Rejat”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“11. Të Rejat”, Manuali i Përgjithshëm.

Pamja
të reja në një mjedis jashtë

11.

Të Rejat

11.1

Qëllimi dhe Organizimi

Organizata e Të Rejave i ndihmon fëmijët e Perëndisë të përgatiten për t’u kthyer në praninë e Tij. Teksa përpiqen fort që t’i mbajnë besëlidhjet e tyre me Perëndinë, të rejat do të “armatos[en] me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe” (1 Nefi 14:14).

11.1.1

Qëllimi

Organizata e Të Rejave i ndihmon të rejat që të bëjnë e mbajnë besëlidhje të shenjta dhe ta thellojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij.

Qëllimi i klasës së Të Rejave është që t’i ndihmojë të rejat të punojnë së bashku për të përmbushur veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Në klasat e tyre, të rejat u shërbejnë të tjerëve, përmbushin përgjegjësitë besëlidhëse, ndërtojnë unitet, mësojnë dhe e jetojnë doktrinën.

11.1.2

Tema e Të Rejave

Tema e Të Rejave mund ta ndihmojë çdo të re që ta kuptojë identitetin e saj hyjnor dhe të bëhet e kthyer në besimin te Jezu Krishti. Të rejat dhe udhëheqëset e tyre e përsëritin temën në fillim të mbledhjeve të së dielës dhe në grumbullime të tjera të Të Rejave. Tema është si vijon:

“Unë jam një bijë e dashur e prindërve qiellorë, me një natyrë hyjnore dhe fat të përjetshëm.

Si dishepulle e Jezu Krishtit, unë përpiqem fort të bëhem si Ai. Unë kërkoj dhe veproj sipas zbulesës vetjake dhe u jap shërbesë të tjerëve në emrin e Tij të shenjtë.

Unë do të qëndroj si dëshmitare e Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat, dhe në të gjitha vendet.

Teksa përpiqem fort që të kualifikohem për ekzaltimin, unë e vlerësoj pa masë dhuratën e pendimit dhe përpiqem të përmirësohem çdo ditë. Me besim, unë do ta forcoj shtëpinë dhe familjen time, do të bëj e do të mbaj besëlidhje të shenjta dhe do të marr ordinancat dhe bekimet e tempullit të shenjtë.”

11.1.3

Pamja
ikonë, orientimet për përshtatjen
Orët Mësimore

Të rejat bëhen anëtare të një klase të Të Rejave duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 12 vjeçe.

Klasat e të rejave organizohen sipas grupmoshave. Një grupmoshë përfshin të gjitha të rejat që do ta mbushin të njëjtën moshë gjatë një viti kalendarik. Një klasë mund të përfshijë më shumë se një grupmoshë. Të rejat përparojnë drejt një klase të re në janar të vitit kur mbushin moshën e të rejave në atë klasë të re.

Peshkopatat dhe udhëheqëset në moshë madhore të Të Rejave me lutje vendosin se si t’i organizojnë klasat sipas moshës. Ata marrin parasysh mundësi udhëheqjeje për të rejat. Çdo klasë, pavarësisht nga numri i pjesëmarrëseve, duhet të ketë një presidente dhe, atje ku është e mundur, një ose dy këshilltare dhe një sekretare. Në njësitë me mjaft të reja, klasat duhet të jenë të mëdha aq sa presidencat e klasave të kenë anëtare të klasës të cilave t’u shërbejnë.

Pamja
klasë e të rejave

Klasave duhet t’iu referohemi me titullin e përbashkët “Të Rejat”. Nëse një lagje ka më shumë se një klasë, grupmoshat përdoren për t’i dalluar klasat.

11.2

Pjesëmarrja në Veprën e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit

Perëndia i fton të gjithë të vijnë te Krishti dhe të ndihmojnë në veprën e Tij nëpërmjet:

  • Të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit.

  • Përkujdesjes për njerëzit nevojtarë.

  • Ftesës ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin.

  • Bashkimit të familjeve për përjetësinë.

Presidencat e klasave, të përkrahura nga udhëheqëse në moshë madhore, këshillohen së bashku rreth mënyrës se si ta përmbushin këtë vepër. Për më shumë informacion rreth veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit, studioni kapitullin 1.

11.2.1

Të Jetuarit e Ungjillit të Jezu Krishtit

11.2.1.1

Rolet e Prindërve dhe të Udhëheqëseve

Prindërit janë përgjegjës që t’ua mësojnë ungjillin fëmijëve të tyre dhe t’i ndihmojnë ata që ta jetojnë atë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:25–28). Peshkopata, udhëheqëset e Të Rejave dhe presidencat e klasave i përkrahin prindërit në këtë përgjegjësi si vijon:

  • Inkurajojnë komunikimin midis të rejave dhe familjeve të tyre.

  • Sigurojnë që aktivitetet e rinisë i përkrahin dhe bekojnë familjet.

  • I ndihmojnë prindërit për t’i përgatitur bijat e tyre për dhurimin në tempull, shërbimin misionar kohëplotë (nëse të rejat dëshirojnë), martesën në tempull dhe mëmësinë.

Udhëheqëset duhet të jenë të ndjeshme ndaj të rejave që nuk kanë përkrahje nga familja për ta jetuar ungjillin.

Prindërit dhe udhëheqëset përpiqen fort që të jenë shembuj të mirë për të rejat. Ata i këshillojnë të rejat në përpjekjet e tyre për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti. Programi Fëmijët dhe Rinia mund të ndihmojë në këto përpjekje (shihni ChildrenandYouth.ChurchofJesusChrist.org).

11.2.1.2

Të Mësuarit e Ungjillit

Udhëheqëset dhe presidencat e klasave të Të Rejave i nxitin të rejat dhe familjet e tyre që ta mësojnë ungjillin në shtëpi. Udhëheqëset e studiojnë ungjillin dhe u tregojnë të rejave për atë që mësojnë. Ato i ftojnë anëtaret e klasës të tregojnë në kishë atë që po mësojnë në shtëpi.

Klasat e Të Rejave mblidhen të dielave për të forcuar besimin, për të ndërtuar unitet, për t’i forcuar familjet dhe shtëpitë, si dhe për të bërë plane që të përmbushin veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Presidencat e klasave, të përkrahura nga udhëheqëse në moshë madhore, planifikojnë mbledhjet e së dielës.

Mbledhjet e klasave zhvillohen në të dielat e dyta dhe të katërta të muajit. Ato zgjatin 50 minuta. Një anëtare e presidencës së klasës drejton. Ajo e udhëheq klasën në përsëritjen e temës dhe këshillimin së bashku rreth detyrave dhe çështjeve të tjera.

Një anëtare e klasës ose një udhëheqëse në moshë madhore më pas udhëheq mësimdhënien e ungjillit. Presidencat e klasave këshillohen me udhëheqëset në moshë madhore rreth personit që duhet të japë mësim. Përvijimet e mbledhjeve gjenden tek Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave (shihni ejamendiq.churchofjesuschrist.org).

Nëse një lagje ka më shumë se një klasë të Të Rejave, ato takohen veç e veç. Sidoqoftë, ato mund të takohen së bashku kur ka një nevojë të veçantë. Të rejat dhe të rinjtë mund të mblidhen bashkë me raste për një orë mësimi të dielën, siç bashkërendohet nga peshkopata dhe presidenca e Të Rejave.

Të rejat nxiten që të marrin pjesë në seminar (shihni 15.1).

11.2.1.3

Shërbimi dhe Aktivitetet

Presidencat e klasave, të përkrahura nga udhëheqëse në moshë madhore, planifikojnë shërbimin dhe aktivitetet. Këto duhet të ndihmojnë për të përmbushur veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Shërbimi dhe aktivitetet duhet të ndërtojnë dëshmitë, të forcojnë familjet, të krijojnë unitet në klasa dhe të sigurojnë mundësi për t’i bekuar të tjerët. Ato duhet të baraspeshohen midis katër fushave të rritjes vetjake: shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale.

Shumica e aktiviteteve të rinisë zhvillohen në kohë të ndryshme nga mbrëmjet e të dielave ose të hënave. Ato zhvillohen zakonisht çdo javë. Në disa zona, largësia, siguria ose faktorë të tjerë i bëjnë jopraktike aktivitetet e përjavshme. Në këto zona, aktivitetet mund të zhvillohen më rrallë, por në përgjithësi ato duhet të zhvillohen të paktën çdo muaj. Aktivitetet mund të planifikohen te Planifikuesi Model i Shërbimeve dhe Aktiviteteve, në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.

Disa shërbime dhe aktivitete duhet të përfshijnë si të rinj edhe të reja, veçanërisht për të rinjtë e të rejat më të mëdhenj në moshë.

Rinia mund të përfitojë nga shoqërimi në grupe më të mëdha. Me raste, të rinjtë e të rejat në dy ose më shumë lagje mund të mblidhen së bashku për shërbim dhe aktivitete. Me raste, kunjet ose distriktet mund të planifikojnë shërbim dhe aktivitete për rininë.

Udhëheqësit/et në moshë madhore ndihmojnë për të siguruar që aktivitetet të jenë të sigurta (shihni safety.ChurchofJesusChrist.org; shihni edhe 20.7 në këtë manual). Të paktën dy udhëheqës/e të përgjegjshëm/me në moshë madhore duhet të jenë të pranishëm/me në të gjitha aktivitetet (shihni 11.6.1).

Për më shumë informacion, shihni YoungWomen.ChurchofJesusChrist.org. Shihni edhe JustServe.org atje ku është në dispozicion. Këto burime sigurojnë ide për shërbim dhe aktivitete.

Aktivitetet Vjetore. Përveç aktiviteteve të rregullta të rinisë, çdo vit të rejat mund të marrin pjesë edhe në sa vijon:

  • Një mbledhje për të rinjtë e të rejat dhe prindërit e tyre pranë fillimit të vitit. Ajo mund të zhvillohet për të rinjtë dhe të rejat veç e veç ose së bashku. Gjithashtu mund të zhvillohet në nivel lagjeje ose kunji. Ajo planifikohet dhe udhëhiqet nga ndihmësit e peshkopit në kuorumin e priftërinjve dhe presidenca e klasës me moshën më të madhe të Të Rejave. Të rejat që mbushin 12 vjeçe gjatë vitit, mund t’i marrin gjatë kësaj mbledhjeje emblemat e tyre të përkatësisë (shihni 11.6.3). Për më shumë informacion, shihni ChildrenandYouth.ChurchofJesusChrist.org.

  • Një kamp i Të Rejave (shihni Udhëzuesi për Kampin e Të Rejave). Të rejat mund të marrin pjesë në kampe me fjetje, veprimtari dhe aktivitete të tjera gjatë gjithë vitit, atje ku janë të realizueshme.

  • Një konferencë lagjeje ose kunji për rininë ose një konferencë Për Forcën e Rinisë (FSY). Për informacion rreth konferencave të FSY‑së, shihni FSY.ChurchofJesusChrist.org. Për informacion rreth thirrjeve dhe përgjegjësive në lagje dhe kunj për FSY‑në, shihni FSYLeader.ChurchofJesusChrist.org (për SHBA‑në dhe Kanadanë) ose Udhëzuesin mbi Planifikimin e FSY‑së (për të gjitha zonat e tjera).

  • Të paktën një aktivitet që thekson standardet te broshura Për Forcën e Rinisë. Kjo ngjarje mund të përfshijë si të rinjtë ashtu edhe të rejat. Mund të ftohen edhe prindërit.

Kriteret e Moshës. Me miratimin e prindërve të tyre, të rejat mund të frekuentojnë kampe me fjetje për Të Rejat duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 12 vjeçe. Ato mund të frekuentojnë mbrëmje vallëzimi, konferenca rinie dhe konferenca FSY‑je duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 14 vjeçe. Megjithatë, ato duhet të jenë të paktën 16 vjeçe përpara se të dalin në takime (shihni Për Forcën e Rinisë [2011], f. 4).

Pagesa për Aktivitetet. Aktivitetet, përfshirë furnizimet, paguhen nga buxheti i lagjes. Udhëtimi dhe shpenzimet nuk duhet të jenë të tepruara.

Si përjashtim, nëse buxheti i lagjes nuk ka fonde të mjaftueshme për të paguar për aktivitete shumëditore, të tilla si kampet, udhëheqësit mund t’u kërkojnë pjesëmarrëseve të ndihmojnë për të paguar për to. Megjithatë, një e re nuk duhet të pengohet që të marrë pjesë nëse ajo nuk ka mundësi të paguajë. Nëse nevojiten ende më shumë para, peshkopi mund të autorizojë çdo vit një aktivitet për të mbledhur fonde (shihni 20.6.5).

Peshkopata siguron që buxheti dhe aktivitetet për të rejat dhe të rinjtë të jenë të mjaftueshme dhe të ndara në mënyrë të paanshme. Buxheti për të rejat bazohet në numrin e të rejave në lagje. Buxheti për kuorumet e Priftërisë Aarone bazohet në numrin e të rinjve në lagje.

Pamja
të reja duke bërë një ndeshje me pistona uji

Shihni FSY.ChurchofJesusChrist.org për informacion rreth financimit të konferencave të FSY‑së.

11.2.1.4

Zhvillimi Vetjak

Gjatë përpjekjeve të tyre për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari, të rinjtë dhe të rejat ftohen të vendosin synime që të rriten nga ana shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale (shihni te Lluka 2:52). Të rinjtë e të rejat kërkojnë frymëzim për të zbuluar gjërat me të cilat kanë nevojë të punojnë. Me ndihmë nga prindërit, ata bëjnë plane, veprojnë sipas planeve të tyre dhe reflektojnë për atë që mësojnë. Udhëheqëset gjithashtu ofrojnë përkrahje sipas nevojës. Sidoqoftë, ato nuk duhet t’i kontrollojnë synimet ose përparimin e të rejave. Prindërit dhe udhëheqësit/et mund të sugjerojnë synime, por i lejojnë të rinjtë e të rejat të kërkojnë frymëzimin e tyre vetjak se cilat synime të ndjekin.

Të rinjtë e të rejat nxiten që të përfundojnë çdo vit të paktën dy synime në secilën prej të katër fushave. Ata mund të përdorin broshurën Zhvillimi Vetjak: Libër Udhëzues për Rininë ose programin kompjuterik Gospel Living [Të Jetuarit e Ungjillit] që të vendosin dhe të mbajnë shënim synimet.

Për më shumë informacion, shihni ChildrenandYouth.ChurchofJesusChrist.org.

11.2.2

Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë

Të rejat duhet të kenë mundësi të rregullta për t’u shërbyer të tjerëve në familjet e tyre, si dhe të shërbejnë me familjet e tyre, gjatë aktiviteteve të rinisë dhe kur janë vetëm. Ide për shërbim janë në dispozicion te ChildrenandYouth.ChurchofJesusChrist.org. Atje ku është në dispozicion, faqja JustServe.org sugjeron mundësi për shërbim në komunitet.

11.2.2.1

Dhënia e Shërbesës

Dhënia e shërbesës është përkujdesje për të tjerët sikurse do të përkujdesej Shpëtimtari. Të rejat mund të marrin detyra për dhënie shërbese duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 14 vjeçe. Për më shumë informacion, shihni kapitullin 21.

11.2.3

Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Pranojnë Ungjillin

Të rejat i ftojnë të gjithë njerëzit ta pranojnë ungjillin kur ato “qëndro[jnë] si dëshmitar[e] të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9). Më poshtë renditen disa mënyra se si mund ta bëjnë këtë:

  • Të japin një shembull të mirë si dishepulle të Jezu Krishtit.

  • T’ua thonë dëshmitë e tyre shokëve, shoqeve dhe pjesëtarëve të familjes.

  • T’u japin shërbesë anëtareve më pak aktive në klasat e tyre.

  • Të ftojnë shokë e shoqe që të frekuentojnë kishën ose aktivitetet e rinisë.

  • Të ftojnë shokë e shoqe që të marrin pjesë në programin Fëmijët dhe Rinia. Udhëheqësit/et punojnë ngushtësisht me prindërit e këtyre të rejave për t’i ndihmuar që ta kuptojnë programin dhe të përcaktojnë se si do të duan të përfshihen ata dhe fëmijët e tyre.

  • Të ftojnë shokë e shoqe që të marrin mësime nga misionarët.

Prindërit dhe udhëheqëset i nxitin të rejat që të përgatiten për ta shpërndarë ungjillin gjatë gjithë jetës së tyre. Më poshtë renditen disa mënyra se si mund ta bëjnë këtë:

  • T’i nxitin të rejat të fitojnë dëshmi vetjake për planin e Atit Qiellor për lumturinë, Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe rivendosjen e ungjillit të Tij.

  • T’u sigurojnë mundësi për të shërbyer në Kishë.

  • Të sigurojnë mundësi për ta dhënë mësim ungjillin në mbledhjet e klasave dhe në mjedise të tjera.

Nëse të rejat dëshirojnë të shërbejnë në misione kohëplota, prindërit dhe udhëheqëset i ndihmojnë të përgatiten. Kjo përfshin që atyre t’u jepet mësim rreth bekimeve dhe pritshmërive nga puna misionare kohëplotë.

Si pjesë e kësaj përgatitjeje, peshkopata ose presidenca e kunjit mund të organizojë një klasë përgatitore për misionaret. Burimet kryesore për këtë klasë janë shkrimet e shenjta, Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit dhe manuali Predikoni Ungjillin Tim. Kjo klasë nuk mbahet gjatë mbledhjeve të rregullta të së dielës.

Missionary.ChurchofJesusChrist.org siguron burime shtesë që mund t’i ndihmojnë të rejat të cilat dëshirojnë të përgatiten për të shërbyer në një mision. Shihni kapitujt 23 dhe 24 për më shumë informacion.

11.2.4

Bashkimi i Familjeve për Përjetësinë

Të rejat mund të ndihmojnë për t’i bashkuar familjet për përjetësinë në shumë mënyra. Më poshtë renditen disa nga këto mënyra:

  • Të nderojnë prindërit e tyre dhe të japin një shembull të të jetuarit si Krishti në shtëpinë e tyre.

  • Të përgatiten që të kenë familjen e vet të përjetshme.

  • Të jenë të denja për një rekomandim tempulli.

  • Të përgatiten për të marrë ordinanca në tempull, përfshirë martesën e përjetshme.

  • Të mësojnë për rrethin e tyre të gjerë familjar dhe për paraardhësit e tyre (shihni Familja Ime: Histori që na Bashkojnë).

  • Të përcaktojnë paraardhësit që kanë nevojë për ordinanca në tempull (shihni FamilySearch.org).

  • Të marrin pjesë në pagëzime dhe konfirmime për të vdekurit aq shpesh sa ta lejojnë rrethanat.

  • Të marrin pjesë në indeksim (shihni FamilySearch.org/indexing).

  • Të shërbejnë si këshilluese për tempullin dhe historinë familjare, siç thirren nga peshkopata (shihni 25.2.4).

11.3

Udhëheqja e Të Rejave në Lagje

11.3.1

Peshkopata

Përgjegjësia më e rëndësishme e peshkopit është që të kujdeset për të rejat dhe të rinjtë në lagjen e tij. Ai dhe këshilltarët e tij i mësojnë emrat e tyre dhe i kuptojnë rrethanat në shtëpitë e tyre. Ata takohen me secilën të re të paktën dy herë në vit (shihni 31.3.1).

Peshkopi ka përgjegjësi për organizatën e Të Rejave në lagje. Ai takohet rregullisht me presidenten e Të Rejave. Ai raporton mbi çështjet e Të Rejave në mbledhjet e peshkopatës.

Peshkopi dhe këshilltarët e tij marrin pjesë rregullisht në mbledhjet, shërbimin dhe aktivitetet e Të Rejave. Nëse ka klasa të shumta të Të Rejave, peshkopi mund ta caktojë veten dhe këshilltarët e tij që të punojnë me klasa të caktuara.

11.3.2

Presidenca në Moshë Madhore e Të Rejave

Peshkopi thërret dhe veçon një motër në moshë madhore që të shërbejë si presidente e Të Rejave në lagje. Nëse njësia është mjaft e madhe, ajo rekomandon një ose dy gra në moshë madhore që të thirren si këshilltaret e saj (shihni kapitullin 30). Peshkopata i merr në shqyrtim rekomandimet e saj dhe jep thirrjet.

Në një njësi të vogël, presidentja e Të Rejave mund të jetë e vetmja udhëheqëse në moshë madhore që thirret në organizatën e Të Rejave. Në këtë rast, ajo punon me prindërit që të organizojë mësimdhënien dhe aktivitetet për të rejat. Ajo gjithashtu siguron që të paktën dy gra të përgjegjshme në moshë madhore të jenë të pranishme në të gjitha mbledhjet dhe aktivitetet. Kur është e mundur, duhet të thirren këshilltare dhe një sekretare.

Nëse një degë nuk ka një presidente të Të Rejave, presidentja e Shoqatës së Ndihmës mund ta organizojë mësimdhënien për të rejat derisa të thirret një presidente e Të Rejave.

Pamja
një grua dhe një e re duke biseduar

Presidentja e Të Rejave ka përgjegjësitë vijuese. Këshilltaret e saj e ndihmojnë atë.

  • Të shërbejë në këshillin e lagjes. Ajo shërben si 1) anëtare e këshillit të lagjes që ndihmon për të trajtuar nevojat në lagje dhe për të gjetur zgjidhje, dhe si 2) përfaqësuese për Të Rejat (shihni 29.2.5).

  • Të shërbejë si anëtare e këshillit të lagjes për rininë (shihni 29.2.6).

  • T’u japë shërbesë të rejave veç e veç.

  • T’i dorëzojë peshkopatës rekomandime për motrat që të shërbejnë në organizatën e Të Rejave.

  • T’u mësojë përgjegjësitë e tyre udhëheqëseve të tjera të Të Rejave dhe presidencave të klasave.

  • Të këshillohet me të rejat rreth sfidave që nuk kërkojnë ndërhyrjen e peshkopit ose nuk përfshijnë keqtrajtim (shihni 32.3, 31.3.1 dhe 38.6.2).

  • Të këshillojë presidencat e klasave për përgjegjësitë e tyre udhëheqëse. Secila klasë ndihmohet dhe mbikëqyret nga një anëtare e caktuar e presidencës së Të Rejave.

  • T’i përkrahë të rejat që shërbejnë si shoqëruese të motrave në moshë madhore në dhënien e shërbesës (shihni 21.2.2)

  • Të zhvillojë rregullisht mbledhjet e presidencës së Të Rejave dhe të takohet me peshkopin.

  • Të mbikëqyrë dokumentet, raportet, buxhetin dhe financat e organizatës së Të Rejave.

11.3.3

Pamja
ikonë, orientimet për përshtatjen
Sekretarja

Nëse njësia është mjaft e madhe, presidentja e Të Rejave i rekomandon peshkopit një motër në moshë madhore që të shërbejë si sekretarja e Të Rejave. Sekretarja mund të ketë përgjegjësitë vijuese:

  • Të ndihmojë presidencën e Të Rejave për të përgatitur rendin e ditës për mbledhjet e presidencës. Ajo merr pjesë në këto mbledhje, mban shënime dhe ndjek ecurinë e detyrave.

  • Të udhëzojë sekretaret e klasave dhe t’i ndihmojë ato të mbajnë regjistra të frekuentimit.

  • Të ndihmojë presidencën e Të Rejave që të përgatitë një buxhet dhe të mbajë përgjegjësi për shpenzimet.

11.3.4

Presidenca e Klasës dhe Sekretarja

11.3.4.1

Thirrja, Mbështetja dhe Veçimi

Secila klasë e Të Rejave duhet të ketë një presidencë klase. Presidenca e Të Rejave mund të rekomandojë të reja që të shërbejnë si presidente të klasave. Anëtarët e peshkopatës me lutje këshillohen së bashku për të vendosur se kë të thërrasin.

Një anëtar i peshkopatës e thërret një të re për të shërbyer si presidente e një klase. Kur ka mjaft të reja që të shërbejnë, ajo me lutje merr parasysh anëtare të klasës për t’i rekomanduar si këshilltare dhe një sekretare. Peshkopata i merr në shqyrtim rekomandimet e saj dhe i bën thirrjet.

Përpara se t’i kërkojë një të reje që të shërbejë në ndonjë nga këto thirrje, anëtari i peshkopatës kërkon leje nga prindërit e të resë.

Pas dhënies së këtyre thirrjeve, një anëtar i peshkopatës ua paraqet të rejat për votë mbështetëse klasës së tyre. Peshkopi ose një këshilltar i caktuar i veçon të rejat.

Një anëtar i peshkopatës i njofton këto thirrje në mbledhjen e sakramentit. Ai nuk kërkon një votë mbështetëse.

Pak kohë pasi veçohen presidencat e klasave, një anëtar i peshkopatës duhet t’i orientojë ato për përgjegjësitë e tyre. Shihni broshurën “Orientim për Presidencat e Kuorumeve të Priftërisë Aarone dhe të Klasave të Të Rejave” te YoungWomen.ChurchofJesusChrist.org; shihni edhe kapitullin 4 të këtij manuali.

11.3.4.2

Përgjegjësitë

Presidentet e klasave shërbejnë në këshillin e lagjes për rininë (shihni 11.3.4.4). Presidencat e klasave gjithashtu kanë përgjegjësitë vijuese:

  • T’i udhëheqin përpjekjet e klasave që të marrin pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shihni kapitullin 1).

  • Të arrijnë ta njohin dhe t’i shërbejnë secilës së re, përfshirë ato që nuk i frekuentojnë mbledhjet e klasave. Të jenë në dijeni për nevojat dhe rrethanat e tyre.

  • Të marrin pjesë në përpjekjet e lagjes për të shpërndarë ungjillin dhe për t’i forcuar anëtaret e reja dhe anëtaret që po kthehen në aktivitet. Një anëtare e presidencës së klasës me moshën më të madhe të Të Rejave frekuenton mbledhjet bashkërenduese (shihni 23.5.7).

  • Të marrin pjesë në përpjekjet e lagjes për tempullin dhe historinë familjare. Një anëtare e presidencës së klasës me moshën më të madhe të Të Rejave merr pjesë në mbledhjet bashkërenduese (shihni 25.2.7).

  • Të planifikojnë e të drejtojnë mbledhjet e klasave të së dielës (shihni 11.2.1.2).

  • Të planifikojnë dhe kryejnë shërbimin dhe aktivitetet e klasave (shihni 11.2.1.3).

  • Të zhvillojnë rregullisht mbledhje të presidencës së klasave (shihni 11.3.4.3).

Kur thirren sekretare të klasave, ato përgatitin rendin e ditës për mbledhjet, mbajnë shënime dhe ndjekin ecurinë e frekuentimit.

Anëtaret e presidencës së Të Rejave ua mësojnë rregullisht presidencave të klasave përgjegjësitë e tyre (shihni 11.3.2). Këshillueset dhe specialistet e klasave duhet të ndihmojnë aktivisht (shihni 11.3.5 dhe 11.3.6).

11.3.4.3

Mbledhja e Presidencës së Klasës

Presidencat e klasave të Të Rejave mblidhen rregullisht. Presidentja e klasës i drejton këto mbledhje. Gjithashtu marrin pjesë udhëheqëset në moshë madhore të Të Rejave që u caktuan për ta përkrahur presidencën e klasës. Gjatë këtyre mbledhjeve, udhëheqëset këshillohen së bashku dhe kërkojnë zbulesë rreth vullnetit të Zotit për klasat e tyre. Rendi i ditës mund të përfshijë diskutimin për pikat vijuese:

  • Përmbushjen e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit

  • Shërbimin ndaj anëtareve të klasës, me vëmendje të veçantë te përkrahja e anëtareve të reja dhe ndihma e ofruar ndaj anëtareve më pak aktive

  • Afrimin me njerëz të besimeve dhe bindjeve të tjera fetare

  • Planifikimin e mbledhjeve, të shërbimit dhe të aktiviteteve të klasave

  • Udhëzimet për udhëheqjen nga udhëheqëset në moshë madhore të Të Rejave ose një anëtare e presidencës së klasës

Një Shembull i Rendit të Ditës për Mbledhjen e Presidencës është në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.

11.3.4.4

Këshilli i Lagjes për Rininë

Qëllimi i këshillit të lagjes për rininë është ta ndihmojë rininë për të sjellë njerëz të tjerë te Jezu Krishti dhe për të ndihmuar në përmbushjen e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit.

Peshkopi kryeson mbi këshillin e lagjes për rininë. Anëtarët e këtij këshilli përfshijnë:

  • Peshkopatën.

  • Njërin nga ndihmësit e peshkopit në kuorumin e priftërinjve, presidentin e kuorumit të mësuesve dhe presidentin e kuorumit të dhjakëve.

  • Presidentet e klasave të Të Rejave (ose tërë presidencën e klasës nëse lagjja ka vetëm një klasë Të Rejash).

  • Presidenten e Të Rejave.

Këshilli i lagjes për rininë diskuton mënyrat se si të ndihmohen njerëzit e tjerë që të ndërtojnë dëshmi, të marrin ordinancat shpëtuese, t’i mbajnë besëlidhjet dhe të bëhen pasues të përkushtuar të Jezu Krishtit (shihni te Moroni 6:4–5). Pjesëtarët e tij këshillohen së bashku rreth nevojave të të rejave dhe të rinjve në lagje. Ata mund të diskutojnë për aktivitete që i plotësojnë këto nevoja. Gjithsesi, planifikime të hollësishme të aktiviteteve duhet të ndodhin në mbledhjet e presidencave të kuorumeve ose të klasave.

Shihni 29.2.6 për më shumë informacion rreth këshillit të lagjes për rininë.

11.3.5

Pamja
ikonë, orientimet për përshtatjen
Këshillueset

Presidenca e Të Rejave mund të rekomandojë që peshkopata të thërrasë këshilluese të Të Rejave. Secila këshilluese punon me një grupmoshë të caktuar të të rejave.

Këshillueset kanë përgjegjësitë vijuese:

  • Të ndihmojnë presidencën e Të Rejave në përgjegjësitë e saj.

  • T’i përkrahin dhe udhërrëfejnë presidencat e klasave teksa mësojnë dhe i kryejnë përgjegjësitë e tyre.

  • Të japin mësimet e së dielës sipas nevojës. T’i ndihmojnë të rejat të cilat janë ftuar të japin një mësim, që të përgatiten dhe ta japin mësimin në mënyrë të efektshme.

  • Të frekuentojnë aktivitetet e klasës.

  • Të frekuentojnë mbledhjet e presidencës së Të Rejave për lagjen kur ftohen.

Të paktën dy gra të përgjegjshme në moshë madhore duhet të jenë të pranishme në çdo mbledhje dhe aktivitet të klasës. Këshillueset duhet të kryejnë trajnimin te ProtectingChildren.ChurchofJesusChrist.org (shihni 11.6.1).

Pamja
të reja duke qepur

11.3.6

Pamja
ikonë, burime jo të detyrueshme
Specialistet

Atje ku nevojitet, presidenca e Të Rejave mund të rekomandojë që peshkopata të thërrasë specialiste për të ndihmuar me një ngjarje të veçantë, të tillë si një kamp, një konferencë të rinisë ose aktivitete sportive.

Të gjitha specialistet shërbejnë nën drejtimin e presidencës së Të Rejave në lagje.

Specialistet duhet ta kryejnë trajnimin te ProtectingChildren.ChurchofJesusChrist.org (shihni 11.6.1).

11.4

Ndihma ndaj Të Rejave që të Përgatiten për t’u Bashkuar me Shoqatën e Ndihmës

Një e re mund të bashkohet me Shoqatën e Ndihmës kur mbush moshën 18 vjeçe. Kur arrin moshën 19 vjeçe, çdo e re duhet të jetë duke marrë pjesë plotësisht në Shoqatën e Ndihmës. Në disa raste, një e re mund të bashkohet me Shoqatën e Ndihmës përpara ditëlindjes së saj të 18‑të. Çdo e re këshillohet me prindërit dhe peshkopin e saj për të vendosur se çfarë do ta ndihmojë më mirë atë që ta forcojë besimin e saj te Jezu Krishti.

Prindërit dhe udhëheqëset e Të Rejave dhe të Shoqatës së Ndihmës punojnë së bashku për ta ndihmuar secilën të re që të përparojë me sukses në Shoqatën e Ndihmës. Këto udhëheqëse sigurojnë mundësi të vazhdueshme që të rejat dhe motrat e Shoqatës së Ndihmës të krijojnë lidhje dhe të zhvillojnë marrëdhënie.

11.5

Pamja
ikonë, orientimet për përshtatjen
Udhëheqëset e Të Rejave në Kunj

Një anëtar i presidencës së kunjit thërret një grua në moshë madhore për të shërbyer si presidente e Të Rejave në kunj. Nëse një kunj është mjaft i madh, ajo rekomandon një ose dy gra në moshë madhore që të shërbejnë si këshilltare dhe një tjetër që të shërbejë si sekretare. Këto gra thirren dhe veçohen nga një anëtar i presidencës së kunjit ose nga një këshilltar i lartë i caktuar. Për informacion rreth përgjegjësive të presidencës dhe sekretares së Të Rejave në kunj, shihni 6.7.1 dhe 6.7.3.

Një këshilltar në presidencën e kunjit ka përgjegjësinë për organizatën e Të Rejave në kunj. Ai gjithashtu ka përgjegjësinë për punën e presidencës së Të Rejave në kunj. Ai gjithashtu i udhëzon peshkopët në përgjegjësitë e tyre lidhur me të rejat.

Presidenca e kunjit cakton një këshilltar të lartë për të punuar me presidencën e Të Rejave në kunj (shihni 6.5). Ky këshilltar i lartë, presidenca dhe sekretarja e Të Rejave shërbejnë në komitetin e kunjit të udhëheqjes së rinisë (shihni 29.3.10).

Pamja
të reja në klasë

11.6

Orientime dhe Rregullore Shtesë

11.6.1

Mbrojtja e Rinisë

Kur personat në moshë madhore po ndërveprojnë me rininë në mjediset e Kishës, duhet të jenë të pranishëm të paktën dy persona të përgjegjshëm në moshë madhore. Mund të jetë e nevojshme të ndërthuren klasat që kjo të bëhet e mundur.

Të gjithë personat në moshë madhore që punojnë me rininë, duhet ta kryejnë trajnimin për fëmijët dhe rininë brenda një muaji nga dita e mbështetjes (ProtectingChildren.ChurchofJesusChrist.org). Ata e përsëritin trajnimin çdo tre vjet pas kësaj.

Për informacion rreth mënyrës se si këto orientime gjejnë zbatim për shoqërueset shërbestare, shihni 21.2.2.

11.6.2

Të Rejat me Aftësi të Kufizuara

Presidencat e klasave u kushtojnë kujdes të veçantë të rejave që kanë aftësi të kufizuara. Për informacion rreth ndihmës për këto të reja, shihni disability.ChurchofJesusChrist.org.

11.6.3

Emblemat e Programit Fëmijët dhe Rinia

Të rejat marrin emblema si pjesë e programit Fëmijët dhe Rinia. Çdo e re duhet të marrë një emblemë të përkatësisë nga presidenca e klasës së saj kur ajo bëhet anëtare e Të Rejave. Ajo gjithashtu merr një kopje të broshurës Zhvillimi Vetjak: Libër Udhëzues për Rininë. Kjo mund të bëhet kur presidenca e klasës dhe udhëheqëset në moshë madhore të Të Rejave takohen me të për ta mirëpritur tek Të Rejat. Gjithashtu mund të bëhet në një mbledhje vjetore për rininë dhe prindërit e tyre (shihni 11.2.1.3).

Në janar të vitit kur një e re mbush moshën 18 vjeçe, ajo merr një emblemë tjetër të përkatësisë.

Të rejat mund të marrin një emblemë të arritjes kur përpiqen fort që të bëhen më shumë si Shpëtimtari.

Për më shumë informacion rreth emblemave, shihni ChildrenandYouth.ChurchofJesusChrist.org.