Manualet dhe Thirrjet
4. Udhëheqja dhe Këshillat në Kishën e Jezu Krishtit


“4. Udhëheqja dhe Këshillat në Kishën e Jezu Krishtit”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2021).

“4. Udhëheqja dhe Këshillat në Kishën e Jezu Krishtit”, Manuali i Përgjithshëm.

Pamja
mbledhje e këshillit të lagjes

4.

Udhëheqja dhe Këshillat në Kishën e Jezu Krishtit

4.0

Parathënia

Si një udhëheqës/e në Kishë, ju jeni thirrur me anë të frymëzimit nëpërmjet shërbëtorëve të autorizuar të Zotit. Ju keni privilegjin të ndihmoni në veprën e Atit Qiellor që “të bë[ni] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Ju e bëni këtë duke i nxitur anëtarët që të përfshihen në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit për veten e tyre, për familjet e tyre dhe për të tjerët (shihni te kapitulli 1). Ju do të gjeni gëzim kur u shërbeni fëmijëve të Perëndisë.

Duke ndjekur shembullin e Jezu Krishtit, ju shpesh do t’u shërbeni të tjerëve një e nga një. Gjithashtu do të keni mundësi që të siguroni udhëheqje në mbledhjet dhe aktivitetet e Kishës. Përveç këtyre, ju mund të jepni shërbim të rëndësishëm nëpërmjet këshillave. Këto mund të përfshijnë mbledhjet e presidencës, mbledhjet e këshillit të lagjes dhe mbledhje të tjera. Pjesët 4.3 dhe 4.4 japin orientime për këshillat e efektshëm. Hollësitë rreth mbledhjeve të caktuara të këshillave jepen në kapitullin 29.

Shërbimi juaj i përkushtuar kërkon një sakrifikim të kohës, por mos i lini pas dore nevojat tuaja vetjake dhe nevojat e familjes suaj. Kërkoni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë që t’ju ndihmojë të baraspeshoni dhe të përmbushni përgjegjësitë tuaja (shihni te Mosia 4:27).

4.1

Qëllimi i Udhëheqjes në Kishë

Udhëheqësit i nxitin anëtarët të përfshihen në veprën e Perëndisë duke u bërë “pasues të vërtetë të … Jezu Krisht[it]” (Moroni 7:48). Për ta bërë këtë, udhëheqësit së pari përpiqen fort të jenë dishepuj besnikë të Shpëtimtarit, duke i ndjekur mësimet dhe shembullin e Tij (shihni te Lluka 18:22). Atëherë ata mund t’i ndihmojnë të tjerët që t’i afrohen më shumë Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe Frymës së Shenjtë. Në procesin e ndihmës ndaj të tjerëve, ata bëhen vetë dishepuj më të mirë (shihni te Mosia 18:26; Doktrina e Besëlidhje 31:5).

Të jesh një dishepull besnik me qëllim që të ndihmosh të tjerët të bëhen dishepuj besnikë, është qëllimi që ka çdo thirrje në Kishë. Secila thirrje përfshin mundësi për t’u shërbyer të tjerëve dhe për t’i udhëhequr e forcuar të tjerët.

4.2

Parimet e Udhëheqjes në Kishë

Gjatë shërbesës së Tij në tokë, Shpëtimtari dha shembullin e udhëheqjes për Kishën e Tij. Qëllimi i Tij kryesor ishte të bënte vullnetin e Atit të Tij Qiellor dhe t’i ndihmonte të tjerët ta kuptonin dhe ta jetonin ungjillin e Tij (shihni te Gjoni 5:30; Mosia 15:7). Ai i donte njerëzit që i udhëhoqi, dhe e tregoi atë dashuri duke u shërbyer atyre (shihni te Gjoni 13:3–5).

Shpëtimtari e ngriti aftësinë e të tjerëve duke u dhënë atyre përgjegjësinë dhe mundësitë për t’u rritur (shihni te Mateu 10:5–8; Gjoni 14:12). Ai nxiti dhe korrigjoi me qartësi e dashuri (shihni te Gjoni 21:15–17).

Zoti tha: “Çdo njeri duhet ta mësojë detyrën e tij dhe të veprojë në thirrjen që është caktuar, gjithë zell” (Doktrina e Besëlidhje 107:99). Këto fjalë gjejnë zbatim për të gjithë ata që marrin përgjegjësinë për të shërbyer dhe udhëhequr në Kishën e Shpëtimtarit.

Kërkoni udhërrëfimin e Zotit për t’ju ndihmuar që të mësoni dhe përmbushni detyrat e thirrjes suaj. Teksa i studioni shkrimet e shenjta, kërkoni parime udhëheqjeje të cilat i demonstroi dhe i dha mësim Shpëtimtari. Vënia në jetë e parimeve në këtë kapitull gjithashtu do t’ju ndihmojë të udhëhiqni më me efektshmëri në Kishën e Shpëtimtarit.

4.2.1

Përgatituni Shpirtërisht

Jezusi e përgatiti veten shpirtërisht për misionin e Tij në tokë (shihni te Lluka 4:1–2). Në të njëjtën mënyrë, ju përgatiteni shpirtërisht duke u afruar më pranë Atit Qiellor me anë të lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe bindjes ndaj urdhërimeve të Tij. Ndjekja e profetëve të Tij gjithashtu ju ndihmon të përgatiteni shpirtërisht (shihni te Doktrina e Besëlidhje 21:4–6).

Kërkoni zbulesë për të kuptuar nevojat e njerëzve që i udhëhiqni, dhe se si të përmbushni punën që Perëndia ju ka thirrur të bëni. Nëpërmjet përpjekjeve tuaja që t’i afroheni më shumë Zotit, ju mund të merrni udhërrëfim për jetën tuaj personale, përgjegjësitë familjare dhe thirrjen në Kishë.

Zoti gjithashtu ka premtuar të japë dhurata shpirtërore mbi ata që i kërkojnë ato (shihni te Doktrina e Besëlidhje 46:8). Kur i bëni thirrje përulësisht Atit Qiellor që t’i merrni këto dhurata, Ai do ta rritë aftësinë tuaj për të udhëhequr dhe për t’i ngritur shpirtërisht njerëzit të cilëve u shërbeni.

4.2.2

Jepuni Shërbesë të Gjithë Fëmijëve të Perëndisë

Jezusi u dha shërbesë personalisht njerëzve, duke iu afruar që t’i ngrinte dhe mësonte ata që ndiheshin të vetmuar, të pashpresë ose të humbur. Me anë të fjalëve dhe veprimeve të Tij, Ai u tregoi njerëzve se i donte. Ai e dalloi natyrën hyjnore dhe vlerën e përjetshme të çdo njeriu.

Duajini njerëzit të cilëve u shërbeni, ashtu siç i deshi Jezusi. Lutuni “me gjithë fuqinë e zemrës” që të mbusheni me dashurinë e Tij (Moroni 7:48). Krijoni miqësi të sinqerta. Ndihmojini ata që mund të jenë të vetmuar, që kanë nevojë për ngushëllim ose kanë nevoja të tjera. Dashuria juaj do ta bekojë jetën e tyre dhe do t’i ndihmojë njerëzit që të dëshirojnë të vijnë te Krishti.

Ndihmojini individët për ta thelluar kthimin e tyre në besim dhe për ta forcuar besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ndihmojini të përgatiten për të bërë besëlidhje kur të marrin ordinancën e tyre të ardhshme. Nxitini t’i mbajnë besëlidhjet që kanë bërë, dhe të marrin bekimet e pendimit. Ndihmojini të dinë se mund të përparojnë drejt përmbushjes së potencialit të tyre hyjnor, pavarësisht nga sfidat që hasin.

4.2.3

Jepeni Mësim Ungjillin e Jezu Krishtit

Të gjithë udhëheqësit janë mësues. Përpiquni fort që ta ndiqni shembullin e Shpëtimtarit si mësues (shihni te kapitulli 17; Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit). Nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tuaja, jepeni mësim doktrinën e Jezu Krishtit dhe parimet e ungjillit të Tij (shihni te 3 Nefi 11:32–33; Doktrina e Besëlidhje 42:12–14). Mësimdhënia efektive i frymëzon njerëzit që ta forcojnë marrëdhënien e tyre me Perëndinë dhe ta jetojnë ungjillin, duke përparuar drejt jetës së përjetshme.

Mësimdhënia sipas mënyrës së Shpëtimtarit është më shumë sesa të folurit; ajo përfshin të dëgjuarit dhe bërjen e pyetjeve sipas mënyrës që i bëri Ai (shihni te Mateu 16:13–17).

Mësuesit e efektshëm janë gjithashtu nxënës të zellshëm. Bëjeni studimin e fjalës së Perëndisë një përparësi të madhe në jetën tuaj. Kuptoni se të mësuarit është një proces që zgjat gjithë jetën. Përpiquni të mësoni nga të tjerët, përfshirë njerëzit të cilëve u jepni mësim. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:122.)

Jepni mësim nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 52:9). Mbani mend se “predikimi i fjalës … k[a] një ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve sesa … çdo gjë tjetër” (Alma 31:5).

Kërkoni ndikimin e Shpirtit ndërsa përgatiteni dhe jepni mësim. Fryma e Shenjtë e mbart të vërtetën brenda zemrës dhe mendjes së atyre të cilëve u jepni mësim (shihni te 2 Nefi 33:1).

Mësojuni anëtarëve që t’i përkushtohen studimit plot lutje të ungjillit si vetë ashtu edhe me familjet e tyre.

Nëse thirreni ose caktoheni të kryesoni në një mbledhje ose aktivitet të Kishës, sigurohuni që mësimdhënia është lartësuese dhe e saktë nga ana doktrinore (shihni te Doktrina e Besëlidhje 50:21–23).

4.2.4

Kryesoni me Drejtësi

Zoti dha si zbulesë se “është e nevojshme të ketë presidentë ose drejtues kryesues” në Kishën e Tij (Doktrina e Besëlidhje 107:21). Ata që mbajnë çelësat e priftërisë, kryesojnë në zonat e tyre të përgjegjësisë, të tilla si një kuorum ose lagje.

Organizata të tjera në Kishë, përfshirë Shoqatën e Ndihmës, Të Rejat, Filloren dhe Shkollën e së Dielës, gjithashtu udhëhiqen nga një drejtues kryesues. Këta udhëheqës thirren, veçohen dhe atyre u jepet autoritet i deleguar nga dikush që mban çelësat e priftërisë ose dikush që ai e ka autorizuar (shihni te 3.4.3).

Çdo drejtues/e kryesues/e shërben nën drejtimin e një personi që mban çelësat e priftërisë (shihni te 3.4.1). Kjo strukturë siguron rregull dhe linja të qarta të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë në bërjen e punës së Zotit.

Një drejtues kryesues mund t’i delegojë një personi tjetër një detyrë të përkohshme për të kryesuar. Për shembull, nëse një presidente e Shoqatës së Ndihmës do të mungonte në një mbledhje të Shoqatës së Ndihmës të dielën, ajo do të caktonte këshilltaren e saj të parë që të kryesonte mbledhjen. Nëse edhe këshilltarja e parë do të mungonte, presidentja do të caktonte këshilltaren e saj të dytë që të kryesonte.

Një udhëheqës që kryeson në një organizatë, mbledhje ose aktivitet të Kishës, siguron që të përmbushen qëllimet e Zotit. Për ta bërë këtë gjë, udhëheqësi ndjek parimet e ungjillit, rregulloret e Kishës dhe udhëzimin nga Fryma e Shenjtë.

Njerëzit që kryesojnë, ndjekin shembullin e Jezu Krishtit duke shërbyer me butësi, përulësi dhe dashuri të pastër (shihni te Gjoni 13:13–15). Një thirrje ose caktim për të kryesuar nuk e bën personin që e merr atë, më të rëndësishëm ose më të vlerësuar se të tjerët (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:109–110).

Nëse jeni thirrur ose caktuar të kryesoni, ndiqni mësimin e Shpëtimtarit se “kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë [shërbëtori] juaj” (Mateu 20:27; shihni vargjet 26–28). Këshillohuni me të tjerët dhe kërkoni unitet për të kuptuar vullnetin e Zotit dhe për të bërë punën e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 41:2; shihni edhe 4.4 në këtë manual).

Nuk është e urtë që të aspironi për të kryesuar në ndonjë organizatë në Kishën e Zotit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:37). Përkundrazi, shërbeni me përulësi e besnikëri në pozicionin në të cilin thirreni. Përpiquni fort të përmbushni veprën e Zotit me syrin drejtuar te lavdia e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 4:5). Mirëbesoni se Zoti do t’ju japë mundësi që të rriteni dhe t’i bekoni fëmijët e Atit Qiellor.

Pamja
mbledhje e lagjes

4.2.5

Delegojeni Përgjegjësinë dhe Siguroni Përgjegjshmëri

Shpëtimtari u dha dishepujve të Tij detyra dhe përgjegjësi kuptimplota (shihni te Lluka 10:1). Ai gjithashtu u dha atyre mundësinë për të treguar për punën që iu ishte dhënë ta bënin (shihni te Lluka 9:10).

Si udhëheqës/e, ju mund t’i ndihmoni të tjerët të rriten duke u deleguar detyra. Në këtë mënyrë ju gjithashtu do t’i ndihmoni të marrin bekimet që vijnë nga shërbimi. Përpiquni fort t’i përfshini të gjithë anëtarët në bërjen e veprës së Perëndisë.

Delegimi gjithashtu do ta bëjë shërbimin tuaj më të efektshëm. Nëse përpiqeni të bëni përtej mundësive, ju sigurisht do të “rraskapite[ni] … në fund” (Eksodi 18:18). Kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit se çfarë të delegoni, kështu që ju të mund të përqendroheni te përparësitë tuaja më të larta.

Delegimi është më shumë sesa dhënia e një detyre. Gjithashtu përfshin mësimdhënien dhe mirëbesimin te një person tjetër për ta përmbushur detyrën. Ai zakonisht përfshin elementet vijuese:

  • Takohuni me personin për ta ftuar atë që t’i shërbejë Zotit në një detyrë. Ndihmojeni personin të kuptojë detyrën dhe qëllimet e asaj detyre, përfshirë mënyrën se si shërbimi i tij ose i saj do t’i bekojë të tjerët.

  • Këshillohuni së bashku për detyrën, kush tjetër mund të përfshihet dhe kur do të mbarohet. Sigurohuni që personi e kupton dhe e pranon me gatishmëri detyrën e caktuar. Shprehni besimin tuaj tek aftësitë e tij ose të saj.

  • Nxiteni personin të kërkojë frymëzim për mënyrën se si ta përmbushë detyrën. Tregojeni mirëbesimin tuaj dhe ndihmojeni personin të jetë i suksesshëm. Jepni udhëzim dhe përkrahje sipas nevojës.

  • Herë pas here kërkojini personit të raportojë mbi detyrën. Pranojini përpjekjet më të mira të personit dhe shprehni vlerësim për atë që ai ose ajo ka bërë.

4.2.6

Përgatitni Njerëz të Tjerë që të Jenë Udhëheqës/e dhe Mësues/e

Shpëtimtari i përgatiti Apostujt e Tij që të bëheshin udhëheqës në Kishën e Tij. Po ashtu, ju i ndihmoni të tjerët të përgatiten për të qenë udhëheqës dhe mësues. Vepra e Zotit përqendrohet tek të ndihmuarit e njerëzve, jo thjesht në administrimin e programeve të Kishës. Këto programe nuk janë qëllime përfundimtare në vetvete. Ato ekzistojnë që t’i ndihmojnë njerëzit të rriten.

Jini plot lutje kur merrni parasysh se kush mund të shërbejë në thirrje ose detyra të Kishës. Mbani mend që Zoti do t’i kualifikojë ata që Ai i thërret. Çka është më e rëndësishmja, është se ata janë të gatshëm të shërbejnë, se do ta kërkojnë me përulësi ndihmën e Zotit dhe po përpiqen fort të jenë të denjë. Thirrjet dhe detyrat e caktuara mund t’i ndihmojnë të rriten duke u siguruar mundësi për ta ushtruar besimin e tyre, për të punuar shumë dhe për ta ndier që Perëndia po i lartëson përpjekjet e tyre. Jepuni udhërrëfim dhe ndihmë rinisë, anëtarëve të rinj dhe të tjerëve që mund të kenë nevojë për përkrahje më të madhe për të përmbushur thirrjet e tyre.

Nganjëherë i njëjti grup njerëzish thirren në mënyrë të përsëritur në pozicione udhëheqjeje. Kjo mund t’i mbingarkojë ata dhe familjet e tyre, si dhe të largojë mundësitë nga të tjerët. Përpiquni t’u jepni të gjithë anëtarëve mundësi për të shërbyer dhe për t’u rritur.

Për më shumë informacion rreth thirrjeve të Kishës, shihni te kapitulli 30.

4.2.7

Planifikoni Mbledhje, Mësime dhe Aktivitete me Qëllime të Qarta

Kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit në planifikimin e mbledhjeve, mësimeve dhe aktiviteteve që kanë qëllime të qarta. Këto qëllime duhet t’i forcojnë individët dhe familjet, t’i sjellin ata më pranë Krishtit dhe t’i ndihmojnë të përmbushin veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni te kapitujt 1 dhe 2). Kur bëni plane, ndiqni parimet te kapitujt 20 dhe 29.

Bëni plane afatgjata për organizatën tuaj. Mbani një kalendar vjetor. Përqendrohuni te nxitja e rritjes shpirtërore të anëtarëve.

4.2.8

Vlerësimi i Përpjekjeve Tuaja

Rishikoni rregullisht përgjegjësitë dhe rritjen tuaj shpirtërore si udhëheqës. Merreni në shqyrtim edhe rritjen e atyre që udhëhiqni. Udhëheqësit e njësive, kuorumeve të priftërisë dhe organizatave të tjera mund të shqyrtojnë treguesit kyç, raportin tremujor dhe raporte të tjera në sistemin Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit që të shohin se ku ka përparim dhe ku ka mundësi për rritje.

Suksesi juaj si udhëheqës matet kryesisht nga zotimi juaj për t’i ndihmuar fëmijët e Perëndisë të bëhen dishepuj besnikë të Jezu Krishtit. Ngaqë të gjithë njerëzit kanë liri të zgjedhjes, disa mund të zgjedhin të largohen nga shtegu i besëlidhjeve. Me raste kjo mund t’ju bëjë të humbisni kurajën, por kur i drejtoheni Zotit, Ai do t’ju lartësojë e ngushëllojë (shihni tek Alma 26:27). Ju mund ta dini që Zoti është i kënaqur me përpjekjet tuaja teksa e ndieni Shpirtin të veprojë përmes jush.

4.3

Këshillat në Kishë

Ati Qiellor ka krijuar këshilla si një pjesë të rëndësishme për marrjen e frymëzimit, marrjen e vendimeve dhe kryerjen e punës së Tij. Këshillat ekzistonin përpara se të krijohej bota. Secili prej nesh mori pjesë në këto këshilla përpara ardhjes në tokë. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:32; Abraham 3:22–28.)

Duke ndjekur këtë model, Kisha e Jezu Krishtit qeveriset nga këshillat në çdo nivel. Për shembull, Këshilli i Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (shihni te 5.1.1.1), Presidencat e Zonave (shihni te 5.2.1), presidencat e kunjeve dhe peshkopatat janë që të gjitha këshilla. Përveç këshillave të kunjit dhe lagjes, secila presidencë e një organizate, kuorumi ose klase të Kishës është gjithashtu një këshill.

Zoti i ka udhëzuar udhëheqësit e Kishës së Tij që të këshillohen së bashku në bërjen e punës së Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 41:2–3). Këshillat sigurojnë mundësi që anëtarët e këshillit të marrin zbulesë teksa përpiqen të kuptojnë nevojat e fëmijëve të Perëndisë dhe të planifikojnë se si t’i plotësojnë ato nevoja.

Pamja
dy burra duke biseduar

4.4

Parimet e Këshillave të Efektshëm

Disa parime për këshilla të efektshëm përvijohen në këtë pjesë. Këto parime mund t’i ndihmojnë udhëheqësit në këshillat e Kishës si edhe prindërit në këshillat e tyre familjare.

4.4.1

Qëllimet e Këshillave

Qëllimi kryesor i këshillave është që t’i ndihmojnë anëtarët për të punuar së bashku në kërkimin e udhërrëfimit hyjnor rreth çështjeve që do t’i bekojnë individët dhe familjet (shihni te Doktrina e Besëlidhje 43:8–9). Këshillat vënë theksim të veçantë në ndihmën ndaj anëtarëve që të marrin ordinancat dhe të mbajnë besëlidhjet që lidhen me to. Anëtarët e këshillave gjithashtu kërkojnë frymëzim rreth planifikimit dhe bashkërendimit të punës së Zotit në zonën e tyre të përgjegjësisë.

Njëfarë pune administrative, si për shembull planifikimi në kalendar, mund të mos kërkojë diskutim në një mjedis këshilli. Shumë prej kësaj pune mund të kryhet nëpërmjet komunikimit përpara dhe pas mbledhjeve.

Anëtarët e këshillit u kushtojnë vëmendje të veçantë individëve dhe familjeve me nevoja të ngutshme. Këshillat ndihmojnë për të bashkërenduar ndihmën. Për informacion rreth disa prej këtyre nevojave, së bashku me burimet për kuptueshmëri e ndihmë, shihni pjesën Life Help [Ndihmë për Jetën] në Gospel Library [Bibliotekën e Ungjillit].

4.4.2

Përgatitja për Mbledhjet e Këshillave

Presidencat dhe këshillat pritet që të takohen rregullisht. Secila presidencë dhe secili këshill ka një udhëheqës që është thirrur dhe veçuar. Këta udhëheqës kërkojnë udhërrëfimin e Zotit në mbledhjet planifikuese të këshillit. Ata gjithashtu kërkojnë informacion nga anëtarët e këshillit për të vendosur se çfarë të diskutojnë.

Udhëheqësit ua bëjnë të njohur që më parë çështjet për diskutim anëtarëve të këshillit. Anëtarët e këshillit përgatiten që të shprehin ide për këto çështje. Për këshillat e lagjeve dhe të kunjeve shumë prej kësaj përgatitjeje ndodh në mbledhjet e presidencës.

Anëtarët e këshillit e përgatitin veten shpirtërisht që të marrin pjesë në mbledhjet e këshillit. Ata përpiqen të jenë pranues ndaj nxitjeve të Shpirtit.

4.4.3

Diskutimi dhe Vendimet

Zoti tha: “Njëri duhet të flasë në një kohë dhe të gjithë të dëgjojnë thëniet e tij, që kur të gjithë të kenë folur, të gjithë të jenë lartësuar prej gjithçkaje dhe që cilido të ketë një privilegj të barabartë” (Doktrina e Besëlidhje 88:122). Ky parim zbatohet për këshillat e Kishës.

Gjatë një mbledhjeje të këshillit, udhëheqësi (ose dikush që udhëheqësi e cakton) shpjegon çështjen që po merret në shqyrtim. Udhëheqësi më pas e nxit diskutimin mes gjithë anëtarëve të këshillit, duke bërë pyetje dhe duke kërkuar ide.

Udhëheqësi i nxit anëtarët të flasin hapur dhe ndershmërisht. Rrethanat, moshat, përvojat dhe këndvështrimet e larmishme të anëtarëve të këshillit e pasurojnë këshillin. Anëtarët japin sugjerime dhe e dëgjojnë njëri-tjetrin me respekt. Ndërsa ata përpiqen të dinë vullnetin e Zotit, një shpirt frymëzimi dhe uniteti mund të mbizotërojë.

Në një këshill që përfshin gra e burra, udhëheqësi kërkon mendime dhe ide nga të dyja palët. Gratë dhe burrat shpesh kanë këndvështrime të ndryshme që sigurojnë drejtpeshimin e nevojshëm. Burrat dhe gratë marrin vendime më të mira dhe kanë sukses më të madh në shërbimin e Zotit teksa e vlerësojnë ndihmesën e njëri‑tjetrit dhe punojnë së bashku.

Një udhëheqës/e i orienton diskutimet e këshillit. Sidoqoftë, ai ose ajo duhet të dëgjojë më shumë sesa të flasë. Kur një udhëheqës/e i/e këshillit shpreh këndvështrimin e vet shumë herët, kjo gjë mund t’i pengojë ndihmesat e të tjerëve. Kur është e nevojshme, udhëheqësi/ja i/e këshillit me butësi e ridrejton ose përqendron sërish diskutimin.

Pas diskutimit, udhëheqësi/ja mund të vendosë ose për mënyrën e veprimit ose ta shtyjë vendimin ndërkohë që kërkon informacion dhe udhërrëfim të mëtejshëm. Vendimi duhet të informohet nga diskutimi dhe të pohohet nga Shpirti. Procesi i këshillave ndihmon që të dalin në dritë vendime të frymëzuara që shkojnë përtej gjykimit më të mirë të vetë një udhëheqësi. Udhëheqësi/ja mund t’ia referojë çështjen edhe një këshilli të ndryshëm.

Nganjëherë, anëtarët e këshillit mund të kenë ndjenja të parehatshme rreth një vendimi të rëndësishëm. Kur kjo ndodh, udhëheqësi mund të presë për një mbledhje tjetër që ta marrë parasysh çështjen më tej dhe të kërkojë pohim shpirtëror dhe unitet. Në disa raste, një anëtar i këshillit mund të dëshirojë që të takohet me udhëheqësin individualisht për të diskutuar shqetësimet e veta.

4.4.4

Uniteti

Zoti i udhëzoi dishepujt e Tij të “jen[ë] një” (Doktrina e Besëlidhje 38:27). Anëtarët e këshillit përpiqen të bëhen një në dëshirë dhe qëllim me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ata përpiqen fort për unitet në diskutimet dhe vendimet e tyre. Ata gjithashtu përpiqen të jenë “të një zemre dhe të një mendjeje” teksa punojnë së bashku (Moisiu 7:18).

Anëtarët e këshillit duhet t’i shmangin grindjen, gjykimin e padrejtë dhe thashethemet (shihni te 3 Nefi 11:28–30). Kur veprojnë në unitet, Ati Qiellor do t’i bekojë përpjekjet e tyre.

4.4.5

Veprimi dhe Përgjegjshmëria

Anëtarët e këshillit e kryejnë shumicën e punës së tyre përpara dhe pas mbledhjeve të këshillit. Gjatë mbledhjeve, ata kërkojnë frymëzim që të zhvillojnë plane për të vënë në zbatim vendimet. Udhëheqësi/ja i/e këshillit i fton anëtarët që të përmbushin detyra që lidhen me këto plane. Anëtarët e këshillave zakonisht ftojnë njerëz të tjerë në organizatën e tyre për të ndihmuar. Individët nuk duhet të mbingarkohen me detyra.

Anëtarët e këshillit raportojnë për detyrat e tyre. Përparimi zakonisht kërkon vëmendje përkrahëse dhe detyra për ndjekjen e ecurisë.

4.4.6

Konfidencialiteti

I gjithë informacioni vetjak duhet të trajtohet me respekt. Udhëheqësit/et përdorin pjekuri kur i japin një këshilli informacion vetjak. Ata zakonisht kërkojnë leje nga një anëtar/e për ta dhënë këtë informacion.

Këshilli i respekton dëshirat e kujtdo që kërkon konfidencialitet. Anëtarët e këshillit nuk duhet të japin informacion vetjak për dikë jashtë këshillit, në qoftë se nuk kërkohet për të përmbushur një detyrë nga udhëheqësi/ja i/e këshillit.

Disa materiale janë tepër të ndjeshme për t’u sjellë përpara tërë këshillit. Si të jetë e përshtatshme, udhëheqësit i rishikojnë këto çështje me anëtarët individualë të këshillit. Ose mund t’ia referojnë disa çështje një këshilli tjetër.