Eja, Më Ndiq
Ju Jeni një Mësues në Kishën e Jezu Krishtit


“Ju Jeni një Mësues në Kishën e Jezu Krishtit”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“Ju Jeni një Mësues në Kishën e Jezu Krishtit”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

Pamja
Jezusi duke u dhënë mësim njerëzve

Ju Jeni një Mësues në Kishën e Jezu Krishtit

Ju jeni thirrur nga Perëndia për t’u dhënë mësim fëmijëve të Tij sipas mënyrës së Shpëtimtarit. Ju u veçuat në këtë thirrje nga autoriteti i priftërisë së Tij të shenjtë. Edhe nëse nuk jeni një mësues me përvojë, kur jetoni me denjësi, luteni çdo ditë dhe i studioni shkrimet e shenjta, Ati Qiellor do t’ju japë ndikimin dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë për t’ju ndihmuar që t’ia dilni mbanë (shih 2 Nefi 33:1).

Ata që i besohen përkujdesjes suaj, janë fëmijë të Perëndisë dhe Ai e di se çfarë u nevojitet dhe cila është mënyra më e mirë për t’i ndihmuar. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Perëndia do t’ju udhërrëfejë teksa përgatiteni dhe ndërkohë që jepni mësim. Ai do t’ju zbulojë se çfarë duhet të thoni dhe çfarë duhet të bëni (shih 2 Nefi 32:5).

Qëllimi thelbësor i mësimdhënies së ungjillit dhe të mësuarit të tij është që ta ndryshojë jetën. Synimi juaj si mësues është t’i ndihmoni ata, të cilëve u jepni mësim, që të bëjnë gjithçka munden që të kthehen më shumë në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit – një përpjekje që shtrihet përtej orës mësimore. Ftojini ata të cilëve u jepni mësim, të marrin pjesë aktivisht në mësimin e parimeve dhe të doktrinës së Jezu Krishtit dhe të veprojnë sipas asaj që mësojnë. Nxitini që ta bëjnë studimin e tyre individual dhe familjar jashtë klasës burimin parësor të të mësuarit të ungjillit. Teksa veprojnë me besim nëpërmjet studimit si individë e familje, ata do ta ftojnë Shpirtin në jetën e tyre dhe është Shpirti që sjell kthimin e vërtetë në besim. Çdo gjë që bëni si mësues duhet të drejtohet drejt këtij synimi të shenjtë.

Jepni mësim vetëm doktrinën e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit siç gjendet në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme. Doktrina e pastër – e vërteta e përjetshme, e pandryshueshme, e dhënë mësim nga Perëndia dhe shërbëtorët e Tij – e fton Shpirtin dhe ka fuqinë për ta ndryshuar jetën.

Thirrja për të dhënë mësim është një mirëbesim i shenjtë dhe është normale që të ndiheni të mbingarkuar ndonjëherë. Por mos harroni që ju u thirrët nga Ati juaj Qiellor dhe Ai kurrë nuk do t’ju braktisë. Kjo është vepra e Zotit dhe teksa shërbeni “me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj” (DeB 4:2), Ai do t’i zgjerojë aftësitë, dhuntitë e talentet tuaja dhe shërbimi juaj do ta bekojë jetën e atyre të cilëve u jepni mësim.