Dhiata e Vjetër 2022
29 Gusht – 4 Shtator: Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12: “Frika e Zotit Është Parimi i Diturisë”


“29 Gusht – 4 Shtator: Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12: ‘Frika e Zotit Është Parimi i Diturisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“29 Gusht – 4 Shtator: Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Pamja
burrë duke studiuar shkrimet e shenjta

29 Gusht – 4 Shtator

Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12

“Frika e Zotit Është Parimi i Diturisë”

Ndërsa i studioni librat Fjalët e Urta dhe Predikuesit, mendoni rreth fëmijëve, të cilëve u jepni mësim. Cilat mesazhe nga këto shkrime të shenjta mund t’i ndihmojnë ata të ndihen më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Bëni në tabelë vizatime të gjërave që janë përmendur në librin Fjalët e Urta, të tilla si një zemër, dritë ose një shteg. Ndihmojini fëmijët të lexojnë te Fjalët e Urta 3:5; 4:18, 26 dhe ftojini ata të tregojnë diçka që e kanë mësuar rreth këtyre gjërave nga shkrimet e shenjta.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Fjalët e Urta 3:5

Unë mund të kem besim te Zoti me gjithë zemër.

Kur kemi besim te Zoti me gjithë zemër, ne i mirëbesojmë Atij dhe e dimë se Ai do të na ndihmojë.

Veprimtari të Mundshme

  • Lejoni që një nga fëmijët të mbajë një figurë të Shpëtimtarit teksa ju lexoni te Fjalët e Urta 3:5. Tregojuni fëmijëve se çfarë do të thotë për ju të kesh besim te Zoti. Ftojini fëmijët të bëjnë një zemër me duart e tyre ose ta vënë dorën në zemër ndërkohë që përsëritin disa herë frazën: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër”.

  • Vizatoni në tabelë një zemër të madhe dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë gjëra që mund të bëjnë për të treguar se kanë besim te Zoti. Ftojini ata t’i vizatojnë idetë e tyre brenda zemrës ose në një copë letër. Nxitini ata t’ua tregojnë familjeve të tyre idetë e veta.

Pamja
dy fëmijë duke folur

Fëmijët mund të japin një “përgjigj[e të] ëmbël” duke përdorur fjalë të mira (Fjalët e Urta 15:1).

Fjalët e Urta 15:1, 18

Unë mund të përdor fjalë të mira.

Në situata të ndera ose të acaruara, ne mund të tundohemi të reagojmë me zemërim. Te Fjalët e Urta 15:1, 18 na mësohet se si mund ta fashitim zemërimin.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve te Fjalët e Urta 15:1 dhe shpjegojuni cilëndo fjalë ose frazë që mund të mos e kenë hasur më parë. Jepni disa shembuj të situatave ku një fëmijë mund të ndihet i zemëruar (të tillë si një debat me një vëlla apo motër). Ndihmojini të mendojnë për “përgjigj[e të] ëmbla” ose fjalë të mira që mund të përdorin në vend të fjalëve të zemërimit. Ndihmojini të ushtrohen duke i thënë këto gjëra me butësi ose me një zë të qetë.

  • Këndoni një këngë rreth mirësisë, të tillë si “Mir’sia Fillon tek Ti” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 83). Çfarë na mëson kënga rreth të qenit i mirë?

  • Për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se ç’do të thotë të mos “zemërohe[sh] shpejt” (Fjalët e Urta 15:18), tregoni një histori vetjake rreth një rasti kur ju (ose dikush që e njihni) u ndiet i/e zemëruar por zgjodhët të tregoheshit i/e mirë. Lërini fëmijët të tregojnë edhe përvojat e tyre. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që mund të bëjnë, në vend që të zemërohen. Për shembull, ata mund të mendojnë rreth Jezusit, t’i kërkojnë Atit Qiellor që t’i ndihmojë, të këndojnë një këngë të Fillores me vete, ose, nëse është e mundur, thjesht të largohen.

Fjalët e Urta 22:9

Unë mund ta ndaj atë që kam me të tjerët.

Fëmijët e vegjël mund të mësojnë t’i ndihmojnë njerëzit në nevojë përreth tyre. Si mund t’i frymëzoni ata ta ndajnë atë që kanë me të tjerët?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve disa figura të të tjerëve duke u shërbyer ose ndihmuar njerëzit në nevojë, përfshini edhe figura të Shpëtimtarit (të tilla si te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 42, 4446). Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë se çfarë po ndodh në secilën figurë. Lexojuni fëmijëve vargun te Fjalët e Urta 22:9. Shpjegoni se një mënyrë se si ne mund të shërbejmë, është duke i dhënë “bukë të varfërit”, por ka shumë mënyra të tjera për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë. Ftojini fëmijët që të bëjnë një vizatim të vetes së tyre duke ndihmuar dikë.

  • Sillni në klasë disa sende që mund t’i ndani me fëmijët, të tilla si figura ose bojëra dhjami. Ndërsa i jepni nga një secilit fëmijë, thoni: “Unë do ta ndaj me [emri i fëmijës]”. Lërini fëmijët t’i ndajnë me radhë sendet me njëri‑tjetrin. Cilat janë disa gjëra të tjera që mund t’i ndajmë me të tjerët?

  • Këndoni së bashku një këngë rreth shërbimit, e tillë si “‘Jep’, Tha o Rrëkeza” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 116) ose shfaqni materialin filmik “Gordon Hinckley: Lessons I Learned as a Boy” (ChurchofJesusChrist.org). Pyetini fëmijët se si ndihen kur i ndihmojnë të tjerët.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Fjalët e Urta 1:7; 2:5; 15:33; 16:6; Predikuesit 12:13

Të kesh “frikë nga Perëndia” do të thotë ta duash e t’i bindesh Atij.

Një nga mesazhet e rëndësishme te Fjalët e Urta dhe Predikuesit është të kemi “frikë nga Perëndia dhe [të] respekto[jmë] urdhërimet e tij” (Predikuesit 12:13). Përsiatni se si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se ç’do të thotë të kesh frikë nga Perëndia.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të renditin disa gjëra nga të cilat njerëzit mund të kenë frikë. Më pas kërkojuni të lexojnë vargjet te Fjalët e Urta 1:7 dhe Predikuesit 12:13. Çfarë do të thotë të kesh frikë nga Perëndia? Për t’i ndihmuar që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, kërkojini një fëmije t’i lexojë sërish vargjet, duke e zëvendësuar fjalën “frikë” me fjalën “nderim”. Përsëriteni këtë veprimtari me fjalë të tilla si “dashuri”, “bindje” ose “bindu”. Si e ndryshon kjo mënyrën se si e kuptojmë ne se ç’do të thotë të kesh frikë nga Perëndia?

  • Ftojeni secilin fëmijë të zgjedhë një nga vargjet vijuese për të lexuar, duke kërkuar fjalën “frikë”: Fjalët e Urta 1:7; 2:5; 15:33; 16:6. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se çfarë u mëson atyre vargu rreth bekimeve që na vijnë kur kemi frikë nga Zoti, gjë që do të thotë se ne tregojmë nderim dhe respekt ndaj Tij (shih edhe Fjalët e Urta 14:26–27). Si mund t’i tregojmë Zotit se e duam dhe e respektojmë Atë?

Fjalët e Urta 3:5–7

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër.”

  • Lexojini së bashku vargjet te Fjalët e Urta 3:5–7 dhe ftojini fëmijët të renditin gjërat që thuhen në këto vargje, të cilat duhet t’i bëjmë dhe nuk duhet t’i bëjmë. Pyetini ata se çfarë mendojnë se mund të nënkuptojë secila prej këtyre gjërave. Çfarë cilësish gjejmë te njerëzit tek të cilët kemi besim? Çfarë cilësish ka Zoti që na ndihmojnë të kemi besim tek Ai?

  • Për të treguar se ç’do të thotë fraza “mos u mbështet në gjykimin tënd”, lërini fëmijët të përpiqen të mbështetin një kunj ose laps te sende të ndryshme, të tilla si te një libër ose një fletë letre. Cilat sende dhanë rezultat më të mirë? Përse është e rëndësishme të kemi “besim tek Zoti” dhe të mos mbështetemi në “gjykimin t[onë]”?

Fjalët e Urta 15:1, 18; 16:32

“Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin.”

Të folurit me zemërim shpesh e bën një situatë të nderë edhe më keq. Këto vargje na mësojnë se fjalët tona dhe qëndrimi ynë mund ta fashitin zemërimin ose inatin tonë.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruajini në tabelë fjalët zemërim dhe grindje dhe jepni si shembull një grindje që mund të kenë pasur fëmijët. Më pas kërkojuni fëmijëve të lexojnë vargjet te Fjalët e Urta 15:1, 18; 16:32 dhe të gjejnë këshilla që mund t’ua japin fëmijëve që po grinden. Sa herë që fëmijët japin një ide, ftojini ata të fshijnë një pjesë të fjalëve në tabelë. Ftojini ata që t’i zëvendësojnë ato fjalë me fjalë të tjera që përshkruajnë cilësi si të Krishtit, të cilat sjellin paqe.

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për rrëfimet në shkrimet e shenjta kur Shpëtimtari e tregoi me shembull atë që është dhënë mësim te Fjalët e Urta 15:1, 18; 16:32. Për ide, ata mund të kërkojnë te Gjoni 8:1–11; 18:1–11. Këndoni së bashku një këngë rreth shembullit të Shpëtimtarit, të tillë si “Përpiqem t’Jem si Jezusi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41). Si mund ta ndjekim shembullin e Jezusit ndërsa ndërveprojmë me pjesëtarë të familjes, miq dhe të tjerë?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ndihmojini fëmijët të zgjedhin një varg që u pëlqeu, të cilin e lexuan në klasë. Nxitini ata që t’ua tregojnë këtë varg familjeve të tyre dhe t’u thonë atyre se çfarë mësuan prej tij.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përmirësohuni si një mësues i ngjashëm me Krishtin. Përsiatni mënyra se si mund ta rritni aftësinë tuaj për t’i ndihmuar fëmijët që ta ndërtojnë besim e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Pyetjet për vlerësimin vetjak në faqen 37 te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit mund të ndihmojnë.