Dhiata e Vjetër 2022
7–13 Shkurt. Zanafilla 12–17; Abraham 1–2: “Të Jem Ndjekës më i Madh i Drejtësisë”


“7–13 Shkurt. Zanafilla 12–17; Abraham 1–2: ‘Të Jem Ndjekës më i Madh i Drejtësisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“7–13 Shkurt. Zanafilla 12–17; Abraham 1–2”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Pamja
Abrahami dhe Sara

Ilustrim i Abrahamit dhe Sarës, nga Dilleen Marsh

7–13 Shkurt

Zanafilla 12–17; Abraham 1–2

“Të Jem Ndjekës më i Madh i Drejtësisë”

Mbani mend se nuk është e nevojshme – apo edhe e mundur – që të trajtoni gjithçka në këtë përvijim. Lëreni Shpirtin t’ju udhërrëfejë drejt parimeve dhe veprimtarive që do të jenë më kuptimplota për fëmijët të cilëve u jepni mësim.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Familjet e fëmijëve të cilëve u jepni mësim, u ftuan që të mësonin rreth Abrahamit dhe Sarës këtë javë që kaloi. Jepuni fëmijëve mundësi për të treguar diçka që dinë rreth Abrahamit ose Sarës.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Abraham 1:18; 2:8

Jezu Krishti mund të më udhëheqë përdore.

Abrahami donte të ishte i drejtë edhe pse pjesëtarët e familjes së tij ishin të ligj. Zoti i tha atij: “Unë do të të udhëheq nëpërmjet dorës sime” (Abraham 1:18). Ashtu sikurse Perëndia premtoi që ta ndihmonte Abrahamin, Ai mund t’i udhëheqë fëmijët të cilëve u jepni mësim kur dëshirojnë që të zgjedhin të drejtën.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve vargjet tek Abraham 1:18 dhe 2:8, dhe ftojini fëmijët që të mbajnë vesh për një pjesë të trupit që përmendet tek të dyja vargjet. Çfarë ndjesie do të ishte sikur Jezu Krishti të na udhëhiqte përdore ose të na mbronte me dorën e Tij? Dëshmoni se Jezusi na udhëheq duke na udhërrëfyer nëpërmjet Shpirtit të Tij.

  • Përdoreni kapitullin “Abrahami” (te Histori të Dhjatës së Vjetër) për t’i ndihmuar fëmijët që të kuptojnë se njerëzit përreth Abrahamit po bënin gjëra të këqija, por Abrahami donte të bënte atë që ishte e drejtë dhe Zoti e ndihmoi atë. Si na ndihmojnë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kur përpiqemi të zgjedhim të drejtën? Këndoni një këngë që ka lidhje me këtë parim, e tillë si “Mësom’ të Eci në Drit’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 70).

  • Tregoni disa figura të Shpëtimtarit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 38, 3940 dhe 41) dhe ndihmojini fëmijët të shohin gjërat që Ai i bëri me duart e Tij. Çfarë mund të bëjmë me duart tona për t’i ndihmuar të tjerët?

Zanafilla 13:5–12

Unë mund të jem paqebërës/e.

Kur barinjtë e Abrahamit dhe të Lotit nuk ranë dakord për tokën e tyre të kullotës, Abrahami propozoi një zgjidhje që solli paqe. Mund ta përdorni këtë shembull për t’i frymëzuar fëmijët që të jenë paqebërës.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuani fëmijëve historinë nga Zanafilla 13:5–12 dhe ftojini që ta interpretojnë me role. Lërini fëmijët që me radhë të hiqen sikur janë Abrahami, nipi i tij, Loti, dhe barinjtë. Sugjeroni mënyra se si mund ta ndjekin shembullin e Abrahamit i cili ishte një paqebërës, e tillë si të mbajnë radhën për një lodër kur luajnë me një shok/shoqe. Ftojini t’i interpretojnë me role këta shembuj.

  • Lexoni te Mateu 5:9 dhe shpjegoni se Jezusi dëshiron që ne të jemi paqebërës. Ndihmojini fëmijët të mendojnë rreth asaj që mund të bëjnë për të qenë paqebërës në shtëpi ose me shokët e shoqet. Ftojini të bëjnë një vizatim të vetvetes duke qenë një paqebërës/e. Kërkojuni fëmijëve që të tregojnë se si ndihen kur janë paqebërës si Jezu Krishti.

Zanafilla 15:1–6; 17:1–8; Abraham 2:9–11

Është e rëndësishme që t’i mbaj premtimet e mia.

Të mësuarit rreth besëlidhjes që Perëndia e bëri me Abrahamin dhe Sarën, mund t’i ndihmojë fëmijët të kuptojnë se ç’do të thotë t’i mbash premtimet. Mund t’i ndihmojë edhe që të përgatiten për t’i bërë e për t’i mbajtur besëlidhjet.

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët nëse e dinë se çfarë është një premtim apo një besëlidhje. Ftojini që të tregojnë përvoja kur bënë një premtim ose dikush u bëri atyre një premtim. Nëse është e dobishme, tregojuni disa shembuj vetjakë. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se Abrahami dhe Sara premtuan se do t’i bindeshin Perëndisë. Zgjidhni disa fraza nga Zanafilla 15:1–6; 17:1–8; Abraham 2:9–11 për të treguar disa nga bekimet që Perëndia u premtoi atyre. Këto mund të përfshijnë frazat: “Mos ki frikë, Abram, unë jam mburoja jote”, “ti do të bëhesh babai i një shumice kombesh” ose “të gjitha familjet e tokës do të bekohen”.

  • Cilat janë disa premtime të thjeshta që mund të bëjnë e të mbajnë fëmijët gjatë një ore mësimore? Për shembull, kërkojuni atyre që të premtojnë se do të rrinë në vendet e tyre për disa minuta ose do t’i mbledhin karriget në fund të orës mësimore. Tregojuni një rast kur bëtë një premtim dhe e mbajtët atë, dhe ftojini që të tregojnë ndonjë përvojë që e kanë pasur. Ndihmojini të kuptojnë se ata do të bëjnë premtime me Atin Qiellor kur të pagëzohen dhe kur të shkojnë në tempull.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Abraham 1:12–17

Ati Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të mia.

Kur jeta e Abrahamit ishte në rrezik, ai i thirri Perëndisë dhe u shpëtua. Fëmijët të cilëve u jepni mësim, mund të kenë përvojat e tyre vetjake me lutjen, të cilat mund t’i tregojnë.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqiteni figurën An Angel Saves Abraham [Abrahamin e Shpëton një Engjëll] (ChurchofJesusChrist.org), dhe ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth historisë që ajo paraqet, që gjendet tek Abraham 1:12, 15–17. Kërkojuni fëmijëve që t’i lexojnë këto vargje dhe të tregojnë gjërat që i mësojnë rreth lutjes.

  • Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja kur Ati Qiellor iu përgjigj lutjeve të tyre dhe tregoni një përvojë nga vetja.

Zanafilla 13:5–12

Unë mund të jem paqebërës/e.

Të gjithë ne përballemi me situata që na tundojnë aq sa të bëhemi të acaruar dhe grindavecë. Merreni parasysh se si historia e Abrahamit dhe e Lotit mund t’i ndihmojë fëmijët të jenë paqebërës në situata të tilla.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani në tabelë Personazhet Kryesorë, Rrethanat, Problemi dhe Zgjidhja. Ftojini fëmijët të lexojnë te Zanafilla 13:5–12 dhe të përcaktojnë pjesët e historisë që renditen në tabelë. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për situata kur mund të jenë paqebërës, si për shembull në rastet kur dikush debaton ose përpiqet të grindet. Më pas ftojini të interpretojnë me role se si mund të jenë paqebërës në ato situata.

  • Ndihmojini fëmijët të gjejnë temat “Paqe” dhe “Paqebërës” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ftojeni secilin fëmijë të përzgjedhë një shkrim të shenjtë rreth paqes dhe t’ia tregojë klasës atë që ai ose ajo mëson. Ndihmojini të mendojnë për disa shembuj të Shpëtimtarit si paqebërës, si për shembull te Lluka 22:50–51. Si mund ta ndjekim shembullin e Tij?

    Pamja
    Loti dhe Abrahami me grigjat

    Zgjedhja e Lotit, © Providence Collection/licensed from goodsalt.com

Zanafilla 17:1–8; Abraham 2:8–11

Unë mund t’i mbaj besëlidhjet që bëj me Atin Qiellor.

Mësimi i dhënë fëmijëve rreth besëlidhjes që Perëndia bëri me Abrahamin dhe Sarën, mund t’i ndihmojë ata të mendojnë për vetë besëlidhjet e tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë te Zanafilla 17:1–8 dhe Abraham 2:8–11 dhe të bëjnë dy lista: Çfarë iu kërkua Abrahamit të bënte dhe çfarë i premtoi Zoti atij në këmbim. Çfarë mësojmë për Zotin nga këto vargje?

  • Tregoni figurën e dikujt duke u pagëzuar (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 103104). Kërkojuni fëmijëve të renditin premtimet që bën një person në pagëzim dhe premtimet që bën Perëndia në këmbim. Sugjeroni që fëmijët të kërkojnë ndihmë te Mosia 18:10; Doktrina e Besëlidhje 20:37, 77, 79. Çfarë mund të bëjmë ne për t’i mbajtur besëlidhjet që bëmë në pagëzim?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Dërgojini fëmijët në shtëpi me një shënim për t’i nxitur pjesëtarët e familjes së tyre që të vënë re rastet kur fëmijët po tregohen paqebërës, po i mbajnë premtimet ose po bëjnë diçka tjetër nga ato për të cilat ju folët në klasë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Fëmijët janë energjikë. Me raste mund të duket sikur energjia e lartë e fëmijëve i shpërqendron nga të mësuarit, por ju mund ta përdorni energjinë e tyre si pjesë të të mësuarit të tyre. Ftojini që të interpretojnë me role një histori apo të kryejnë veprime që përputhen me fjalët në një këngë apo shkrim të shenjtë. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25–26.)