Dhiata e Vjetër 2022
24–30 Janar. Moisiu 7: “Zoti e Quajti Popullin e Tij Sion”


“24–30 Janar. Moisiu 7: ‘Zoti e Quajti Popullin e Tij Sion’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“24–30 Janar. Moisiu 7”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Pamja
shumë njerëz duke ndërvepruar në mënyra plot dashuri

Duajeni Njëri-Tjetrin, nga Emma Donaldson Taylor

24–30 Janar

Moisiu 7

“Zoti e Quajti Popullin e Tij Sion”

Fillojeni përgatitjen tuaj duke lexuar te Moisiu 7. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë ta kuptoni këtë kapitull dhe idetë më poshtë mund t’ju japin ide mbi mënyrën se si t’ua mësoni fëmijëve.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Lërini fëmijët që për disa minuta të shqyrtojnë me ju atë që dinë rreth profetit Enok – duke përfshirë çfarëdo gjëje që mësuan nga mësimi i javës së kaluar. Nëse është e dobishme, tregoni një figurë nga përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Moisiu 7:18

Perëndia dëshiron që ne ta duam njëri-tjetrin.

Këto vargje përshkruajnë karakteristikat e popullit të Sionit. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të fillojnë që t’i zhvillojnë këto karakteristika?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni historinë e popullit të Enokut nga kapitulli “Enoku” (te Histori të Dhjatës së Vjetër) ose lërini fëmijët ta tregojnë historinë me vetë fjalët e tyre duke përdorur figurën e Enokut nga përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ju mund të këndoni me fëmijët gjithashtu vargun e dytë të këngës “Ndiqe Profetin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58–59) për ta rishikuar historinë.

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për veprime që lidhen me frazën të “një zemre dhe të një mendjeje” (Moisiu 7:18). Shpjegoni se kjo frazë do të thotë që populli i Enokut e donin njëri-tjetrin dhe ishin mirëdashës ndaj njëri-tjetrit. Ftojini ata që të përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për të vizatuar një mënyrë se si mund ta shprehin dashurinë.

  • Këndoni një këngë rreth dashurisë për njëri-tjetrin, e tillë si “Dashuri në Shtëpi” (Himne, nr. 191). Sillni figura që ilustrojnë në këngë fraza kyç për t’i ndihmuar fëmijët që të mësojnë fjalët. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë mënyra se si mund t’ia shprehin dashurinë njëri-tjetrit në Fillore dhe në shtëpitë e tyre. Pastaj lërini t’i interpretojnë me gjeste idetë e tyre.

Pamja
vajzë duke i dhënë frutë një të moshuare

Ne duhet të përpiqemi fort që të jemi “të një zemre dhe të një mendjeje” (Moisiu 7:18).

Moisiu 7:28–33

Perëndia kujdeset për fëmijët e Tij.

Ju mund t’i ndihmoni fëmijët që të mësojnë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kujdesen thellësisht për ne dhe veprimet tona.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjërat që e bëjnë të lumtur Atin Qiellor. Lexoni nga Moisiu 7:28 me fëmijët dhe shpjegoni se Ati Qiellor ishte i trishtuar për shkak se njerëzit ishin shumë të ligj (shih vargjet 32–33).

  • Lërini fëmijët të vizatojnë një fytyrë të lumtur në njërën anë të një cope letre dhe një fytyrë të trishtuar në anën tjetër. Përmendni disa veprime të mira, të tillë si të bësh një lutje dhe disa veprime negative, të tillë si të thuash një gënjeshtër, dhe kërkojuni fëmijëve të ngrenë lart fytyrën e lumtur ose fytyrën e trishtuar për të treguar se si do të ndiheshin Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për secilën zgjedhje.

  • Ftojini fëmijët të luajnë një lojë në të cilën të interpretojnë me gjeste gjëra që mund të bëjnë, të cilat e bëjnë të lumtur Atin Qiellor. Kërkojuni fëmijëve të tjerë të gjejnë se çfarë po bëjnë ata. Tregojini secilit fëmijë diçka që ju e keni parë ta bëjë, që e bën të lumtur Atin Qiellor.

Moisiu 7:59–67

Jezusi do të vijë përsëri në tokë.

Në vegimin e tij, Enoku pa ditët e mëvonshme, përfshirë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që ta presin plot gëzim Ardhjen e Dytë?

Veprimtari të Mundshme

  • Thuajuni fëmijëve që të përfytyrojnë sikur do të vijë një i ftuar i veçantë për t’i takuar ata. Çfarë do të bënin për t’u përgatitur për vizitën? Tregojuni fjalët e Zotit drejtuar Enokut te Moisiu 7:60: “[Unë] do të vij në ditët e fundit”. Cilat janë disa nga mënyrat se si mund të përgatitemi që Jezusi të vijë përsëri?

  • Tregoni figura të rasteve kur Shpëtimtari iu shfaq njerëzve (shih Libri i Figurave Artistike, nr. 608283 dhe 84). Çfarë po bëjnë njerëzit në këto figura? Si mund të jenë ndier njerëzit kur e takuan Jezusin? Lërini fëmijët të tregojnë se si ndihen që do ta shohin Jezusin kur Ai të vijë përsëri.

  • Këndoni një këngë rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit, të tillë si “Kur Ai të Vij’ Përs’ri” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46–47) dhe pyetini fëmijët se si mendojnë që do të jetë kur Jezusi të vijë përsëri.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Moisiu 7:18–21, 62–63, 68–69

Ne mund të kemi unitet siç kishte populli i Sionit.

Teksa lexoni rreth Sionit, reflektoni për shembujt e unitetit që ju i keni parë. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të mësojnë të kenë unitet siç kishte populli i Enokut?

Veprimtari të Mundshme

  • Vërini fëmijët të kërkojnë fjalë që përshkruajnë popullin e Enokut, të njohur edhe si Sioni, teksa lexojnë te Moisiu 7:18. Shkruajini këto fjalë si tituj në krye të tabelës dhe ftojini fëmijët të shkruajnë nën secilin titull gjërat që mund të bëjnë për të qenë më shumë si populli i Enokut. Pasi të shprehen, pyetini fëmijët se si mund t’i bëjnë shtëpitë e tyre më shumë si Sioni. Ata mund të gjejnë disa ide te 4 Nefi 1:15–18.

  • Kërkojuni fëmijëve të numërojnë se sa herë shfaqet fjala “Sion” te Moisiu 7:18–21, 62–63, 68–69. Sa herë që shfaqet fjala, ndihmojini fëmijët të përcaktojnë se çfarë thotë vargu për Sionin (shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Sion”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Si mund të jemi më shumë si njerëzit që përshkruhen në këto vargje?

  • Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët të mendojnë për disa mënyra se si mund të jenë “të një zemre dhe të një mendjeje” (shih Moisiu 7:18).

Moisiu 7:28–37

Perëndia vajton për fëmijët e Tij.

Si mund t’i ndihmoni fëmijët të zbulojnë se Perëndia kujdeset për ne dhe veprimet tona?

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët se çfarë mund ta bëjë Perëndinë që të vajtojë (shih Moisiu 7:28–31). Ftojini fëmijët që të kërkojnë vargjet te Moisiu 7:32–33, 37 për përgjigjet. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si ndihet Perëndia për fëmijët e Tij? Si e dimë ne që Perëndia na do? Jepni dëshminë tuaj për dashurinë që Perëndia ka për ne.

  • Hidhini një fëmije një top të butë ose një top [të zakonshëm]. Kërkojini atij ose asaj që ta përfundojë frazën: “Unë mund ta bëj Perëndinë të lumtur duke …” dhe pastaj hidhjani sendin një fëmije tjetër. Përsëriteni derisa çdo fëmije t’i ketë ardhur radha.

Moisiu 7:60–67

Jezu Krishti do të vijë përsëri në ditët e fundit.

Teksa lexoni rreth Ardhjes së Dytë te Moisiu 7:60–67, mendoni se si t’ua mësoni fëmijëve në një mënyrë të gëzueshme.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku vargjet te Moisiu 7:60–67 dhe ndihmojini fëmijët të përcaktojnë gjërat që Zoti thotë se do të ndodhin në ditët e fundit. Pyetini se cilat nga këto ngjarje po i presin plot gëzim dhe përse.

  • Ftojini fëmijët që të flasin për një rast kur pritën që dikush t’u shkonte për vizitë ose të kthehej në shtëpi. Si u ndien fëmijët? Çfarë bënë për t’u përgatitur? Si mund të përgatitemi për ta parë sërish Jezusin?

  • Paraqitni një figurë të Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit (për shembull, shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 66). Lërini fëmijët të bëjnë vizatimet e veta për Ardhjen e Dytë, bazuar tek ajo që lexojnë te Moisiu 7:60–67.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Si mund t’i nxitni fëmijët dhe familjet e tyre që të vazhdojnë të mësojnë nga Dhiata e Vjetër në shtëpi? Për shembull, fëmijët mund të tregojnë diçka që e vizatuan apo e ngjyrosën në Fillore si pjesë të një mësimi të mbrëmjes së shtëpisë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët të jenë aktivë. “Teksa u jepni mësim fëmijëve, lejojini të ndërtojnë, vizatojnë, ngjyrosin, shkruajnë dhe krijojnë. Këto gjëra janë më shumë sesa veprimtari argëtuese – ato janë thelbësore për të mësuarin” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25).