Dhiata e Re 2023
2–8 Tetor. Efesianëve: “Për Përsosjen e Shenjtorëve”


“2–8 Tetor. Efesianëve: ‘Për Përsosjen e Shenjtorëve’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“2–8 Tetor. Efesianëve”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
një familje duke parë fotografi

2–8 Tetor

Efesianëve

“Për Përsosjen e Shenjtorëve”

Ndërkohë që studioni Letrën drejtuar Efesianëve, mendoni rreth parimeve që mund të theksoni për t’i bekuar fëmijët të cilëve u jepni mësim. Shënojeni çfarëdo ideje që ju vjen në mendje ndërkohë që lexoni.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të qëndrojnë në rresht. Duke filluar nga kreu i vijës, jepini secilit fëmijë një rast që të tregojë diçka që ai ose ajo e mësoi kohët e fundit gjatë studimit familjar të shkrimeve të shenjta, në Fillore apo diku tjetër.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Efesianëve 2:19

Anëtarët e Kishës duhet të jenë miq dhe “bashkëqytetarë”.

A janë fëmijët në klasën tuaj më shumë si “të huaj” apo “bashkëqytetarë” me njëri-tjetrin dhe anëtarët e tjerë të lagjes? Ndihmojini ata të kuptojnë që megjithëse ne kemi ndryshime, Shpëtimtari na ndihmon të jemi të bashkuar dhe ta duam njëri-tjetrin.

Veprimtari të Mundshme

  • Vendosni një figurë të Shpëtimtarit në qendër të dhomës. Ftojini fëmijët të qëndrojnë në pjesë të ndryshme të dhomës për të përfaqësuar “të huaj[t]” ose “bujtës[it]”. Ndihmojini të kuptojnë se këto fjalë do të thonë njerëz që nuk i njohim ende. Ndërsa lexoni tek Efesianëve 2:19, ftojini ata të lëvizin drejt figurës së Krishtit derisa të jenë duke qëndruar së bashku pranë njëri-tjetrit. Thuajuni atyre se ndërsa vijmë më pranë Shpëtimtarit, ne mund të bashkohemi me të tjerët si “bashkëqytetarë” ose si miq.

  • Gjeni figura të fëmijëve nga pjesë të ndryshme të botës dhe fshihini ato nëpër dhomë. Vendosni një figurë të Shpëtimtarit në qendër të dhomës. Ftojeni klasën tuaj që të ndahet në dyshe si misionarët dhe me radhë të gjejnë një figurë të një të “huaj[i]” për ta vendosur pranë figurës së Shpëtimtarit. Ndihmojini ata të kuptojnë se kur njerëzit pagëzohen, ata bëhen pjesë e familjes sonë në Kishë, apo e “familjes së Perëndisë”. Si mund ta ndihmojmë dikë, i cili është i ri, të ndihet i mirëseardhur?

Efesianëve 6:1–3

Ati Qiellor do që unë t’u bindem prindërve të mi.

Ndërsa lexoni tek Efesianëve 6:1–3, mendoni për mënyrat se si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se përse është e rëndësishme që t’u binden prindërve të tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojini klasës tek Efesianëve 6:1 ose ndihmojeni njërin prej fëmijëve që ta lexojë atë. Kërkojuni atyre të mendojnë për raste kur ata iu bindën prindërve të tyre. Kërkojuni atyre të tregojnë se si u bekuan për bindjen dhe se si u ndien kur u bindën. Përse është e rëndësishme që t’u bindemi prindërve tanë?

  • Këndoni së bashku një këngë rreth bindjes, të tillë si “Do të Bindem Shpejt” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, nr. 71). Lejojini fëmijët ta bëjnë me radhë duke përmendur diçka që prindërit e tyre u kërkojnë të bëjnë dhe ftojini të hiqen sikur e bëjnë atë gjë.

  • Shfaqeni një figurë të Jezu Krishtit duke u pagëzuar (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 35) dhe tregoni se si Shpëtimtari iu bind Atit Qiellor duke u pagëzuar (shih 2 Nefi 31:6–7). Tregoni një përvojë në të cilën iu bindët prindërve tuaj dhe u bekuat. Përse dëshiron Ati Qiellor që ne t’u bindemi prindërve tanë?

Efesianëve 6:10–18

Armatimi i Perëndisë mund të më mbrojë nga e liga.

Si do t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se bërja e gjërave të drejta është si të veshësh armatimin?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni një figurë të një personi duke veshur armatimin, të tillë si ajo që gjendet në faqen e veprimtarisë së kësaj jave ose në përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ndërsa përmblidhni vargjet tek Efesianëve 6:10–18, tregojuni fëmijëve për mënyrën se si pjesë të ndryshme të armatimit mbrojnë pjesë të ndryshme të trupit. (Shih “The Whole Armor of God”, Friend, qershor 2016, f. 24–25.)

  • Sillni artikuj të ndryshëm në klasë që mund të përfaqësojnë pjesët e armatimit të përmendura tek Efesianëve 6:14–17 (për shembull, një kapele apo përparëse), ose bëni pjesë të thjeshta të armatimit prej letre. Lërini fëmijët që ta veshin “armatimi[n]” me radhë. Ndihmojini të kuptojnë se si mund ta veshim armatimin e Perëndisë (për shembull, duke i studiuar shkrimet e shenjta, duke u shërbyer të tjerëve, duke u lutur, duke u bindur e kështu me radhë). Diskutoni për mënyrën se si këto gjëra na mbrojnë nga ligësia.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Efesianëve 2:13–19

Ne jemi “bashkëqytetarë” në familjen e Perëndisë.

Fëmijët forcohen kur kanë shokë dhe shoqe të mira në ungjill. Si mund t’i ndihmoni ata të zhvillojnë miqësi më të mira me njëri-tjetrin?

Pamja
Veprimtari e Fillores

Ne jemi “bashkëqytetarë” me shenjtorët e Perëndisë.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku tek Efesianëve 2:19 dhe diskutoni se çfarë do të thotë të jesh i huaj ose bujtës. Tregoni një përvojë kur u ndiet si një i huaj apo bujtës dhe dikush ju ndihmoi të ndiheshit i mirëpritur dhe i pranuar. Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja të ngjashme. Çfarë mund të bëjmë ne për t’u bërë “bashkëqytetarë” në vend që të jemi të huaj? A ka ndonjë fëmijë në klasën tuaj që nuk merr pjesë shpesh, ndoshta ngaqë ndihet si i huaj? Ndihmojini fëmijët të bëjnë një plan për t’i ndihmuar ata anëtarë të ndiejnë se janë të mirëpritur dhe se të tjerët i duan.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët që t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre me njëri‑tjetrin, shkruani disa pyetje në tabelë të cilat i nxitin ata të tregojnë diçka rreth vetes së tyre, të tilla si: Kur keni marrë përgjigje për një lutje? ose Cila është gjëja juaj e parapëlqyer që bëni me familjen tuaj? Ndajini fëmijët në dyshe dhe ftojini që t’i bëjnë pyetje njëri-tjetrit. Çfarë mësuam rreth njëri-tjetrit?

Efesianëve 6:1–3

Ati Qiellor do që unë t’u bindem prindërve të mi dhe t’i nderoj ata.

Mendoni për mënyrat se si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë arsyen pse është e rëndësishme që t’u binden prindërve të tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë tek Efesianëve 6:1–3 individualisht dhe të përcaktojnë frazat që iu bëjnë përshtypje. Ftojini ata t’i tregojnë këto fraza dhe arsyen përse mendojnë se frazat janë të rëndësishme.

  • Ftojini fëmijët të gjejnë dhe të flasin për shembuj të njerëzve në shkrimet e shenjta, të cilët iu bindën prindërve të tyre dhe i nderuan ata, të tillë si Shpëtimtari (shih Lluka 2:42–52), Ruthi (shih Ruthit 1), ose Nefi (shih 1 Nefi 3:1–8). Përse është e rëndësishme që t’u bindemi prindërve tanë dhe t’i nderojmë ata?

  • Jepini çdo fëmije një fletë letre me fjalën nder të shkruar në krye. Diskutoni se çfarë do të thotë kjo fjalë. Ftojini fëmijët të shkruajnë ose të vizatojnë në letër diçka që ata mund të bëjnë për të treguar se i nderojnë prindërit e tyre.

Efesianëve 6:10–18

Armatimi i Perëndisë mund të më mbrojë nga e liga.

Ndërsa lexoni tek Efesianëve 6:10–18, mendoni për disa nga rreziqet shpirtërore me të cilat përballen fëmijët dhe mënyrën se si mund të ndihmoni për t’i forcuar fëmijët ndaj tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndërkohë që njëri prej fëmijëve lexon tek Efesianëve 6:10–18, kërkojini një fëmije tjetër t’i renditë ose t’i vizatojë në tabelë pjesët e përmendura të armatimit. Përse armatimi është i rëndësishëm në një betejë? Si mund të veshim armatim shpirtëror çdo ditë?

  • Caktojini çdo fëmije që ta vizatojë dhe emërtojë një pjesë të armatimit të përshkruar tek Efesianëve 6:14–17. Si mund të na mbrojnë këto pjesë të armatimit nga e liga? Çfarë u premton Zoti atyre që e veshin armatimin e Perëndisë? (Shih Efesianëve 6:13.) Çfarë do të thotë të “rezistoni në ditën e mbrapshtë”?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të vëzhgojnë me kujdes këtë javë për dikë që mund të ndihet si i huaj. Sfidojini ata që të bëjnë diçka për ta ndihmuar atë person.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët e vegjël të mësojnë nga shkrimet e shenjta. Fëmijët e vegjël mund të mësojnë nga shkrimet e shenjta, por atyre mund t’u nevojitet të përqendrohen te një varg i vetëm apo thjesht edhe te një frazë kyç. Ju mund t’i ftoni fëmijët të ngrihen në këmbë kur dëgjojnë një fjalë ose frazë të caktuar. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25–26.)