Dhiata e Re 2023
9–15 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve: “Unë Mund të Bëj Gjithçka me Anë të Krishtit që më Forcon”


“9–15 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve: ‘Unë Mund të Bëj Gjithçka me Anë të Krishtit që më Forcon’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“9–15 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
Pali duke diktuar një letër nga burgu

9–15 Tetor

Filipianëve; Kolosianëve

“Unë Mund të Bëj Gjithçka me Anë të Krishtit që më Forcon”

Lexojini Letrat drejtuar Filipianëve dhe Kolosianëve, duke menduar rreth fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Kërkoni frymëzim rreth mënyrës se si t’ua mësoni parimet në këto letra.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Pyetini fëmijët se çfarë bënë javën e kaluar për të vepruar me diçka që e mësuan në orën e mësimit të javës së kaluar. Për shembull, si e ndihmuan dikë që kishte nevojë për një shok ose shoqe?

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Filipianëve 1:3–4; Kolosianëve 1:3, 9

Udhëheqësit e Kishës më duan dhe luten për mua.

Pali shpesh i fillonte letrat e tij duke shprehur dashuri për anëtarët e Kishës dhe duke u thënë atyre se ai lutej për ta. Merreni në shqyrtim mënyrën se si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se udhëheqësit e Kishës i duan ata.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni me zë të lartë vargjet te Filipianëve 1:3–4 dhe Kolosianëve 1:3, 9 dhe kërkojuni fëmijëve t’i palosin krahët dhe ta ulin kokën sa herë që dëgjojnë fjalët lutur, lutemi dhe lutje. Shpjegoni se Apostulli Pal u lut për anëtarët e Kishës, ashtu si udhëheqësit tanë luten për ne sot.

  • Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit dhe lexoni disa vargje nga shkrimet e shenjta që e përshkruajnë Atë duke u lutur për dikë (për shembull, Lluka 22:32; 3 Nefi 19:21, 23). Çfarë kërkoi Jezusi kur u lut për të tjerët?

  • Ndihmojini fëmijët të përmendin disa nga udhëheqësit e tyre të Kishës, të tillë si presidenten e Fillores, peshkopin dhe Presidentin e Kishës. Shpjegoni se këta udhëheqës i kërkojnë Atit Qiellor që t’i bekojë fëmijët dhe t’i ndihmojë ata të jetojnë me drejtësi. Merreni parasysh që t’u tregoni fëmijëve se çfarë thoni kur luteni për ta.

Filipianëve 4:4, 8

Unë mund të gëzohem në Zotin.

Pali i nxiti shenjtorët që të gëzohen – edhe pse po përballeshin me sprova të vështira dhe Pali vetë ishte në burg. Si do t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se ndjekja e Jezu Krishtit sjell gëzim?

Veprimtari të Mundshme

  • Ndërsa lexoni te Filipianëve 4:4, kërkojuni fëmijëve të mbajnë vesh për një fjalë të përsëritur. Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë atë që bëjnë kur gëzohen. Tregojuni fëmijëve përse ju “gëzoh[e]ni … në Zotin” – përse ndiheni të lumtur për shkak të Jezu Krishtit. Lejojini fëmijët të tregojnë se si ndihen rreth Jezusit.

  • Tregoni sende ose figura që përfaqësojnë gjëra që ju ndihmojnë të “gëzoh[e]ni … në Zotin” (Filipianëve 4:4), të tilla si krijesat e Tij, një tempull, Ringjallja e Tij ose një familje. Lërini fëmijët që me radhë të përzgjedhin një figurë apo një send dhe më pas tregojuni atyre arsyen përse ju bën të lumtur. Ftojini ata të tregojnë gjëra që i ndihmojnë të gëzohen në Zotin.

  • Lexoni së bashku te Filipianëve 4:8 dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që përputhen me përshkrimet në varg (shih edhe Nenet e Besimit 1:13). Ftojini fëmijët që të bëjnë vizatime të këtyre gjërave.

Kolosianëve 1:23; 2:6–7

Besimi im duhet të jetë i “rrënj[osur]” në Jezu Krishtin.

Nëse fëmijët e ndërtojnë jetën e tyre dhe besimin e tyre te Shpëtimtari, ata do të jenë në gjendje t’u bëjnë ballë stuhive të jetës.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni figurën e një peme nga përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, ndërkohë që lexoni fraza kyç nga Kolosianëve 1:23; 2:6–7 (ose shfaqni materialin filmik “Spiritual Whirlwinds” [“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”] te ChurchofJesusChrist.org). Çfarë do t’i ndodhte kësaj peme nëse do të vinte një stuhi dhe pema të mos kishte rrënjë të forta? Lërini fëmijët të qëndrojnë në këmbë dhe të bëjnë sikur janë një pemë që ka rrënjë të dobëta në një stuhi dhe më pas një pemë që ka rrënjë të forta. Dëshmoni se besimi te Shpëtimtari na ndihmon që të jemi si një pemë me rrënjë të forta. Atëherë ne mund t’u bëjmë ballë “stuhive” shpirtërore, si tundimeve dhe kohëve të vështira.

  • Ftojeni një fëmijë të vizatojë një pemë në tabelë. Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që mund të bëjnë për të qenë të “rrënj[osur]” në Jezu Krishtin. Sa herë që një fëmijë përmend diçka, ftojeni atë t’i shtojë një rrënjë vizatimit.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Filipianëve 4:4–13

Nëse kam besim te Jezu Krishti, unë mund të jem i lumtur edhe gjatë kohëve të vështira.

Pali vuajti shumë sprova, por ai qe i lumtur për shkak se kishte besim te Jezu Krishti.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të përfytyrojnë sikur janë në burg, ashtu siç ishte Apostulli Pal kur shkroi Letrën drejtuar Filipianëve. Lexoni me fëmijët te Filipianëve 4:4–13 dhe vërini të kërkojnë fjalët “gëzohuni”, “paqja/paqes” dhe “kënaqem”. Përse ishte Pali në gjendje të gëzohej dhe të ndiente paqe edhe në burg? Më pas kërkojuni fëmijëve të gjejnë forma të fjalëve “Zot”, “Perëndi” dhe “Krisht” në këto vargje. Ndihmojini të kuptojnë se besimi i Palit te Jezu Krishti bëri të mundur që ai të gëzohej.

  • Ftojini fëmijët që t’ju ndihmojnë të plotësoni fjali si ato që vijojnë: “Unë mund të jem në errësirë dhe prapë të shoh gjëra nëse kam një . Unë mund të jem jashtë në një ditë të nxehtë dhe prapë të ndiej freski nëse kam një . Unë mund të kem kohë të vështira dhe prapë të gjej gëzim nëse .” Çfarë sugjerojnë vargjet te Filipianëve 4:4–13 që ne të bëjmë për të gjetur gëzim? Ftojini fëmijët të tregojnë disa himne ose shkrime të shenjta rreth Jezusit, që mund t’i ndihmojnë të ndiejnë gëzim gjatë kohëve të vështira.

Filipianëve 4:8

Mund të “mendo[j]” për gjëra që janë të vërteta, të ndershme dhe të dëlira.

Fëmijët shpesh ekspozohen ndaj gjërave që janë të liga e të papastra. Ju mund t’i ndihmoni ata të kërkojnë gjëra lartësuese dhe të virtytshme.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojini një fëmije të lexojë me zë të lartë te Filipianëve 4:8, ndërkohë që të tjerët kërkojnë fjalë te Nenet e Besimit 1:13 që janë të njëjta apo të ngjashme. Ftojeni dikë që t’i shkruajë këto fjalë në tabelë. Pyetini fëmijët se çfarë do të thonë fjalët dhe ndihmojini t’i përcaktojnë sipas nevojës. Përse duhet të “mendo[jmë]” për këto gjëra? Si mund t’i “kërko[jmë]” ato?

  • Kërkojuni fëmijëve të përmendin gjëra që përputhen me përshkrimet te Filipianëve 4:8. Ftojini ata që këtë javë të mbajnë një listë të çdo gjëje që vërejnë se përputhet me këto përshkrime. Nxitini ta sjellin listën e tyre në Fillore javën e ardhshme dhe të tregojnë atë që gjetën.

Kolosianëve 1:23; 2:6–7

Besimi im duhet të jetë i “rrënj[osur]” në Jezu Krishtin.

Satani përpiqet ta dobësojë besimin tonë nëpërmjet tundimeve dhe doktrinave të rreme. Si mund t’i frymëzoni fëmijët që ta forcojnë besimin e tyre te Shpëtimtari në mënyrë që të “mos lu[hen] nga shpresa e ungjillit”? (Kolosianëve 1:23.)

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të vizatojnë figura të cilat përfaqësojnë të vërtetat që ata gjejnë te Kolosianëve 1:23; 2:6–7. Lërini që t’ia tregojnë figurat e tyre klasës dhe të shpjegojnë të vërtetat që përfaqësojnë figurat e tyre.

  • Shfaqeni materialin filmik “Spiritual Whirlwinds” [“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”]. Cilat janë disa tundime dhe doktrina të rreme në botë sot që mund ta dobësojnë besimin tonë? Ftojini fëmijët të shkruajnë një gjë që mund të bëjnë për ta forcuar besimin e tyre, me qëllim që të kenë “rrënjë” (Kolosianëve 2:7) në Jezu Krishtin. Kërkojuni që ta paraqesin këtë diku ku do ta shohin çdo ditë.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’u tregojnë familjeve të tyre atë që mësuan rreth Jezu Krishtit. Ata mund ta përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave apo një shkrim të shenjtë që e lexuan gjatë orës së mësimit sot.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Fëmijët janë kureshtarë dhe mësojnë nëpërmjet përvojave të reja e të larmishme. Përdorni veprimtari që i ndihmojnë fëmijët të lëvizin rreth e rrotull, t’i përdorin të gjitha shqisat e tyre, të bëjnë kërkime dhe të provojnë gjëra të reja. Mund t’ju ndihmojnë sugjerimet te “Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël” në fillim të këtij burimi. (Shih edhe Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25–26.)