“3–9 Korrik. Veprat e Apostujve 1–5: ‘Do Të Bëheni Dëshmitarët e Mi’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“3–9 Korrik. Veprat e Apostujve 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
3–9 Korrik
Veprat e Apostujve 1–5
“Do të Bëheni Dëshmitarët e Mi”
Fillojeni përgatitjen tuaj duke lexuar te Veprat e Apostujve 1–5. Me lutje përpiquni t’i kuptoni nevojat e fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe ky përvijim mund t’ju ndihmojnë gjithashtu.
Ftojini të Tregojnë
Shkruani Kush jam unë? në tabelë. Jepni disa thënie rreth Pjetrit dhe pyetini fëmijët se për kë janë thëniet. Çfarë tjetër dinë ata rreth Pjetrit?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Jezu Krishti e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet profetëve dhe apostujve.
Të mësuarit rreth mënyrës se si Shpëtimtari e udhëhoqi Kishën e Tij në lashtësi nëpërmjet apostujve, mund t’i ndihmojë fëmijët të fitojnë dëshmi për profetët dhe apostujt në kohën tonë.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni figurën e madhe sa faqja nga përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Pyetini fëmijët se përse mendojnë që njerëzit po vështrojnë nga qielli. Përmblidheni rrëfimin nga Veprat e Apostujve 1:1–11. (Shih edhe “Kapitulli 55: Apostujt Udhëheqin Kishën”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 145–147, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org.) Ftoni një fëmijë të mbajë lart një figurë të Apostujve të tanishëm. Kush e ndihmon Jezu Krishtin që ta udhëheqë Kishën kur Ai nuk është në tokë?
-
Luani një lojë me përputhje me dy grupe figurash të Presidencës së Parë dhe të Dymbëdhjetë Apostujve të gjallë. Kur gjendet një përputhje, tregoni emrin e Apostullit apo të Presidentit dhe diçka rreth tij.
-
Prapa një figure të Presidentit të Kishës, ngjitni me skoç figura të vogla të gjërave për të cilat ai na jep mësim, si Shpëtimtari, pagëzimi apo një tempull. Lëreni secilin fëmijë që me radhë të shohë një prej figurave dhe t’i thotë pjesës tjetër të klasës: “Profeti na mëson rreth [tema e figurës]”. Dëshmoni se profetët dhe apostujt na mësojnë atë që Jezusi dëshiron që ne të dimë dhe të bëjmë.
Ati Qiellor mund t’i bekojë të tjerët nëpërmjet meje.
Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar fëmijët që t’i dallojnë mënyrat se si ata mund t’i bekojnë njerëzit përreth tyre? Ndihmojini që të mësojnë nga shembulli i Pjetrit dhe Gjonit tek shërojnë njeriun e çalë.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të bëjnë veprime që përshtaten me historinë te Veprat e Apostujve 3:1–10, të tilla si të nxjerrin dorën duke lypur për para dhe të hidhen me hov nga gëzimi. Si e bekoi Ati Qiellor njeriun që nuk mund të ecte?
-
Sillni një çantë që përmban figura të cilat përfaqësojnë mënyra se si ne mund t’i bekojmë të tjerët e t’u shërbejmë atyre. Lërini fëmijët që me radhë të zgjedhin figura nga çanta dhe të tregojnë se si mund t’i bekojnë të tjerët në atë mënyrë.
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë për një rast kur e ndihmuan dikë.
Unë mund të jem i/e ndershëm/me.
Të krishterët e hershëm dhanë aq sa kishin për të ndihmuar që të kujdeseshin për njëri‑tjetrin. Ata të cilët zotëronin tokë, e shitën atë dhe ua dhanë paratë Apostujve, të cilët më pas ua dhanë ato shenjtorëve sipas nevojave të tyre. Anania dhe Safira qenë të pandershëm në ndihmesën që dhanë, duke menduar se mund t’i mashtronin shërbëtorët e Zotit.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët ta luajnë me role historinë e Ananias dhe Safirës. Shpjegoni se ndonëse nuk do të vdesim kur themi një gënjeshtër, kjo histori tregon se sa e rëndësishme është për Atin Qiellor që të jemi të ndershëm.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth ndershmërisë, të tillë si “I Believe in Being Honest” [“Në t’Qenit t’Ndershëm, Besoj”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 149). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se të qenit të ndershëm do të thotë që të themi përherë të vërtetën dhe të mos marrim gjëra që i përkasin dikujt tjetër.
-
Përdorni marioneta prej traste letre për të luajtur me role situata të thjeshta në të cilat një njeri po tregohet i ndershëm apo i pandershëm. Kërkojuni fëmijëve të ngrihen në këmbë nëse personi [i aktruar] po tregohej i ndershëm ose të ulen në dysheme nëse personi po tregohej i pandershëm. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë përse është e rëndësishme që të jenë të ndershëm.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Jezu Krishti e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet profetëve dhe apostujve.
Si do t’i ndihmonit fëmijët të kuptojnë që Kisha e Shpëtimtarit sot udhëhiqet nga profetë dhe apostuj, njësoj siç udhëhiqej në kohët e lashta?
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë Si e udhëheq Jezu Krishti Kishën kur nuk është në tokë? Ftojini fëmijët të mbajnë vesh për përgjigje të pyetjes ndërsa lexoni fjalët e Shpëtimtarit drejtuar Apostujve te Veprat e Apostujve 1:8. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se Jezusi ka zgjedhur profetë dhe apostuj për ta udhëhequr Kishën sot, ashtu siç bëri në lashtësi.
-
Lexoni së bashku te Veprat e Apostujve 1:22–26. Si klasë, përcaktoni mënyrën se si Apostujt thirrën një Apostull të ri.
-
Që më përpara, kërkojini një fëmije dhe prindit të tij apo të saj që të mësojnë rreth një Apostulli të thirrur kohët e fundit (ata mund të gjejnë informacion rreth Apostujve te “Quorum of the Twelve Apostles” [“Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve”] ChurchofJesusChrist.org). Ftojeni fëmijën t’ia tregojë klasës atë që ai apo ajo mësoi, dhe, nëse është e mundur, atë që Apostulli tha rreth thirrjes së tij në mesazhin e tij të parë në konferencën e përgjithshme.
Apostujt e udhëhoqën Kishën pasi Jezusi u ngjit në qiell.
Fryma e Shenjtë i dëshmon zemrës sime për të vërtetat e ungjillit.
Kur fëmijët mësojnë ta dallojnë mënyrën se si Fryma e Shenjtë u flet atyre, ata do të frymëzohen që ta dëgjojnë frymëzimin që marrin, dhe të veprojnë sipas tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni së bashku te Veprat e Apostujve 2:36–37. Si të bën të ndihesh kur Fryma e Shenjtë na tregon diçka në zemër?
-
Si klasë, bëni një afishe me fjalët Çfarë duhet të bëjmë? në krye. Paraqiteni afishen çdo javë dhe shtoni në të mënyra në të cilat fëmijët mund të veprojnë sipas asaj që mësojnë në mësimin e secilës javë.
-
Ftojini fëmijët të lexojnë te Veprat e Apostujve 2:41–47 dhe gjeni gjërat e mira që bënë njerëzit pasi u pagëzuan. Çfarë gjërash të mira mund të bëjmë që të tregojmë se jemi mirënjohës për dhuratën e Frymës së Shenjtë që e morëm kur u pagëzuam?
Ati Qiellor mund t’i bekojë të tjerët nëpërmjet meje.
Si mund t’u mësoni fëmijëve që ata mund t’i bekojnë të tjerët, edhe nëse nuk kanë “as argjend, as ar”? (Veprat e Apostujve 3:6.) Si mund t’i ndihmoni që të shohin mundësitë për t’i shërbyer Perëndisë nëpërmjet shërbimit ndaj të tjerëve? (Shih Mosia 2:17.)
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojini një fëmije të lexojë te Veprat e Apostujve 3:1–10 ndërkohë që fëmijët e tjerë e luajnë me role historinë. (Për ndihmë, shih edhe “Kapitulli 56: Pjetri Shëron një Burrë”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 148–149, apo materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org.) Ju mund të shfaqni edhe materialin filmik “Peter and John Heal a Man Crippled Since Birth” [“Pjetri dhe Gjoni Shërojnë një Njeri të Çalë që Prej Lindjes”] (ChurchofJesusChrist.org). Si ishte bekimi që mori ky burrë, më i madh nga paratë të cilat kërkoi?
-
Kaloni dorë më dorë një çantë me monedha. Ndërsa fëmijët e mbajnë çantën, pyetini se çfarë mund të blejnë me para. Pyetini fëmijët se çfarë gjëje kemi për t’ua dhënë të tjerëve e cila nuk kushton para. Ftojini që të tregojnë se si mund t’i ndihmojnë të tjerët që të vijnë më pranë Shpëtimtarit – një dhuratë që nuk kërkon para (Veprat e Apostujve 3:6).
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Nxitini fëmijët të planifikojnë një mënyrë në të cilën ata mund t’i shërbejnë Atit Qiellor duke e ndihmuar një pjesëtar të familjes së tyre këtë javë.
Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë
Mësojeni përmendsh një shkrim të shenjtë. Zgjidhni një fragment të shkrimit të shenjtë që mendoni se mund t’i ndihmojë fëmijët në klasën tuaj, të tillë si Veprat e Apostujve 2:38 ose Veprat e Apostujve 3:19 dhe ndihmojini që ta mësojnë përmendsh një frazë nga shkrimi i shenjtë. Mjetet ndihmëse pamore ose veprimet mund t’i ndihmojnë gjithashtu fëmijët që t’i mësojnë përmendsh shkrimet e shenjta.