Dhiata e Re 2023
13–19 Mars. Mateu 11–12; Lluka 11: “Unë do t’ju Jap Çlodhje”


“13–19 Mars. Mateu 11–12; Lluka 11: ‘Unë do t’ju Jap Çlodhje’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“13–19 Mars. Mateu 11–12; Lluka 11”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pamja
Jezusi duke qëndruar mes reve

Be Not Afraid [Mos Ki Frikë], nga Michael Malm

13–19 Mars

Mateu 11–12; Lluka 11

“Unë do t’ju Jap Çlodhje”

Idetë për mësimdhënie në këtë përvijim të mësimit kanë për qëllim të ndihmojnë për të frymëzuar vetë krijimtarinë tuaj. Ndihuni të lirë t’i përshtatni ato për të plotësuar nevojat e fëmijëve të cilëve u jepni mësim.

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Nxitini fëmijët të tregojnë se çfarë mund të bëjnë për ta adhuruar Zotin në ditën e Shabatit.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Mateu 11:28–30

Jezusi do të më ndihmojë kur vij tek Ai.

Fëmijët mund të ndiejnë ngushëllim kur dinë se Jezusi do t’i ndihmojë me barrët e tyre kur vijnë tek Ai.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni te Mateu 11:28–30 dhe tregoni figurën e një pende qesh nën zgjedhë te përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë me gisht drejt qeve dhe zgjedhës. Shpjegoni se qetë nën zgjedhë mund të tërheqin më shumë peshë së bashku sesa mund të tërhiqte secili prej tyre më vete. Dëshmoni se kur ndihemi të trishtuar, të shqetësuar apo të frikësuar, ne mund ta kërkojmë Jezusin dhe Ai do të na ndihmojë.

  • Kërkojini një fëmije të ngrejë një send të rëndë. Kur ai ose ajo has vështirësi, ofrojini ndihmën tuaj. Si na ndihmon Jezusi të bëjmë gjëra të vështira? Tregoni një përvojë kur e ndiet se Jezusi ju ndihmoi të bënit diçka të vështirë dhe kërkojuni fëmijëve të tregojnë përvoja nga vetja e tyre.

Mateu 12:1–13

Unë mund ta mbaj të shenjtë ditën e Shabatit.

Cilat janë disa nga mënyrat argëtuese se si mund t’ju jepni mësim fëmijëve rreth ditës së Shabatit dhe arsyes përse e mbajmë atë të shenjtë?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni me zë të lartë vargjet te Mateu 12:10–13. Ftojini fëmijët të ngrihen në këmbë dhe të ulen sa herë që ju thoni fjalën “e shtunë” [“Shabat”] dhe përsëriteni me ta frazën “Është [mirë] … të bësh të mirën të shtunën” (Mateu 12:12). Çfarë mendojnë ata se do të thotë kjo?

  • Tregojuni fëmijëve një kalendar dhe shenjojeni ditën e Shabatit për ta. Çfarë bëjmë ne në ditët e tjera të javës? Çfarë mund të bëjmë në Shabat që ta bëjmë një ditë ndryshe nga ditët e tjera? (Shih tek Isaia 58:13–14.)

  • Kërkojuni fëmijëve të vizatojnë gjëra të mira që mund të bëjnë në ditën e Shabatit (shih faqen e veprimtarisë së kësaj jave).

  • Ftojini fëmijët të mendojnë për veprime të cilat do t’i ndihmojnë ata të kujtohen se si të bëhen gati për Shabatin ndërsa këndojnë këngën “E Shtuna” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 105).

  • Vizatoni një palë sy, një palë veshë, një gojë dhe duar në tabelë. Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë atë që mund të bëjë secila nga këto pjesë të trupit tonë për ta mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit.

Lluka 11:11–13

Ati Qiellor na jep dhurata të mira.

Mësimi që dha Shpëtimtari te Lluka 11:11–13 mund t’i ndihmojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të kuptojnë se Ati Qiellor i do dhe dëshiron t’i bekojë ata.

Veprimtari të Mundshme

  • Përdorni një mësim me sende për të ilustruar mësimet e dhëna nga Shpëtimtari te Lluka 11:11–13. Për shembull, ju mund të vendosni një gur brenda një ambalazhi buke ose të vendosni një figurë të një akrepi brenda një kutie vezësh. Kërkojuni fëmijëve të marrin me mend se çfarë ka brenda dhe më pas tregojuani atyre. Ftojini ta zëvendësojnë gurin ose figurën me një copë buke ose një vezë. Lexoni te Lluka 11:11–13 dhe jepni dëshminë tuaj që Ati Qiellor na do, u përgjigjet lutjeve tona dhe na jep shumë bekime nëpërmjet Shpirtit të Tij.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth dashurisë së Perëndisë, të tillë si “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16–17). Cilat janë disa nga dhuratat e mira që Ai na ka dhënë? Kërkojuni fëmijëve të vizatojnë figura të bekimeve nga Ati Qiellor për të cilat janë mirënjohës.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Mateu 11:28–30

Jezusi do të më ndihmojë kur vij tek Ai.

Si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se Shpëtimtari do t’u japë çlodhje nga sfidat e tyre kur ata vijnë tek Ai?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të tregojnë një rast kur ata ishin të shqetësuar ose në ankth për diçka. Ftojini të kërkojnë te Mateu 11:28–30 një këshillë që mund t’i ndihmojë ata në rrethana të ngjashme. Si na “j[e]p çlodhje” Shpëtimtari? (Vargu 28.)

  • Ftojini fëmijët të vizatojnë figura të gjërave që po bëjnë për të ardhur te Jezusi dhe për të mësuar nga Ai.

  • Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh nenin e katërt të besimit. Flisni me ta rreth mënyrës se si secili prej parimeve dhe ordinancave të para të ungjillit na ndihmon ta pranojmë ftesën e Jezusit: “Ejani tek unë” (Mateu 11:28).

Mateu 12:1–13

Shabati është një ditë për të bërë gjëra të mira që më afrojnë më pranë Perëndisë.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, do të forcohen ndërsa i theksoni qëllimet dhe bekimet e mbajtjes së shenjtë të ditës së Shabatit.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojeni një fëmijë të hiqet si ai burri që Shpëtimtari i shëroi dorën (shih te Mateu 12:10–13). Një fëmijë tjetër mund t’i bëjë atij ose asaj pyetje rreth përvojës.

  • Lexoni së bashku te Mateu 12:12. Cilat janë disa nga gjërat e mira që mund të bëjmë në Shabat? Lërini fëmijët t’i vizatojnë idetë e tyre në faqen e veprimtarisë së kësaj jave, t’i presin pjesët dhe ta bëjnë me radhë për t’i vendosur së bashku pjesët e figurëformueseve të njëri-tjetrit.

  • Fshihini disa nga figurat e njerëzve që në ditën e Shabatit po bëjnë gjëra, të cilat tregojnë dashuri për Atin Qiellor. Kërkojuni fëmijëve t’i gjejnë figurat dhe të tregojnë se si bërja e gjërave që shihen në figura, tregon dashurinë tonë për Perëndinë.

Pamja
njerëz duke vështruar dishepujt që po ecin përmes fushave të grurit

The Disciples Eat Wheat on the Sabbath [Dishepujt Hanë Grurë në Shabat], nga James Tissot

Lluka 11:37–42

Si veprimet e mia ashtu edhe zemra ime duhet të jenë të dëlira.

Shpëtimtari dha mësim se nuk mjafton që t’u dukemi të drejtë të tjerëve. Edhe mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona private duhet të jenë të dëlira.

Veprimtari të Mundshme

  • Që të ilustroni çfarë na mësojnë këto vargje, tregojuni fëmijëve një filxhan ose një enë tjetër që është e pastër nga jashtë por e papastër nga brenda. Ndihmojini ata të mendojnë për atë që mund të përfaqësojë “pjesa e jashtme e filxhanit”. Çfarë përfaqëson “pjesa e brendshme”? Përse është e rëndësishme që të pastrojmë si pjesën e jashtme edhe pjesën e brendshme?

  • Lexoni së bashku disa prej shkrimeve të tjera të shenjta që theksojnë drejtësinë si në zemrat tona dhe në veprimet tona – për shembull, Psalmeve 24:3–5; Mateu 15:7–8; Moroni 7:6–9. Diskutoni mbi atë se përse Shpëtimtari dëshiron që zemrat tona dhe veprimet tona private të jenë të pastra nga aspekti shpirtëror.

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët që t’u japin familjeve të tyre ide për ta mbajtur ditën e Shabatit të shenjtë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Bëni pyetje. “Një pyetje që i fton nxënësit të shprehin një parim të ungjillit me vetë fjalët e tyre – veçanërisht nëse bëhet në fillim të orës mësimore – mund t’ju ndihmojë ta vlerësoni se sa kohë ju nevojitet të harxhoni me studimin e atij parimi në klasë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 32).