Doktrina e Besëlidhje 2021
1–7 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 10–11: “Që të Mund të Dalësh Fitues”


“1–7 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 10–11: ‘Që të Mund të Dalësh Fitues’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“1–7 Shkurt. Doktrina e Besëlidhje 10–11”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

Pamja
dorëshkrim i Librit të Mormonit

Kopje e dorëshkrimit origjinal të Librit të Mormonit.

1–7 Shkurt

Doktrina e Besëlidhje 10–11

“Që të Mund të Dalësh Fitues”

Lexojini me lutje seksionet te Doktrina e Besëlidhje 10–11, duke përsiatur mënyrat se si mund t’i ndihmoni fëmijët që t’i kuptojnë të vërtetat në këto seksione. Idetë në këtë përvijim të mësimit – edhe për fëmijët më të vegjël dhe për fëmijët më të mëdhenj – mund të ndihmojnë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që mbajnë mend nga një mësim i mëparshëm rreth Martin Harrisit dhe faqeve të humbura të përkthimit të Librit të Mormonit. Tregoni çfarëdo hollësie që nuk u kujtohet atyre. Ju mund të doni të referoheni te “Kapitulli 4: Martin Harrisi dhe Faqet e Humbura” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 18–21).

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Doktrina e Besëlidhje 10:5

Kur lutem gjithmonë, Ati Qiellor do të më bekojë.

Nganjëherë fëmijët mendojnë se mund të luten vetëm në raste dhe vende të caktuara dhe vetëm nëse ulen në gjunjë ose i mbyllin sytë. Si mund t’i ndihmoni ata që të mësojnë se si të “lut[en] gjithmonë”?

Veprimtari të Mundshme

  • Shfaqni figura të gjërave që i bëjmë shpesh, të tilla si ngrënia, fjetja ose loja. Si na ndihmojnë këto gjëra? Paraqitni figurën e një fëmije duke u lutur ndërkohë që u lexoni fëmijëve fjalët “lutu gjithmonë” nga Doktrina e Besëlidhje 10:5. Kërkojuni fëmijëve t’i përsëritin disa herë këto fjalë. Si do të na ndihmojë bërja e lutjeve gjithmonë?

  • Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët që të mendojnë rreth vendeve dhe çasteve të shumta ku dhe kur mund të lutemi.

  • Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të vetvetes ose të familjes së tyre duke u lutur në çaste dhe vende të ndryshme, të tilla si në kishë, përpara se të shkojnë në shkollë ose në kohën e fjetjes. Shpjegoni se fjalët lutu gjithmonë mund të kenë kuptimin që të lutemi shpesh gjatë gjithë ditës. Si mund të lutemi edhe kur kemi njerëz të tjerë përreth, si në shkollë ose me shokët dhe shoqet tona?

    Pamja
    djem duke u lutur

    Zoti do të na ndihmojë kur lutemi.

Doktrina e Besëlidhje 11:12–13

Fryma e Shenjtë më udhëheq që të bëj mirë.

Edhe në moshë të vogël, fëmijët mund të fillojnë ta dallojnë se kur po u flet Shpirti.

Veprimtari të Mundshme

  • Fshihni një llambë ose elektrik dore dhe figurën e një fytyre të lumtur diku në dhomë. Kërkojuni fëmijëve t’i gjejnë këto objekte. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 11:13 dhe ndihmojini fëmijët të përcaktojnë fjalët që lidhen me objektet që gjetën. Çfarë na mësojnë këto fjalë rreth mënyrës se si na ndihmon Fryma e Shenjtë?

  • Jepuni fëmijëve disa situata në të cilat atyre do t’iu nevojitej të bëjnë një zgjedhje mes së drejtës dhe së gabuarës – të tillë si zgjedhja për të thënë të vërtetën apo për të gënjyer ose zgjedhja për të qenë të sjellshëm ose për të qenë të pasjellshëm. Si mund ta dimë se cila zgjedhje është e drejtë? Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 11:12 dhe dëshmoni që Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë të bëjmë zgjedhjen e drejtë po ta dëgjojmë Atë.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth udhërrëfimit nga Fryma e Shenjtë të tillë si“Listen, Listen” [“Dëgjo, Dëgjo”] (Children’s Songbook, f. 107). Pyetini fëmijët se çfarë u mëson kënga rreth mënyrës se si na ndihmon Fryma e Shenjtë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Doktrina e Besëlidhje 10:5

Kur lutem gjithmonë, mund t’i mposht tundimet e Satanit.

Mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë që bërja e lutjeve përherë u jep atyre fuqi për ta mposhtur tundimin.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani fjalë ose fraza nga Doktrina e Besëlidhje 10:5 në shirita letre dhe kërkojuni fëmijëve që t’i vënë ata në rendin e duhur. Nxitini të shohin vargun nëse u nevojitet ndihmë. Sipas këtij vargu, çfarë bekimesh vijnë kur ne lutemi gjithmonë? Si mund të na ndihmojë të kujtuarit që të lutemi gjatë gjithë ditës, veçanërisht kur tundohemi të bëjmë diçka të gabuar?

  • Ftojini fëmijët të bëjnë një listë me disa nga çastet kur mund të lutemi dhe vendet ku mund të lutemi. Për ide shtesë, nxitini ata të shohin tek Alma 34:17–27.

  • Ndihmojini fëmijët të krijojnë një shenjë të vogël ose figurë që do t’i kujtojë ata të luten gjithmonë. Ftojini ata që t’i varin shenjat në shtëpinë e tyre atje ku do t’i shohin rregullisht.

Doktrina e Besëlidhje 11:12–13

Fryma e Shenjtë më udhëheq që të bëj mirë.

Fëmijët shpesh e pyetin veten se si ndihesh kur të udhërrëfen Fryma e Shenjtë. Mund të përdorni seksionin Doktrina e Besëlidhje 11 për t’u mësuar fëmijëve se si ta dallojnë “atë Shpirt që drejton për të bërë mirë” (vargu 12).

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të bëjnë një listë të njerëzve tek të cilët shkojnë kur kanë nevojë për ndihmë ose kanë një pyetje. Përse mirëbesojmë që këta njerëz do të na ndihmojnë? Ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 11:12 dhe të kërkojnë se çfarë i thanë Hajrëm Smithit që të mirëbesonte. Çfarë mësojmë nga ky varg rreth arsyes pse duhet të mirëbesojmë tek udhërrëfimi i Frymës së Shenjtë?

  • Pyetini fëmijët se çfarë do t’i thoshin një shoku/shoqeje që i pyeti se si ndihen kur u flet Fryma e Shenjtë. Ftojini fëmijët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 11:12–13 që të gjejnë disa përgjigje të mundshme.

  • Tregojuni fëmijëve disa përvoja që keni pasur me Frymën e Shenjtë kur ju ka udhërrëfyer të bëni gjëra të mira. Ftojini fëmijët të përsiatin se kur mund të kenë pasur përvoja të tilla dhe më pas t’i tregojnë përvojat e tyre nëse ndihen rehat për ta bërë këtë. Dëshmoni se Ati Qiellor dëshiron të na udhërrëfejë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Nxitini fëmijët ta vënë re gjatë javës së ardhshme kur të kenë ndjenja si ato që përshkruhen te Doktrina e Besëlidhje 11:12–13.

Doktrina e Besëlidhje 11:21, 26

Kam nevojë ta di ungjillin që të mund t’i ndihmoj të tjerët ta gjejnë të vërtetën.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, do të kenë shumë mundësi për ta shpërndarë ungjillin. Këto vargje mund t’u mësojnë atyre se si të përgatiten për këto mundësi.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët ta interpretojnë me role mënyrën se si do të flisnin rreth ungjillit me dikë që nuk ka dëgjuar për të më parë. Për shembull, si do t’u përgjigjeshin ata pyetjeve rreth Librit të Mormonit? Si do ta shpjegonin se kush është Jezu Krishti? Lexoni me fëmijët te Doktrina e Besëlidhje 11:21, 26. Çfarë i tha Zoti Hajrëm Smithit që kishte nevojë të bënte, që ai të mund ta jepte mësim ungjillin? Çfarë do të thotë ta “fitosh” fjalën e Perëndisë dhe si mund ta bëjmë ne këtë? Si e “mbl[edhim si] thesar” fjalën e Perëndisë në zemrat tona?

  • Ftojini fëmijët të thonë një shkrim të shenjtë që u pëlqen, dhe të shpjegojnë pse u pëlqen. Lërini të flasin rreth mënyrës se si shkrimet e shenjta ua bekojnë jetën dhe asaj që ata po bëjnë për ta studiuar fjalën e Perëndisë në shtëpi. Nxitini ata që të vendosin synime për ta lexuar më shpesh fjalën e Perëndisë.

  • Këndoni së bashku një këngë për shpërndarjen e ungjillit, të tillë si “Un’ Dua të Jem Misionar Tani” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 90). Çfarë na mëson kjo këngë rreth mënyrës se si mund të jemi misionarë çdo ditë?

  • Tregoni diçka nga biseda “Shpresa e Izraelit” nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Motra Uendi W. Nelson (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018, ChurchofJesusChrist.org) që t’i frymëzoni fëmijët për të ndihmuar të mblidhen fëmijët e Perëndisë duke shpërndarë ungjillin.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të bëjnë një bisedë me një pjesëtar të familjes rreth diçkaje që mësuan nga Doktrina e Besëlidhje 10 ose 11 sot. Për shembull, ata mund të tregojnë se si planifikojnë të luten gjithmonë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Kërkoni zbulesë çdo ditë. Ndërsa përgatiteni që të jepni mësim, lutuni dhe përsiatini shkrimet e shenjta gjatë gjithë javës. Do të zbuloni se Shpirti do “të ndriçojë mendjen t[uaj]” (Doktrina e Besëlidhje 11:13). Idetë dhe përshtypjet rreth mënyrës se si të jepni mësim, mund t’ju vijnë kurdo dhe kudo – teksa shkoni në punë, bëni punë shtëpie ose bisedoni me të tjerët.