Dhiata e Vjetër 2022
10–16 Janar. Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5: Rënia e Adamit dhe Evës


“10–16 Janar. Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5: Rënia e Adamit dhe Evës”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“10–16 Janar. Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
Adami dhe Eva duke ecur së bashku

Adami dhe Eva, nga Douglas M. Fryer

10–16 Janar

Zanafilla 3–4; Moisiu 4–5

Rënia e Adamit dhe Evës

Ndërsa studioni te Zanafilla 3–4 dhe Moisiu 4–5, merrni parasysh atë çka Zoti po përpiqet t’ju mësojë. Shënojini këto të vërteta dhe mbresat tuaja shpirtërore dhe reflektoni për to gjatë gjithë javës.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në pamje të parë, historia e Rënies së Adamit dhe Evës mund të duket si një tragjedi. Adami dhe Eva u dëbuan nga kopshti i bukur i Edenit. Ata u hodhën në një botë ku dhembja, pikëllimi dhe vdekja janë gjithnjë të pranishme (shih Zanafilla 3:16–19). Dhe ata u ndanë nga Ati i tyre Qiellor. Por për shkak të të vërtetave të rivendosura nëpërmjet Profetit Jozef Smith në librin e Moisiut, ne e dimë se historia e Adamit dhe Evës është në të vërtetë një histori shprese – dhe një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë për fëmijët e Tij.

Kopshti i Edenit ishte i bukur. Por Adami dhe Eva kishin nevojë për diçka më shumë sesa një mjedis të bukur rrethues. Ata kishin nevojë – dhe të gjithë ne kemi nevojë – për një mundësi për t’u rritur. Largimi nga Kopshti i Edenit ishte hapi i parë i domosdoshëm drejt kthimit te Perëndia dhe përfundimisht bërja si Ai. Kjo nënkuptonte që të përballeshin me kundërshtimin, të bënin gabime, të mësonin se si të pendoheshin dhe t’i mirëbesonin Shpëtimtarit, Shlyerja e të cilit bën të mundur përparimin dhe “gëzimin e shëlbimit tonë” (Moisiu 5:11). Prandaj, kur lexoni për Rënien e Adamit dhe të Evës, përqendrohuni jo tek tragjedia në dukje, por te mundësitë – jo te parajsa që humbën Adami dhe Eva, por te lavdia që zgjedhja e tyre na lejon të marrim.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Zanafilla 3:1–7; Moisiu 4; 5:4–12

Rënia ishte pjesë e domosdoshme e planit të Perëndisë për tʼi shëlbuar fëmijët e Tij.

Rënia e Adamit dhe Evës solli në botë vdekjen fizike dhe shpirtërore. Ajo solli gjithashtu fatkeqësi, pikëllim dhe mëkat. Të gjitha këto duken si arsye për të ndier keqardhje për Rënien. Por Rënia ishte pjesë e planit të Atit Qiellor për t’i shëlbuar dhe ekzaltuar fëmijët e Tij nëpërmjet “flijimi[t të] të Vetëmlindurit të Atit” (Moisiu 5:7). Ndërsa studioni te Zanafilla 3:1–7; Moisiu 4; 5:4–12, çfarë të vërtetash gjeni që ju ndihmojnë të kuptoni Rënien dhe mënyrën se si Shlyerja e Krishtit e mposht atë? Pyetje si këto mund të ndihmojnë:

  • Si ndikoi Rënia tek Adami dhe Eva? Si ndikon ajo tek unë?

  • Përse Adami dhe Eva ofruan flijime? Çfarë simbolizonin ato flijime? Çfarë mund të mësoj nga fjalët e engjëllit në këto vargje?

  • Përse Adami dhe Eva ishin të “gëzua[r]” pas Rënies së tyre? Çfarë mësoj unë nga ky rrëfim rreth planit të Perëndisë për të më shëlbuar mua nëpërmjet Jezu Krishtit?

Për shkak të Librit të Mormonit dhe zbulesave të tjera të ditëve të mëvonshme, ne kemi një këndvështrim të pashoq për Rënien. Për shembull, merreni parasysh atë që profeti Lehi i mësoi familjes së tij për Adamin dhe Evën te 2 Nefi 2:15–27. Si e qartësojnë mësimet e Lehit atë çfarë ndodhi në Kopshtin e Edenit dhe si na ndihmojnë të kuptojmë përse ajo ishte e rëndësishme?

Shih edhe 1 Korintasve 15:20–22; Mosia 3:19; Alma 12:21–37; Doktrina e Besëlidhje 29:39–43; Nenet e Besimit 1:3; Dallin H. Ouks, “Plani i Madh”, Liahona, maj 2020, f. 93–96; Dallin H. Ouks, “Kundërshtim në të Gjitha Gjërat”, Liahona, maj 2016, f. 114–117; Xhefri R. Holland, “Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen”, Liahona, maj 2015, f. 104–106.

Pamja
Eva duke mbajtur frutën

Largimi nga Edeni, nga Annie Henrie Nader

Zanafilla 3:16; Moisiu 4:22

Çfarë do të thotë që Adami duhet të “sundo[nte] mbi” Evën?

Ky fragment i shkrimit të shenjtë ndonjëherë është keqkuptuar sikur do të thotë se bashkëshorti justifikohet kur e trajton bashkëshorten e tij me ashpërsi. Në kohën tonë, profetët e Zotit kanë dhënë mësim se ndërkohë që bashkëshorti duhet të kryesojë në shtëpi me drejtësi, ai duhet ta shohë bashkëshorten e tij si një partnere të barabartë (shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” [ChurchofJesusChrist.org]). Plaku Dejll G. Renland dhe Motra Ruth Libert Renland shpjeguan se një bashkëshort i drejtë “do të kërkojë të japë shërbesë; ai do ta pranojë gabimin dhe do të kërkojë falje; ai do të jetë i shpejtë për të ofruar lëvdata; ai do të jetë i vëmendshëm ndaj parapëlqimeve të pjesëtarëve të familjes; ai do të ndiejë peshën e madhe të përgjegjësisë për të siguruar për ‘gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen’ e familjes së tij; ai do ta trajtojë bashkëshorten e tij me respektin dhe nderimin më të madh. … Ai do ta bekojë familjen e tij” (The Melchizedek Priesthood: Understanding the Doctrine, Living the Principles [2018], f. 23).

Moisiu 5:4–9, 16–26

Perëndia do t’i pranojë sakrificat e mia nëse i ofroj me një zemër të gatshme e të bindur.

Adami dhe Eva mësuan se sakrificat me kafshë ishin simbolike për flijimin shlyes të Krishtit dhe ata ua bënë këtë “të njohur bijve dhe bijave të tyre” (Moisiu 5:12). Ndërsa studioni te Moisiu 5:4–9, 16–26, merrini parasysh qëndrimet e ndryshme të dy bijve të tyre, Kainit dhe Abelit, kundrejt këtyre flijimeve. Pse e pranoi Zoti flijimin e Abelit, por jo të Kainit?

Ç’lloj sakrificash kërkon Zoti prej jush? A ka ndonjë gjë te Moisiu 5:4–9, 16–26 që e ndryshon mënyrën se si mendoni për ato sakrifica?

Shih edhe Psalmeve 4:5; 2 Korintasve 9:7; Omni 1:26; 3 Nefi 9:19–20; Moroni 7:6–11; Doktrina e Besëlidhje 97:8; Xhefri R. Holland, “Ja, Qengji i Perëndisë”, Liahona, maj 2019, f. 44–46.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Zanafilla 3; Moisiu 4.Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar familjen tuaj që ta kuptojë më mirë Rënien e Adamit dhe të Evës? Ju mund të kopjoni figura nga “Adami dhe Eva” (në Histori të Dhjatës së Vjetër) dhe t’i pritni ato. Më pas ju mund të punoni së bashku për t’i vendosur figurat sipas radhës teksa diskutoni mbi përvojat e Adamit dhe të Evës. Përse Rënia ishte e domosdoshme në planin e Atit Qiellor për shpëtimin? Shikimi i materialit filmik “The Fall” [“Rënia”] (ChurchofJesusChrist.org) mund të ndihmojë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.

Moisiu 4:1–4.Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth Perëndisë, Jezu Krishtit dhe Satanit? Pse liria e zgjedhjes është kaq e rëndësishme për planin e Perëndisë, saqë Satani do të donte ta shkatërronte atë?

Moisiu 5:5–9.Çfarë i urdhëroi Perëndia të bënin Adamin dhe Evën për t’i ndihmuar ata që të mendonin për Shpëtimtarin? Çfarë na ka dhënë Perëndia që të na ndihmojë të mendojmë për Shpëtimtarin?

Moisiu 5:16–34.Çfarë do të thotë të jemi “rojtari i vëllait” tonë? Si mund të kujdesemi më mirë për njëri‑tjetrin si familje?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “Udh’n e Drejt’ Zgjidh”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 82–83.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Përdorini ndihmat për studimin e shkrimeve të shenjta. Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, përdorni poshtëshënimet, Topical Guide [Udhëzuesin Tematik], Bible Dictionary [Fjalorin Biblik], Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta dhe ndihma të tjera studimore për të marrë ide shtesë.

Pamja
engjëll duke vizituar Adamin dhe Evën

Në Ngjashmëri, nga Walter Rane