Eja, Më Ndiq
23–29 Dhjetor. Zbulesa 12–22: ‘Kush Fiton do t’i Trashëgojë të Gjitha Gjërat’


“23–29 Dhjetor. Zbulesa 12–22: ‘Kush Fiton do t’i Trashëgojë të Gjitha Gjërat’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“23–29 Dhjetor. Zbulesa 12–22”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Jezu Krishti duke përshëndetur njerëz në Ardhjen e Tij të Dytë

Qyteti i Përjetshëm, nga Keith Larson

23–29 Dhjetor

Zbulesa 12–22

“Kush Fiton do t’i Trashëgojë të Gjitha Gjërat”

Teksa lexoni Zbulesën 12–22, kërkoni ngjashmëri midis asaj që pa Gjoni dhe asaj që shihni në botën e sotme. Kërkoni udhërrëfim shpirtëror për t’ju ndihmuar që të gjeni mësime vetjake teksa zhyteni në gjuhën simbolike të Gjonit.

Shënojini Mbresat Tuaja

Përfytyroni një grua që “bërtiste nga dhembjet dhe mundimet e lindjes”. Tani përfytyroni “një dragua [të] madh [të] kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë”, duke u sjellë rrotull mbi gruan, i gatshëm për ta “gllabëruar birin e saj kur ta kishte lindur” (Zbulesa 12:2–4). Që t’i kuptoni këto vargje të zbulesës së Gjonit, sillni ndërmend që këto figura përfaqësojnë Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë, si edhe rrezikun me të cilin do të përballeshin ato. Për shenjtorët që përjetuan përndjekje të rëndë në kohën e Gjonit, fitorja mbi ligësinë mund të mos ishte dukur e mundshme. Kjo fitore gjithashtu mund të jetë e vështirë të parashikohet në një kohë si e jona, kur kundërshtari është në “luftë kundër shenjtorëve” dhe ka “pushtet mbi çdo fis, gjuhë dhe komb” (Zbulesa 13:7). Por fundi i zbulesës së Gjonit, në mënyrë të lavdishme tregon se e mira do të triumfojë mbi ligësinë. Babilonia do të bjerë. Jezu Krishti do të mbretërojë si Mbret i Mbretërve. “Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre” dhe besnikët do të mbretërojnë me Të dhe do t’i “trashëgoj[në] të gjitha gjërat” (Zbulesa 21:4, 7).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Zbulesa 12:7–17

Lufta në Qiell vazhdon në tokë.

Nuk dimë shumë për Luftën në Qiell, por ka për të një përshkrim të gjallë edhe pse të shkurtër te Zbulesa 12:7–11. Teksa i lexoni këto vargje, përfytyrojeni veten tuaj si pjesë të atij konflikti para vdekshmërisë. Çfarë japin mësim këto vargje rreth mënyrës se si e mposhtët Satanin ju dhe fëmijët e tjerë besnikë të Perëndisë? Çfarë nënkupton kjo rreth mënyrës se si ju mund ta mposhtni atë në kohën tonë ndërsa ai vazhdon të “shko[jë] të bëjë luftë me [ata që] kanë dëshminë e Jezu Krishtit”? (Vargu 17.)

Shih edhe 1 Nefi 14:12–14; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mikael”, “Luftë në Qiell”.

Zbulesa 14:6–7

Cili është engjëlli që Gjoni e pa duke predikuar ungjillin?

Një përmbushje e profecisë në këto vargje ndodhi kur Moroni iu shfaq Jozef Smithit dhe e udhëhoqi atë drejt analeve që i përktheu dhe i botoi si Librin e Mormonit. Ky libër përmban “ungjillin e përjetshëm” të cilin na kërkohet t’ia predikojmë “çdo kombi dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli” (Zbulesa 14:6).

Zbulesa 17–18

Zoti më fton të largohem nga Babilonia dhe mëkatet e saj.

Zbulesa 17–18 përmban figura shqetësuese që përshkruajnë mëkatin, materializmin dhe epshet e Babilonisë – simbolit të ligësisë dhe të interesave si të botës. Mendoni shembuj të kushteve si në Babiloni që ekzistojnë sot në botë dhe përsiatni atë që mund të bëni për ta ndjekur këshillën që të “dilni prej” Babilonisë dhe “të mos bëheni pjestarë të mëkateve të saj” (Zbulesa 18:4).

Zbulesa 20:12–15

Të gjithë fëmijët e Perëndisë do të gjykohen prej librit të jetës.

Supozoni që një shkrimtar ofroi të shkruante një libër rreth jetës suaj. Çfarë hollësish ose përvojash do të donit të përfshinit? Nëse e dinit që veprimet tuaja të ardhshme gjithashtu do të shënoheshin, si do ta drejtonit ndryshe jetën tuaj? Mendoni për këtë teksa lexoni për Ditën e Gjykimit te Zbulesa 20:12–15. Çfarë shpresoni se do të shkruhet rreth jush në librin e jetës?

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Libër i Jetës”.

Zbulesa 21; 22:1–5

Nëse jam besnik, unë do të marr lavdinë çelestiale.

Në dallim nga përshkrimet e Babilonisë, Zbulesa 21–22 përshkruan lavdinë çelestiale që i pret pasuesit besnikë të Krishtit. Çfarë figurash, frazash ose premtimesh në këta kapituj ju frymëzojnë që të mbeteni besnikë edhe kur është e vështirë?

Zbulesa 22:18–19

A nënkuptojnë këto vargje që nuk mund të ketë asnjë shkrim të shenjtë shtesë përveç Biblës?

Disa njerëz e kanë cituar Zbulesën 22:18–19 si arsye për ta mohuar Librin e Mormonit dhe shkrimin tjetër të shenjtë të ditëve të mëvonshme. Gjithsesi, Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:

“Tani ka një miratim të përgjithshëm tronditës praktikisht mes të gjithë studiuesve të Biblës se ky varg gjen zbatim vetëm për librin e Zbulesës, jo për të gjithë Biblën. Këta studiues të kohës sonë pranojnë një numër ‘librash’ të Dhiatës së Re që pothuajse në mënyrë të sigurt u shkruan pasi u mor zbulesa e Gjonit në ishullin e Patmosit. …

Por ka një përgjigje më të thjeshtë. … Bibla e tërë, siç e njohim ne – një përmbledhje tekstesh të lidhura në një vëllim të vetëm – nuk ekzistonte kur u shkrua ai varg” (“My Words … Never Cease”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 91).

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Zbulesa 12; 19; 21

Disa pjesëtarë të familjes mund të kënaqen dhe të gjejnë dobi nga bërja e vizatimeve për vegimet e përshkruara te Zbulesa. Për shembull, bërja e vizatimeve nisur nga Zbulesa 12 mund të çojë drejt diskutimeve për Luftën në Qiell (shih vargjet 7–11). Vizatimet bazuar te Zbulesa 21 mund të frymëzojnë bashkëbisedime për mbretërinë çelestiale. Ju gjithashtu mund të tregoni figurën që e shoqëron këtë përvijim, dhe kërkojuni pjesëtarëve të familjes që të gjejnë vargje te Zbulesa 19 të cilat portretizohen në figurë.

Zbulesa 12:11

Çfarë mund të nënkuptojë fraza “fjalës së dëshmisë së tyre”? Si na ndihmojnë dëshmitë tona për Jezu Krishtin ne dhe të tjerët që të fitojmë mbi Satanin?

Zbulesa 13:11–14

Ç’mendime kanë pjesëtarët e familjes suaj rreth bishës mashtruese? Si i dallojmë dhe u shmangemi mashtrimeve që i shohim në botë sot?

Zbulesa 20:2–3

Si na ndihmojnë 1 Nefi 22:26; Doktrina e Besëlidhje 43:30–31 që ta kuptojmë se çfarë do të thotë që Satani të “lidhet”?

Zbulesa 22:1–4

Cili mund të jetë kuptimi simbolik i pasjes së emrit të Shpëtimtarit “mbi ballin [tonë]”? (Zbulesa 22:4; shih edhe Zbulesa 13:16–17).

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndiqni ecurinë e ftesave për të vepruar. “Kur e ndiqni ecurinë e një ftese për të vepruar, ju u tregoni [pjesëtarëve të familjes suaj] që keni kujdes për ta dhe mënyrën se si ungjilli po e bekon jetën e tyre. Ju gjithashtu u jepni atyre mundësi për të treguar përvojat e tyre, gjë e cila e forcon zotimin e tyre dhe i lejon ta përkrahin njëri‑tjetrin në të jetuarit e ungjillit” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 35).

Pamja
Jezu Krishti duke ngarë një kalë nga qielli në Ardhjen e Tij të Dytë

Krishti me rroba të kuqe i ulur mbi një kalë të bardhë.