Eja, Më Ndiq
2–8 Dhjetor. 1–3 Gjon; Judë: ‘Perëndia Është Dashuri’


“2–8 Dhjetor. 1–3 Gjon; Judë: ‘Perëndia Është Dashuri’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“2–8 Dhjetor. 1–3 Gjon; Judë”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Jezu Krishti duke buzëqeshur ndërsa rri i ulur me fëmijë që po buzëqeshin

Dashuria e Përsosur, nga Del Parson

2–8 Dhjetor

1–3 Gjon; Judë

“Perëndia Është Dashuri”

Teksa lexoni Letrën e Gjonit dhe të Judës, kërkoni frymëzim rreth mënyrës se si mund ta tregoni dashurinë tuaj për Perëndinë. Mbajini shënim këto mbresa dhe veproni sipas tyre.

Shënojini Mbresat Tuaja

Kur Gjoni dhe Juda i shkruan letrat e tyre, Braktisja e parashikuar kishte filluar tashmë, si rrjedhojë e përndjekjes së shumtë ashtu edhe doktrinës së korruptuar. Disa mësues të rremë madje vunë në dyshim nëse Jezu Krishti ishte shfaqur aktualisht “në mish” (shih, për shembull, 1 Gjon 4:1–3; 2 Gjon 1:7). Kështu Apostulli Gjon e filloi letrën e tij të parë duke dhënë dëshminë e tij vetjake për Shpëtimtarin: “Kjo është dëshmia që ne japim për atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës” (Joseph Smith Translation, 1 John 1:1 [në Biblën në anglisht 1 John 1:1, poshtëshënimi a]). Por ndoshta mesazhi më i fuqishëm i letrave të Gjonit është dashuria: Dashuria e Perëndisë për ne dhe dashuria që ne duhet të kemi për Të dhe gjithë fëmijët e Tij. Në fund të fundit, Gjoni e kishte përjetuar vetë dashurinë e Shpëtimtarit (shih Gjoni 13:23; 20:2) dhe ai dëshironte që shenjtorët ta ndienin po atë dashuri kur përballeshin me vështirësi dhe kundërshtim, sepse “në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën” (1 Gjon 4:18).

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

1 Gjon

Perëndia është dritë dhe Perëndia është dashuri.

Nëse do të zgjidhnit një ose dy fjalë për ta përshkruar Perëndinë, cilat do të ishin ato? Në letrat e tij Gjoni përdori fjalët “dritë” dhe “dashuri” (1 Gjon 1:5; 4:8, 16). Teksa lexoni 1 Gjonin, përsiatni përvojat e Gjonit siç shënohen tek Ungjilli sipas Gjonit, dhe merrni parasysh se si këto përvoja mund t’i kenë dhënë mësim Gjonit rreth dritës dhe dashurisë së Perëndisë. Çfarë përvojash vetjake ju kanë mësuar se Perëndia është dritë dhe dashuri?

Shih edhe Gjoni 3:16–21; 15:9–17; 2 Nefi 26:24; Doktrina e Besëlidhje 50:24; 88:6, 12–13; 93:36–37.

1 Gjon 2:24–3:3

Unë mund të bëhem si Jezu Krishti.

A ju duket ndonjëherë shumë i lartë synimi për t’u bërë si Krishti? Merreni parasysh këshillën nxitëse të Gjonit: “Djema, qëndroni në të që, kur të shfaqet ai, ne të mund të kemi besim, dhe … do të jemi të ngjashëm me të” (1 Gjon 2:28; 3:2). Çfarë gjeni te 1 Gjoni 2:24–3:3 që ju jep vetëbesim e ngushëllim si dishepull i Jezu Krishtit? Teksa studioni letrat e Gjonit, kërkoni parime ose këshillë tjetër që mund t’ju ndihmojnë në përpjekjen tuaj për t’u bërë më shumë si Krishti.

Shih edhe Moroni 7:48; Doktrina e Besëlidhje 88:67–68.

Përkthimi prej Joseph Smith-it, 1 Gjoni 4:12

“Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë”?

Përkthimi prej Joseph Smith-it i 1 Gjonit 4:12 qartëson se “askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë, përveç atyre që besojnë” (1 Gjon 4:12; shih edhe Gjoni 6:46; 3 Gjon 1:11). Shkrimet e shenjta shënojnë disa raste kur Perëndia, Ati, u është shfaqur individëve besnikë, përfshirë Gjonin vetë (shih Zbulesa 4; shih edhe Veprat e Apostujve 7:55–56; 1 Nefi 1:8; Doktrina e Besëlidhje 76:23; Joseph Smith – Historia 1:16–17).

1 Gjon 5

Kur ushtroj besim te Jezu Krishti dhe lindem rishtas, unë mund ta mund botën.

Ideja e mundjes së botës shfaqet shumë herë në shkrimet e Gjonit. Gjoni shënoi Jezusin duke thënë: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!” (Gjoni 16:33). Dhe te Zbulesa 2–3 Gjoni shënoi premtimet e Zotit ndaj atyre që e mundin botën. Çfarë tha Gjoni rreth mundjes së botës te 1 Gjoni 5:3–5? Teksa lexoni 1 Gjonin 5, kërkoni atë që duhet të bëjmë që ta mundim botën dhe të fitojmë jetë të përjetshme. Si mund të duket mundja e botës në jetën tuaj? Ju gjithashtu mund të gjeni përgjigje dhe ide te mesazhi i Plakut Nil L. Andersen “Mundja e Botës” (Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 58–62).

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

1 Gjon 2:8–11

Që ta ndihmoni familjen tuaj të përsiatë mësimet e Gjonit, mblidhuni në një dhomë të errët dhe lejojini pjesëtarët e familjes të përjetojnë ndryshimin midis ecjes “në errësirë” dhe ecjes “në dritë”. Si na bën urrejtja të ecim në errësirë dhe të pengohemi? Si sjell dritë në jetën tonë dashuria për njëri‑tjetrin?

1 Gjon 3:21–22

Çfarë gjërash në këto vargje e rritin “siguri[në]” që kemi te Perëndia dhe tek aftësia jonë për të marrë përgjigje ndaj lutjeve tona? Gjithashtu mund të bëni kërkime për fjalën “Lutje” te Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.lds.org).

1 Gjon 5:2–3

A ka urdhërime që i konsiderojmë “të rënda” apo të vështira për t’i ndjekur? Si e ndryshon dashuria jonë për Perëndinë mënyrën se si ndihemi rreth urdhërimeve të Tij?

Pamja
familje e gjunjëzuar së bashku në lutje

Zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë na ndihmon ta mundim botën.

Judë 1:3–4

A ka rreziqe shpirtërore që kanë “depërtua[r]” në jetën dhe familjen tuaj? (Judë 1:4.) Si mund ta ndjekim këshillën e Judës që “të lufto[jmë] për besimin” dhe t’u bëjmë ballë këtyre rreziqeve? (Judë 1:3.) Çfarë mund të bëjmë që të sigurojmë që “paqja dhe dashuria [të] shumo[hen]” në familjen tonë? (Judë 1:2.)

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Gjejeni dashurinë e Perëndisë. Plaku M. Rasëll Ballard dha mësim: “Ungjilli është një ungjill dashurie – dashurie për Perëndinë dhe dashurie për njëri‑tjetrin” (“God’s Love for His Children”, Ensign, maj 1988, f. 59). Teksa lexoni shkrimet e shenjta, merreni parasysh të shënoni ose shenjoni fjalë dhe fraza që tregojnë prova të dashurisë së Perëndisë.