Eja, Më Ndiq 2024
9–15 Dhjetor: “Krishti të Mund të të Ngrejë”. Moroni 7–9


“9–15 Dhjetor: ‘Krishti të Mund të të Ngrejë’. Moroni 7–9”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“9–15 Dhjetor. Moroni 7–9”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Pamja
Moroni duke shkruar në fletë të arta

Minerva Teichert (1888–1976), Moroni: The Last Nephite [Moroni: Nefiti i Fundit], 1949–1951, vaj në dru të presuar, 89 x 119 centimetra. Muzeu i Arteve i Universitetit “Brigam Jang”, 1969

9–15 Dhjetor: “Krishti të Mund të të Ngrejë”

Moroni 7–9

Përpara se Moroni ta mbyllte analin që ne sot e njohim si Libri i Mormonit, sipas vetë fjalëve të tij të fundit, ai dha tri mesazhe nga ati i tij, Mormoni: një fjalim drejtuar “pasues[ve] paqësorë të Krishtit” (Moroni 7:3) dhe dy letra që Mormoni ia kishte shkruar Moronit. Ndoshta Moroni i përfshiu këto mesazhe në Librin e Mormonit ngaqë ai parashikoi ngjashmëri midis rreziqeve të kohës së tij dhe të kohës sonë. Kur këto fjalë u shkruan, populli nefit po largohej nga Shpëtimtari. Shumë prej tyre e kishin “humbur dashurinë e tyre për njëri‑tjetrin” dhe gëzoheshin për “çdo gjë, nëse nuk [ishte] e mirë” (Moroni 9:5, 19). Dhe prapëseprapë, Moroni ende gjeti shkak për shpresë, duke na mësuar se shpresa nuk nënkupton shpërfilljen ose qenien naivë ndaj problemeve të botës. Shpresa nënkupton të kesh besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, fuqia e të cilëve është më e madhe dhe më jetëgjatë se këto probleme. Ajo nënkupton “mbështet[jen] në çdo gjë të mirë” (Moroni 7:19). Nënkupton lejimin e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe të “shpres[ës së] lavdisë së tij dhe [të] jetës së përjetshme” që të “qëndro[jnë] në mendjen tënde përherë” (Moroni 9:25).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Moroni 7:12–20

Drita e Krishtit më ndihmon të dalloj të vërtetën nga e gabuara.

Shumë njerëz pyetin veten: “Nga mund ta di që një mbresë vjen nga Perëndia ose nga vetë mendimet e mia?” ose “Me kaq shumë mashtrim sot, nga mund ta di se çfarë është e drejtë ose e gabuar?” Fjalët e Mormonit te Moroni 7 na japin disa parime që mund t’i përdorim për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Kërkojini këto parime veçanërisht te vargjet 12–20. Mund t’i përdorni këto të vërteta që t’ju ndihmojnë të vlerësoni mesazhet që i hasni dhe përvojat që i keni këtë javë.

Shihni edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dritë, Dritë e Krishtit”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Patterns of Light: Discerning Light” [“Modele të Dritës: Dallimi i Dritës”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Moroni 7:20–48

Për shkak të Jezu Krishtit, unë mund të “mbështete[m] në çdo gjë të mirë”.

Mormoni bëri një pyetje që duket veçanërisht e rëndësishme sot: “Si është e mundur [të] mbështete[m] në çdo gjë të mirë?” (Moroni 7:20.) Ai më pas dha mësim rreth besimit te Jezu Krishti, shpresës dhe dashurisë hyjnore. Teksa i lexoni vargjet 20–48, kërkoni mënyrën se si secili tipar ju ndihmon të gjeni dhe të “mbështeteni” në mirësinë që vjen nga Jezu Krishti. Pse këto tipare janë thelbësore për një dishepull të Jezu Krishtit?

Shihni edhe “Mormon’s Teachings about Faith, Hope, and Charity” [“Mësimet e Mormonit për Besimin, Shpresën dhe Dashurinë Hyjnore”], (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Moroni 7:44–48

Pamja
ikona e seminarit
“Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit.”

Mormoni vëzhgoi se besimi dhe shpresa jonë te Jezu Krishti na shtyjnë të kemi dashuri hyjnore. Por çfarë është dashuria hyjnore? Mund të shkruani Dashuria hyjnore është … dhe më pas të lexoni te Moroni 7:44–48, duke kërkuar fjalë ose fraza që mund ta plotësojnë fjalinë. Kur të mbaroni, merreni parasysh ta zëvendësoni fjalën Dashuria hyjnore me emrin Jezu Krishti. Çfarë na mëson kjo për Shpëtimtarin? Si e ka demonstruar Jezu Krishti dashurinë e Tij të pastër? Mendoni shembuj nga shkrimet e shenjta dhe nga vetë jeta juaj.

Presidenti Dallin H. Ouks vërejti: “Arsyeja që dashuria hyjnore nuk dështon kurrë dhe arsyeja përse dashuria hyjnore është më e madhe edhe se veprat më të rëndësishme të mirësisë … është se dashuria hyjnore, ‘dashuria e pastër e Krishtit’ [Moroni 7:47], nuk është një veprim, por një gjendje ose mënyrë e të qenit. … Dashuria hyjnore është diçka në të cilën shndërrohet një njeri” (“The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 34). Me këtë thënie në mendje, mund të lexoni mesazhin e Plakut Masimo De Feo “Dashuria e Pastër: Shenja e Vërtetë e Çdo Dishepulli të Vërtetë të Jezu Krishtit” (Liahona, maj 2018, f. 81–83). Si ndikon dashuria hyjnore te dishepullimi juaj? Si mundet që ju të “kap[e]ni pas dashurisë hyjnore? (Vargu 46.)

Shihni edhe te 1 Korintasve 13:1–13; Ethëri 12:33–34; “Doni Njëri-Tjetrin”, Himne, nr. 203; “Charity: An Example of the Believers” [“Dashuria Hyjnore: Një Shembull për Besimtarët”], (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dashuri Hyjnore”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Përdorni mësime me sende. Mbase të menduarit për një stol me tri këmbë mund t’ju ndihmojë të kuptoni më shumë rreth marrëdhënies mes besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore (shihni te Diter F. Uhtdorf, “Forca e Pafundme e Shpresës”, Liahona, nëntor 2008, f. 21–24).

Moroni 9:3–5

Zemërimi çon drejt hidhërimit dhe vuajtjes.

Në kundërshtim me mesazhin e dashurisë nga Mormoni te Moroni 7:44–48, letra e dytë e Mormonit drejtuar Moronit përfshinte paralajmërime për diçka me të cilën shumë njerëz kanë vështirësi sot: zemërimi. Sipas vargjeve te Moroni 9:3–5, cilat ishin disa nga pasojat e zemërimit të nefitëve? Çfarë paralajmërimesh mund të marrim nga vargjet 3–5, 18–20, 23?

Shihni edhe Gordon B. Hinkli, “Të Ngadaltë në Zemërim”, Liahona, nëntor 2007, f. 62–66.

Moroni 9:25–26

Unë mund të kem shpresë në Krishtin, pavarësisht nga rrethanat e mia.

Pas përshkrimit të ligësisë që kishte parë, Mormoni i tha birit të tij të mos hidhërohej. Çfarë ju bën përshtypje rreth mesazhit të Mormonit për shpresën? Çfarë do të thotë për ju që Krishti t’ju “ngrejë”? Cilat tipare të Krishtit dhe cilat parime të ungjillit të Tij “qëndro[jnë] në mendjen [tuaj]” dhe ju japin shpresë? (Moroni 9:25.)

Shihni edhe Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 81–84.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Moroni 7:33

Nëse kam besim te Jezu Krishti, unë mund të bëj çfarëdo gjëje që Ai ka nevojë që unë të bëj.

  • Merreni parasysh të vështroni disa figura së bashku që tregojnë dikë nga shkrimet e shenjta duke arritur diçka të rëndësishme (shihni për shembull te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, figurat nr. 19, 70, 7881). Si shkaktoi pasja e besimit te Krishti një ndryshim te këta shembuj? Ju dhe fëmijët tuaj mund të lexoni pastaj te Moroni 7:33, duke kërkuar atë që mund të bëjmë kur kemi besim te Jezu Krishti. Mund edhe t’i tregoni njëri-tjetrit përvoja kur Perëndia ju bekoi me forcë për ta bërë vullnetin e Tij.

Moroni 7:41

Besimi te Jezu Krishti mund të më japë shpresë.

  • Ndërsa u lexoni fëmijëve tuaj te Moroni 7:41, mbase ata mund të ngrenë dorën kur të dëgjojnë diçka për të cilën Mormoni tha se duhet të shpresojmë. Tregojuni atyre për shpresën që ndieni për shkak të Jezu Krishtit.

  • Ju dhe fëmijët tuaj mund të mendoni edhe për dikë që mund të jetë duke pasur vështirësi me diçka. Mbase fëmijët tuaj mund të bëjnë një vizatim për atë person që të mund t’i kujtojë atij apo asaj që të ketë shpresë te Jezu Krishti.

Moroni 7:40–41; 9:25–26

Unë mund të kem besim te Jezu Krishti, edhe gjatë sprovave të vështira.

  • Për t’u dhënë mësim fëmijëve tuaj për shpresën te Jezu Krishti, mbushni një enë të tejdukshme me ujë dhe hidhni dy sende brenda, një që pluskon dhe një që fundoset. Ndërsa lexoni së bashku te Moroni 7:40–41 dhe 9:25–26, fëmijët tuaj mund të kërkojnë atë që na shkakton shpresa. Më pas ata mund ta krahasojnë sendin që pluskon me një person që ka shpresë te Krishti. Si “[na] ngre” Ai kur përballemi me sprova të vështira? Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë për mënyra se si mund t’i mbajnë Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij inkurajuese “në mendjen [e tyre] përherë”.

Moroni 7:45–48

“Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit.”

  • Një këngë rreth dashurisë, e tillë si “Doni Njëri-Tjetrin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 74), mund të hapë një diskutim se çfarë është dashuria hyjnore. Mund ta lexoni ose përmblidhni vargun te Moroni 7:47 dhe t’i ftoni fëmijët tuaj të bëjnë vizatime të vetvetes duke i treguar dashuri dikujt. Sugjeroni që ta vendosin vizatimin e tyre aty ku do t’u kujtojë që t’i duan të tjerët ashtu siç bën Jezusi.

  • Si mund t’i frymëzoni fëmijët tuaj që ta kërkojnë e ta zhvillojnë dashurinë e pastër të Krishtit në jetën e tyre? Mbase mund t’i ndihmoni ata të mendojnë për mënyrat se si Jezusi tregoi dashuri hyjnore (shihni për shembull te Lluka 23:34; Gjoni 8:1–11; Ethëri 12:33–34). Si mund ta ndjekim shembullin e Tij?

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
Jezu Krishti

Portrait of Christ the Savior [Portret i Krishtit, Shpëtimtarit], nga Heinrich Hofmann