Dhiata e Re 2023
27 Gusht. Në Ç’Mënyrë Mund ta Tregoj se e Di që Trupi Im Është një Dhuratë e Shenjtë nga Perëndia? 1 Korintasve 1–7


“27 Gusht. Në Ç’Mënyrë Mund ta Tregoj se e Di që Trupi Im Është një Dhuratë e Shenjtë nga Perëndia? 1 Korintasve 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023 (2022)

“27 Gusht. Në Ç’Mënyrë Mund ta Tregoj se e Di që Trupi Im Është një Dhuratë e Shenjtë nga Perëndia?”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023

Pamja
tempulli

Tempulli i Indianapolisit, Indianë

27 Gusht

Në Ç’Mënyrë Mund ta Tregoj se e Di që Trupi Im Është një Dhuratë e Shenjtë nga Perëndia?

1 Korintasve 1–7

Pamja
ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtare e presidencës së klasës ose një anëtar i presidencës së kuorumit; përafërsisht 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj drejtoni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet e mëposhtme ose pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.

  • Jetojeni ungjillin. Cilat përvoja të kohëve të fundit na kanë afruar më shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

  • Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. A është shpërngulur dikush në lagjen tonë të Kishës ose është bashkuar me Kishën kohët e fundit? Si mund ta ndihmojmë të ndihet i mirëpritur?

  • Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Çfarë aktivitetesh po afrojnë tek të cilat mund t’i ftojmë miqtë tanë të marrin pjesë?

  • Bashkojini familjet për përjetësinë. Çfarë përpjekjesh mund të ndërmarrim për t’i shënuar historitë tona vetjake?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuani anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

Pamja
ikona jepeni mësim doktrinën

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Qoftë për mirë ose për keq, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme duket se ne jemi të mirënjohur për atë që nuk bëjmë. Shumë prej atyre “gjërave që nuk duhen bërë”, kanë të bëjnë me mënyrën se si i trajtojmë trupat tanë fizikë. Pas secilës prej atyre zgjedhjeve rreth asaj se çfarë të bëjmë, janë disa të vërteta të përjetshme – ajo që ne dimë. Kur të vërtetat e përjetshme i udhërrëfejnë zgjedhjet tona, ato zgjedhje bëhen më të lehta për t’u bërë, më të gëzuara dhe më të qëndrueshme. Të vërtetat e përjetshme gjithashtu na ndihmojnë t’ua shpjegojmë zgjedhjet tona miqve tanë. Ndoshta përveçse të njihemi për atë që nuk bëjmë, të mund të njihemi më mirë për atë që dimë.

Mendoni për të vërtetat e përjetshme që dini për trupat tanë fizikë – pse i kemi, si ndihet Perëndia për to dhe si dëshiron Ai që ne të ndihemi për to. Si ju ka bekuar njohja e këtyre të vërtetave dhe si ka ndikuar në zgjedhjet tuaja? Si mund t’i bekojë kjo njohuri anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tuaj? Ndërsa e përsiatni këtë, lexoni te Zanafilla 1:27; 1 Korintasve 6:19–20 dhe artikullin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Your Body: A Magnificent Gift to Cherish” (Liahona, gusht 2019, f. 50–55).

Mësoni së Bashku

Ndërsa anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tuaj studiuan shkrimet e shenjta këtë javë, mund të kenë pasur mendime mbi mësimet e Palit për trupat tanë te 1 Korintasve 6. Një mënyrë për t’i ftuar ata të flasin për këto mendime është t’i jepni secilit prej tyre një copë letre dhe t’u kërkoni të shkruajnë të paktën tri përgjigje të mundshme për pyetjen: “Në ç’mënyrë trupat tanë janë si tempujt?” Nxitini ata të lexojnë vargjet te 1 Korintasve 6:19–20 ndërsa përsiatin për këtë pyetje. Më pas mund t’ia tregojnë përgjigjet e tyre njëri-tjetrit. Si ndikojnë mësimet e Shpëtimtarit rreth trupave tanë te zgjedhjet që bëjmë? Këtu janë disa ide shtesë për veprimtari për këtë temë; zgjidhni nga këto, ose planifikoni një veprimtari tuajën.

  • Nëse do të donit të diskutonit më tej për krahasimin e Palit midis trupit dhe tempullit, merrni parasysh të shfaqni figura të disa tempujve të ndryshëm. Mund t’i gjeni disa te faqja temples.ChurchofJesusChrist.org. Anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit mund të diskutojnë ndryshimet që shohin te këta tempuj, bashkë me gjërat që kanë të përbashkëta. Ata mund të flasin edhe për mënyrën se si ndihen kur janë në tempull. Cila është ajo gjë që e bën tempullin një vend kaq shpirtëror dhe të shenjtë? Më pas mund ta nxitni klasën ose kuorumin t’i lidhë gjërat që kanë diskutuar rreth tempujve me trupat tanë. Si mund të lidhen me trupat tanë fizikë mësimet rreth tempujve te Doktrina e Besëlidhje 97:15–16; 109:8, 12?

  • Anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tuaj ka të ngjarë të kenë pasur – ose do të kenë – mundësi për të shpjeguar se përse i ndjekin mësimet e Shpëtimtarit rreth përkujdesjes për trupat e tyre. Mund t’i pyesni disa prej tyre se çfarë mund të thonë, për shembull, nëse dikush i pyet pse nuk pinë alkool, çaj apo kafe ose pse nuk veshin disa lloj veshjesh. Cilat janë disa të vërteta nga ungjilli i Jezu Krishtit që ndikojnë në mënyrën se si ne i trajtojmë trupat tanë? Anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit mund t’i kërkojnë disa prej këtyre të vërtetave në pjesën “Burime Mbështetëse”.

  • Për t’i ndihmuar ata të cilëve u jepni mësim, ta thellojnë nderimin e tyre për trupat tanë të mrekullueshëm, mund të shfaqni materialin filmik “God’s Greatest Creation” [“Krijimi më i Madh i Perëndisë”] (shih edhe Russell M. Nelson, “Your Body: A Magnificent Gift to Cherish”, f. 50–55). Si duan Ati Qiellor dhe Jezu Krishti që të ndihemi për trupat tanë? Ju gjithashtu mund të diskutoni për mënyrat se si Satani përpiqet të na bindë t’i nënçmojmë ose madje t’i kemi zët trupat tanë. Çfarë mund të bëjmë për t’i mposhtur gënjeshtrat dhe tundimet e tij? Cilat të vërteta do të na ndihmojnë? Disa nga burimet në pjesën “Burime Mbështetëse” mund të jenë të dobishme.

Pamja
të rinj duke vrapuar

Trupat tanë janë dhurata nga Perëndia dhe të vërtetat e ungjillit na ndihmojnë të kujdesemi për ta.

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse duan, mund të japin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin po të veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

  • Zanafilla 1:27; 1 Korintasve 6:19–20; Alma 11:42–44; 40:23; Doktrina e Besëlidhje 89; 130:22

  • Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” veçanërisht tre paragrafët e parë

  • Zoti më Dha një Tempull”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 73

  • Artikuj për trupat tanë fizikë te revista New Era ose Liahona të muajit gusht 2019.

  • Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Duke na dhënë dhuratën e një trupi, Perëndia na ka lejuar të ndërmarrim një hap jetik drejt bërjes më shumë si Ai. Satani e kupton këtë gjë. … Kështu që shumë, në mos shumica, prej tundimeve që ai i vendos në shtegun tonë, na bëjnë të abuzojmë me trupat tanë ose trupat e të tjerëve. … Trupi juaj është tempulli juaj vetjak, i krijuar që të mbajë shpirtin tuaj të përjetshëm [shih 1 Korintasve 3:16–17; 6:18–20]. Kujdesi juaj për atë tempull është i rëndësishëm. Tani, unë ju pyes … a jeni më të interesuar për veshjen dhe përkujdesjen për trupin tuaj që t’i bëni qejfin botës në vend që të kënaqni Perëndinë? Përgjigjja juaj ndaj kësaj pyetjeje i dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë Atij rreth ndjenjave që keni në lidhje me dhuratën e Tij të jashtëzakonshme për ju” (“Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 68).

  • Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Ata që besojnë se trupat tanë nuk janë më shumë sesa një rezultat i rastit evolucionar, nuk do të ndiejnë asnjë përgjegjësi ndaj Perëndisë apo kujtdo tjetri për atë që bëjnë me apo për trupin e tyre. Ne që kemi një dëshmi për realitetin më të gjerë të përjetësisë para vdekshmërisë, në vdekshmëri dhe pas vdekshmërisë, sidoqoftë, duhet ta pranojmë se kemi një detyrë ndaj Perëndisë lidhur me këtë arritje kurorëzuese të Tij të krijimit fizik. … Duke qenë se trupi ynë është një instrument i shpirtit tonë, është jetike që ne të kujdesemi për të me sa mundemi. Ne duhet të përkushtojmë forcat e tij për t’i shërbyer punës së Krishtit dhe për ta çuar më tej atë” (“Mendime mbi një Jetë të Përkushtuar”, Liahona, nëntor 2010, f. 17).

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Jini të ndjeshëm ndaj nxënësve në klasën ose kuorumin tuaj që kanë paaftësi ose sfida të tjera fizike. Ndihmojini ata të kuptojnë se trupi i çdokujt është i çmuar dhe i denjë për respekt. Dashuria e ngjashme me të Krishtit që ju ua tregoni të gjithëve, mund të ketë një ndikim të fuqishëm në mënyrën se si anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit e shohin njëri-tjetrin dhe veten.