Dhiata e Re 2023
13 Gusht. Si Mund të më Ndihmojë Jezu Krishti të Ndryshoj? Romakëve 1–6


“13 Gusht. Si Mund të më Ndihmojë Jezu Krishti të Ndryshoj? Romakëve 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023 (2022)

“13 Gusht. Si Mund të më Ndihmojë Jezu Krishti të Ndryshoj?”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023

Pamja
pagëzimi

13 Gusht

Si Mund të më Ndihmojë Jezu Krishti të Ndryshoj?

Romakëve 1–6

Pamja
ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtare e presidencës së klasës ose një anëtar i presidencës së kuorumit; përafërsisht 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj drejtoni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet e mëposhtme ose pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.

  • Jetojeni ungjillin. Si po gjejmë gëzim duke ndjekur Jezu Krishtin?

  • Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Kush ka nevojë për ndihmën tonë në lagjen e Kishës ose komunitetin tonë? Si mund t’i ndihmojmë ata?

  • Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin që të përgatitemi për shërbim misionar?

  • Bashkojini familjet për përjetësinë. Si mund të kontribuojmë në përpjekjet e lagjes sonë për të bërë punë për historinë familjare dhe punë në tempull?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuani anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

Pamja
ikona jepeni mësim doktrinën

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

“Ungjilli i Jezu Krishtit është ungjill ndryshimi!” – ka thënë Presidenti Rasëll M. Nelson (“Vendime Përjetësie”, Liahona, nëntor 2013, f. 108). Në mënyrë të ngjashme, Apostulli Pal shpjegoi se kur pagëzohemi, ne “ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Për shkak të Jezu Krishtit, çdo ditë – jo vetëm dita kur pagëzohemi – mund të sjellë “risinë e jetës” ose mundësi për t’u larguar nga mëkati dhe për t’u afruar me Perëndinë. Të jetosh ungjillin e Jezu Krishtit do të thotë të pendohesh dhe të afrohesh më shumë me Perëndinë – vazhdimisht, ndonjëherë gradualisht – duke e ditur se përpjekjet tona do të na çojnë në një gëzim të plotë.

Përsiatni se si Shpëtimtari po ju ndryshon ju dhe njerëzit të cilëve u jepni mësim. Si mund ta merrni më plotësisht fuqinë e Perëndisë për t’ju ndryshuar? Mendoni për këtë ndërsa lexoni vargjet te Romakëve 1–6 dhe ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim. Ju gjithashtu mund të shqyrtoni mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë” (Liahona, maj 2019, f. 67–69) ose mesazhin e Motrës Beki Krejvën “Mbajeni Ndryshimin” (Liahona, nëntor 2020, f. 58–60).

Mësoni së Bashku

Për disa prej nesh, “risi[a] e jetës” që ofron Krishti (Romakëve 6:4), është e vështirë të dallohet sepse ndodh gradualisht, ndërsa për të tjerë, ky ndryshim ndodh më shpejt. Ju mund t’i ftoni anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të tregojnë se çfarë do të thotë për ta “risi[a] e jetës”. Cilat janë disa fjalë dhe fraza nga Romakëve 6 që e përshkruajnë jetën tonë me dhe pa ndikimin e Shpëtimtarit? (Nëse të rinjtë dhe të rejat kanë nevojë për ndihmë, ju mund të shihni vargjet 6, 11, 22–23.) Për çfarë fjalësh dhe frazash të tjera mund të mendojmë? Në çfarë mënyre Shpëtimtari ofron të na ndihmojë për të ndryshuar? Veprimtaritë si ato në vijim mund të çojnë në një diskutim më të thellë për këtë temë.

  • Për ta ndihmuar klasën ose kuorumin të mendojë për ndryshimet që mund t’i ndihmojë Shpëtimtari të bëjnë, ftojini ata të lexojnë përkufizimin nën pjesën “Pendohem, Pendim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ata gjithashtu mund të diskutojnë për përkufizimin për pendimin nga Presidenti Rasëll M. Nelson te shtatë paragrafët e parë të mesazhit të tij “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”. Çfarë të vërtetash të rëndësishme mësojmë rreth pendimit nga këto përkufizime? Gjithashtu mund t’i jepni kohë klasës ose kuorumit për të përsiatur për listën e gjërave nga Presidenti Nelson që Jezusi kërkon nga ne që të ndryshojmë (te paragrafi i pestë i mesazhit të tij). Nxitini ata të shkruajnë diçka specifike që ndihen të nxitur për ta ndryshuar. Jepni dëshminë tuaj për fuqinë e Shpëtimtarit për të na ndihmuar të pendohemi dhe ndryshojmë.

  • Motra Beki Krejvën tha se miq nga e kaluara e saj ndonjëherë thonin: “Nuk ke ndryshuar fare!” Ju mund të lexoni komentet e Motrës Krejvën rreth kësaj (shih “Mbajeni Ndryshimin”, f. 59–60). Kërkojuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit të përfytyrojnë sikur pas pesë ose dhjetë vjetësh, hasin një mik ose mikeshë nga e kaluara e tyre. Cilat ndryshime mund të jenë të dukshme për miqtë tanë? Në çfarë mënyrash shpresojmë se do të kemi ndryshuar? Si mund të na ndihmojë besimi te Jezu Krishti për të ndryshuar? (Shih Mosia 5:2–5, 7; Alma 5:11–13; Ethëri 12:27, ose “model[in e] vazhdueshëm për ndryshim” që përshkroi Motra Krejvën në katër paragrafët e mesazhit të saj që fillojnë me frazën “Kur isha më e re në moshë”). Ju mund t’u kërkoni të rinjve dhe të rejave të tregojnë ndonjë përvojë kur Jezu Krishti i ndihmoi ata të ndryshonin.

  • Ndonjëherë mund të mendojmë se nga ne pritet t’i bëjmë të vetëm ndryshimet ose përmirësimet në jetën tonë. Si ndryshon kjo nga pendimi i vërtetë? Për ta ndihmuar klasën ose kuorumin tuaj të diskutojë për këtë pyetje, ju mund të shqyrtoni së bashku thëniet te pjesa “Burime Mbështetëse”. Çfarë mund të bëjmë tani për të kërkuar ndihmën dhe fuqinë e Shpëtimtarit në mënyrë që ndryshimet tona të jenë të përhershme dhe të gëzueshme? Kjo mund të jetë një mundësi e mirë për të rinjtë dhe të rejat që të marrin parasysh synimet e tyre për zhvillimin vetjak. Si mund ta përfshijmë Shpëtimtarin në synimet tona?

Pamja
të reja duke ecur

Besimi te Jezu Krishti na ndihmon të pendohemi dhe të bëhemi më shumë si Ai çdo ditë.

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse duan, mund të japin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin po të veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

  • Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi: “Mund ta ndryshojmë sjelljen. Edhe vetë dëshirat tona mund të ndryshojnë. Si? Ka vetëm një mënyrë. Ndryshimi i vërtetë – ndryshimi i përhershëm – mund të vijë vetëm me fuqinë shëruese, pastruese dhe aftësuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ai ju do – secilin nga ju! Ai ju lejon ta përdorni fuqinë e Tij kur zbatoni urdhërimet e Tij, me etje, seriozitet dhe përpikëri” (“Vendime Përjetësie”, f. 108).

  • Plaku Dejll G. Renland dha mësim: “Fuqi[a] që e bën të mundur pendimin, [është] sakrific[a] shlyese [e] Shpëtimtarit tonë. Pendimi i vërtetë duhet të përfshijë besimin te Zoti Jezu Krisht, besimin se Ai mund të na ndryshojë, besimin se Ai mund të na falë dhe besimin se Ai do të na ndihmojë të shmangim gabime të tjera. Ky lloj besimi e bën Shlyerjen e Tij të efektshme në jetën tonë. Kur … ‘kthehemi prapa’ [pendohemi] me ndihmën e Shpëtimtarit, ne mund të ndiejmë shpresë te premtimet e Tij dhe gëzimin e faljes. Pa Shëlbuesin, shpresa dhe gëzimi i vetvetishëm i pendimit avullojnë dhe pendimi bëhet thjesht një sjellje e mjerë modifikimi. Por, duke ushtruar besim tek Ai, ne bëhemi të kthyer tek aftësia dhe gatishmëria e Tij për të falur mëkatin” (Dejll G. Renland, “Pendimi: Një Zgjedhje e Gëzueshme”, Liahona, nëntor 2016, f. 122).

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Veprimtaritë në këtë përvijim të mësimit sugjerojnë mënyra të mundshme për ta ndihmuar klasën ose kuorumin tuaj të mësojë së bashku rreth Shpëtimtarit dhe fuqisë së Tij për të na ndihmuar të ndryshojmë. Mund të ketë qasje të tjera që do të funksionojnë më mirë për ata të cilëve u jepni mësim. Me lutje kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit ndërsa planifikoni mënyra për të ndërtuar besimin te Jezu Krishti.