Dhiata e Re 2023
9 Korrik. Si e Udhëheq Jezu Krishti Kishën e Tij? Veprat e Apostujve 1–5


“9 Korrik. Si e Udhëheq Jezu Krishti Kishën e Tij? Veprat e Apostujve 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023 (2022)

“9 Korrik. Si e Udhëheq Jezu Krishti Kishën e Tij?”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023

Pamja
Apostulli Pjetër duke i folur turmës

Pas Kryqëzimit të Tij, Shpëtimtari e udhëhoqi Kishën e Tij nëpërmjet Apostujve të Tij, përfshirë Pjetrin.

9 Korrik

Si e Udhëheq Jezu Krishti Kishën e Tij?

Veprat e Apostujve 1–5

Pamja
ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtare e presidencës së klasës ose një anëtar i presidencës së kuorumit; përafërsisht 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj drejtoni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet e mëposhtme ose pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.

  • Jetojeni ungjillin. Çfarë temash ka diskutuar peshkopata në mbledhjet e këshillit të lagjes sonë për rininë? Çfarë mund të bëjmë si klasë ose kuorum bazuar në ato diskutime?

  • Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Si mund t’i ndihmojmë njerëzit në mënyra të ngjashme me të Krishtit kur shohim një nevojë dhe nuk dimë se çfarë të themi?

  • Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Çfarë kemi gjetur tek ungjilli i Jezu Krishtit që na sjell gëzim? Si mund ta përhapim atë gëzim tek të tjerët?

  • Bashkojini familjet për përjetësinë. Çfarë po bëjmë për të gjetur emrat e paraardhësve tanë që kanë nevojë për ordinancat e tempullit? Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët të gjejnë emrat e paraardhësve të tyre?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuani anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

Pamja
ikona jepeni mësim doktrinën

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Është një gjë të dish se Kisha është e mirë, se Kisha të mëson parime të vërteta, ose se Kisha mund të të ndihmojë të bëhesh një person më i mirë. Është diçka tjetër të dish se Kisha sot është vërtet Kisha e Jezu Krishtit, e themeluar nga Ai dhe e udhëhequr personalisht dhe vazhdimisht nga Ai nëpërmjet një profeti të gjallë. Libri Veprat e Apostujve jep prova të shumta se Shpëtimtari është i përfshirë ngushtë në drejtimin e Kishës së Tij. Ndërsa studioni kapitujt 1–5, kërkojeni atë provë dhe përsiatni se si e dini se Ai vazhdon ta drejtojë Kishën e Tij sot. Si ju ka bekuar kjo njohuri?

A kanë të rinjtë dhe të rejat të cilave u jepni mësim, një dëshmi se Kisha së cilës i përkasin udhëhiqet nga Vetë Shpëtimtari? Si do t’i bekojë ata një dëshmi e tillë? Si mund t’i ndihmoni ata që ta fitojnë ose forcojnë këtë dëshmi? Përveç studimit të kapitujve te Veprat e Apostujve 1–5, ju gjithashtu mund të lexoni mesazhin e Plakut Kuentin L. Kuk “Bekimi i Zbulesës së Vazhdueshme të Dhënë Profetëve dhe i Zbulesës Vetjake për ta Udhërrëfyer Jetën Tonë” (Liahona, maj 2020, f. 96–100).

Mësoni së Bashku

Për ta filluar diskutimin tuaj, mund të shkruani në tabelë Jezu Krishti e udhëhoqi Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës drejtuar Apostujve të Tij. Anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit mund të tregojnë diçka që gjetën gjatë studimit të tyre të kapitujve te Veprat e Apostujve 1–5, që e përkrah këtë pohim. (Po të jetë e nevojshme, ju mund t’i drejtoni ata te Veprat e Apostujve 1:1–8; 2:36–39; 4:1–13, 31–33.) Çfarë prove shohim se Jezu Krishti e udhëheq Kishën e Tij në të njëjtën mënyrë sot? Veprimtaritë si ato në vijim, mund t’i ndihmojnë ata të cilëve u jepni mësim, ta forcojnë besimin e tyre te kjo e vërtetë e rëndësishme.

  • Ju mund të përgatitni disa pyetje si këto: “Si e udhëheq Jezu Krishti Kishën e Tij? Si mund ta rritim besimin tonë se Jezu Krishti po e udhëheq Kishën e Tij? Përse mirëbesoni te profetët dhe apostujt e Zotit?” Jepini çdo anëtareje të klasës ose anëtari të kuorumit një nga pyetjet dhe ftojini ta përsiatin pyetjen dhe të mendojnë për shkrime të shenjta që mund t’i ndihmojnë t’i përgjigjen asaj (nëse është e nevojshme, shih pjesën “Burime Mbështetëse” për disa ide). Më pas jepuni kohë të gjithëve që të tregojnë dhe të diskutojnë për atë që mësuan.

  • Për ta ndihmuar klasën ose kuorumin të shohë se si Zoti e udhëheq Kishën e Tij, ju mund t’i ftoni ata të shqyrtojnë pjesën e parë të mesazhit të Plakut Kuentin L. Kuk “Bekimi i Zbulesës së Vazhdueshme të Dhënë Profetëve dhe i Zbulesës Vetjake për ta Udhërrëfyer Jetën Tonë”. Ndoshta çdo anëtare e klasës ose anëtar i kuorumit mund të tregojë diçka nga mesazhi që e ndihmon të dijë se Jezu Krishti po e udhëheq aktivisht dhe personalisht Kishën e Tij. Çfarë pikëpamjesh të tjera gjejmë te shkrimet e shenjta në pjesën “Burime Mbështetëse”?

  • Gjithashtu mund të jetë e dobishme për të rinjtë dhe të rejat të mësojnë më shumë mbi mënyrën se si po e udhëheq Zoti lagjen tuaj. Mund t’u kërkoni të rinjve dhe të rejave të tregojnë shembuj të mënyrës se si Zoti po i udhërrëfen udhëheqësit individualë të lagjes, përfshirë presidenten e klasës ose presidentin e kuorumit. Gjatë javës para orës mësimore, mund t’u kërkoni disa udhëheqësve të lagjes të tregojnë – fizikisht ose në rrugë elektronike – përvoja që tregojnë se si i udhërrëfen Zoti. Anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit mund të gjejnë shembuj shtesë te mesazhi i Presidentit Henri B. Ajring “Zoti e Udhëheq Kishën e Tij” (Liahona, nëntor 2017, f. 81–84). Përse është e rëndësishme të kemi besim se Zoti po i frymëzon udhëheqësit e lagjes sonë?

  • Disa njerëz mendojnë se nëse jemi njerëz të mirë dhe bëjmë gjëra të mira, nuk kemi nevojë për një kishë. Ju mund t’i pyetni të rinjtë dhe të rejat se si do t’i përgjigjeshin kësaj. Në mesazhin e tij “Nevoja për një Kishë” (Liahona, nëntor 2021, f. 24–26), Presidenti Dallin H. Ouks jep disa arsye përse kishat, përfshirë Kishën e rivendosur të Zotit, janë të rëndësishme. Të rinjtë dhe të rejat mund ta hulumtojnë këtë mesazh në dyshe, në grupe të vogla ose si klasë apo kuorum dhe të tregojnë atë që gjejnë.

Pamja
mbledhje e të rinjve

Zoti e udhërrëfen Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës, përfshirë presidencat e klasave dhe të kuorumeve.

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse duan, mund të japin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin po të veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Për ta ftuar Shpirtin në mësimdhënien tuaj, nxitini të tjerët të japin dëshminë e tyre vetjake për të vërtetën që po diskutoni.