Dhiata e Re 2023
26 Mars. Si Mund të Punojnë Të Rejat dhe Të Rinjtë së Bashku për të Ndihmuar të Ndërtohet Mbretëria e Perëndisë? Mateu 13; Lluka 8; 13


“26 Mars. Si Mund të Punojnë Të Rejat dhe Të Rinjtë së Bashku për të Ndihmuar të Ndërtohet Mbretëria e Perëndisë? Mateu 13; Lluka 8; 13”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023 (2022)

“26 Mars. Si Mund të Punojnë Të Rejat dhe Të Rinjtë së Bashku për të Ndihmuar të Ndërtohet Mbretëria e Perëndisë?”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023

Pamja
mbledhje e këshillit të lagjes

26 Mars

Si Mund të Punojnë Të Rejat dhe Të Rinjtë së Bashku për të Ndihmuar të Ndërtohet Mbretëria e Perëndisë?

Mateu 13; Lluka 813

Pamja
ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtare e presidencës së klasës ose një anëtar i presidencës së kuorumit; përafërsisht 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj drejtoni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet e mëposhtme ose pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.

  • Jetojeni ungjillin. Si po gjejmë gëzim duke ndjekur Jezu Krishtin?

  • Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Kush ka nevojë për ndihmën tonë në lagjen e Kishës ose komunitetin tonë? Si mund t’i ndihmojmë ata?

  • Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin që të përgatitemi për shërbim misionar?

  • Bashkojini familjet për përjetësinë. Si mund të kontribuojmë në përpjekjet e lagjes sonë për të bërë punë për historinë familjare dhe punë në tempull?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuani anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

Pamja
ikona jepeni mësim doktrinën

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Me një seri shëmbëlltyrash që gjenden te Mateu 13, Shpëtimtari dha mësim të vërteta të rëndësishme për mbretërinë e Perëndisë dhe rritjen e saj të jashtëzakonshme në kohën tonë. Në dy nga këto shëmbëlltyra, diçka e vogël dhe e thjeshtë solli diçka të madhe. Dhe ishin veprimet e një biri ose bije të Perëndisë që ndihmuan të ndodhte mrekullia. Një farë e vockël sinapi rritet e bëhet një pemë aq e madhe sa zogjtë “gjejnë strehë në degët e saj” kur “e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet” (Mateu 13:31–32). Dhe një sasi e vogël majaje bën që të vijë një sasi e madhe brumi kur “e merr një grua dhe zë brumë me tri masa miell” (Mateu 13:33). Mbretëria e Perëndisë në kohën tonë rritet dhe përhapet sepse shenjtorët e Tij – përfshirë të rinjtë dhe të rejat – punojnë së bashku me Të për ta ndërtuar atë.

Përveç leximit të kapitujve te Mateu 13 dhe Lluka 813 këtë javë, merrni parasysh të lexoni mesazhin e Presidentit M. Rasëll Ballard “Men and Women in the Work of the Lord” [“Burrat dhe Gratë në Punën e Zotit”] (New Era, prill 2014, f. 2–5) dhe mesazhin e Presidentes Xhin B. Bingham “Të Bashkuar në Përmbushjen e Punës së Perëndisë” (Liahona, maj 2020, f. 60–63).

Mësoni së Bashku

Për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rejat të cilëve u jepni mësim, të përfytyrojnë shëmbëlltyrat te Mateu 13, merrni parasysh të paraqitni figurat e një fare sinapi, majasë (si tharmi), një margaritari dhe një rrjete peshkimi. Të rinjtë dhe të rejat mund të shqyrtojnë vargjet te Mateu 13:31–33, 45–48 dhe tregojnë se çfarë mësojnë nga secila këto shëmbëlltyra për mbretërinë e qiellit. Si mund t’i zbatojmë mesazhet e këtyre shëmbëlltyrave në vetë jetën tonë? Çfarë po bëjmë për ta ndihmuar Zotin të ndërtojë mbretërinë e Tij? Këtu janë disa veprimtari që mund të ndihmojnë për diskutimin.

  • Përpara mbledhjes, ftojini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të mësojnë për gratë dhe burrat që janë ose ishin shembullorë për të ndihmuar të ndërtohet mbretëria e Perëndisë. Këta njerëz mund të jenë nga shkrimet e shenjta (shih “Burime Mbështetëse”), nga historia e Kishës ose nga vetë jeta e tyre. Kërkojuni të rinjve dhe të rejave të tregojnë atë që mësuan. Në çfarë mënyrash e kanë ndihmuar këta njerëz Zotin të ndërtojë mbretërinë e Tij? Si mund t’i ndjekim shembujt e tyre?

  • Nëse u jepni mësim të rinjve, ftojini ata të shqyrtojnë mesazhin e Presidentes Boni L. Oskarson “Të Rejat në Punë” (Liahona, maj 2018, f. 36–38) dhe të kërkojnë e tregojnë mënyra se si të rejat kontribuojnë në punën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin. Të rejat mund të bëjnë një kërkim të ngjashëm te mesazhi i Vëllait Daglas D. Holms “Çfarë Ka Nevojë të Kuptojë Çdo Mbajtës i Priftërisë Aarone” (Liahona, maj 2018, f. 50–53). Si janë të ngjashme përgjegjësitë e të rejave dhe të të rinjve? Si mund të punojmë më mirë së bashku ndërsa bëjmë punën e Perëndisë?

  • Për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rejat të kuptojnë se si gratë dhe burrat punojnë së bashku për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë, ju mund të shkruani në tabelë pyetje si këto: “Pse Perëndia ka nevojë që gratë dhe burrat të punojnë së bashku për të ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë së Tij? Si mund të punojnë më mirë së bashku presidencat e klasave dhe të kuorumeve?” Të rinjtë dhe të rejat mund të shqyrtojnë pjesë të mesazhit të Presidentit M. Rasëll Ballard “Men and Women in the Work of the Lord” [“Burrat dhe Gratë në Punën e Zotit”] ose mesazhin e Presidentes Xhin B. Bingham “Të Bashkuar në Përmbushjen e Punës së Perëndisë”, në veçanti pjesën që fillon me pyetjen: “Pra, çfarë do të thotë kjo për ju dhe mua?” Të rinjtë dhe të rejat mund t’i japin përgjigjet që gjejnë për pyetjet.

  • Për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rejat të kuptojnë se si ata mund të ndihmojnë të ndërtohet mbretëria e Perëndisë, merrni parasysh të shfaqni një ose më shumë nga materialet filmike “We Are Strong Together” [“Ne Jemi të Fortë së Bashku”], “A Promise for the Lord’s Battalion” [“Një Premtim për Batalionin e Zotit”] dhe “Youth Responsibility in the Work of Salvation” [“Përgjegjësia e Të Rinjve dhe Të Rejave në Punën e Shpëtimit”] (ChurchofJesusChrist.org). Çfarë po bëjmë ne në shtëpitë tona, lagjen tonë dhe komunitetin tonë për të ndihmuar për punën e Perëndisë? Merrni parasysh t’i kërkoni presidentes së klasës ose presidentit të kuorumit të sjellë në mbledhjet e këshillit të lagjes për rininë çështjet e diskutuara që janë të përshtatshme për t’u treguar. Ftojini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të japin ide për mënyrën se si mund të ndihmojnë për çështjet.

Pamja
e re duke gërmuar

Perëndia ka nevojë për gra dhe burra që të punojnë së bashku për ndërtimin e mbretërisë së Tij.

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse duan, mund të japin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin po të veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Kur bëni një ftesë për ta jetuar një parim të caktuar, ndihmojini nxënësit të zbulojnë bekimet që Perëndia ua ka premtuar atyre që e jetojnë atë parim.