Dhiata e Re 2023
12 Mars. Si Mund të më Ndihmojë Shpëtimtari për ta Mposhtur Frikën Time? Mateu 9–10; Marku 5; Lluka 9


“12 Mars. Si Mund të më Ndihmojë Shpëtimtari për ta Mposhtur Frikën Time? Mateu 9–10; Marku 5; Lluka 9”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023 (2022)

“12 Mars. Si Mund të më Ndihmojë Shpëtimtari për ta Mposhtur Frikën Time?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023

Pamja
Krishti duke ringjallur bijën e Jairit

Daughter, Arise [Bijë, Çohu], nga Simon Dewey

12 Mars

Si Mund të më Ndihmojë Shpëtimtari për ta Mposhtur Frikën Time?

Mateu 9–10; Marku 5; Lluka 9

Pamja
ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtare e presidencës së klasës ose një anëtar i presidencës së kuorumit; përafërsisht 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj drejtoni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet e mëposhtme ose pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.

  • Jetojeni ungjillin. Si e kemi parë dorën e Zotit në jetën tonë?

  • Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Si mund ta përkrahim njëri-tjetrin në gjërat që po kalojmë?

  • Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Si mund ta përdorim më mirë teknologjinë si një mjet për të përhapur ungjillin?

  • Bashkojini familjet për përjetësinë. Çfarë po bëjmë për t’i ndihmuar familjet tona të vijnë te Krishti?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuani anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

Pamja
ikona jepeni mësim doktrinën

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Kapitulli 5 te libri i Markut shënon se tre persona iu afruan Jezusit, të cilët të gjithë kishin arsye për t’u frikësuar. Një burrë me “frymë [të] ndyrë” u përball me një jetë të izoluar, duke jetuar “mbi male, shkonte duke bërtitur dhe duke e rrahur veten me gurë” (Marku 5:2, 5). Jairi, drejtuesi i një sinagoge, kishte frikë se mos humbiste të bijën, e cila ishte “duke dhënë shpirt” (Marku 5:23). Dhe një grua me “fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh” nuk ishte shëruar pasi kishte shpenzuar “gjithë pasurinë” në “mjekë të ndryshëm” (Marku 5:25–26). Çdo person të cilit i jepni mësim, është i pashoq dhe përballet me frikën e tij ose të saj. Por ashtu si Shpëtimtari mund të dëbojë frymët e ndyra, të ringjallë të vdekurit dhe të shërojë një sëmundje të tmerrshme, Ai mund të na ndihmojë kur kemi frikë. Këshilla e Tij ndaj Jairit ka fuqi të madhe në jetën tonë sot: “Mos ki frikë, vetëm ki besim” (Marku 5:36).

Për t’u përgatitur për të dhënë mësim, merrni parasysh të studioni mesazhin e Plakut Ronald A. Rasband “Mos u Shqetësoni” (Liahona, nëntor 2018, f. 18–21) dhe mesazhin e Motrës Liza L. Harknes “Pusho dhe Fashitu” (Liahona, nëntor 2020, f. 80–82).

Mësoni së Bashku

Mund ta ftoni një anëtare të klasës ose anëtar të kuorumit të përmbledhë historinë te Marku 5 të Jezusit që fton Jairin të “mos k[etë] frikë” (shih vargjet 22–24, 35–43) ose mund ta shqyrtoni historinë si grup. Mund të bëni të njëjtën gjë për historitë e tjera në këtë kapitull – burrin me frymë të ndyrë dhe gruan me sëmundjen e gjakut. Ku ngjasojnë këto situata drithëruese me ato me të cilat mund të përballemi në jetën tonë? Çfarë mund të mësojmë nga këto histori rreth Shpëtimtarit dhe mënyrës se si ta kërkojmë ndihmën e Tij? Veprimtaritë në vijim mund t’i ndihmojnë të rinjtë dhe të rejat ta rritin besimin e tyre te Jezu Krishti dhe të mësojnë ta ndjekin këshillën e Tij: “Mos ki frikë, vetëm ki besim” (Marku 5:36).

  • Ftesat e Zotit për të mos pasur frikë, që përsëriten tek të gjitha shkrimet e shenjta, do t’i bekojnë të rinjtë dhe të rejat kur të kenë frikë. Ftojini ata të lexojnë shkrimet e shenjta te pjesa “Burime Mbështetëse” dhe bëni një afishe që mund ta paraqesin në shtëpi – ose një afishe digjitale që mund ta shpërndajnë në internet – bazuar në shkrimet e shenjta që lexojnë. Ndërsa ia tregojnë njëri-tjetrit atë që krijuan, ftojini ata të tregojnë edhe atë që mësuan, që mund t’i ndihmojë kur të kenë frikë. Kur na ka ndihmuar Shpëtimtari gjatë një kohe të frikshme?

  • Merrni parasysh të shfaqni një figurë të Shpëtimtarit që fashit stuhinë, si figura në variantin digjital të mesazhit të Motrës Liza L. Harknes “Pusho dhe Fashitu” (shih edhe Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 40). Më pas ju ose dikush që caktoni, mund të tregojë ndodhinë e Shpëtimtarit duke fashitur stuhinë nga Marku 4:35–41 ose nga mesazhi i Motrës Harknes. Në ç’mënyrë jemi ne ndonjëherë si njerëzit në anije? Çfarë mësojmë nga kjo histori për mënyrën se si Shpëtimtari mund të na ndihmojë kur jemi të frikësuar? Ftojini të rinjtë dhe të rejat të shqyrtojnë mesazhin e Motrës Harknes, duke kërkuar fraza ose fjali që i ndihmojnë të kenë besim më të madh te Jezu Krishti. Ata mund t’i shkruajnë ato në tabelë. Si mund të na ndihmojë besimi ynë te Shpëtimtari kur nuk është në vullnetin e Tij për t’i fashitur stuhitë në jetën tonë?

  • Disa himne e lavdërojnë Shpëtimtarin për ngushëllimin dhe forcën e Tij në kohë vështirësish dhe pasigurish, si: “Çdo Or’ më Duhesh Ti” ose “Me Mua Rri!” (Himne, nr. 51, 94). Ndoshta mund t’i këndoni ose lexoni disa nga këto himne së bashku, duke parë mënyrën se si Shpëtimtari mund të na ndihmojë.

  • Frika dhe ankthi janë normale kur përballemi me sfidat e jetës. Për disa njerëz, këto ndjenja mund të jenë paralizuese. Klasa ose kuorumi juaj mund të përfitojë nga një diskutim rreth mënyrës se si Shpëtimtari mund t’i ndihmojë ata që luftojnë me nivele të ndryshme ankthi. Anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit mund të shqyrtojnë së bashku mesazhin e Plakut Ronald A. Rasband “Mos u Shqetësoni” ose mesazhin e Plakut Erik W. Kopishke “Trajtimi i Shëndetit Mendor” (Liahona, nëntor 2021, f. 36–38), duke kërkuar të vërteta që janë kuptimplota për ta dhe duke treguar atë që gjejnë. Nxitini të rinjtë dhe të rejat të flasin me një prind ose udhëheqës të besuar apo të vizitojnë faqen MentalHealth.ChurchofJesusChrist.org nëse kanë nevojë për ndihmë.

Pamja
i ri duke studiuar

Shpëtimtari ka premtuar të na ndihmojë kur të drejtohemi tek Ai në kohë frike dhe pasigurie.

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse duan, mund të japin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin po të veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Teksa jepni mësim, në vend që thjesht të jepni informacion, ndihmojini të rinjtë dhe të rejat të zbulojnë vetë të vërteta në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve.