Dhiata e Vjetër 2022
13 Mars. Si Mund t’u Përgjigjem me Besim Fatkeqësive? Zanafilla 37–41


“13 Mars. Si Mund t’u Përgjigjem me Besim Fatkeqësive? Zanafilla 37–41”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022 (2021)

“13 Mars. Si Mund t’u Përgjigjem me Besim Fatkeqësive?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022

Pamja
të rinj duke buzëqeshur

13 Mars

Si Mund t’u Përgjigjem me Besim Fatkeqësive?

Zanafilla 37–41

Pamja
ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj udhëhiqni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet më poshtë ose vetë pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2, ChurchofJesusChrist.org). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.

  • Jetojeni ungjillin. Si e kemi parë dorën e Zotit në jetën tonë?

  • Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Si mund ta përkrahim njëri-tjetrin në gjërat që po kalojmë?

  • Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Si mund ta përdorim më mirë teknologjinë si një mjet për të përhapur ungjillin?

  • Bashkojini familjet për përjetësinë. Çfarë po bëjmë për t’i ndihmuar familjet tona të vijnë te Krishti?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Kur ishte i ri, Jozefi i Egjiptit u përball me shumë lloje fatkeqësish. Ai u përball me grindje në familjen e tij dhe u keqtrajtua nga vëllezërit e tij. Ai u përball me tundimin për të shkelur ligjin e dëlirësisë. Por në vend që ta respektonin për integritetin e tij moral, atë e futën në burg. Anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tuaj mund të përballen me sprova të ngjashme dhe shumë të tjera. Ndërsa studioni përvojat e Jozefit te Zanafilla 37–41, mendoni rreth atyre të cilëve u jepni mësim. Përsiatni se çfarë mësimesh me vlerë mund të ketë për ta jeta e Jozefit (shih edhe Ethëri 12:27; Henri B. Ajring, “Përpiquni, Përpiquni, Përpiquni”, Liahona, nëntor 2018, f. 90–93). Rrëfimi i Jozefit mund t’i frymëzojë anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të pyetin: “Si mund t’u përgjigjem me besim fatkeqësive të mia dhe si do të më ndihmojë Perëndia?”

Pamja
klasë e të rejave

Duke u përqendruar te besimi ynë te Jezu Krishti, ne mund të gjejmë forcë në fatkeqësitë tona.

Mësoni së Bashku

Merrni parasysh t’u kërkoni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit të renditin në tabelë disa ngjarje nga jeta e Jozefit të Egjiptit, siç përshkruhen te Zanafilla 37 dhe 39–41. Shfaqja e disa figurave, si ato tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, mund t’i ndihmojë ata t’i kujtojnë këto ngjarje. Si ishin sprovat e Jozefit të ngjashme me sfidat me të cilat përballen të rinjtë dhe të rejat sot? Nëse Jozefi do të ishte gjallë tani, çfarë këshille mund të na jepte ai rreth përgjigjes ndaj fatkeqësive? Çfarë mund të thoshte ai rreth asaj se si e ndihmoi marrëdhënia e tij me Zotin? Përdorni veprimtari si ato në vijim për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rejat të mendojnë rreth asaj se si mund t’u përgjigjen sfidave të tyre me besim te Jezu Krishti.

  • Studimi i mënyrës se si Shpëtimtari iu përgjigj fatkeqësive, mund të na ndihmojë t’i përballojmë fatkeqësitë tona me besim. Të rinjtë dhe të rejat mund të sugjerojnë disa shembuj të fatkeqësive me të cilat u përball Shpëtimtari, dhe t’i shqyrtojnë ato së bashku (shih pjesën “Burime Mbështetëse” për disa ide). Çfarë na bën përshtypje rreth asaj se si Shpëtimtari iu përgjigj kohëve të fatkeqësive të Tij? Si mund ta ndjekim shembullin e Tij ndërsa përballemi me vetë fatkeqësitë tona?

  • Ndonjëherë është më e lehtë t’u përgjigjemi fatkeqësive kur përpiqemi t’i shohim nga këndvështrimi i Zotit. Për t’i ndihmuar ata të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë këtë, kërkojuni atyre të gjejnë shembuj të ndryshimit që mund të sjellë ai këndvështrim duke shqyrtuar mesazhin e Plakut Rafael E. Pino “Perspektiva e Përjetshme e Ungjillit” (Liahona, maj 2015, f. 117–119). Ftojini të tregojnë atë që gjetën. Çfarë sugjerojnë këta shembuj rreth mënyrës se si ne mund t’i shohim dhe t’u përgjigjemi fatkeqësive tona? Nëse Shpëtimtari do të mund të na fliste rreth sfidave tona, çfarë mendojmë se do të na thoshte? Për t’ju ndihmuar t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje, të rinjtë dhe të rejat mund të shqyrtojnë shkrimet e shenjta te pjesa “Burime Mbështetëse”.

  • Merreni parasysh t’u kërkoni të rinjve dhe të rejave të tregojnë një shembull të dikujt (ndoshta një paraardhësi) që i frymëzoi me mënyrën se si ai ose ajo u përball me një sprovë të vështirë ose mund të tregoni shembuj frymëzues të njerëzve që njihni. Mesazhet e konferencës së përgjithshme shpesh përfshijnë histori të njerëzve që iu përgjigjën me besim fatkeqësive (shih disa shembuj te pjesa “Burime Mbështetëse”). Merrni parasysh se çfarë mund të tregoni nga këto mesazhe që mund të jenë domethënëse për ata të cilëve u jepni mësim. Ndërsa i diskutoni së bashku këta shembuj, sugjeroni që anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përqendrohen te mënyra se si besimi te Jezu Krishti i ndihmoi njerëzit gjatë fatkeqësive të tyre. Ju gjithashtu mund të tregoni listën e burimeve të Peshkopit W. Kristofer Uadell, që Zoti e ka siguruar për të na ndihmuar në sfidat tona, e cila gjendet afër fundit të mesazhit të tij “Kthehu te Zoti” (Liahona, nëntor 2017, f. 94–96).

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse do të duan, mund t’i shprehin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë mbi mënyrën se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, nëse ata veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

“Kur përgatiteni, le t’i udhërrëfejë planet tuaja kuptueshmëria juaj për njerëzit, të cilëve u jepni mësim” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 7). Për shembull, planifikoni me lutje veprimtari duke përdorur shkrimet e shenjta dhe burime të tjera që mund t’ju ndihmojnë për sfidat me të cilat përballen anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit.