Dhiata e Vjetër 2022
23 Janar. Si Mund të më Ndihmojë Zoti që të Shërbej më me Besnikëri? Zanafilla 5; Moisiu 6


“23 Janar. Si Mund të më Ndihmojë Zoti që të Shërbej më me Besnikëri? Zanafilla 5; Moisiu 6”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022 (2021)

“23 Janar. Si Mund të më Ndihmojë Zoti që të Shërbej më me Besnikëri?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022

Pamja
Jezu Krishti dhe një turmë duke ecur

23 Janar

Si Mund të më Ndihmojë Zoti që të Shërbej më me Besnikëri?

Zanafilla 5; Moisiu 6

Pamja
ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj udhëhiqni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet më poshtë ose vetë pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2, ChurchofJesusChrist.org). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.

  • Jetojeni ungjillin. Cilat përvoja të kohëve të fundit i kanë forcuar dëshmitë tona?

  • Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Kush ka nevojë për ndihmën dhe lutjet tona? Çfarë ndihemi të nxitur të bëjmë për t’i ndihmuar ata?

  • Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Si mund të jemi një dritë për pjesëtarët e familjes ose miqtë që nuk kanë të njëjtat bindje si ne?

  • Bashkojini familjet për përjetësinë. Si mund të tregojmë më shumë dashuri dhe përkrahje për familjet tona dhe të sjellim një ndryshim për mirë në shtëpitë tona?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Kur Enoku mori thirrjen e tij për t’i shërbyer Zotit, ai u ndje plotësisht i papërshtatshëm (shih Moisiu 6:31). Por Zoti nuk e dërgoi Enokun thjesht që të bënte punën e Tij; Ai i premtoi Enokut se do ta mbronte dhe ndihmonte (shih Moisiu 6:32–34).

Ndoshta ju mund të gjeni ngjashmëri me ndjenjat e papërshtatshmërisë së Enokut në vetë përpjekjet tuaja për të shërbyer. Disa nga shërbimet tona jepen nëpërmjet thirrjeve në Kishë. Në raste të tjera, ne thjesht shohim një nevojë dhe ndihemi të nxitur nga Shpirti për të treguar dashurinë dhe përkrahjen tonë. Sido që të vijë mundësia, ne mund të marrim kurajë, siç mori Enoku, duke e ditur se Zoti do të na ndihmojë kur e pranojmë ftesën e Tij: “Ec me mua” (Moisiu 6:34).

Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim rreth ndihmës që mund të marrim nga Zoti kur u shërbejmë të tjerëve, shqyrtojeni kapitullin Moisiu 6 dhe mendoni për përvojat që keni pasur duke iu shërbyer të tjerëve. Si ju ndihmoi Zoti në përpjekjet tuaja? Çfarë shpresoni se do të mësojnë anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tuaj nga shembujt e Enokut dhe të të tjerëve? Ju gjithashtu mund të lexoni një nga këto mesazhe nga Presidenti Henri B. Ajring: “Ec me Mua” (Liahona, maj 2017, f. 82–85) ose “Gra në Besëlidhje në Ortakëri me Perëndinë” (Liahona, nëntor 2019, f. 70–73).

Pamja
nënë dhe bijë në kuzhinë

Ne mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit kur e kemi shërbimin pjesë të jetës sonë së përditshme.

Mësoni së Bashku

Shërbimi ndaj të tjerëve siguron mundësinë që ne të “ec[im] me [Perëndinë]” dhe do të marrim ndihmën e Tij ndërsa shërbejmë (Moisiu 6:34). Për t’i ndihmuar anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të fillojnë të diskutojnë për këtë, ju mund t’u kërkoni atyre të kërkojnë te vargjet Moisiu 6:32–39 për mënyrat se si Zoti ishte me Enokun në shërbimin e tij. Si na ndihmon Zoti kur i shërbejmë Atij? Idetë në vijim mund t’ju ndihmojnë të udhëhiqni një diskutim rreth ndihmës hyjnore që mund të marrim ndërsa u shërbejmë të tjerëve.

  • Shkrimet e shenjta janë të mbushura me mësime rreth shërbimit (shih për shembull Mateu 25:31–40; Lluka 10:25–37; Mosia 2:17). Merreni parasysh t’i ftoni ata të cilëve u jepni mësim, të tregojnë fragmente të shkrimeve të shenjta që i frymëzojnë t’u shërbejnë të tjerëve. Ju mund t’u kërkoni atyre paraprakisht që të vijnë të përgatitur për të treguar fragmente të shkrimeve të shenjta rreth shërbimit ose shembuj shërbimi. Nëse kanë nevojë për ndihmë, nxitini ata të shohin te pjesa “Shërbim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Çfarë ndihemi të frymëzuar të bëjmë për shkak të asaj që lexuam?

  • Shpëtimtari u shërbeu të tjerëve gjatë gjithë shërbesës së Tij. Çfarë mësojmë nga shembulli i Tij që mund të na ndihmojë ndërsa shërbejmë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, secila anëtare e klasës ose secili anëtar i kuorumit mund të lexojë një nga shkrimet e shenjta në vijim, duke kërkuar diçka që ai na mëson rreth shembullit të shërbimit të Shpëtimtarit: Mateu 14:13–21; Gjoni 9:1–11, 35–38; 13:4–5, 12–17; 3 Nefi 17:5–9. Ftojini të gjithë të tregojnë diçka që gjetën. Jepuni kohë të gjithëve për të menduar për dikë të cilit mund t’i shërbejnë dhe se si ata do ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit në shërbimin e tyre.

  • Ndonjëherë ne mendojmë se shërbim do të thotë të bësh diçka të madhe dhe që kërkon shumë kohë. Kjo mund të jetë një arsye përse disa prej nesh nuk shërbejnë aq sa munden. Ju mund të vini në dukje se Shpëtimtari shpesh u shërbeu njerëzve që i vuri re gjatë gjithë rrjedhës së jetës së Tij të përditshme (shih për shembull Mateu 12:9–13; Marku 5:21–34; Lluka 19:1–10; Gjoni 4:3–26). Për t’i ndihmuar anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të mendojnë për mënyra të thjeshta se si mund t’u shërbejnë të tjerëve në jetën e tyre të përditshme, ju mund të shfaqni një nga materialet filmike në vijim: “When Ye Are in the Service—YM” [“Kur Jeni në Shërbim – Të Rinjtë”] ose “When Ye Are in the Service—YW” [“Kur Ju Jeni në Shërbim – Të Rejat”] (ChurchofJesusChrist.org). Kërkojuni të rinjve dhe të rejave të japin mendimet e tyre. Çfarë veprash të vogla shërbimi kemi parë t’i bëjnë të tjerët? Çfarë frymëzohemi të bëjmë? Ftojeni secilin person të shkruajë mënyra për të plotësuar pohimet në vijim: “Unë mund t’u shërbej të tjerëve duke …” dhe “Unë do të kërkoj ndihmën e Zotit gjatë përpjekjeve të mia për të shërbyer nëpërmjet …”. Më pas kërkojuni disave prej tyre të tregojnë atë që shkruan.

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse do të duan, mund t’i shprehin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë mbi mënyrën se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, nëse ata veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

“Përveç që t’i ndihmoni nxënësit të ndiejnë dhe dallojnë Shpirtin, ndihmojini ata të veprojnë sipas nxitjeve që marrin” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016], f. 10).