Doktrina e Besëlidhje 2021
11 Korrik. Si Ndikon në Jetën Time Njohuria rreth Planit të Shpëtimit? Doktrina e Besëlidhje 76


“11 Korrik. Si Ndikon në Jetën Time Njohuria rreth Planit të Shpëtimit? Doktrina e Besëlidhje 76”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021 (2020)

“11 Korrik. Si Ndikon në Jetën Time Njohuria rreth Planit të Shpëtimit?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021

Pamja
e re duke studiuar shkrimet e shenjta

11 Korrik

Si Ndikon në Jetën Time Njohuria rreth Planit të Shpëtimit?

Doktrina e Besëlidhje 76

Pamja
ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; përafërsisht 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone ose Temën e Të Rejave. Më pas udhëhiqni një diskutim rreth çështjeve të tilla si ato që vijojnë dhe planifikoni mënyra për të vepruar sipas asaj që diskutoni (ju mund të vendosni në një mbledhje të presidencës se për cilat çështje të diskutoni):

  • Kuorumi ose klasa jonë. Kush ka nevojë për ndihmën dhe lutjet tona? Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar? Kë duhet të ftojmë në një aktivitet të ardhshëm?

  • Detyrat ose përgjegjësitë tona. Çfarë detyrash kemi përmbushur? Çfarë detyrash nevojitet të caktojmë? Si i kemi ftuar të tjerët të vijnë te Krishti dhe si mund të ftojmë të tjerë tani?

  • Jeta jonë. Çfarë përvojash të kohëve të fundit i kanë forcuar dëshmitë tona? Çfarë po ndodh në jetën tonë dhe si mund ta përkrahim njëri‑tjetrin?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës rreth planeve dhe ftesave të bëra gjatë mbledhjes.

Pamja
ikona jepeni mësim doktrinën

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Ati ynë Qiellor ka siguruar një plan i cili na mundëson të marrim bekime të përjetshme dhe të bëhemi si Ai. Ai dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të dinë për atë plan, kështu që Ai ua ka zbuluar atë profetëve gjatë gjithë epokave. Ndërsa anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës studiuan te Doktrina e Besëlidhje 76 këtë javë, ata mësuan atë që Perëndia iu zbuloi Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit rreth planit të Tij, përfshirë rolin qendror të Shpëtimtarit në plan dhe lavdinë që mund të marrim në jetën që vjen. Nëse jemi besnikë, ne mund të përsosemi nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të marrim një plotësi të gëzimit dhe të jetojmë përgjithmonë me Perëndinë.

Si ka ndikuar njohuria për planin e Atit Qiellor në këndvështrimin tuaj për jetën? Si mund ta ndihmoni kuorumin ose klasën tuaj të kuptojë se sa bekim i madh është të dinë për planin e shpëtimit? Për t’u përgatitur që të jepni mësim, ju mund të lexoni “Plani i Shpëtimit” në Të Vërtetë ndaj Besimit ([2005], f. 122–124) ose mesazhin e Plakut Diter F. Uhtdorf “Aventura Juaj e Madhërishme” (Liahona, nëntor 2019, f. 86–90).

Pamja
të rinj në klasë

Të mësuarit rreth planit të shpëtimit i jep drejtim dhe qëllim jetës sonë.

Mësoni së Bashku

Një mënyrë për të filluar një diskutim me kuorumin ose klasën tuaj rreth planit të shpëtimit është që ta ftoni dikë të shkruajë në tabelë titujt vijues, së bashku me vargjet nga Doktrina e Besëlidhje 76: Jeta Para Lindjes (vargjet 22–27), Jeta në Vdekshmëri (vargjet 40–43) dhe Jeta pas Vdekjes (vargjet 50–53, 59–62). Jepuni anëtarëve të kuorumit ose anëtareve të klasës disa minuta kohë që t’i shqyrtojnë këto vargje, për të gjetur rolin e Shpëtimtarit në përmbushjen e planit të Atit Qiellor. Kërkojuni atyre që të shkruajnë nën secilin titull atë që gjejnë. Veprimtaritë më poshtë mund t’i ndihmojnë ata që të kuptojnë më mirë se si e bekon plani i Atit Qiellor jetën e tyre.

  • Shqyrtimi i disa prej emrave të planit të Atit Qiellor mund t’i ndihmojë anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës që ta kuptojnë më mirë planin. Ata mund të shqyrtojnë shkrimet e shenjta në pikën e parë nën pjesën “Burime Mbështetëse” dhe të bëjnë një listë të disa prej emrave të planit të Perëndisë. Çfarë na mësojnë këta emra rreth planit? Për shembull, si na sjell lumturi ky plan, tani dhe përjetësisht? Çfarë na mësojnë këto shkrime të shenjta për rolin e Shpëtimtarit në plan? Ju mund të shfaqni materialin filmik “Our Eternal Life” [“Jeta Jonë e Përjetshme”] ose “Men’s Hearts Shall Fail Them” [“Zemrat e Njerëzve do të Mpaken”] (ChurchofJesusChrist.org) dhe t’i ftoni ata të cilëve u jepni mësim, që të flasin për rastet kur janë ndier mirënjohës për planin e Atit Qiellor.

  • Merreni parasysh t’i ftoni ata të cilëve u jepni mësim, që të diskutojnë se si mund t’i përgjigjen një shoku/shoqeje që bëri pyetjet vijuese rreth planit të shpëtimit: Nga erdhëm? Përse jemi këtu? Ku shkojmë pasi largohemi nga kjo jetë? Ftojini që të përdorin informacionin në pjesën “Plani i Shpëtimit” tek Të Vërtetë ndaj Besimit (faqet 122–214) dhe burimet nën pjesën “Burime Mbështetëse”, për të përgatitur një përgjigje për njërën nga pyetjet. Si jemi forcuar nga fakti që i dimë përgjigjet për këto pyetje?

  • Anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës i mësojnë të vërtetat e ungjillit më thellësisht kur u jepen mundësitë që t’i japin mësim ato. Paraprakisht, kërkojuni disa anëtarëve të kuorumit ose anëtareve të klasës që të përgatiten për të thënë një përmbledhje të shkurtër të asaj që dinë rreth një aspekti të planit të shpëtimit. Ata mund të përdorin përmbledhjet që gjenden në pjesën “The Plan of Salvation [Plani i Shpëtimit]”, në kapitullin 3 të Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] (20019), f. 48–53). Çfarë ndryshimi sjell njohuria rreth planit të shpëtimit?

Veproni me Besim

Nxitini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës që të përsiatin dhe të mbajnë shënim atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Si lidhet mësimi i sotëm me synimet vetjake që kanë vendosur? Nëse do të duan, anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës mund të shprehin idetë e tyre.

Burime Mbështetëse

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Shpëtimtari u bënte pyetje që i bënin të mendoheshin thellë njerëzve të cilëve Ai u dha mësim. Ai ishte sinqerisht i interesuar për përgjigjet e tyre. Si mund t’i përdorni pyetjet për t’i ndihmuar të rinjtë e të rejat që të mendojnë thellësisht rreth planit të Perëndisë? (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016], f. 33–34.)