Doktrina e Besëlidhje 2021
Përdorimi i Materialit Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave


“Përdorimi i Materialit Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021 (2020)

“Përdorimi i Materialit Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021

Pamja
të reja në klasë

Përdorimi i Materialit Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave

Cilat janë qëllimet e mbledhjeve tona të kuorumeve dhe klasave?

Zoti ju ka dhënë një mirëbesim të shenjtë: Ai ju ka thirrur të shërbeni në presidencat e kuorumeve të Priftërisë Aarone ose në presidencat e klasave të Të Rejave. Pjesë e përgjegjësisë suaj është t’i udhëhiqni dhe drejtoni mbledhjet e kuorumeve ose klasave tuaja ditën e diel. Për ta bërë këtë, është e dobishme të kuptoni arsyen përse i kemi këto mbledhje.

Mbledhjet e kuorumeve të Priftërisë Aarone dhe të klasave të Të Rejave janë të ndryshme nga klasat e Kishës si Shkolla e së Dielës ose seminari. Në mbledhjet e kuorumeve ose të klasave, ne bëjmë më shumë sesa të studiojmë një temë të ungjillit. Ne mësojmë rreth punës që na ka dhënë Perëndia, dhe ne i organizojmë anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës sonë që ta bëjmë atë punë në shtëpitë tona, në Kishë dhe në komunitetin tonë. Ne planifikojmë, për shembull, mënyrën se si do t’i përmbushim rolet tona si pjesë e batalionit të rinisë së Zotit për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit. Në këto mbledhje, ne jo vetëm që flasim për punën – ne bëjmë plane për ta bërë atë.

Pamja
të rinj në klasë

Por ky theksim mbi punën nuk do të thotë se ne i lëmë diskutimet doktrinore vetëm për Shkollën e së Dielës. Në fakt, të mësuarit e doktrinës në mbledhjet e kuorumeve dhe të Të Rejave është thelbësor – ai na ndihmon të kuptojmë arsyet përse e bëjmë punën. Teksa e studiojmë ungjillin së bashku, të vërtetat që mësojmë, mund t’i ndryshojnë zemrat tona. Ne mund të marrim nxitje rreth mënyrave se si të rritemi “në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52). Kur bëhemi më të kthyer në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij, ne do të ndiejmë dëshirë për t’i ndihmuar të tjerët përgjatë shtegut të besëlidhjeve, përfshirë familjet tona, miqtë tanë dhe bashkanëtarët e kuorumeve dhe bashkanëtaret e klasave tona.

Kush i udhëheq këto mbledhje?

Perëndia ju ka thirrur si presidenca të kuorumeve e të klasave dhe ju ka dhënë autoritet të udhëhiqni. Kjo është arsyeja përse secila mbledhje e kuorumit ose klasës suaj duhet të drejtohet nga një anëtar i presidencës së kuorumit tuaj ose një anëtare e presidencës së klasës suaj. Udhëheqësit në moshë madhore duhet të ofrojnë udhërrëfim e përkrahje, por ata nuk duhet të marrin drejtimin në vendin tuaj. Shikoni pjesën e titulluar “Këshillohuni së Bashku” në fillim të secilit përvijim në këtë burim për ide që ju ndihmojnë të dini se si ta udhëhiqni një mbledhje dhe se si t’i plotësoni qëllimet e saj të vërteta. Përdorini mbledhjet e presidencave që të planifikoni se si do t’i drejtoni këto mbledhje të të dielave.

Kush do ta japë mësimin?

Mësimet mund të jepen nga udhëheqës/e në moshë madhore, një anëtar i presidencës së kuorumit apo një anëtare e presidencës së klasës, ose kushdo anëtar/e tjetër i/e kuorumit ose klasës. Si presidencë e kuorumit ose klasës, këshillohuni me udhëheqësit/et tuaj/a në moshë madhore se kush duhet të caktohet për të dhënë mësimet. Mbani mend që udhëheqësit/et tuaj/a në moshë madhore kanë shumë gjëra për të dhënë. Përpiquni të mësoni nga përvojat dhe dëshmitë e tyre. Gjithashtu ka përfitim nëse u kërkoni të rinjve dhe të rejave që të japin mësim – mësimdhënia mund t’i ndihmojë për ta thelluar kthimin e tyre në besim dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të forta me anëtarët e tjerë të kuorumeve dhe anëtaret e tjera të klasave. Prandaj jepuni mundësi të përshtatshme që të japin mësim të gjithë mësimin ose një pjesë të tij, por mbani në mendje nevojat dhe aftësitë e njerëzve në kuorumin ose klasën tuaj. Për shembull, udhëheqësit/et në moshë madhore mund të japin më shpesh mësim në kuorume ose klasa me të rinj e të reja më të vogla në moshë, që kanë më pak përvojë në mësimdhënien e ungjillit. Kur të rinj ose të reja ftohen të japin mësim, një prind ose një këshilltar në moshë madhore duhet t’i ndihmojë që të përgatiten, sipas nevojës.

Ata që caktohen për të dhënë mësim, mund të përdorin pjesën e titulluar “Jepeni Mësim Doktrinën” në secilin përvijim në këtë burim për t’i ndihmuar që të përgatiten. Kjo pjesë përmban sugjerime për mësimdhënien dhe diskutimin e doktrinës për atë javë, por mësuesit/et nuk duhet të ndihen të kufizuar/a te vetëm këto sugjerime. Siç jep drejtim Shpirti, mësuesit/et mund t’i përshtatin këto ide ose të përdorin idetë e veta që të japin mësim në një mënyrë që do t’i plotësojë më mirë nevojat e anëtarëve të kuorumit ose anëtareve të klasës dhe do t’i ndihmojë që ta kuptojnë doktrinën.

Cilat tema doktrinore do të diskutojmë në mbledhjet tona?

Tema e përvijimit të çdo jave është një parim doktrinor që është përzgjedhur për t’u përputhur me leximin nga Doktrina e Besëlidhje i rekomanduar për atë javë, që gjendet tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Në këtë mënyrë, diskutimet doktrinore në mbledhjet e kuorumeve dhe të klasave do të përkrahin atë që rinia po mëson në shtëpi.

Edhe pse përvijimet duhet të jepen mësim në të diela të veçanta, ju ende keni mundësinë të diskutoni tema të tjera doktrinore bazuar mbi nevojat e kuorumit ose të klasës suaj.

Ky burim përfshin përvijime për çdo javë kur mbahen mbledhjet e kuorumeve të Priftërisë Aarone dhe klasat e Të Rejave. Me raste, ju mund të keni nevojë ta kapërceni një mësim për shkak të konferencave të kunjit ose arsye të tjera.

Cili është roli i udhëheqësve dhe udhëheqëseve tona në moshë madhore?

Udhëheqësit dhe udhëheqëset tuaja në moshë madhore luajnë rol të rëndësishëm në kuorumet e Priftërisë Aarone dhe klasat e Të Rejave. Ata do t’ju udhërrëfejnë dhe këshillojnë në thirrjet tuaja udhëheqëse. Do t’ju përkrahin dhe nxitin ndërkohë që bëni punën e kuorumit ose klasës suaj. Do t’ju japin mësim doktrinën dhe do t’ju bekojnë nëpërmjet shembullit, përvojës e dëshmisë së tyre.