2022
Të Ngrihemi gjatë Sfidave tona
Janar/Shkurt 2022


Të Ngrihemi gjatë Sfidave tona

Sapo kishin filluar të viheshin në zbatim masat e para për mbrojtjen nga COVID-19, kur u përballa me sfidën më të madhe të jetës sime. Ndërkohë që unë vetë kisha nevojë për një ndërhyrje urgjente kirurgjikale, bashkëshorti im, Zeneli, ishte gjithashtu në gjendje të rëndë shëndetësore dhe u diagnostikua me kancer. Kjo ishte një goditje e tmerrshme për mua. Fakti që çdo ditë dëgjonim lajme vdekjesh si nga të afërmit, ashtu edhe nga të njohurit tanë, si edhe mbyllja totale që erdhi fill mbas kësaj për shkak të pandemisë, krijoi tek të gjithë një gjendje ankthi, që shtohej akoma më tepër nga ideja se duhej të mbroheshe nga një armik i padukshëm për të gjithë e që mund të ishte kudo. Ditën kur u izoluam, dola në ballkonin e shtëpisë dhe më befasoi ajo çfarë pashë. Në lagjen tonë që ishte plot lëvizje dhe e zhurmshme, tashmë nuk lëvizte as miza. Një heshtje e thellë mbizotëronte dhe m’u duk sikur po jetonim krejtësisht të vetëm e të sëmurë në një qytet fantazmë. Këtë gjendje e rëndonte më tepër fakti që vajza jonë e vetme jetonte shumë larg nesh dhe nuk mund të vinte. Një trishtim i thellë më pushtoi dhe ndërsa hyra brenda, një pyetje më doli nga shpirti: “Zot, pse kam mbetur vetëm dhe ku është dashuria?”

Dhe Zoti u përgjigj, sepse Atij i vjen keq për të pikëlluarit. Ai i dëgjon zemrat tona kur qajnë dhe gjen mënyrën për të na ndihmuar kur kemi nevojë për Të. Mrekullia ndodhi kur pashë se si të afërmit tanë dhe motrat e vëllezërit e Kishës e mposhtën frikën dhe m’u gjendën pranë në çastet e mia më kritike. Nuk do ta harroj shprehjen e mirënjohjes që vëreja në sytë e shokut tim të jetës, kur shihte interesimin e kaq shumë njerëzve dhe shërbimin e dashurinë që na jepnin ata që tashmë ishin familja ime e dytë, motrat dhe vëllezërit e mi në ungjill. Kjo më dha forcë që edhe pse vetë kisha dhembje të padurueshme, t’i shërbeja bashkëshortit tim dhe të përpiqesha t’ia lehtësoja vuajtjet nëpërmjet kujdesit dhe dashurisë sime.

Ndarja e tij nga jeta ishte shumë tronditëse për mua dhe unë e përjetova shumë keq. Çdo gjë në shtëpi u zhvlerësua në sytë e mi. Ajo që vlente vërtet ishte jeta dhe dashuria që përjetuam së bashku në familjen tonë të vogël, mbështetja dhe forca që i jepnim njëri-tjetrit gjatë sfidave tona në jetë, si dhe momentet e bukura që kemi kaluar e që do të më shoqërojnë derisa të takohemi sërish së bashku. Largimi i Zenelit nga jeta, si dhe operacioni im që u krye më pas, më dobësuan shumë fizikisht dhe shpirtërisht dhe unë nuk po shkëputesha dot nga hidhërimi që ndieja brenda vetes. Por njohuria që kam për Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin Tonë, Jezu Krishtin, për Ungjillin e Tij dhe dijenia se mund të kem një familje të përjetshme, më ngushëlloi. Gjatë kësaj kohe po lutem shumë që burri im t’i pranojë ordinancat që së shpejti do të bëj për të dhe vulosjen tonë në përjetësi në tempull. E ndiej që ai do t’i mirëpresë ato, sepse kishte respekt për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe më mbështeste në thirrjet e mia në Kishë.

Gjatë këtyre sprovave, e ndieja se Zoti ishte pranë meje më shumë se kurrë. Ai nuk më kishte braktisur për asnjë moment dhe besimi im u forcua dhe u rrit akoma më shumë. Jam shumë mirënjohëse që Ai drejtoi drejt meje njerëz me zemër të madhe, të cilët pranuan të ishin instrumente në duart e Tij, për të më ndihmuar. E di që ishte dashuria e tyre për Zotin dhe për njëri-tjetrin që u manifestua nga vajza ime tek të afërmit e mi të dashur dhe tek anëtarët e Kishës, që më bënë të kuptoj akoma më mirë se përse dy urdhërimet e para që Perëndia iu dha njerëzve, ishin pikërisht rreth dashurisë.

Plaku S. Giford Nilsen në bisedën e tij “Kjo Është Koha Jonë”, në konferencën e përgjithshme në prill 2021, teksa përmendi këto urdhërime, tha: “Nuk e di për ju, por kur lexoj këto dy urdhërime të mëdha, zbuloj një urdhërim të tretë të nënkuptuar: të duash vetveten”. Në ato momente për atë kisha nevojë, por për ta bërë këtë mua nuk më mjaftonte vetëm dëshira dhe vullneti im. Unë e di që fuqia e Jezu Krishtit veproi tek unë, që të mund ta doja përsëri veten, të dilja nga dëshpërimi që më kishte kapluar dhe të kujdesesha për mirëqenien time shpirtërore duke numëruar bekimet e pafundme që kam pasur nga Perëndia.

Po përmend vetëm dy më të rëndësishmet prej tyre: Së pari, Zoti më kishte bekuar me një familje të bukur, ku jetova për shumë vite bashkë me vajzën time në praninë e atij njeriu, që ishte një bashkëshort e baba i dashur e plot virtyte. Së dyti, Zoti dërgoi misionarët në shtëpinë tonë, të cilët më njohën me Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij, që u bë bekimi më i madh dhe pjesë e pandarë e jetës sime. Falë tyre unë fillova të ndryshoj vetveten për t’u bërë çdo ditë pak më e ngjashme me Shpëtimtarin dhe për të qenë një dishepulle sa më e denjë e Tij. Unë e di se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. E dua Atë me gjithë forcën e zemrës dhe mendjes sime. E di se Ai drejton Kishën e Tij këtu në Tokë, nëpërmjet zbulesave që i jep Profetit të gjallë të Kishës, Rasëll M. Nelsonit, Kishë e cila u rivendos nga Profeti Jozef Smith. E di se ata janë profetë të Zotit. E di se Libri i Mormonit është i vërtetë dhe është fjala e Perëndisë për ne. E di se Perëndia na do shumë. Ne jemi “fitimtarë për hir të Atij që na deshi. Sepse unë jam e bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme, as gjërat e ardhme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë, që është në Jezu Krishtin, Zotin Tonë” (Romakëve 8:37–39).

Unë dëshmoj për të gjitha këto në emrin e Jezu Krishtit, amen.