2022
Ta Bëjmë Kuptimplote Dhënien e Shërbesës
Janar/Shkurt 2022


Parimet e Dhënies së Shërbesës

Ta Bëjmë Kuptimplote Dhënien e Shërbesës

Në qoftë se e pyetni veten nëse dhënia e shërbesës nga ana juaj është kuptimplote, merrni parasysh këto ide.

Pamja
woman hugging a young woman in a wheelchair

Është e kollajtë të pyesim veten nëse dhënia e shërbesës nga ana jonë po sjell ndryshim, sidomos kur jemi duke u përballur me vështirësitë tona.

Në fazën e jetës para se të isha në karrige me rrota, më pëlqente shumë të shihja një planshetë që kalohej dorë më dorë në Shoqatën e Ndihmës. Shpesh regjistrohesha që të ofroja shërbim. Ishte një mënyrë për të treguar gatishmërinë time “[për] të mba[jtur] barrat e njëri-tjetrit” (Mosia 18:8).

Nuk ishte faji i planshetës që nuk mund të regjistrohesha më. Në fakt, as nuk mund ta shkruaja fare emrin tim. Për shkak të paaftësisë sime nuk mundesha as ta mbaja planshetën. Askush nuk priste që ta shkruaja emrin. Por, oh, sa doja ta bëja! Shërbimi na rrethon me dashurinë e Perëndisë dhe na lidh me të tjerët. Kisha vetë nevojë medoemos për atë ndjenjë lidhjeje.

Për shkak se kisha nevojë për njerëz që të kujdeseshin për mua, shërbimi im nuk dukej se ia vlente në krahasim me përpjekjen që do t’u kërkohej të tjerëve për të më ndihmuar. Ajo planshetë u bë një kujtues i asaj që nuk mund të bëja më – të paktën derisa motra ime shërbestare e pa dëshirën time të madhe.

Ajo më pyeti se çfarë do të doja të bëja për të shërbyer, jo vetëm se çfarë kisha nevojë që të bëhej për mua. Më pas ajo e shënoi emrin tim në planshetë. Ajo erdhi në shtëpinë time dhe më ndihmoi të bëja vaktet e ushqimit që kisha dalë vullnetare për t’i përgatitur për të tjerët. Ajo nuk sugjeroi asnjëherë që kisha kaq shumë nevojë vetë për ndihmë, prandaj nuk duhej të përpiqesha për t’i ndihmuar të tjerët. Ajo ishte e lumtur që kalonte kohë me mua.

Në fund e kuptova se përpjekjet e mia patën vlerë. Me ndihmën e motrës sime shërbestare isha në gjendje të bëja diçka. Pavarësisht nëse ai shërbim pati ose jo ndonjë kuptim për dikë tjetër, ai solli ndryshim tek unë. Ndonëse familja ime nuk përfitoi drejtpërdrejt prej tij apo nuk m’u shërua trupi, ai më ndihmoi që të më shërohej zemra.

EmRi Pagmair

Jutë, SHBA

Me Ndihmën e Tij, Ju Jeni më Shumë sesa të Përshtatshëm

Pamja
the Old Testament prophet Enoch and people from the city of Zion

City of Zion Translated [Qyteti i Sionit i Ngritur në Qiell], nga Del Parson; fotografia e xhamit zmadhues nga Getty Images

Është diçka e zakonshme të ndihemi të papërshtatshëm për të bërë punën e Zotit. Edhe profeti Enok u ndie në atë mënyrë. Kur Zoti e urdhëroi që t’ju bënte thirrje njerëzve për pendim, ai u shqetësua pasi ishte “veçse një djalosh dhe të gjithë më urrejnë; sepse unë jam i ngadaltë në të folur” (Moisiu 6:31).

Por Zoti premtoi se Ai do të ishte me Enokun dhe se Shpirti i Tij do të ishte mbi të, dhe “të gjitha fjalët e tua do t’i justifikoj; … prandaj”, Ai e ftoi: “Ec me mua” (Moisiu 6:34).

Enoku ishte i bindur ndaj asaj që e urdhëroi Zoti, dhe ai u bë një ndikim i madh mbi popullin, jo për shkak të fuqisë së vet por për shkak të “fuqi[së së] gjuhës që Perëndia i kishte dhënë atij” (Moisiu 7:13).

Parime për t’u Marrë Parasysh

Në qoftë se e pyetni veten nëse dhënia e shërbesës nga ana juaj është kuptimplote, merrni parasysh këto parime:

  1. Të kuptuarit e dhënies së shërbesës dhe qëllimeve të saj do të na ndihmojë t’i gjykojmë në mënyrë më të saktë përpjekjet tona.

    • Dhënia e shërbesës është më shumë sesa ndërtimi i marrëdhënieve më të forta; ka të bëjë me të ndihmuarit e të tjerëve që ta forcojnë marrëdhënien e tyre me Shpëtimtarin.1

    • Dhënia e shërbesës nuk është thjesht një detyrë e caktuar; është mënyra se si i jetojmë besëlidhjet tona për t’i shërbyer Atij duke u kujdesur për njëri-tjetrin.

    • Dhënia e shërbesës nuk ndjek një mënyrë të paracaktuar. Ajo na tendos ndërsa i përshtatemi situatës dhe kërkojmë frymëzim për të dhënë shërbesë siç do të jepte Shpëtimtari.

  2. Të kuptuarit se si Perëndia e sheh dhënien e shërbesës nga ne, mund ta ndryshojë këndvështrimin tonë.

    • Perëndia nuk e mat dhënien e shërbesës në bazë të rezultateve dramatike ose nëse përpjekjet tona arrijnë të vlerësohen (shih shembullin e Oliver Greinxherit te Doktrina e Besëlidhje 117:12–13).2

    • Kur dëshira jonë është e mirë dhe bëjmë përpjekje të vërtetë, dhënia e shërbesës nga ana jonë është domethënëse për Të (shih Doktrina e Besëlidhje 4:2, 5).

    • Perëndia është i gatshëm ta lartësojë edhe “shërbimin më të vogël ose të pakuptimtë” nga ana jonë3 (shih Doktrina e Besëlidhje 123:17).

Çfarë Mund të Bëjmë Ne?

Në vend që të shqetësoheni për atë që mendoni se nuk mund ta bëni, me lutje merrni parasysh se çfarë mund të bëni. Pastaj veproni. Ndërsa veproni në emrin e Zotit, Ai mund t’i lartësojë përpjekjet tuaja dhe t’i përdorë ato për t’ju bekuar ju dhe të tjerët (shih 2 Nefi 32:9).

Shënime

  1. Shih Rasëll M. Nelson, “Dhënia e Shërbesës me Fuqinë dhe Autoritetin e Perëndisë”, Liahona, maj 2018, f. 69–70.

  2. Për të mësuar më shumë rreth Oliver Greinxherit dhe se si Perëndia e mat suksesin tonë, lexoni Boyd K. Packer, “The Least of These”, Liahona, nëntor 2004, f. 86–88.

  3. Henry B. Eyring, “Rise to Your Call”, Liahona, nëntor 2002, f. 77.