2017
Një Jetë Dishepulli
gusht 2017


Mesazhi i Presidencës së Parë, Gusht 2017

Një Jetë Dishepulli

Tridhjetë vjet më parë në Ganë, një studente e re në kolegj, e quajtur Doi, hyri në një shtëpi mbledhjesh shdm për herë të parë. Një shoqe e kishte ftuar Doin të vinte me të dhe Doi qe kureshtare për të ditur se si ishte Kisha.

Njerëzit atje ishin aq të sjellshëm dhe të ngrohtë saqë ajo nuk e shmangu dot mendimin: “Çfarë lloj kishe është kjo?”

Doi ndjeu një mbresë aq të madhe saqë vendosi të mësonte më tepër rreth Kishës dhe njerëzve të saj, të cilët qenë të mbushur me kaq shumë gëzim. Por, sapo filloi ta bënte këtë, familja dhe miq që i donin të mirën, filluan ta kundërshtonin atë në çdo hap. Ata thanë gjëra të tmerrshme rreth Kishës dhe bënë gjithçka mundën për t’i kthyer mendjen.

Por Doi kishte marrë një dëshmi.

Ajo kishte besim dhe e donte ungjillin, i cili po ia mbushte jetën me gëzim. Dhe kështu, hyri në ujërat e pagëzimit.

Pas kësaj, u zhyt në studim dhe lutje. Ajo agjëroi dhe kërkoi ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën e saj. Si rrjedhojë, dëshmia dhe besimi i Doit u bënë më të fortë e më të thellë. Përfundimisht, ajo vendosi të shërbente në një mision kohëplotë për Zotin.

Pas kthimit nga misioni i saj, ajo doli në takime dhe u martua me një misionar të kthyer – pikërisht me atë që e kishte pagëzuar atë vite më parë – dhe më vonë u vulosën në Tempullin e Johanesburgut në Afrikën e Jugut.

Kanë kaluar shumë vite që nga koha kur Doi Kaku e përjetoi për herë të parë gëzimin e ungjillit të Jezu Krishtit. Gjatë asaj kohe, jeta nuk ka qenë gjithmonë e ëmbël për të. Ajo ka duruar pjesën e saj të dhembjes e dëshpërimit, përfshirë humbjen e dy fëmijëve – hidhërimi i thellë nga ato përvoja ende i rëndon shumë në zemër.

Por ajo dhe bashkëshorti i saj, Entoni, janë munduar t’i qëndrojnë pranë njëri-tjetrit dhe Atit të tyre të dashur Qiellor, të cilin e duan me gjithë zemër.

Sot, 30 vjet pasi hyri në ujërat e pagëzimit, motra Kaku përfundoi kohët e fundit një mision tjetër kohëplotë – këtë herë në krah të bashkëshortit të saj, i cili qe president misioni në Nigeri.

Ata që e njohin motrën Kaku, thonë se ka diçka të veçantë tek ajo. Ajo shkëlqen. Është e vështirë të kalosh kohë me të pa u ndier më i lumtur edhe vetë.

Dëshmia e saj është e sigurt: “E di se Shpëtimtari më shikon si bijën dhe shoqen e Tij (shih Mosia 5:7; Ethëri 3:14)”, thotë ajo. “Dhe po mësoj e po përpiqem shumë fort që edhe unë të jem shoqja e tij – jo vetëm nga ato që them, por edhe nga ato që bëj.”

Ne Jemi Dishepuj

Historia e motrës Kaku është e ngjashme me historinë e shumë të tjerëve. Ajo pati dëshirën për ta ditur të vërtetën, e pagoi çmimin për të marrë dritë shpirtërore, e dëftoi dashurinë e saj për Perëndinë dhe bashkëqeniet e saj dhe përgjatë udhës përjetoi mundime e pikëllime.

Por, pavarësisht nga kundërshtimi, pavarësisht nga pikëllimi, ajo vazhdoi të shkonte përpara me besim. Dhe po me aq rëndësi, ajo e ruajti gëzimin e saj. Gjeti një mënyrë jo vetëm për t’i duruar mundimet e jetës, por edhe për t’u ngazëllyer pavarësisht prej tyre!

Historia e saj është e ngjashme me tuajën dhe timen.

Rrallëherë rrugëtimi ynë është i shtruar apo pa sprova.

Secili prej nesh ka dhembjet e veta, zhgënjimet e veta, pikëllimet e veta.

Ne madje mund të ndihemi të shkurajuar e ndonjëherë të dërrmuar.

Por ata që jetojnë një jetë dishepulli – që qëndrojnë besnikë dhe vazhdojnë të shkojnë përpara me besim; që i mirëbesojnë Perëndisë dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij1; që e jetojnë ungjillin ditë pas dite dhe orë pas ore; që u bëjnë shërbim të ngjashëm me të Krishtit njerëzve përreth tyre; me një bëmë të mirë pas tjetrës – janë ata, veprat e vogla të të cilëve, shpesh, sjellin një ndryshim të madh.

Ata që janë pak më dashamirës, pak më falës dhe një fije më të mëshirshëm, janë të mëshirshmit që do të gjejnë mëshirë.2 Ata që e bëjnë këtë botë një vend më të mirë, me vepra përkujdesjeje e dashurie njëra pas tjetrës dhe që mundohen ta jetojnë jetën e bekuar, të kënaqshme dhe paqësore të një dishepulli të Jezu Krishtit, janë ata që do të gjejnë gëzim përfundimisht.

Ata do ta dinë se “dashuria e Perëndisë që derdhet në zemrat e fëmijëve të njerëzve; … është më e dëshirueshmja mbi të gjitha gjërat … dhe më e gëzueshmja për shpirtin”3.