2017
Thirrur në Punë
Qershor 2017


Mesazhi i Presidencës së Parë, Qershor 2017

Thirrur në Punë

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Kur Profeti Jozef Smith e thirri Plakun Hiber C. Kimball (1801–1868) për “të hapur derën e shpëtimit” si misionar në Angli, Plaku Kimball u mbërthye nga ndjenjat e papërshtatshmërisë.

“O, Zot”, shkroi ai, “unë jam një burrë të cilit i mbahet gjuha dhe tërësisht i papërshtatshëm për një punë të tillë.”

Prapëseprapë, Plaku Kimball e pranoi thirrjen duke shtuar: “Këto konsiderata nuk më stepën nga shtegu i detyrës; në çastin kur e kuptova vullnetin e Atit tim Qiellor, ndjeva vendosmërinë për ta kryer pavarësisht nga të gjitha vështirësitë, duke besuar se Ai do të më mbështetë nëpërmjet plotfuqisë së Tij dhe do të më dhurojë çdo cilësi që më nevojitet”1.

Vëllezër dhe motra të mia të reja që jeni thirrur në shërbim misionar kohëplotë, ju jeni thirrur në punë sepse ju, sikurse Plaku Kimball, “keni dëshirë t’i shërbeni Perëndisë” (DeB 4:3) dhe sepse jeni të gatshëm dhe të denjë.

Çifte në moshë, ju jeni thirrur në punë për të njëjtat arsye. Ju, megjithatë, nuk sillni vetëm dëshirën për të shërbyer por edhe urtësinë që fitohet nga vitet e sakrificës, dashurinë dhe përvojën të cilat Ati juaj në Qiell mund t’i përdorë për të prekur zemrat e bijve dhe bijave të Tij që janë duke e kërkuar të vërtetën. Pa dyshim, ju e keni mësuar se ne nuk mund ta duam me të vërtetë Zotin derisa t’i shërbejmë Atij duke u shërbyer të tjerëve.

Dëshirave tuaja për të shërbyer si misionarë, ju u shtoni besimin dhe qëndresën, guximin dhe vetëbesimin, aftësinë e vendimmarrjes dhe aftësinë për t’u përshtatur, vendosmërinë dhe përkushtimin. Misionarët e përkushtuar mund të bëjnë që të ndodhin mrekulli në fushën e misionit.

Presidenti Xhon Tejlor (1808–1887) i përmblodhi cilësitë thelbësore të misionarëve në këtë mënyrë: “Lloji i burrave [dhe grave dhe çifteve] që ne duam si mbajtës të këtij ungjilli, janë burra që kanë besim në Perëndi; burra që kanë besim në fenë e tyre; burra që e nderojnë priftërinë e tyre; burra tek të cilët … Perëndia ka mirëbesim. … Ne duam burra plot me Frymën e Shenjtë dhe fuqinë e Perëndisë[,] … burra të besës, me integritet moral, virtyt dhe pastërti.”2

Zoti ka shpallur:

“Sepse vini re, fusha është e bardhë gati për t’u korrur; dhe shihni, ai që e shtyn draprin e tij me fuqi, njësoj vendos në ruajtje, që ai të mos mbarojë, por t’i sjellë shpëtim shpirtit të tij;

Dhe besimi, shpresa, dashuria hyjnore dhe dashuria, me syrin drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë, e cilësojnë atë për veprën” (DeB 4:4–5).

Thirrja juaj ka ardhur nëpërmjet frymëzimit. Unë dëshmoj se atë që Perëndia e thërret, Perëndia e kualifikon. Ju do të merrni ndihmë qiellore kur punoni me lutje në vreshtin e Zotit.

Premtimi i bukur që Zoti u dha misionarëve në fillim të kësaj periudhe ungjillore, siç përmbahet në Doktrinën e Besëlidhjet, do të jetë premtimi juaj: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (DeB 84:88).

Ndërsa shërbeni, ju do të ndërtoni kujtime dhe miqësi të pasura e të përjetshme. Nuk njoh asnjë fushë e cila prodhon të korra lumturie më bujare sesa fusha e misionit.

Tani, pak fjalë për ata pleq, motra dhe çifte të cilët, për çfarëdo arsye, mund të mos jenë në gjendje ta përfundojnë kohën e caktuar për ta në fushën e misionit: Zoti ju do. Ai e vlerëson sakrificën tuaj. Ai është në dijeni të zhgënjimeve tuaja. Dijeni se Ai ka ende një punë për ju që ta bëni. Mos e lejoni Satanin që t’ju thotë të kundërtën. Mos u brengosni; mos u shkurajoni; mos u dëshpëroni.

Siç vërejta në konferencën e përgjithshme pak pasi u thirra për ta drejtuar Kishën: “Mos u frikësoni. Merrni zemër. E ardhmja është po aq e ndritur sa besimi juaj.”3 Ai premtim ende mbetet i vërtetë për ju. Ndaj mos e humbisni besimin tuaj, sepse Zoti nuk e ka humbur besimin te ju. Mbajini besëlidhjet tuaja dhe ecni përpara.

Bota ka nevojë për ungjillin e Jezu Krishtit. Zoti i bekoftë të gjithë shenjtorët e Tij – pavarësisht se ku ne shërbejmë – me një zemër misionare.

Shënime

  1. Heber C. Kimball, në Orson F. Whitney, Life of Heber C. Kimball, bot. i 3-të (1967), f. 104.

  2. Teachings of Presidents of the Church: John Taylor (2001), f. 73.

  3. Tomas S. Monson, “Merrni Zemër”, Liahona, maj 2009, f. 92.