2017
Siç Ju Kam Dashur
shkurt 2017


Mesazhi i Presidencës së Parë, Shkurt 2017

“Siç Ju Kam Dashur”

Disa vite më parë, një mik i quajtur Luis, më tregoi një rrëfim prekës rreth nënës së tij të dashur e gojëmbël. Kur ajo ndërroi jetë, nuk u la bijve dhe bijave të saj pasuri financiare por përkundrazi një trashëgimi të pasur në shembull, në sakrificë, në bindje.

Pasi u thanë nekrologjitë në varrim dhe u bë udhëtimi i trishtë drejt varrezës, fëmijët e rritur rrëmuan mes zotërimeve të pakta që u kishte lënë e ëma. Midis tyre, Luisi zbuloi një shënim dhe një çelës. Shënimi udhëzonte: “Në dhomën e gjumit në qoshe, në sirtarin e poshtëm të komosë sime, është një kuti e vockël. Ajo përmban thesarin e zemrës sime. Ky çelës do ta hapë kutinë.”

Të gjithë pyetën veten se çfarë kishte me kaq vlerë nëna e tyre sa ta vendoste në një kuti me çelës.

Kutia u lëviz nga vendi ku qëndronte dhe u hap me kujdes me ndihmën e çelësit. Ndërsa Luisi dhe të tjerët e shqyrtuan imtësisht përmbajtjen e kutisë, ata gjetën një fotografi personale të çdo fëmije, me emrin dhe datën e lindjes së fëmijës. Luisi më pas tërhoqi një kartolinë për festën e Shën Valentinit të bërë me dorë. Në shkrimin e dorës të paushtruar e fëmijëror, që e dalloi se ishte i veti, ai lexoi fjalët që kishte shkruar 60 vite më parë: “E dashur Nënë, të dua”.

Zemrat u prekën, zërat u zbutën dhe sytë u përlotën. Thesari i nënës ishte familja e saj e përjetshme. Forca e saj qëndronte te themeli prej shkëmbi me fjalët “të dua”.

Në botën e sotme, askund nuk nevojitet më shumë ai themel dashurie prej shkëmbi sesa në shtëpi. Dhe bota askund nuk do të gjejë një shembull më të mirë të atij themeli sesa në shtëpitë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme të cilët e kanë bërë dashurinë qendrën e jetës së tyre familjare.

Atyre prej nesh që shpallin se janë dishepuj të Shpëtimtarit Jezu Krisht, Ai iu dha këtë udhëzim me ndikim të gjerë:

“Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.

Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.”1

Nëse do ta zbatonim urdhërimin për ta dashur njëri-tjetrin, ne duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin me dhembshuri dhe respekt, duke treguar dashurinë tonë në ndërveprimet e përditshme. Dashuria ofron një fjalë dashamirëse, një përgjigje të duruar, një veprim vetëmohues, një vesh mirëkuptues, një zemër falëse. Në të gjitha shoqërimet tona, këto dhe veprime të tjera të tilla ndihmojnë për ta vënë në dukje dashurinë në zemrën tonë.

Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) vërejti: “Dashuria … është poçja me ar në fund të ylberit. Prapëseprapë është më tepër sesa fundi i ylberit. Dashuria është edhe në fillim, dhe prej saj lulëzon bukuria që përshkon qiellin në një ditë të stuhishme. Dashuria është siguria për të cilën fëmijët lotojnë, malli i zjarrtë i rinisë, ngjitësja që lidh martesën dhe zbutësi që parandalon përplasjen shkatërruese në shtëpi; ajo është paqja për moshën e vjetër, drita e shpresës që shkëlqen përmes vdekjes. Sa të pasur janë ata që e gëzojnë atë në shoqërimet e tyre me familjen, miqtë, kishën dhe fqinjët.”2

Dashuria është vetë thelbi i ungjillit, tipari më fisnik i shpirtit njerëzor. Dashuria është shërimi për familjet lënguese, komunitetet e ligshta dhe kombet e sëmura. Dashuria është një buzëqeshje, një përshëndetje me dorë, një fjalë e mirë dhe një përgëzim. Dashuria është sakrificë, shërbim dhe vetëmohim.

Bashkëshortë, duajini bashkëshortet tuaja. Trajtojini ato me dinjitet dhe vlerësim. Motra, duajini bashkëshortët tuaj. Trajtojini ata me nderim dhe inkurajim.

Prindër, duajini fëmijët tuaj. Lutuni për ta, jepuni mësim dhe dëshmojuni atyre. Fëmijë, duajini prindërit tuaj. Tregojuni respekt, mirënjohje dhe bindje.

Pa dashurinë e pastër të Krishtit, Mormoni këshilloi se “[ne] s’je[m]i asgjë”3. Lutja ime është që ne të mund ta ndjekim këshillën e Mormonit për t’iu “lut[ur] Atit me gjithë fuqinë e zemrës s[onë], që të mbushe[m]i me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; që [ne] të mund të bëhe[m]i bijtë e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai”4.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Presidenti Monson na mëson rëndësinë e të treguarit me vepra të dashurisë së vërtetë si të Krishtit, veçanërisht në shtëpi. Merreni parasysh t’u kërkoni njerëzve që vizitoni që të mblidhen si një familje dhe të diskutojnë mbi mënyrat se si mund të tregojnë më shumë dashuri për njëri-tjetrin. Ju mund t’i nxitni ata të përzgjedhin një nga ato ide dhe të bëjnë plane për t’i realizuar si një familje. Për shembull, pjesëtarë të familjes mund të kërkojnë të ofrojnë një veprim të fshehtë shërbimi ndaj një pjesëtari tjetër të familjes çdo javë. Ju mund t’u kërkoni atyre që më vonë të reflektojnë mbi mënyrën se si orvatja për ta arritur synimin e shtoi dashurinë në shtëpinë e tyre.