Takime Shpirtërore Mbarëbotërore
Veten do t’ia Jap Atij


Veten do t’ia Jap Atij

Takimi Shpirtëror i SAK-ut për të Rinjtë në Moshë Madhore 3 nëntor 2013 • Universiteti “Brigam Jang”

Është vërtet privilegj të jemi me ju sonte, vëllezërit dhe motrat e mia të reja të dashura. Dëshiroj që ju të dini se çfarë bekimi është për gruan time dhe për mua që të jemi me ju këtë mbrëmje. Kur hedhim vështrimin mbi ju, ne shohim mundësi të llogaritshme. Ju keni kaq shumë potencial. Pavarësisht se sa të mëdha janë shpresat tuaja, unë jam këtu t’ju them se ato mund të jenë edhe më të mëdha. Ju mund të arrini më shumë nga sa dini në këtë jetë. Me Zotin pranë, ju mund të përjetoni mrekullira. Ju mund ta bëni atë që në fillim e menduat të pamundur. Ju mund t’i bëni ballë çdo problemi. Ju mund të ngriheni mbi gjithçka që do t’ju rrëzonte përtokë. Ju mund të hiqni dorë prej së ligës dhe të përqafoni gjithçka që është e mirë. Ju erdhët në tokë për një qëllim dhe, me ndihmën e Zotit, ju do ta arrini atë qëllim.

Shpresoj që e kuptoni se sa shumë veta po luten për ju. Ka kaq shumë lutje të bëra në këtë Kishë çdo ditë për rininë e Kishës - për të rinjtë në moshë madhore. Ndonjëherë, kur të keni një çast të qetë, ju ftoj të mendoni për të gjitha lutjet që po bëhen çdo ditë veçanërisht për ju, brezin e ri. Lutjet në tempujt, lutjet nga Autoritetet e Përgjithshme dhe nëpunësit e përgjithshëm të Kishës, lutjet nga udhëheqësit e kunjeve dhe të lagjeve, dhe lutjet nga prindërit, anëtarë të tjerë të familjeve dhe nga miqtë - unë i dëgjoj shumë prej këtyre lutjeve. Ato dalin nga zemra. Shpresoj se ju do të mendoni për fuqitë që po tërhiqen prej qiejve në emrin tuaj.

Dhe shpresoj që ju e ndieni dashurinë, jo vetëm prej atyre që i njihni, por edhe prej atyre që shqetësohen për ju dhe shqetësohen rreth asaj që ju ndodh, edhe pse mund të mos ju kenë takuar kurrë. E di se, po të ishte Presidenti Monson këtu sot, ai do të shprehte dashurinë e tij për ju. Ne kemi një profet të gjallë që e do rininë e kësaj Kishe.

Bashkëshortja ime dhe unë jemi shumë mirënjohës për këtë kor që këndoi “Veten do t’ia Jap Atij”. Ne e shkruam këngën për misionarët tanë, ndërkohë që shërbenim në Misionin e Rapid-Sitit në Dakotën Jugore, por fjalët gjejnë zbatim për të gjithë ne gjatë tërë jetës sonë. Strofa e parë thotë:

Vetveten dha për mua, Ai vdiq që unë t’jetoj.

Çfarë mund të bëj për Të? Vërtet ç’mund të dhuroj?1

Këto janë fjalët e dikujt që po mendonte për bekimet e Shlyrjes, bekimet e të ndierit të dashurisë së Atit tonë në Qiell dhe të Birit të Tij, Jezu Krishtit. Ne të gjithë kemi çaste si ky - çaste kur e dimë se Zoti është i vetëdijshëm për ne.

Ju ftoj të mendoni pikërisht tani për bekimet që ndieni si një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe nëse është dikush në këtë publik që po merr parasysh të bashkohet me Kishën, unë ju ftoj të mendoni për një bekim që po kërkoni. Më pas do të doja t’i tregonit për atë bekim njeriut të ulur pranë jush. Nëse nuk e njihni atë njeri - akoma më mirë - ju mund të filloni të njiheni ndërkohë që i tregoni. Tregoni për sa më shumë bekime që mundeni në një ose dy minutat pasuese.

Kohët e fundit ftova një grup studentësh në shtëpinë time për të diskutuar për temën e kësaj mbrëmjeje. Le të shohim se çfarë thanë kur iu kërkova atyre të shprehnin ndjenjat e tyre rreth bekimeve në jetën e tyre:

Mashkulli 1: Njohuria që unë kam - njohuria për planin e shpëtimit, Atin tim Qiellor, mënyrën si është Ai, se çfarë dëshiron për mua dhe njohuria për atë që mund të bëj për ta jetuar jetën time në harmoni me atë që Ai dëshiron për mua. Bekimet që vijnë nga fuqia vulosëse dhe nga tempujt në tokë - njohuria se mund të jem me familjen time përgjithmonë, si një familje.

Femra 1: Njohuria e Shlyerjes dhe më pas aftësia për të fituar të drejtën e përdorimit të fuqisë që vjen nëpërmjet Shlyerjes. Shumë prej saj është nëpërmjet ordinancave të priftërisë dhe të ndierit të një lidhjeje shumë të vërtetë me Atin tim Qiellor nëpërmjet atyre ordinancave dhe besëlidhjeve që bëj me Të. Të kemi fuqi në jetën tonë, të kemi forcë dhe të gjitha gjërat që na nevojiten për t’u kthyer tek Ai.

Femra 2: Mundësia dhe privilegji që të kemi dhuratën e Frymës së Shenjtë gjithmonë me ne, që të na udhëheqë në vendimet tona për ta nënshtruar vullnetin tonë dhe që të na japë atë ngushëllim e forcë dhe atë fuqi për t’ia dalë mbanë përmes kësaj jete dhe mandej të jemi me Të përgjithmonë më pas.

Mashkulli 2: Ndiej se të gjitha këto janë bekime të priftërisë që janë në dispozicion të burrave, si edhe të grave. Jam vërtet mirënjohës për priftërinë që u rivendos, që ne të mund t’i kishim të gjitha këto bekime: tempullin, Frymën e Shenjtë, mundësinë për ta vënë në përdorim Shlyerjen.

Femra 3: Sa mirënjohëse jam të di se mund të përparoj dhe se kjo jetë nuk ka për qëllim të qenit e plogësht ose të qëndruarit ulur mbi një gardh apo - të qëndruarit ulur kudoqoftë. Është rreth të qëndruarit më këmbë dhe të shkuarit diku. Dhe për mua, është kaq thelbësore të di se përparimi ndodh dhe se mund të ndodhë akoma edhe përtej vdekjes.

Mashkulli 3: Libri i Mormonit. Si student, e kaloj shumicën e kohës duke lexuar gjëra nga të cilat duhet të mbaj një qëndrim dyshues si: A është kjo e vërtetë? Çfarë supozimesh kanë ato?  Si do t’i shoshit të gjitha gjërat që po thonë? Por unë ndihem sikur, le të themi, mund të rehatohem kur lexoj Librin e Mormonit. Sepse është thjesht i vërtetë - i përkthyer nga dhurata dhe fuqia e Perëndisë.

Pa ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, ne nuk do të kemi asnjë prej bekimeve që miqtë e mi sapo i përmendën. Të menduarit për bekimet tona na jep forcë për të ecur përpara në jetë, por ne të gjithë e dimë se ecja përpara paraqet sfida. Kjo është jeta në vdekshmëri dhe jeta në vdekshmëri nuk është e lehtë. Dy vargjet e tjera të këngës që këndoi kori thonë:

Kur të tjerët largohen, kur askush nuk përkujdeset,

Si mund ta ndiej dashurinë e Tij? Si do ta di se është atje?

… … … … … … … … … … … … … … . .

Kur dhembje dhe hidhërim u vijnë atyre që pyesin përse,

Si do t’ju sjell paqe atyre? Si do t’i ndihmoj të bëjnë përpjekje?2

Tani ju ftoj të shkruani - ose thjesht të bëni një shënim në mendje - të sfidave që po hasni pikërisht tani në jetën tuaj, të shqetësimeve që nganjëherë ju mbajnë zgjuar gjatë natës.

Iu kërkova miqve të mi që erdhën në shtëpinë time se cilat ishin sfidat e tyre dhe kjo është çka thanë:

Femra 2: Shumë mendime pa e vrarë mendjen shumë! Një gjë që po e mendoja është se është e lehtë ta lidhësh vlerën tënde dhe identitetin tënd me arritjet: nuk jam martuar ende, ose nuk e kam mbaruar ende shkollën e lartë apo shkollën pasuniversitare, ose ato gjëra që i ke apo nuk i ke arritur.

Mashkulli 2: Ruajtja e shpirtmërisë që patëm kur po i shërbenim me kohë të plotë Zotit. Ajo është diçka që duhet ta zgjedh çdo ditë, nëse vërtet do të jem në gjendje t’i vazhdoj ose jo të njëjtat zakone që i zhvillova në mision.

Mashkulli 1: Një nga gjërat më të mëdha që e solli Shpirtin në jetën tonë gjatë misionit ishte mundësia jonë për të shërbyer dhe për të dhënë dëshmi, e cila vazhdon nëpërmjet mësimit të shtëpisë, vizitave mësimore dhe nëpërmjet shoqërimit - me mundësi të mëdha për të bërë shumë gjëra domethënëse. Dhe po ai Shpirt mund të jetë me ne kur u shërbejmë të tjerëve.

Mashkulli 3: Gjetja e drejtpeshimit të duhur midis të qenit të udhëhequr nga Shpirti dhe frymëzimit në vendimet që merr në jetë dhe thjesht marrjes së tyre. Disa njerëz thjesht duket sikur kanë shumë udhërrëfim nga Zoti. Dhe disa njerëzve thjesht iu duhet të punojnë për gjërat dhe thjesht t’i bëjnë ato përpara se ta dinë se ç’është e drejtë ose jo.

Femra 1: Një temë mbizotëruese, si bekimet e vonuara dhe të kuptuarit se ato do të vijnë ndonjë ditë. Por thjesht të pasurit e atij besimi e mirëbesimi dhe nënshtrimit të vullnetit tonë ndaj Atit Qiellor.

Femra 3: Përse gjëra të këqija iu ndodhin njerëzve të mirë? Ose gjëra të rënda - gjëra vërtet, vërtet të vështira - u ndodhin njerëzve të mirë? Kjo ka qenë diçka që e kam pasur në mendje. Për shembull, sapo mësova se babai im ka kancer. Dhe mendova: “Si i ndodh kjo një njeriu që ka shërbyer kaq shumë?”

Cilado qoftë sfida juaj, unë dëshmoj se tema që do të diskutojmë këtë mbrëmje mund t’ju ndihmojë ta kapërceni atë.

Për ta filluar, le të mendojmë për një çast për takimin tonë të fundit shpirtëror të SAK-ut. Në bekimin apostolik që Plaku Rasëll M. Nelson shpalli në atë rast, ai tha: “Ju bekoj … që vullneti i [Perëndisë] të mund të bëhet nga ju dhe nëpërmjet jush”3.Merrni parasysh fuqinë e këtyre fjalëve. Nëse vullneti i Perëndisë do të bëhet nga ne dhe nëpërmjet nesh, atëherë vullneti ynë ka nevojë të jetë i njëjtë me atë të Perëndisë. Ne kemi nevojë të dëshirojmë atë që dëshiron Ai.

Plaku Nil A. Maksuell dikur tha: “Kur ia nënshtroni vullnetin tuaj Perëndisë, ju po i jepni Atij gjënë e vetme që ju mund t’ia jepni aktualisht Atij, e cila është vërtet juaja për t’u dhënë. Mos prisni shumë që të gjeni altarin apo që të filloni ta vendosni dhuratën e vullnetit tuaj mbi të!”4

Këtë mbrëmje unë ju ftoj të merrni parasysh së bashku me mua tri pyetje: 1) Cili është kuptimi i fjalës vullnet? 2) Si mund t’ia japim vullnetin tonë Perëndisë? dhe 3) Si mund ta dimë se po ia dalim me sukses?

Së pari, çfarë do të thotë fjala vullnet? Ne shpesh nuk flasim për vullnetin, të paktën duke e përdorur atë fjalë. Nganjëherë ne themi “forcë vullneti”. Për shembull, “Thjesht nuk e kam forcën e vullnetit për t’i bërë ballë asaj torte me krem”. Pra vullneti është “prirja për të bërë diçka”5, dëshira që na bën të veprojmë.

Nëse u kërkoni njerëzve në SHBA që të përmendin dy prej gjërave më të rëndësishme për shëndetin tonë fizik, pothuajse 95 përqind thonë “dieta dhe ushtrimi fizik” - sikurse do të mendonim ne. Më pas, nëse i pyesni po të njëjtët njerëz: “A po hani siç duhet dhe a po ushtroheni mjaftueshëm fizikisht?” - çfarë mendoni ju se do të thonë? Midis 5 përqind deri në 10 përqind thonë se po i bëjnë. Ka një mospërputhje të dukshme midis njohjes së diçkaje dhe bërjes së saj. Shumica e njerëzve e dinë atë që duhet të bëjnë, por pak e kanë vullnetin për ta bërë atë.

Një shembull nga misioni ynë tregon se kur marrim ndihmë, ne mund ta zhvillojmë vullnetin për të bërë atë që e dimë se duhet të bëjmë.

Një prej ndihmësve tanë në misionin tonë njëherë i tha shokut të tij: “Ej, kam shtuar 13 kile që kur erdha në mision. S’mund të kthehem në shtëpi kështu. A më ndihmon që të humb ca në peshë?” (Ai ishte në një skuadër basketbolli dhe nuk donte të kthehej në atë gjendje.)

Shoku i tij ra dakord.

Pak kohë pas kësaj, po i ndiqja këta dy misionarë në radhën e restorantit me vetëshërbim. Misionari që dëshironte të humbiste në peshë, shkoi të merrte një kek me çokollatë. Shoku i tij i pëshpëriti në vesh: “Ti s’e do atë”.

Misionari i uritur, paksa i zemëruar, tha: “O, po, e dua”.

“Jo, s’e do; vërtet s’e do”, e këshilloi shoku i tij.

Misionari nuk e mori ëmbëlsirën.

Ky misionar donte të humbiste në peshë, por ai kishte nevojë për ndihmë që ta mposhtte dëshirën e tij për atë ëmbëlsirë. Kujtojeni atë varg në këngë që tha: “Si do t’i ndihmoj të bëjnë përpjekje?” Shoku po e ndihmonte bashkëmisionarin e tij që të përpiqej të bënte atë që donte me të vërtetë të bënte, por që nuk mund ta bënte pa ca ndihmë nga jashtë, prej dikujt tjetër. Ai po përpiqej ta ndihmonte këtë misionar që të kuptonte se dëshira e tij për të qenë i shëndetshëm mund ta mposhtte dëshirën e tij për atë ëmbëlsirë. Po përpiqej ta ndihmonte të forconte vullnetin e tij.

Kundërshtari do të na bënte të besonim se nuk gjendet diçka e tillë si vullneti - se ne nuk kemi zgjedhje tjetër, përveçse t’i ndjekim vetë nxitjet tona të natyrshme - për të ngrënë sa më shumë ëmbëlsira që mundemi. Gabimisht disa veta besojnë se vullneti ynë parapërcaktohet nga gjenet tona dhe se ne nuk kemi aspak kontroll mbi të.

Për të treguar sa çështje madhore është kjo, unë do të lexoj një fragment nga një artikull gazete i kohës së fundit. Autori është një profesor i respektuar i biologjisë. Ja se si e fillon ai esenë e tij të titulluar “Përse Ju Nuk Keni Vërtet Vullnet të Lirë”. Ky titull ma tërhoqi vëmendjen ngaqë, si anëtar i Kishës, unë e di se ne vërtet kemi vullnet.

Ai shpjegon se vendimet që mendojmë se marrim, në të vërtetë ne nuk i marrim aspak. Duke folur rreth zgjedhjeve që bëmë për të ngrënë sot në vaktin e mëngjesit, ai thotë: “Ju mund të ndieni se keni bërë zgjedhje, por në të vërtetë vendimi juaj … për të ngrënë vezë apo bukë të thekur [sot në mëngjes] u përcaktua shumë më përpara se ju ta dinit atë - ndoshta edhe më përpara se të zgjoheshit sot nga gjumi. Dhe ‘vullneti’ juaj nuk luajti rol në atë vendim.”6

Pra, ai po thotë se ne nuk kemi as vullnet, as kontroll mbi dëshirat tona. Ne thjesht i nënshtrohemi çfarëdo gjëje që na diktojnë gjenet tona. Kur e lexova atë artikull, doja t’i tregoja atij rreth misionarit tonë. Ai me të vërtetë bëri zgjedhje. I humbi 13 kilogramë. Vullneti i tij i mposhti dëshirat e tij trupore.

Mësojmë nga zbulesa, si e lashtë edhe moderne, se ne vërtet kemi liri të zgjedhim, se ne vërtet kemi vullnet, se ne vërtet kemi dëshira dhe se ato dëshira mund të ndryshojnë. Plaku Rasëll M. Nelson, në konferencën më të fundit të përgjithshme, tha: “Mund ta ndryshojmë sjelljen. Edhe vetë dëshirat tona mund të ndryshojnë. Si? … Ndryshimi … i përhershëm mund të vijë vetëm me fuqinë shëruese, pastruese dhe aftësuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”7

Kur Plaku Maksuell tha se vullneti ynë është e vetmja gjë që me të vërtetë mund t’ia japim Perëndisë, ai po na mësonte se çdo gjë tjetër që i japim, është diçka që Perëndia tashmë na e dha neve. Kur japim të dhjeta ose oferta, ne thjesht po i kthejmë Perëndisë atë që Ai na e dha neve fillimisht. Çdo para që e fitojmë në këtë jetë, për shembull, na vjen për shkak të krijimeve të Perëndisë. Nëse japim kohën tonë, ne po i japim atë që Perëndia tashmë na e dha - ditët tona mbi këtë tokë. Por kur ia japim vullnetin tonë Atij, kjo është një dhuratë që është në mënyrë të pashoqe e jona për t’u dhënë. Kur japim vullnetin tonë, ne po e japim vetveten tërësisht, duke mos ngurruar për asgjë.

Ja se çfarë thanë miqtë e mi kur iu kërkova t’i hetonin shkrimet e shenjta dhe më pas të shprehnin mendimet e tyre rreth kuptimit të fjalës vullnet:

Mashkulli 3: Të qenit “i gatshëm t’u nënshtrohe[n] të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi [ta], madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij”8.Pra kjo flet rreth dhënies, ënshtrimit dhe të qenit të gatshëm. Më pas ne, në një farë mënyre, filluam të flasim rreth saj dhe na çoi drejt këtij shkrimi tjetër të shenjtë në Helamani 3.

Mashkulli 1:Helamani 3:35 - “Po, madje në pastrimin dhe në shenjtërimin e zemrave të tyre, shenjtërim që vjen për shkak të dhënies së zemrave të tyre Perëndisë”.

Femra 3: Kjo nuk ndodh e gjitha njëherazi, nuk mendoj se ndodh, por është sigurisht një proces që vjen me kohë dhe me punë.

Mashkulli 2: Ndihem pothuajse sikur të fitohet shpejtësi. Kur bën zgjedhjen e drejtë, është më e lehtë që ta bësh zgjedhjen e drejtë herën që vjen. Lutja dhe studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta, dhe përsiatja, dhe shkrimi i një ditari.

Femra 2:Mosia 5:2, flitet rreth mënyrës se si ata e përshkruajnë ndryshimin e madh brenda nesh dhe në zemrat tona që ne nuk kishim “më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht”.

Femra 1: Është e çuditshme ngaqë po lexonim po të njëjtat shkrime të shenjta, por ne po zhvillonim një bashkëbisedim tërësisht të ndryshëm. Me të vërtetë mendova se ishte tepër e fuqishme tek Helamani 3:35, rreth nënshtrimit të zemrave tona Perëndisë dhe se si kjo gjë na shenjtëron ne. Mendoj se ajo përfshin shumë mirëbesim për t’iu nënshtruar Atij dhe për të thënë: “Jo, unë do të mirëbesoj pikërisht tani se plani Yt është i përsosur. Do të ta jap Ty vullnetin tim dhe më pas do të të lejoj që të më japësh formë dhe të më bësh atë që Ti ke nevojë të jem.”

Mashkulli 2: Ne po flisnim rreth Luftës në Qiell - se si luftuam për lirinë e zgjedhjes dhe se si vendosëm ta ndiqnim Krishtin dhe të bënim atë që Ai do të donte të bënim. Ne folëm rreth mënyrës se si kjo jetë është pothuajse një betejë e vullneteve: A do të vendosim që të dëshirojmë atë që do të donte Krishti, që të bëhemi si është Ai, në vend që thjesht të themi se ne vërtet do të bëjmë gjërat që Ai na kërkon të bëjmë - a do të duam vërtet t’i bëjmë ato?

Pra, të dorëzuarit e vullnetit tonë Zotit nuk do të thotë që ne heqim dorë nga liria jonë e zgjedhjes. Aktualisht, e kundërta është e vërtetë. Sa më shumë që ia japim vullnetin tonë Zotit, aq më shumë rritet vetë aftësia jonë për ta ushtruar lirinë tonë të zgjedhjes morale. Të diturit e asaj që Perëndia dëshiron që ne të dimë, të thënit e asaj që Ai do që ne të themi, të bërit e asaj që Ai do që ne të bëjmë, të gjitha na çojnë drejt të qenit të atij njeriu që Ai na do të jemi. Perëndia na dha lirinë e zgjedhjes me qëllim që ne të mund ta nënshtronim veten tonë ndaj Atij, jo që ne të mund t’i dorëzoheshim tundimit.

Kur shihni brenda vetvetes dhe gërmoni thellë në brendësi, ju mund t’i gjeni dëshirat që çojnë drejt veprimeve tuaja më të çmuara. Ju do të vini re se unë nuk thashë “që çojnë drejt ndonjë veprimi” - ngaqë disa prej veprimeve tona nuk nxiten nga dëshirat tona më të thella, të mbajtura më fuqishëm. Disa veprime ndodhin pa u menduar mirë. Disa veprime madje duken se shkojnë tërësisht në kundërshtim me atë që dëshirojmë më thellësisht.

Një i ri dikur erdhi tek unë për ndihmë në procesin e pendimit. Ndërsa përshkruante hidhërimin që ndjeu për atë që kishte bërë, ai tha: “Duke hedhur vështrimin pas tek ajo, nuk mund ta besoj se e bëra me të vërtetë. Është sikur e bëri dikush tjetër dhe jo unë.” Thellë në zemrën e tij, nuk donte ta bënte atë që kishte bërë, por në një farë mënyre njeriu natyror mori fuqinë dhe ai iu nënshtrua joshjeve të kundërshtarit, në vend të nxitjeve të Frymës së Shenjtë, i cili do ta kishte ndihmuar t’i bënte ballë tundimit.9Ai po fliste rreth vullnetit. Ai dëshironte të ishte i mirë, por gjendej një pjesë e tij - një aspekt i vetë vullnetit të tij - që ai ende nuk e kishte nënshtruar. Ai po e mbante pas atë pjesë të vogël dhe ajo ishte që e çoi atë të bënte diçka për të cilën i erdhi keq. Por ai erdhi te një udhëheqës i priftërisë për t’i rregulluar gjërat siç duhet - për të qenë ai që ishte në të vërtetë, një bir besnik i Atit të tij në Qiell. Ai erdhi që të mund të përpiqej t’ia nënshtronte të gjithë vullnetin e tij Zotit, këtë herë pa mbajtur asgjë rezervë.

Ky i ri përjetoi një ndryshim të zemrës. Ai nuk kishte “më [dëshirë] të bë[nte] keq, por të bë[nte] mirë vazhdimisht”10.Dëshirat e tij kishin ndryshuar dhe, ngaqë i kishin ndryshuar dëshirat, edhe sjellja e tij ndryshoi. Ai po e zhvishte njeriun e natyrshëm dhe po iu nënshtrohej nxitjeve të Shpirtit të Shenjtë. Një ndryshim i zemrës është një ndryshim i synimit, jo vetëm një ndryshim në veprime. Nevojitet të bëjmë gjëra të mira, por akoma më shumë, nevojitet që t’i bëjmë ato për arsyen e duhur.

Pamja

Grafika: Diagrama

Kjo diagramë më ndihmon të kuptoj marrëdhënien midis synimeve ose dëshirave tona dhe veprimeve tona. Kur jemi në shtegun e besëlidhjes së dishepullimit, synimet tona janë të pastra dhe veprimet tona janë të drejta. Ne bëjmë gjëra të mira, sepse e duam Zotin dhe i duam fëmijët e Tij. Por është gjithashtu e mundur të bëhet një gjë e mirë me një synim të padrejtë. Atëherë po veprojmë si hipokritët - ne po bëjmë mirë ngaqë duam të dukemi të mirë ose ngaqë dëshirojmë të dukemi më të mirë sesa dikush tjetër.

Nëse kryejmë një veprim të padrejtë me një synim të padrejtë, ne jemi, sikurse thonë shkrimet e shenjta, “[duke] ngritur krye me vullnet të plotë kundër Perëndisë”11.Ata në këtë pjesë janë krenarë për gjërat e liga që bëjnë. Por kur me të vërtetë dëshirojmë të bëjmë mirë, por rrëshqasim dhe rrëzohemi, ne po i nënshtrohemi burrit ose gruas së natyrshme brenda nesh. Kur e gjejmë vetveten në ndonjë vend që nuk është në shtegun e dishepullimit, është e nevojshme të tërhiqemi drejt fuqive të Shlyerjes me anë të pendimit dhe vërtet, edhe njëherë, do të jemi në shtegun e duhur.

Ky proces pendimi është në mënyrë të qartë një proces i ndryshimit të dëshirave. Është një proces i të bërit vend për Shpirtin. Dhe kur i bëjmë vend Shpirtit, nuk mbetet vend për mëkatin.

Prandaj, vullneti ynë është forca e bashkuar e dëshirave ose synimeve tona. Vullneti ynë është baza e veprimet tona. Çfarë të bëjmë për ta forcuar vullnetin tonë? Si mund t’ia japim vullnetin tonë Zotit? E ftoj korin të këndojë përsëri refrenin e këngës që kënduan në hapjen e takimit tonë shpirtëror këtë mbrëmje. Dëgjoni me kujdes fjalët:

Do të them çfarë Ai do që të thuhet. Do të bëj çfarë Ai do që të bëhet.

Për Birin e Dashur të Perëndisë botës dëshmitar do t’i jem.

Atij do t’ia jap veten time - zemrën time, vullnetin tim, shpirtin tim.

Gjithnjë do t’i këndoj dashurisë shëlbuese, këngën që më sjell shërim.12

Ne të gjithë mund të themi atë që Ai dëshiron të thuhet.

Ndërsa po shërbeja si president kunji, intervistova një motër që ishte martuar kohët e fundit. E pyeta: “Si po të shkon martesa?”

U përgjigj: “Mirë, është në rregull, mendoj. Nuk zihemi shumë.”

E pyeta: “Çfarë do të thuash, shumë?”

Ajo tha: “Epo, e dini, gjithë çiftet e martuara zihen”.

Iu përgjigja: “Jo gjithë çiftet e martuara. Gruaja ime dhe unë nuk zihemi. Prindërit e mi nuk u zunë.”

Ne më pas patëm një bashkëbisedim të mirë se si ajo dhe burri i saj mund t’i flisnin njëri-tjetrit me dashuri në vend që t’i flisnin me inat ose ashpërsi.

Ne mund të themi atë që Zoti do të dëshironte të thoshim. Ne mund ta mënjanojmë ashpërsinë nga fjalët tona dhe nga toni ynë. Ne mund t’i ngremë dhe lartësojmë të tjerët në vend që t’i shkatërrojmë ata.

Njëherë shoqërova Plakun Xhefri R. Holland për të riorganizuar një presidencë kunji. Kur u futëm në hotelin ku po qëndronim, ai e njohu një nëpunëse hoteli dhe e pyeti atë: “Pra, si e ke atë të dashurin tënd të këndshëm?”

Ajo tha: “O, u ndamë disa javë më parë”.

Ai tha: “Epo, do të gjesh një tjetër dhe do të jetë edhe më i mirë”.

Ajo buzëqeshi dhe ne vazhduam më tej. Të nesërmen vëzhgova ndërkohë që Plaku Holland përgëzonte anëtarë dhe udhëheqës, njëri pas tjetrit. Ai e bëri atë me lehtësi, në mënyra kaq të natyrshme sa gjithkush që takuam u ndje më mirë rreth vetes dhe rreth jetës - thjesht ngaqë ai i lartësoi ata.

Ne të gjithë mund ta bëjmë këtë. Nëse Shpëtimtari do të ishte këtu, Ai do të lartësonte këdo në shtegun e Tij, po ashtu siç bëri kur ishte këtu në tokë. Ne të gjithë mund të themi atë që Ai dëshiron të thuhet.

Kur dikush më pyet se si është të shërbesh me Autoritetet e Përgjithshme, gjëja e parë që më vjen në mendje është dashuria që ndiej kur ndodhem mes tyre. Dikush mund të mendojë se qëndrimi tek podiumi i Qendrës së Konferencave është jashtëzakonisht frikësues, sepse Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve qëndrojnë të ulur prapa teje teksa flet. Por në një farë mënyre ata të japin ndjenjën se me të vërtetë mund ta bësh bisedën.

Sapo mbaron së foluri, Të Dymbëdhjetët zgjasin duart dhe të falënderojnë për ndihmesën tënde në mbledhje, ndërkohë që ecën për t’u kthyer te vendi yt. Herën e parë që ndodhi kjo, unë u zura paksa i papërgatitur. Nuk e prisja që ata të ishin kaq shumë shprehës, por janë. Ata e lartësojnë këdo në shtegun e tyre, po ashtu sikurse bëri Shpëtimtari. Kjo është me të vërtetë shenja dalluese e Presidentit Monson.

Presidenti Monson i tregon dashuri kujtdo. Pas një prej sesioneve të konferencës së tetorit, Presidenti Monson pa një djalë të ri duke ia bërë me dorë. Ai u përkul mbi parmakun dhe i bëri shenjë djalit të afrohej. Dhe më pas i dha dorën. Kuptohet se djali ishte shumë i gëzuar.

Në një rast tjetër, pas një shfaqjeje në Qendrën e Konferencave, Presidenti Monson qëndroi pas mbledhjes për t’iu dhënë dorën sa më shumë të rinjve që mundej. Eci drejt sallës dhe iu afrua një grupi të rinjsh me paaftësi të rënda. Edhe pse këta të rinj nuk mund t’i përgjigjeshin me fjalë Presidentit Monson, buzëqeshjet në fytyrat e tyre treguan se sa shumë e vlerësuan dhënien e dorës dhe përshëndetjen e përzemërt.

Nëse u afrohemi të tjerëve, atëherë rritet aftësia jonë për t’u afruar edhe më shumë. Ky është një nga treguesit më të qartë se ne po ia japim vullnetin tonë Perëndisë.

Pra, mund të themi atë që Zoti na do të themi. Ne mund të bëjmë atë që Ai do që të bëhet. Nganjëherë veprimet kanë më shumë rëndësi se fjalët.

Kur po i rrisnim fëmijët tanë, gruaja ime pati një infeksion të rëndë dhe u shtrua në spital. Unë po përpiqesha të kujdesesha për ushqimin dhe për pesë fëmijët tanë të vegjël, ndërkohë që ajo po shërohej. Por nuk m’u desh të mundohesha shumë për të siguruar ushqimin. Vaktet e ushqimeve u sollën tek dera jonë njëri pas tjetrit - kaq shumë, në fakt, sa nuk mund t’i hanim të gjitha. Kështu, unë fillova t’i vija këto ushqime në ngrirje derisa frigoriferi u mbush plot.

Këto veprime mund të duken të vogla në krahasim me disa veprime të shërbimit të dhembshurisë, por vërtet do t’ju them se ato vakte ushqimore kishin shumë domethënie. Ato më shpëtuan mua. Gruaja ime ishte e dobët dhe unë e kisha humbur kurajën. Por thjesht mund të shkoja tek ngrirja për të parë se çfarë kishim për darkë atë natë. Me secilin vakt ushqimi që ata anëtarë të mirë të lagjes sollën te dera jonë, ata po ia dorëzonin vullnetin e tyre Perëndisë. Ata po bënin atë që Ai dëshironte që të bëhej.

Ata anëtarë të lagjes patën synime të çiltra për ta ndihmuar një familje në nevojë, por është e mundur të bësh diçka të mirë me një synim të papërshtatshëm. Atëherë, siç na mësojnë shkrimet e shenjta, mirësia që bëjmë në fakt do të numërohet si ligësi për shkak se zemra jonë nuk po bënte të drejtën.13E bëmë veprimin e mirë, por e bëmë me gjysmë zemre. Pra, dëshirat janë gjithçka. Nevojitet të dëshirojmë atë që dëshiron Perëndia. Nevojitet të themi atë që Ai dëshiron të thuhet, sepse ne dëshirojmë të themi atë që Ai dëshiron të thuhet. Nevojitet të bëjmë atë që Ai dëshiron të bëhet, sepse ne dëshirojmë të bëjmë atë që Ai dëshiron të bëhet. Dhe nevojitet të jemi një dëshmitar i Birit të dashur të Perëndisë, sepse ne dëshirojmë të jemi një dëshmitar. Atëherë e dimë se po ia japim tërë frymën tonë Atij - asnjë pjesë e vogël e jona nuk dëshiron të bëjë diçka në kundërshtim me vullnetin e Tij.

Thënia dhe bërja e gjërave të drejta bëhen më të lehta kur ne i bëjmë premtime Zotit.

Besëlidhjet luajnë një rol qendror në zhvillimin e vullnetit. Kur pagëzohemi, ne besëlidhim që të marrim mbi vete emrin e Zotit - të bëjmë atë që ai do të na donte të bënim. Më pas, çdo ditë Shabati e ripërtërijmë atë besëlidhje. Ne i dëshmojmë Atit tonë Qiellor përsëri se jemi ende të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Zotit dhe se e kujtojmë Atë dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij. Çdo herë që e marrim me denjësi atë pjesë të bukës së sakramentit në dorë ose e afrojmë atë kupë uji tek buzët tona, ne po ia japim vullnetin tonë Atij. Ne po themi: “Unë vërtet do t’i jem dëshmitar botës për Birin e dashur të Perëndisë”14.

Kur vulosemi në tempull me shokun/shoqen tonë të përjetshëm/me, ne përsëri bëjmë besëlidhje që e forcojnë vullnetin tonë. Ne mund ta ndiejmë fuqinë forcuese të Shlyerjes sa herë që hyjmë në shtëpinë e shenjtë të Perëndisë. Atje është që ne besëlidhim për t’ia përkushtuar veten tonë Zotit. Kjo është arsyeja përse Plaku Maksuell tha: “Mos prisni shumë kohë që të gjeni altarin [dhe] ta vendosni dhuratën e vullnetit tuaj mbi të”15.Ai mund të ketë qenë duke folur në mënyrë metaforike, por, besoj, ai po fliste gjithashtu qartësisht rreth mënyrës se si mund t’ia japim vullnetin tonë Perëndisë nëpërmjet bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve me Të.

Kështu, ne bëjmë gjithçka që mundemi për t’ia dhënë veten tonë Atij - zemrën tonë, vullnetin tonë, frymën tonë. Sa më shumë që e ndjekim këtë shteg, aq më shumë Zoti do të na bekojë me dashurinë e Tij. Dhe sa më shumë që e ndiejmë dashurinë e Tij, aq më shumë e dimë se po ia dalim mbanë me sukses që t’ia japim vullnetin tonë Atij.

Shpresoj se po mësojmë diçka këtë mbrëmje që do të na ndihmojë ta përmbushim bekimin e Plakut Nelson - se vullneti i Perëndisë mund të bëhet nga ne dhe nëpërmjet nesh. Kur iu kërkova miqve të mi se çfarë kishin mësuar, kjo është ajo që thanë:

Mashkulli 2: Mendoj se shpesh e kam lidhur lirinë e zgjedhjes së bashku me dhënien e vullnetit tim Perëndisë dhe kjo më ka ndihmuar t’i shoh ato si dy gjëra të ndryshme. Ndiej sikur unë bëj shumë nga gjërat e drejta, por tani ajo më bën të dëshiroj të shkoj dhe ta pastroj synimin, me qëllim që të mund të bëhem njeriu që Ai do që të bëhem.

Femra 2: Më pëlqen të bëj lidhje. Po mendoj, në rregull, kjo është ajo që po më ndodh në jetën time dhe o, kjo është ajo që kam qenë duke studiuar dhe o, ky person e tha atë. Dhe kështu, mendoj se kam qenë duke bërë shumë lidhje.

Mashkulli 1: Pavarësisht nga sfidat tona, ne thjesht kemi nevojë t’i japim Perëndisë më shumë nga vetja jonë. Është sikurse tha Presidenti Ajring: “Sado të vështira të duken gjërat sot, ato do të jenë më mirë nesër nëse zgjedhim t’i shërbejmë [Perëndisë] sot”16.

Mashkulli 3: Dhënia e zemrës tënde dhe e vullnetit tënd Perëndisë … gjëja e parë që Ai bën me të është që Ai e shenjtëron atë. Nuk është se ne të gjithë thjesht po ia japim zemrat tona Perëndisë dhe Ai thjesht i vë ato në një kasafortë të madhe dhe thotë: “Po, një zemër më shumë për mua për t’u kënaqur”. Ai e merr atë dhe e shenjtëron, dhe e vë në provë atë, dhe na e kthen përsëri dhe thotë: “Tani shko dhe përdore këtë për të bërë gjëra të mëdha”. Thjesht nuk mendova kurrë me të vërtetë rreth asaj që ndodhte pasi dikush ia jep zemrën Atij. Mendova se ai ishte një lloj fundi, por ai është veçse fillimi.

Femra 3: E di se nuk di gjithçka dhe duket sikur sa më shumë mësoj, aq më shumë e kuptoj sesa shumë nuk di. Por e di se Perëndia jeton. Dhe mendoj se sot ishte edhe më shumë vërtetim për të - se Ai është i vetëdijshëm për ne dhe Ai me të vërtetë shqetësohet dhe po pret e dëshiron t’i bekojë fëmijët e Tij dhe ata jemi ne.

Femra 1: Para tri ditësh mora një bekim të priftërisë për diçka që po ndodh së shpejti në jetën time. Dhe diçka që u tha në bekim ishte se si mua më nevojitej të kisha më shumë mirëbesim te Perëndia dhe t’ia nënshtroja vullnetin tim. Por për një farë arsye, gjatë atij bekimi ndjeva në mënyrë shumë të veçantë se kisha nevojë të shkoja dhe ta studioja atë e çfarë do të thotë ajo më me vëmendje. Si i ndryshon ajo gjërat që bëj çdo ditë e gjatë gjithë ditës dhe se si t’ia nënshtroj veten time tërësisht Atij.

Kështu, të dhënit e vullnetit tonë Zotit është diçka që e bëjmë çdo ditë. Nuk është një veprim i izoluar. Nuk është fundi, por veçse fillimi. Ne të gjithë mund të themi atë që Ai dëshiron të thuhet. Ne mund të bëjmë atë që Ai dëshiron të bëhet. Ne mund t’i jemi një dëshmitar botës për Birin e dashur të Perëndisë - e gjitha ngaqë dëshirojmë t’i bëjmë këto gjëra. Kur ky ndryshim ndodh në zemrat tona, mirënjohja jonë për Shlyerjen rritet aq shumë sa ne forcohemi prej saj vazhdimisht.

Alma tha: “Në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?”17

Kënga e dashurisë shëlbuese është një këngë e ngazëllimit në Shlyerjen e Jezu Krishtit. Nuk është në mënyrë të nevojshme një këngë me nota dhe me tekst; është një këngë ndjenjash. Fjalët që mund të përdorim për ta shprehur mirënjohjen tonë kur duam të këndojmë këngën e dashurisë shëlbuese, janë vazhdimisht të ndryshueshme, në varësi të bekimeve të veçanta që marrim. Por kjo ndjenjë mirënjohjeje për Shpëtimtarin është e ngjashme me një këngë. Ajo mund ta luajë vetveten në mënyrë të përsëritur në zemrën tonë sa herë që mendojmë rreth mënyrës se si Shëlbuesi na ka shpëtuar nga gjithçka që do të na rrëzonte përtokë.

Kjo është arsyeja përse Alma pyeti nëse na vjen ta këndojmë atë tani. Tani është çasti që ka rëndësi. Nëse ju vjen të ngazëlleheni në Shlyerjen e Jezu Krishtit pikërisht tani, atëherë qëllimet e zemrës sonë janë të drejta. Ne po ia japim vullnetin tonë Atij dhe Ai po e forcon vullnetin tonë. Nëse gjërat e botës na tërheqin, qëllimet e zemrës sonë nuk janë të drejta dhe vullneti ynë nuk po forcohet.

Në pjesën më të fundit të Librit të Mormonit, nefitët, të cilët dikur kishin qenë një popull i drejtë, u larguan prej Zotit. Ata filluan të lëvdohen në vetë forcën e tyre më shumë sesa të ngazëlleheshin në forcën e Zotit. Ata në mënyrë të vullnetshme ngritën krye kundër Perëndisë. Dhe çfarë u ndodhi atyre? U lanë në fuqinë e tyre - deri në pikën kur ata humbën gjithçka.18

Ne nuk duam ta bëjmë atë. E dimë se nuk mund t’ia dalim mbanë të vetëm në këtë jetë. Thjesht nuk mund ta bëjmë. Ne kemi nevojë për ndihmën e Zotit. Ne kemi nevojë për ndihmën e njëri-tjetrit. Thjesht nuk mund të mbështetemi kurrë vetëm tek forca jonë. Krahët e shtrirë të Zotit na ftojnë të forcohemi prej Tij që të mos lihemi kurrë vetëm në fuqinë tonë.19

E di se mund ta pranojmë ftesën e Tij që të vijmë dhe të forcohemi, të vijmë dhe të falemi, të vijmë dhe ta ndiejmë dashurinë e Tij të pafundme. Më pas, me një zemër të hareshme, ne vërtet do të duam të këndojmë këngën e dashurisë shëlbuese. Jo thjesht në të rrallë - ne vërtet do të duam ta këndojmë këtë këngë gjithmonë. Kur ndiejmë forcë për të bërë diçka të vështirë, ne vërtet do ta këndojmë këngën në zemrën tonë. Kur e lejojmë të vërtetën të na gjejë dhe të na e zgjerojë shpirtin, ne vërtet do ta këndojmë këngën. Kur ndihemi të falur, ne vërtet do ta këndojmë këngën. Dhe kur e ndiejmë dashurinë e Tij, ne vërtet do ta këndojmë këngën.

Çdo herë që e këndojmë, ne vërtet do t’ia japim vullnetin tonë Atij, të vetmen dhuratë që kemi për t’ia dhënë Atij. Ai jo vetëm që do ta pranojë këtë dhuratë, por do ta zgjerojë atë dhe do ta thellojë atë. Ai do të na bëjë të ndihemi më të aftë. Ai do të na ndihmojë ta shtojmë aftësinë tonë për të dashur dhe për të marrë dashuri. Ai do të na nxjerrë nga errësira në dritë. Ai do të na shërojë dhe do të na ndihmojë në mënyra që na lejojnë të falim dhe të falemi.

Unë dëshmoj se Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Dëshmoj se Ati i Tij na deshi aq sa ta dërgonte Atë në tokë që të jetonte dhe të vdiste për ne. E di se kjo është Kisha e Tij. E di se profeti i Tij i gjallë, Presidenti Tomas S. Monson, i kupton nevojat e anëtarëve të Kishës dhe e di se si të na ndihmojë që ta gjejmë udhën tonë të kthimit në shtëpi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Russell T. Osguthorpe dhe Lola Osguthorpe, përsht. Steve Schank, “I Will Give Myself to Him” (2009).

  2. Russell T. Osguthorpe dhe Lola Osguthorpe, “I Will Give Myself to Him”.

  3. Rasëll M. Nelson, “Rini e Lindjes Fisnike: Çfarë do të Zgjidhni?” (Takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës, 6 shtator 2013); LDS.org.

  4. Neal A. Maxwell, “Remember How Merciful the Lord Hath Been”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 46.

  5. Oxford English Dictionary, “will [vullnet]”; oed.com.

  6. Jerry A. Coyne, “Why You Don’t Really Have Free Will”, USA Today, 1 janar 2012; usatoday30.usatoday.com/news/opinion/forum/story/2012–01–01/free-will-science-religion/52317624/1.

  7. Rasëll M. Nelson, “Vendime Përjetësie”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 106.

  8. Mosia 3:19.

  9. Shih Mosia 3:19.

  10. Mosia 5:2.

  11. Mosia 15:26.

  12. Russell T. Osguthorpe dhe Lola Osguthorpe, “I Will Give Myself to Him”.

  13. Shih Moroni 7:9.

  14. Shih Moroni 4:3; 5:2.

  15. Neal A. Maxwell, “Remember How Merciful the Lord Hath Been”, f. 46.

  16. Henry B. Eyring, “This Day”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 91.

  17. Alma 5:26.

  18. Shih Helamani 4:13.

  19. Shih Mateu 11:28.